top of page

NJË LIBËR ME VLERA


NJË LIBËR ME VLERA SHKENCORE E STUDIMORE

(Përsiatje për librin “E folmja kalimtare e Vërçës” e Ibrahim R. Ibrushit)

Në qershor të vitit 2017 pa dritën e botimit libri “E folmja kalimtare e Vërçës” i Ibrahim R. Ibrushit, për të cilin dhashë edhe unë ndihmesën time për përgatitjen e tij për botim. Që në fillim, sapo mora materialin, krijova bindjen se kisha të bëja me një studiues këmbëngulës edhe në fushë të gjuhësisë, tek i cili gjeta një vullnet e pasion të veçantë për t’i dhënë lexuesit një vepër për të folmen kalimtare të krahinës së Vërçës në rrethin e Gramshit. Më duhet të pohoj që ky studim i përket jo vetëm kësaj krahine, jo vetëm Gramshit, por mbarë Shqipërisë, pasi jepet në mënyrë të hollësishme kjo e folme tipike, pasqyruar në mënyrë shkencore e metodologjike të saktë dhe është një pjesë e veçantë e gjuhës sonë kombëtare.

Studimi mbështetet në tri fusha: në fjalorin, në frazeologjinë dhe në toponiminë e kësaj të folmeje.

Pasioni i Ibrahimit, dashuria për gjuhën e bukur shqipe, bagazhi i tij shkencor nuk lindën rastësisht. Atij i janë dashur vite të tëra, që, si dikur Kristoforidhi ynë i madh, të qëmtojë, të rrëmihë thellë dhe të mbledhë tërë atë pasuri gjuhësore të kësaj krahine dhe me përkushtim të madh arriti të na japë këtë libër, ku përfshihen afërsisht dhjetë mijë njësi gjuhësore.

Brezat ndërrohen. Të vjetrit ikin. Ndaj Ibrahimi ka shkuar fshat më fshat të Vërçës, është shtruar këmbëkryq kryesisht me të moshuarit, me shokë e miq të tij, me dashamirës e pasionantë të gjuhës shqipe dhe ka mbushur shportën me thesaret më të vyera të gjuhës.

Le ta themi që në fillim që ky studim është fryt i përpjekjeve të mëdha të studiuesit të apasionuar. Atij i është dashur të derdhë mund e djersë, që të punojë vazhdimisht në të mirë të gjuhës sonë shqipe. Sado fjalë të bukura të thurim, kurrë nuk mund të pasqyrohen përpjekjet e mundimshme dhe puna e madhe e studiuesit, sa ditë ka qëndruar e punuar mbi materialet e mbledhura, si i ka skeduar e renditur, si i ka përpunuar e pasqyruar, sa net ka gdhirë pa gjumë se mos i shpëton ndonjë “relike gjuhësore” pa e nxjerrë nga miniera e pashtershme e gurrës popullore. Për këtë punë të madhe dhe për faktin që ky studim është i pari e i vetmi studim për këtë temë të folmeje deri më sot, Ibrahimi meriton të quhet “babai” i së filmes së Vërçës.

Materiali leksikor, frazeologjik e toponimik, i mbledhur nga goja e popullit, është shumë i gjerë e i gjithanshëm si vetë gurra popullore e gjeniut krijues popull, që mbart me vete një thesar të madh gjuhësor, të cilin nuk duhet ta lëmë të shkojë dëm. Fakti që, krahasuar me Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, rezulton se 1722 njësi gjuhësore, si fjalë apo kuptim leksikor, nuk janë në fjalorin e lartpërmendur, tregon pasurinë e madhe leksikore të kësaj të folmeje. Gjithashtu me shumë interes është edhe larmia e madhe që ka fjalëformimi në fjalorin e kësaj të folmeje.

Duke qenë njohës i mirë i gjuhës, falë studimeve të tij të larta me rezultate të shkëlqyera dhe vazhdimisht të ngritjes së nivelit shkencor në vijimësi në mënyrë autodidakte, studimi i tij paraqet interes, në radhë të parë, për mësuesit e gjuhës shqipe, si një udhërrëfyes se si duhet punuar për të mos humbur asnjë fjalë të vlershme nga e folmja popullore dhe për të ilustruar e zgjeruar materialin mësimor me tema të ndryshme në lëndën e gjuhës shqipe.

Të trija pjesët kryesore të këtij studimi paraprihen nga tema studimore me trajtime shkencore për fjalorin, frazeologjinë dhe toponiminë, duke e bërë më të pasur librin dhe duke i rritur vlerën e rëndësinë e tij. Ja përse arsimtarët, sidomos ata të gjuhës shqipe, brezat e rinj e të ardhshëm, ta studiojnë e të mbështeten në këtë studim me synimin që të vazhdohet kjo tisi më tej. Fusha e gjuhës është gjithmonë e pashtershme, kështu që cilido që ndjek shembullin dhe modelin e këtij studimi, ka se ç’të mësojë, ka se ku të mbështetet për të pasqyuar edhe më gjerë, edhe më të plotë pasurinë kaq të vyer të gjuhës sonë.

Në këtë të folme jo vetëm të trija këto fusha që paraqiten në këtë studim, nuk janë trajtuar shtershëm, por ka edhe fusha të tjera të saj, të cilat kërkojnë vëmendje dhe të folme të tjera, që duhen studiuar e pasqyruar shkencërisht. Kësisoj ai iep ndihmesën e vet të vyer jo vretëm për pasqyrimin e leksikut, të frazeologjisë e toponimisë dhe trajtimit shkencor të disa çështjeve për to, por jep ndihmesë edhe për pasurimin e fjalorit të shqipes, për pastrimin e saj nga fjalë të panevojshme, të cilat dëmtojnë gjuhën në tërësi. E kush tjetër më mirë, më saktë e më bukur mund ta bëjë këtë punë, përveçse mësuesit e gjuhës shqipe, në radhë të parë, e pastaj edhe të tjerë, të cilët duhet të ndjekin shembullin e Ibrahim R. Ibrushit, të mësojnë prej këtij libri dhe të vazhdojnë të pasqyrojnë e pasurojnë më tej thesarin e pashtershëm të gjuhës shqipe.

Gramshi në veçanti, por edhe jashtë tij, duhet të krenohen me këtë studiues të përkushtuar, i cili ka bërë një punë serioze, voluminoze e mbi baza shkencore për të folmen e krahinës së Vërçës. Me këtë libër ai radhitet ndër studiuesit më në zë të Gramshit dhe jo vetëm. Ai është modeli i shkencëtarit, që sakrifikon shumë për të dhënë vepra me vlera të gjithëkohshme për ne dhe për brezat që do të vijnë. Ibrahimin askush nuk e detyroi për këtë punë kolosale, por e “detyruan” dashuria dhe pasioni për gjuhën shqipe, që ajo të mos humbasë thesare me vlerë, që ajo të mos mbetet në vend, por të zhvillohet, pasurohet e pastrohet vazhdimisht, sepse vetëm kështu gjuha shqipe bëhet e denjë gjithnjë e më tepër për kombin tonë me aftësi më të mëdha origjinale shprehëse, si dhe shumë gjuhë të zhvilluara në botë. Njëkohësisht e “detyruan” dashuria dhe mirënjohjsa për popullin, nxënësit, kolegët, për Gramshin ku jetoi e punoi 60 vjet dhe dëshira e madhe për të dhënë ndihmesë për ta dhe për gjuhën shqipe.

Rakip Zhguni

24 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page