top of page

Një ndalesë diskursive në punën e Bardhyl Maliqit

Updated: Feb 23, 2022



Fatmir Terziu


Prezantimi


Gjatë vizitave të mia në qytetin e Sarandës, në disa vite me rallë, u interesova për atmosferën aktuale letrare të letërsisë së krijuesve jonianë. Mblodha përshtypje dhe opinione nga shkrimtarë, poetë dhe krijues të ndryshëm të Sarandës dhe të zonës përreth. Emri i Bardhyl Maliqit u përsërit dhe u dallua në bisedat e tyre. Në atë kohë, dy nga librat e tij ishin përkthyer tashmë në disa gjuhë të huaja, “Ankthi i statujave” (libër me poema shqip - anglisht), dhe “Perandoria e zogjve” (poema) në anglisht, italisht, kroatisht, rumanisht, greqisht etj.

Veprat e Bardhyl Maliqit më intriguan me frymëmarrjen depërtuese të pashtershmërisë së tyre krijuese dhe profilin e saktë psikologjik të secilit prej frymëzimeve të tij. Për këtë u interesova për herë të dytë në mesin e krijuesve, kur pata rastin të takohem personalisht me poetin, hulumtuesin dhe doktorin e shkencave të edukimit, Bardhyl Maliqi. Ky takim dha shumë përgjigje dhe frymëzoi fillimin e një studimi letrar më të thelluar.

Punimi aktual i kushtohet punës së Bardhyl Maliqit, një nga emrat e njohur dhe domethënës në letërsinë jugore të viteve një periudhe të njohur krijuese. E përmend termin Letërsi e Jugut, sepse një nga veçoritë më të rëndësishme të veprës së Maliqit është identiteti i tij i determinuar. Ai ka Konispol të Çamërisë. Punoi ndër vite si mësues i gjuhës dhe letërsisë, psikolog shkollor, ka qenë drejtues i Njësisë Psiko-sociale dhe pedagog i Filialit Universitar të Sarandës prej disa vjetësh. Ka kryer fakultetin gjuhë – letërsi (studime të thelluara në psikologji – pedagogji), master në mësimdhënie, doktor në shkencat e edukimit. Pra si shumë të tjerë, ai ka një identitet të ndjeshëm shqiptar në kuadratin gjeografik dhe krijues të Jugut, Çamëri dhe Sarandë.

Si një shkrimtar që ndan tendencat postmoderne në qendër të studimeve të tij, pjesa e parë e studimit vështron situatën letrare postmoderne në letërsinë e jugut, të cilën e kam trajtuar në dy vëllimet e mëparshmë „Joni Potik I dhe II“. Qëllimi i kësaj nisme është të sqarojë kontekstin në të cilin lind një vepër e re letrare, si dhe të qasë karakteristikat kryesore që jepen prej saj. Vëmendja më e madhe është përqendruar në situatën letrare në Sarandë, dhe në territorin ku autori ka një ndikim jetik dhe krijues, por për krahasim, merren parasysh edhe tendencat postmoderne në hapësirë më të gjerë të krijuesve Jonianë. Pyetja logjike për thelbin e postmodernizmit vijon, përgjigja e tij qëndron në teoritë e studiuesve të tij. Pastaj vështrimi kthehet në skena letrare dhe arti postmodern i kohëve më të reja përballë formacionit letrar Jonian dhe përfaqësuesve të tij. Në mesin e tyre bie në sy, sikurse e thamë natyrshëm emri i Bardhyl Maliqit.

Pjesa e dytë e punimit aktual trajton jetën dhe rrugën krijuese të Bardhyl Maliqit. Tregon zhvillimin e tij në aspektualitetin tipologjik zhanër dhe problemet kryesore që shtrojnë veprat e tij, nga buron entuziazmi i pandërprerë letrar dhe si arrin përsosmërinë e tij narrative. Kjo parë në tërësinë e librave të tij mishëron simbiozën mes profesionit të edukatorit dhe krijimtarisë së shkrimtarit. Maliqi është gjithashtu me interes për kritikët, më shumë se një herë veprat e tij provokojnë polemika me specifikat e tyre të zhanrit. Ky kapitull trajton edhe problemin e identitetit kombëtar, i cili zë një vend të rëndësishëm në jetën dhe veprën e Maliqit. Tregon fillimin e rrugës së tij si poet dhe mundësitë e tij të zgjeruara në teorinë e studimit dhe analizës kritike të krijimtarisë aktuale shqiptare në territorin ku jeton, pasi ai ka botuar 879 artikuj, mbi 300 prej tyre janë të botuar në shtypin letrar e pedagogjik: „Drita“, „Nëntori“, „Mësuesi“, „Revista Pedagogjike“, „Aks“, „Ndryshe“, „Nacional“, „Fjala e Lirë“, „Galaktika Atonis“, „Zemra shqiptare“, „Illyria“ (në SHBA) etj., madje ai ka kryer 163 redaktime librash nga autorë të ndryshëm në poezi e prozë etj. Duhet theksuar se veprat e tij të fundit janë dy libra me letërsi kritike për shkrimtarin e mirrënjohur nga Kosova, i cili ka qenë disa herë në takimet e Triremës Poetike Joniane, Mexhid Mehmeti.


Suksesi i tij si krijues dhe si studiues lë të kuptohet nga tërsia e tij e suksesshme e librave dhe botimeve, e cila zë një vend qendror në hapësirën krijuese Joniane. Gradualisht, vëmendja zhvendoset në format tipologjike të përmasave të gjera, njëra prej të cilave është në qendër të arsyetimit të kësaj vazhdimësie të shkrimit tonë.

Pjesa tjetër depërton në debatet e strukturës së poezisë së këtij poeti. Shqyrtohet figiracioni, problemi i kompozicionit dhe si ndikon rrëfimi i përgjithshëm në mënyrën se si perceptohet vepra e tij poetike. Shqyrtohet ndikimi i strukturës dhe ndërtimi i saj në formatin e ndjeshmërisë dhe mesazhit, i kushtohet vëmendje hapësirës së historisë me konceptualitetin e njohjes. Shtrohet pyetja për tërsinë metaforike, karakteristikat e mjaft anësi të tjera. Në vazhdimësi analiza jonë zbulon pse Maliqi zgjodhi këtë model strukturor për punën e tij. Ajo tregon se për çfarë po flet poeti tek vëllimi i tij poetik “Pasqyrat”. Kështu, nëpërmjet të kuptuarit të strukturës, kuptimit të formës dhe poetikës së tij, arrihen efektet që rezultojnë, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në perceptimin e të gjithë anës krijuese të Maliqit.


I. Letërsia e Jugut në kontekstin e postmodernizmit


Në dekadat e fundit të shekullit të njëzetë, post-modernizmi u përkrah në letërsinë e krijuesve të Jugut. Edhe pse e pabarabartë, gjurmët e tij shihen në artin sarandiot, gjirokastrit e më gjerë. Letërsia e krijuesve sarandiotë në atë kohë u karakterizua nga dominimi postmodern. Prodhimi letrar ndryshon dukshëm nga ato të mëparshmet. Proza nga periudha e ngurtë e socrealizmit deri në ditët e sotme ka pasur mundësi të marë formën lrike dhe lirinë e saj vetëm pas viteve nëntëdhjetë, dhe tashmë ajo zhvillohet nën shenjën e tre koncepteve bazë, tre modeleve globale. Ndryshe nga krijimtaritë e tjera territoriale, në vitet 1990 e Jugut u shkëput nga socrealizmi dhe në betejën ndërmjet realizmit dhe modernizmit fitoi modernizmi. Përparimi letrar lidhet me poezinë e Agim Matos, Irena Gjonit, Timo Mërkurit, Andrea Zarbadhës, Pajtim Çaushit, Kristo Çipa, Dashamir Malos, Odise Kote, Vangjel Zafirati, Natasha Xhelili etj. Dhe në prozë bie në sy proza ​​ avangarde e Kostandin Voglit dhe disa autorëve të tjerë, ashtu sikurse dhe ajo poezi e ndjeshme, por e lënë pas dore e poetit Kiço Papa. Emrat që më vonë u lidhën me poetikën e postmodernizmit filluan rrugën e tyre krijuese me modernizmin dhe ata janë tashmë në gjerësi të ndjeshme. Spikat krijimtaria e bollshme e Minella Gjonit. Në vitet që pasuan me këtë hapësirë dhe liri krijuese, realizmi u përmbys nga modernizmi, por në dekadën e ardhshme lindi një lloj i ri i realizmit, i ashtuquajturi “Prozë dhe poezi e vërtetë”. Proceset e përshpejtuara krijuese në këtë territor gjeografik, të abandonuar e të shpërfillur nga Tirana në mjaft raste, çuan në shfaqjen më të ndjeshme të postmodernizmit, në vitet që tashmë janë fakt.

Proza postmoderne (notat e së cilës ndihen edhe më shumë në këto vite) kap kategorikisht skenën letrare krijuese të kësaj treve. Këtë e vërteton mjaft prezenca, konkurrenca dhe prania e gjerë në aktivitetet e përvitshme letrare ku miqësisht analizohen dhe promovohen mjaft libra cilësorë. Mund të thuhet se koncepti postmodern në masë të madhe shkon përtej modelit kundërshtues të dy modeleve të mëparshme. Është kthyer në sintezën e elementeve prodhuese të traditës së afërt dhe të largët. Libri teorik dhe kritik i Bardhyl Maliqit, për shkrimtarin Mexhid Mehmeti luan një rol kyç në planin e trajtesës. Ai plotëson betejën e qartë dhe të nënkuptuar midis krijimit dhe rritjes profesionale, duke përvijuar konturet e letërsisë postmoderne. Po krijohet një valë krijuese stereotipash dhe konceptesh të njohura, që sipas kritikës nuk është thjesht një një prodhim letrar. Postmodernistët e kësaj zone tashmë kuptojnë prozën e tyre si një fenomen ndërzhanëror, mbizhanëror dhe ekstrazhanor, sepse ato bashkojnë aftësi të ndryshme dhe struktura gjinore letrare dhe joletrare. Koncepti postmodern ndryshoi ndjeshëm poetikën e krijimtarisë së kësaj zone, e cila më parë kishte qenë kryesisht nën shenjën e logocentrizmit. Dhe pikërisht për shkak se e legjitimon veten si një ndryshim thelbësor, proza ​​postmoderniste shprehet në një aspekt kritik veçanërisht të gjerë dhe të larmishëm. Ajo fokusohet në të gjithë paradigmën letrare dhe qytetëruese, nga shtresat më të ulëta, më të njohura, deri te shtresat e saj më të larta dhe elitare të Jugut.

Një rol kyç në këtë lloj tentative luan përmbysja, anashkalimi dhe braktisja eventuale e logocentrizmit, i cili është dominues në trashëgiminë moderne shpirtërore të Perëndimit. Është e rëndësishme të afirmohet parimi konstruktiv dhe rindërtues, është e rëndësishme të integrohen elementë të modeleve të strukturës në emër të paradigmës së re aktuale të qytetërimit. Një tekst i tillë është maksimalisht i zhvilluar, polifonik dhe i hapur (në kuptimin që Eco e quan “vepër të hapur”). Në krijimtarinëe Sarandës tashmë vërehet një bollëk i pasazhesh autopoetike, problematizim i çështjeve poetike dhe metodologjike, zbulimi i ideve të autorit, analiza e mënyrave individuale të leximit të tekstit. Këto dhe lloje të tjera të metatekstualitetit realizohen përmes nocioneve simbolike dhe alegorike, thënieve metaforike, aforistike dhe profetike, përmes gjurmëve të ndryshme të paqarta, ndonjëherë të pakuptimta që mund të deshifrohen në çelësin metatekstual. Kështu, në dy dekadat e fundit, tekstet gjithnjë e më shumë zbulojnë, madje theksojnë, irealen, imagjinaren, fiksionalen, atë që teoria adekuate e quan fiksion. Në këtë kuptim, roli i këtyre krijuesve të gjerë dhe natyrisht edhe i Bardhyl Maliqit është kyç për letërsinë postmoderne sarandiote dhe prezantimin e saj në tërsinë krijuese shqiptare. Kjo vepër ndryshon nocionin e trashëguar të letërsisë, aktivizon maksimalisht funksionin bashkautor të lexuesit.

Duhet theksuar se Bardhyl Maliqi ka fituar mbi 20 çmime rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare për veprat letrare në konkurse të ndryshme artistike.


Vazhdon …


145 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page