top of page

Një jetë në pjerrinë


Pajtim Xhelo

Tregim

Dielli i mesditës së korrikut kish shkurtuar edhe hijet e pemëve në të dy anët e rrugës që të çonte në shtëpinë e prindëve të Gerionit. Edhe pse liqeni shtrihej përgjatë asaj rruge, sot flladin që ndihej zakonisht duke lëkundur degët e holla të plepave dhe duke dridhur lehtë gjethet që fëshfërinin melodinë e një kënge , kujtim i legjendave të lashta të të parëve tanë, legjenda që vinin nga thellësitë e përfytyrimit të kohës kur gjithçka ishte e bardhë, ashtu si Zoti e pat krijuar për të mbetur përjetësisht. dukej se e mbanin peng ato rreze të pamëshirëshme, që kishin robëruar botën gjithandej, sa të hante syri dhe të rrokte mendja.

Gerioni qe nisur për të marrë urbanin, po pastaj , meqë ai po vonohej, pat vendosur ta bënte rrugën në këmbë.

Mbase kthjellonte edhe mendimet kësisoj.

Jezerca , e kushërira me të cilën punonin në një zyrë, e kish pyetur disa herë, sepse e shihte gjatë gjithë ditës të hutuar, të papërqëndruar, pa qetësinë e tij të zakontë,po Gerioni ishte një bashkëbisedues përtac; atij nuk para i pëlqente t'i ndante shqetësimet me të tjerët. I vetmi njeri që e zbërthente pa mundim ishte i ati. Që kur ishte fëmijë e më pas në pragrini, ai e shihte gjatë, sikur të donte ta zhbironte . Gerioni ndihej në siklet dhe i pafuqishëm për të përballur tundimin, e zgjidhte gjuhën sikur të qe me priftin , në dhomën e rrëfimit. Tek i shihte ashtu, duke kuvenduar gjatë dhe me zë të ulët, e ëma bëhej kurreshtare dhe afrohej të merrte pjesë në çuçuritjet e tyre, po biseda ndërpritej menjëherë, derisa ajo e kuptonte që ishte e tepërt dhe largohej, jo pa qejfmbetje.

Dikur i kaloi përbri një cigane e re me një fëmijë të vogël përdore. Ai i donte pa masë fëmijët, i kish patur dobësi gjithë kohën, po fati nuk po tregohej zemërgjerë që ta bënte baba edhe pse po mbushte shtatë vite që qe martuar. Mbajti këmbët, nxori nga xhepi i këmishës një pesëdhjetë lekëshe dhe ia zgjati fëmijës, që çuditëisht nuk i pranoi dhe u fsheh pas të ëmës.

Gerioni vuri buzën në gaz. Ia dha të ëmës :

- Merrini ju lutem, i taksa për fëmijën. Unë i dua shumë, po nuk kam akoma dhe më e keqja është se ka shumë mundësi të mos ta kem ndonjëherë këtë lumturi.

Cigania u duk e prekur nga fjalët e tij. Tek vuri re shikimin e saj mëshironjës, ai u bë pishmënt që i pat dhënë më tepër se ç'duhej gojës, po ja që kjo nuk zhbëhej dot më. Nuk thotë kot populli : " Ku dhëm dhëmbi, vete gjuha"

- Më vjen keq për fatin tënd - i tha prerë ajo - po të hollat nuk mund t'i marr. Unë nuk jam përderëse, punojmë të dy me burrin, bëjmë sende kashte dhe e fitojmë jetën aq sa na duhet. Nuk dua ta mësoj djalin me lëmoshë.

Gerioni, edhe pse u ndje pakëz i fyer, këmbënguli :

- Mos m'i kthe, se po ia jap me zemër, bli ndonjë gjë të vogël, është fëmijë, dhurata e gëzon.

Cigania pa ç'pa dhe i mori të hollat.

- Me një kusht - i tha - Do pranosh të të hedh një fall. Unë kam dhunti të trashëguar nga gjyshja, parashikoj fatin. Kisha kohë të tëra që nuk e kam ushtruar këtë dhunti, po po bëj një përjashtim për një zotëri të mirë.

Gerioni hezitoi.

- Ndryshe nuk t'i marr lekët për djalin - e nxiti ajo.

- Epo mirë - ra dakord Gerioni dhe u ul përballë saj rrëzë trungut të një plepi.

Cigania i mori dorën e majtë, i vendosi diçka të imët atje dhe ia mbylli pëllëmbën grusht, pastaj i mori pëllëmbën e djathtë të shtrirë, duke e vëzhguar gjatë,, e përqëndruar e tëra atje, sikur të priste që të ndodhte ndonjë gjë e papritur..

Edhe Gerioni u bë sy e veshë.

Diçka e pavullnetëshme i afroi në kujtesë një ngjarje të largët, mbase më tepër se pesëmbëdhjetë vite më parë.

Ishin duke pritur në stacionin e trenit me shoqet dhe shokët e grupit. Qe funddhjetori. Një cigane e vjetër në moshë ishte strukur nga të ftohtit në krye të shkallëve që të zbrisnin në peronë. Kur i spikati që po afroheshin,, i përshëndeti dhe iu drejtua pikërisht Gerionit :

- Ke dëshirë të të hedh një fall?

Të tjerët qeshën dhe nisën ta ngacmonin.

Po rrinte në mëdyshje.

- Mos dëgjo ata - këmbënguli gruaja, që nuk mund t'ia përcaktoje moshën- Nuk dua të holla.

Shoqja e tij, me të cilën ishin thuajse të fejuar, u afrua dhe i pëshpëriti :

- Pse nuk pranon, ke frikë mos të dalin të fshehtat?

Ajo bëri shaka, po Gerionin e nxiti të pranonte fallin. Ja, e njëjta skenë si tani. Të njëjtat lëvizje pat bërë edhe ajo cigania te stacioni i trenit vite më parë.

- Do kesh një jetë të trazuar - i kish thënë ajo dhe kish vrejtur ballin- Në rrugën e jetës nuk do kesh në krah njeriun e duhur. Nuk do kesh as fëmijë me këtë grua. Ki kujdes, mos u nxito të vendosësh pa e njohur mirë. Nëse do të përfundosh me këtë femër që shoh këtu, do kesh telashe të përherëshme, madje nuk do ndahesh, por ajo do pësojë një aksident dhe do të lerë vetëm në pjesën më të madhe të rrugëtimit.

Të rinj ishin, gjithçka u qe dukur mashtrim nga ana e plakës cigane dhe në tren kishin nisur ta ngacmonin Gerionin që qeshte së bashku me ta.

Pas kaq vitesh, kujtesa po ia sillte pranë kësaj nëne të re, atë ciganen e stacionit të trenit

Dhe qeshi.

Kaluan gati pesë minuta në heshtje, po Gerioni nuk u mërzit çuditërisht. Madje ai tani pati kohë të dallonte sytë e saj të gjelbër, që dukej se fshihnin hijet e magjisë që po përgatiste në atë heshtje paksa të frikëshme.

- Nuk është asgjë fati i keq që nuk ke fëmijë - e përmendi gruaja me zërin që kumboi - Një fatkeqësi e rëndë do ndryshojë jetën tënde, fare shpejt. Do mbetesh vetëm për një kohë të gjatë. Gruaja do të largohet nga kjo botë.

Sytë e ciganes ranë të egër mbi hutimin e papritur të Gerionit.Ata ishin zhbirues dhe të pamëshirshëm, si kthetrat e skifterit, ngulur thellë në trupin e viktimës.

Ai qeshi hidhur.

- Pse qesh? - u habit cigania.

Gerioni i tregoi ngjarjen me ciganen plakë te stacioni i trenit.

- Ka qenë gjyshja ime . Vdiq vitin e shkuar.

Tjetri u përpoq të sillte ndërmend fytyrën e plakës. Po, ishin po ata sy të saj tek e mbesa. Edhe zëri ishte po ai.

Gerioni e falënderoi , përkëdheli djalin e vogël që kish ndenjur pa lëvizur dhe pa folur gjatë gjithë kohës dhe vijoi rrugën.

Edhe pse mënyra si e paralajmëroi cigania qe paksa e frikëshme, Gerioni u përpoq t'i mbushte mendjen vetes që këta parashikuesit e fatit ishin aktorë të mirë, mjeshtra të ndikimit mbi psikologjinë e njeriut, kësisoj nuk u duhej vënë veshi shumë. Në të vërtetë tregonin shumë ndodhi që parashikimet e tyre kishin dalë të vërteta, po kjo mund të ishte edhe rastësi. Mbante mënt që i ati i thosh gjithmonë : " Një rast mund ta kalosh pa u merakosur, edhe dy, po kur ato përsëriten, duhet të kesh kujdes; tashmë rastësitë e njëpasnjëshme përbëjnë mundësi dhe mundësitë e përsëritura janë një pjesë e mirë e jetës së përditëshme. Asgjë nuk duhet kaluar me mospërfillje, sepse gjithçka që ndodh e ka një shkak dhe ai shkak do sjellë dikur një pasojë!"

Për t'u çuditur ishte, ku i pat mësuar babaii tij tërë ato këshilla filozofike? Një fshatar i thjeshtë, bujk kish qenë tërë jetën, njëlloj si dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, xhaxhallarët e Gerionit, po ata i kishin fjalët me para. Mbase pat ndikuar koha e internimit nazist dhe dy vitet e gjatë e të vështirë të sorollatjeve nëpër Europë, derisa erdhi në atdhe, ku e dinin të vdekur dhe e patën qarë së bashku me ata që nuk ishin më në këtë botë.

E ëma ndonjëherë e tepëronte kur i thosh :

- M'u bëre si burri i tretë i nënës me këto këshilla! Bëj ndonjë muhabet tjetër!

Qeshte ai dhe nuk i zemërohej kurrë. Pati ndonjë rast që Gerioni i kundërvihej të ëmës, po ajo ia priste shkurt :

- Edhe ti tyt eti do t'i ngjash, ashtu si i ngjante ai babait të vet, që pati bërë nëntë vite të gjatë ushtri në Arabi dhe në veri të Afrikës.

Në të vërtetë nëna nuk ishte e keqe, po nuk pati bërë as një vit shkollë dhe jeta e saj qe konturuar në rritjen e fëmijëve, kujdesin për burrin dhe për shtëpinë, mikpritjen dhe mardhëniet me miqësitë e familjes. Sidomos me këtë të fundit mburrej gjithnjë:

- Gruaja e mirë duhet të ruajë miqësitë tradicionale të familjes së burrit - përsëriste vendpavend.

Jo pak herë Gerioni kish pyetur veten se si babai i tij i mençur, me përvojë të pasur jete, i duruar, i përmbajtur, i thjeshtë, pati pranuar të ndante fatin me një grua të rëndomtë si nëna. Madje, ia pat shprehur edhe babait këtë Ai kish qeshur me atë qetësinë e vet magjepsëse dhe ia pat kthyer :

- Nëna jote ka ca gjëra që nuk i kam unë, unë jam ndryshe, kështuqë plotësojmë njeritjetrin. A ka kuptim që të jemi të dy njëlloj? Do t'i ngjanim një pellgu me ujë të ndenjur, një moçali të fjetur mbase.

Një mbrëmje, kur kish nisur punën pas diplomimit, i ati e pat pyetur :

- Nënën tënde e njohim tashmë edhe ti, edhe unë, po atë nënën e fëmijëve të tu kur do na i sjellësh?

Gerioni qe zënë ngushtë. Me të fejuarën të cilën e kish njohur që vitin e parë të fakultetit sikur nuk ishin mirë kohët e fundit. Ajo pat filluar punë në Tiranë, në Ministrinë e Kulturës dhe ngulte këmbë që të shkonte edhe Gerioni atje. Dajua i saj ishte Ministër i Financave, kësisoj emërimi qe punë e zgjidhur fare lehtë, po djali qe shumë i lidhur me familjen, madje Tirana nuk i kish pëlqyer asnjëherë dhe e kish kundërshtuar prerë.

- Ti po bëhesh shkak për ndarjen tonë - e pat paralajmëruar ajo herën e fundit që qenë takuar. Biles qenë grindur gjatë.

Për një çast u mat t'i thosh të atit që kjo do ndodhte një ditë, po nuk foli fare, bëri sikur nuk kish gjë në torbë atij krahu dhe veproi drejt, se pas disa ditësh ata ishin ndarë përfundimisht.

Po i rrotullonte në parafytyrim këto ndërsa shtëpia tashmë qe vetëm disa hapa larg. Lehu qeni që u turr dhe nisi t'i hidhej në gjoks me dy këmbët e përparme, derisa u dëgjua zëri i zonjës së shtëpisë, si gjithmonë i ashpër, i fuqishëm, i prerë :

-Kush e paska marrë mundimin të na nderojë shtëpinë në tërë këtë vapë?

Qeni u shkëput nga Gerioni dhe u afrua te dera e shtëpisë, priti që e zonja të dilte përjashta dhe sikur të donte t'i kthente përgjigje pyetjes së saj i tregoi me një lëvizje të lehtë të kokës të posaardhurin.

- Ti?- u shqetësua ajo- Pse nëpër këtë të nxehtë afrikan, nuk priste puna të niseshe kur të binte dielli?

Gerioni e përqafoi dhe u përpoq ta qetësonte:

- Nuk kam gjë jo, nuk ka ndodhur asgjë. Autobuzi u vonua, kështuqë u nisa në këmbë. S'është hera e parë që e bëj këtë. Harrove që katër vitet e gjimnazit e bëja përditë, se nuk kishim mjet? Zëre se u ktheva në ato vite.

E ëma psherëtiu.

- Eh, sa mirë do qe të vinin sërish ato vite - tha - Do ishim përditë bashkë!

U dëgjua zëri i të atit :

- Me kë po bisedon kjo gruaja ime? Mos po më tradhëton tani në pleqëri?

Gerioni hyri brenda. Ishin larguar të gjitha kujtimet dhe mendimet që i patën shkurtuar rrugën.

Atë e bir e kishin bërë zakon të takoheshin duke i vënë dorën në sup njeritjetrit e duke u parë në sy. Nuk e mbanin mënt kush e kish bërë i pari këtë, që kur Gerioni ishte nja tetë ose nëntë vjeç, po tashmë gjithë familja , gjithë të afërmit qenë mësuar me këtë zakon, nuk u bënte përshtypje. Për ata të dy kjo donte të thoshte shumë; pa zë, ata pyesnin : " Si ke kaluar, a je burrë i fortë?"

Pastaj uleshin e kuvendonin si dy miq e shokë fëminie që i lidhte një jetë e tërë.

- Pse s'më telefonove? - e pyeti ai kur i biri u rehatua, piu dhe lëngun e trëndafilit që e ëma e kish pijen e trshëgimisë familjare borshjote.

- Sepse nuk e pata ndarë mendjen nëse do vija apo jo. Isha te kafja kur vendosa dhe nuk u ktheva fare në shtëpi.

Ai e qortoi që nuk i pat thënë të shoqes, Alisës :

- Sigurisht ajo do të jetë bërë merak - i tha - Merre në telefon dhe thuaji.

Gerioni bëri sikur nuk dëgjoi, u hoq se i tërhoqi vëmendjen një kungull i lezetshëm që e ëma e kish vendosur në kënd të kuzhinës, mbi një mbajtëse të punuar me kashtë kënete dhe me thupra gjeshtre. U ngrit dhe po e shihte nga afër, gjoja me interesim, gjë që nuk pat bërë pjesë më parë në zakonte e tij.

- Kungullin ma solli dajua yt, kurse mbajtësen e bleva te një çift arixhinjsh që jetojnë në krahun tjetër të liqenit. I kanë duart të arta dhe janë njerëz të patrazuar.

Gerioni e kuptoi për kë bëhej fjalë.

- Jo arixhinj moj nënë, ata janë ciganë, janë indianë shëtitës që bredhin gjithë botën. Gruan e re e takova kur po vija. Ishte së bashku me djalin e vogël.

Tha këto e pastaj u tregoi për parashikimin e fatit që i pat bërë ajo.

Prindërit e tij besonin të dy njëlloj te këto dhunti paranormale; ishte mbase nga gjërat e rralla që kishin të përbashkët. Për të tjerat, zor se i bëje në një mendje. Heshtën për pak kohë në një shqetësim të verbër, të pakuptuar mirë. Dikur e ëma tha :

-Unë u frikësohem këtyre gjërave, më mirë mos t'u vemë veshin.

- Po se mos unë e vura kokën në jastëk dhe rashë e vdiqa! - ia ktheu Gerioni - Ua thash këtë thjesht, meqë ra fjala.

I ati qe zhytur në një botë tjetër, nuk qe aty. Ku i pat çuar dhëntë të kullosnin ai bablok?

Donte ta trazonte, po pastaj e la në magjinë e të panjohurës, nga e cila kthehej kur kishte dëshirë.

Në mbrëmje, pasi darkuan , po rrinin në verandë.

-Na sill nga një gotë raki moj grua, se sikur ka lezet ajo e shkreta kur e pi me djalin.

Rrallë, shumë rrallë e bënte këtë babloku, mbase kur kish ndonjë duf për ta përzenë nga shpirti. E shoqja nuk ia bëri fjalën dy, solli tri gota dhe një shishe qelqi ngjyrë blu me ca valëzime tërthore, që të kujtonte detin.

- Po gota e tretë për kë? - bëri sikur nuk e kuptoi Gerioni.

E ëma qeshi.

- Epo, më takon edhe mua të jem në shoqërinë tuaj - i tha me shaka - Tanimë edhe unë me tët atë jemi shokë. Besoj se e kam fituar këtë të drejtë pas tridhjetepes vitesh bashkëjetesë.

I shoqi e ndërpreu, duke e ditur që ajo mund të pushonte vetëm ndaj të gdhirë ligjëratën e vet :

- Pa më thuaj mor bir, si i ke punët me Alisën?

Gerioni u përgjigj me përtim të dukshëm :

- Si gjithnjë bablok.

- Që do të thotë?

- Kuptoje ashtu si ta thash, si gjithnjë. U mësuam si qeni me macen dhe duket se nuk do të ishte e pranueshme asnjë mardhënie tjetër midis nesh.

Plaku nuk e kundërshtoi.

- E di, ndonjëherë njeriu mësohet edhe me të keqen, po kjo nuk më vjen e mirë për djalin tim. Të kam këshilluar pak më ndryshe.

Gerioni po e pyeste në heshtje, duke mos ia hequr sytë. Vëmendja e mbajtur gjithmonë gjallë, ishte një nga vyrtytet që i ati përlqente tek i biri.

- Burri duhet të jetë si regjizori i teatrit, apo i filmit për familjen. Është ai që i rregullon gjërat si duhen, që filmi apo shfaqja teatrale t'i kënaqi të gjithë, të jetë e suksesshme.

Ishin fjalë të mençura ato që sapo dëgjoi Gerioni, po dhe i biri e pati përgjigjen në majë të gjuhës :

- Po kur ky regjizor ka dështuar bablok, si i bëhet për më tej?

Këtë herë qe e ëma që iu përgjigj :

- Asnjëherë mos thuaj " kurrë" - vërejti ajo- Ti nuk je nga ata që tërhiqen kollaj. Pse kështu në këtë rast? E di që ka shumë arsye të ftohjes mes jush. E para është mungesa e fëmijëve, po vendosni të shkretën të merrni një fëmijë, ose nga jot motër, ose nga vëllai i saj.

- Këtu qëndron e keqja moj nënë. Alisa nuk pranon të marri fëmijë të të tjerëve. Ka frikë se mos nesërpasnesër fëmija do të shkojë te prindërit biologjikë.

E ëma u nxeh.

- Epo le të jetë e zonja dhe ta bëjë fëmijën e saj!

Babë e bir qeshën.

- Se mos nuk e do ajo këtë - i tha i shoqi- Ta dish sa vuan ajo për këtë gjë.

Po përgjigja e të birit e habiti.

-Ndonjëher kam përshtypjen se Alisa nuk i ka dashur fëmijët, nuk e kam parë kurrë të përkëdheli ndonjë fëmijë të vogël, siç bëjnë gjithë njerëzit në botë, për më tepër gratë.

Kjo e vërtetë, e thënë qetë dhe thjeshtë, i tronditi ata të dy. Si mund të kish qoftë edhe një njeri të vetëm në botë që të mos i adhuronte fëmijët, ato qenie të pafajshme, të çiltra, të ëmbla që të dhuronin shpresën për të ardhmen, që ishin burim i jetës së pandërprerë, lumë i zhurmshëm i përjetësisë?

- Janë fjalë të rënda këto që na the mor bir - vërejti i ati.

- Sepse është e rëndë edhe dhëmbja e shpirtit im, bablok dhe ti e di më mirë se unë, që një shpirt që dhëmb thotë vetëm fjalët e duhura, nuk gënjen.

E ëma u ngit, hyri e doli disa herë në kuzhinë, fare kot, për " t'u gjendur si Kola në punë", pastaj u ul pranë Gerionit dhe e pyeti :

- Po si do të vejë ky halli yt mor bir?

Ai u përgjigj i qetë :

- Ashtu si halli i gjithë të tjerëve që jetojnë në kushtet e mia.

Nuk e nxitën më tej bisedën. Edhe ora e gjumit kish afruar.

Të nesërme, kur po e përcillte, i ati i tha :

- Jam i mendimit që të shkosh të shtunën pasdreke në Shtëpinë e fëmijëve jetimë dhe të marrësh ndonjë nga ata vocërrakët pët ta mbajtur në fundjavë, siç bëjnë shumë të tjerë, edhe pse kanë fëmijët e tyre. Mbase Alisa afrohet me të,sepse fëmijët kanë aftësinë të zbutin edhe tigrin.

Gerioni nuk e kundërshtoi, madje iu duk mendim i mirë.. Si gjithmonë babloku i tij kish gjetur një rrugë të shtruar, ku mund të ecte mardhënia e të birët me të shoqen, që sa vinte dhe po bëhej si dhi arrakate në këmbënguljen e saj të paligjëruar.

Pa i thënë asgjë të shoqes, Gerioni shkoi që ditën e premte në Shtëpinë e fëmijëve jetimë Në sallën e pritjes për të takuar drejtoreshën pa një vajzë me dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, që ishin të bukur si dy trëndafila të porsaçelur. Djali u shkëput dhe iu afrua Gerionit.

- Ju jeni ai xhaxhi që do na marrë mua dhe motrën time nesër?- e pyeti.

Po rrinte përballë të panjohurit, i vëmendshëm, këmbëngulës, i vendosur të mos largohej pa marrë përgjigjen e duhur

Dhe nuk ishte më tepër se pesë vjeç. E motra duhet të qe nja dy vite më e vogël.

Gerioni mbeti i çarmatosur nga siguria me të cilën hyri fëmija në bisedë. Nuk dinte si t'i përgjigjej, po vajza me të cilin po rrinin fëmijët, e shpëtoi nga ngërçi dhe sikleti i papritur. Ai nuk qe mësuar me fëmijët dhe thuajse nuk e njihte botën e tyre. Fëmijërinë e vet e kish harruar thuajse në sirtarët e vjetëruar të kohës; ajo ishte shumë vite larg.

-Eja këtu Parid, mos e bezdis xhaxhin- e thirri ajo, pastaj iu drejtua Gerionit - Është shumë kurreshtar, aq sa ndonjëherë e tepëron.

- Janë fëmijët tuaj ?- e pyeti Gerioni.

Vajza qeshi pa të keq.

- Jo, unë jam e pamartuar, janë të motrës sime. Prindërit ndrruan jetë në një aksident automobilistik dy vite më parë, kështuqë gjyshërit nga babai i sollën këtu, edhe pse unë ngula këmbë që t'i mbanim ne, njerëzit e të ëmës.

Gerioni i kërkoi të falur; mendoi se mos vajza ishte fyer kur ai i kish quajtur fëmijët e saj.

Vajza bëri një shenjë shpërfilljeje me dorë, sikur të donte të thosh se kjo nuk kishte rëndësi.

- Është njëlloj si të ishin të mitë, gjaku im janë - i tha pastaj dhe e pyeti - Po ju, kujdeseni për fëmijën e ndonjë të afërmi?

U hutua, nuk dinte si t'i përgjigjej, po sërish vajza e re e ndihmoi:

- Apo do merrni ndonjë nga fëmijët për fundjavë?

- Po, po - nxitoi të thosh ai - Ne vet nuk kemi fëmijë. Dua të provoj të mësohem me një fëmijë në shtëpi. Them se do jetë gjë e bukur, veç e kam pisk me time shoqe. Nu është e një mendjeje me mua.

Vajza u duk e habitur.

- Nuk i ka qejf fëmijët?

- Jo dhe aq.

Ajo ia ktheu :

- Un i dua shumë, kur të martohem do bëj pesë fëmijë, një më tepër se prindërit e mi.

Ishte radha e Gerionit të habitej. Rrallë kish dëgjuar nga goja e një vajze kaq të re që donte të bënte kaq shumë fëmijë. Ai donte ta përgëzonte për këtë, po pastaj ndrroi mendim; sikur e kish zgjidhur gjuhën më tepër se ç'duhej Ai nuk e njihte fare dhe i kish folur për Alisën. Me çtë drejtë?Po tashmë ishte vonë për ta ndërprerë bisedën.

Këtë herë ishte vogëlushja me kaçurrela të zeza që iu afrua dhe i kapi dorën me doçkën e saj të vockël, të butë si sfungjer.

- Xhaxhi, do na marrësh në shtëpinë tënde mua dhe vëllain?

Atij iu bë se i foli një ëngjëll që kish zbritur papritur nga qielli.

U mendua një çast, pastaj, i përlotur e përqafoi dhe iu përgjigj:

- Po, shpirt i vogël, ëngjëll i xhaxhit, do t 'u marr të dyve që sonte në shtëpi.

Tezja e fëmijëve e kundërshtoi, duke i thënë se ajo i merrte vet çdo javë, po si e pa që Gerioni ishte përlotur, nuk ia prishi. Kur doli drejtoresha, ata të dy qenë dakortësuar që Gerioni t'i merrte fëmijët që atë ditë. Ajo i kërkoi Gerionit letrën e njoftimit, shënoi në një regjistër disa të dhëna dhe ai u largua me të dy fëmijët, që çuditërisht nuk po i ndaheshin për asnjë çast. Tezja e tyre i shoqëroi deri afër shtëpisë dhe i puthi të dy.

- Silluni mirë dhe më jepni fjalën që nuk do ta shqetësoni xhaxhi Gerionin dhe gruan e tij! - i porositi ajo dhe u largua duke i uruar burrit të porsanjohur natë të mirë. Kur nuk pati bërë as pesëgjashtë hapa, u kthye dhe shtoi - Nëse mërziten, po të lë numrin tim të telefonit dhe mos ngurro të më telefonosh, vi unë i marr, pa asnjë problem.

Sa ktheu kokën tezja e saj, vajza e vogël e pyeti Gerionin:

- Si quhet gruaja juaj?

- Alisa - u përgjigj ai i habitur me mençurinë dhe lirshmërinë e fëmijës.

I ra ziles dhe priti të shihte si do të sillej e shoqja nga kjo vizitë e papritur.

Fëmijët, me pafajësinë e tyre, po prisnin te pragu i derës së hapur që ajo grua t'i ftonte brenda, t'i përkëdhelte, t'u thosh fjalë të ëmbla, pse jo, t'u mbushte duart me dhurata dhe me torta për fëmijë, ashtu si bënin gjyshet e tyre kur i merrnin në fundjavë në shtëpi.

Asgjë nga këto nuk ndodhi. Alisa kish mbetur e shtangur pas portës, duke rrotulluar sytë herë te i shoqi, herë te fëmijët , pa mundur të shqiptonte asnjë fjalë.

- Do na thuash të hymë apo jo? - bëri shaka Gerioni dhe e shtyti lehtë që të fuste fëmijët brenda në koridor.

- Mirmbrëma teta Alisa! - e përshëndetën vocrrakët në një kohë.

- Mirmbrëma! - ua ktheu ajo , akoma nën veprimin e të papriturës.

E hoqi të shoqin mënjan dhe e pyeti me gjysëm zëri, që të mos e dëgjonin mysafirët e vegjël:

- Kush janë këta?

Gerioni i shpjegoi, pastaj, pa i lënë kohë të thosh ndonjë fjalë të pakëndëshme për fëmijët, u drejtua nga ata dhe i paraqiti :

- Ky është Paridi, kjo është Katrina, janë motër e vëlla.

Fëmijët u ngritën në këmbë dhe u përkulën lehtë, me mirësjellje.

Gruaja, që nuk po e merrte akoma veten nga kjo vizitë që nuk e pat përfytyruar ndonjëherë, po sillej rrotull, pa ditur ç'të bënte:

- Më duhet të shkoj të blej ca gjëra që të përgatis darkën dhe mëngjesin për këta fëmijë - i tha ajo të shoqit dhe bëri të dilte, po Gerioni nuk e la .

- Më thuaj mua ç'duhet të blej dhe po shkoj shpejt e shpejt, ti merru me Paridin dhe Katrinën.

Kur u kthye, ai i gjeti fëmijët të ulur atje ku i pat lënë dhe të shoqen ulur në divan me turinjtë varur. Ajo u çua si me përtesë dhe nisi të përgatiste darkën. Papritur Paridi iu afrua dhe e preku lehtë te dora .

- Teta Alisa, për ne mos përgatit gjë - i tha - Për darkë ne pimë vetëm një gotë qumësht me një vezë të zier dhe një fetë bukë. Kështu bëjmë gjumë të lehtë, sepse natën trupi ynë nuk është në lëvizje dhe nuk harxhon kalori.

Gruaja u habit:

- Kush ju ka thënë kështu?

- Mësuese Teuta - u përgjigj Katrina në vend të të vëllait.

Ajo i shikoi të dy dhe ua ktheu :

- Kur të jeni në shtëpinë e fëmijëve, bëni si ju thotë mësuese Teuta, këtu do të bëni si t'u them unë, u kuptuam? Veza nuk këshillohet as për të rritur në darkë, ajo mësuesja juaj qenka teveqele.

Katrina u kthye nga Gerioni dhe e pyeti :

- Ç'do të thote ajo fjala që tha teta Alisa?

Burri qeshi dhe ia shpjegoi. Pastaj, për t'i tërhequra nga mënyra e ashpër dhe pa takt e sjelljes të së shoqes, pyeti Paridin:

- Po ti e kishe dëgjuar ndonjëherë këtë fjalë?

Dlali mblodhi supet.

- Ndonjëherë ne të rriturit përdorim ca fjalë të vjetra, që duhet të hiqen nga përdorimi, po ju të vegjlit nuk duhet të na i vini veshin.

Djali i vogël tha :

- Gjyshërit e mi nuk përdorin fjalë që ne nuk i njohim.

- As tezja - shtoi vajza.

Alisa ktheu kokën, i hodhi një shikim dyshues të shoqit, pastaj pyeti Paridin:

- Pse keni një teze ju?

Fëmijët u përgjigjën të dy në të njëjtën kohë:

- Tezen tonë e quajnë Meriman.

- Pse nuk ju mban ajo, po ju ka çuar në shtëpinë e fëmijës?

Ata të dy shikuan njeritjetrin, po nuk dinin si të përgjigjeshin.

Gerioni donte t'i hiqte vrejtje të shoqes, ta kujtonte që fëmijëve nuk u bëhen pyetje të tilla , se i vë në siklet të panevojshëm.

- Gjyshërit nga babai i tyre nuk kanë qenë dakord që fëmijët të rriteshin vetëm nën ndikimin e e njerës palë, kësisoj vendosën t'i çonin aty ku janë sot, veçse tezja e tyre kujdeset gati çdo ditë për ta.

Papritur gruaja e la punën që kish nëpër duar, u kthye nga ai dhe e pyeti me xhelozi të pafshehur :

- Po ti nga i di gjithë këto gjëra për tezen e tyre? E njihje më parë atë?

Gerioni hodhi një vështrim të shpejtë nga dy fëmijët, për t'u siguruar që ata nuk kishin kuptuar gjë dhe iu përgjigj qetë :

- Jo moj, nuk e kisha parë kurrë, po sot më foli drejtoresha për të gjitha këto.

Alisa vijoi ta shihte me mosbesim fyes, po i shoqi bëri sikur nuk e kuptoi qëllimin e saj, dhe nisi të merrej me fëmijët.

Katrinën e zri gjumë shpejt, ndërsa Paridi e lodhi me pyetje Gerionin. Ishte hera e parë që rrinte kaq shumë me një fëmijë dhe sesi i dukej vetja ndonjëherë, kur djali i kërkonte shpjegim për ca gjëra që edhe atij vet nuk i patën shkuar nëpërmend.

- Dhelpra është vetëm femër, po mashkullin ku e kaË Si duhet të quhej ai?

Gerioni nuk dinte si t'i përgjigjej. As ai vet nuk kish dëgjuar ndonjëherë si quhej mashkulli i dhelprës.

- Për të patur ka edhe mashkull të dhelprës, po unë nuk e di si quhet.

Paridi u duk i pakënaqur.

- As tezja ime nuk e dinte. Vetëm një shoqe më e madhe se unë atje ku jemi ne më th që quhet dhelpërak.

Gerioni qeshi. Pak më vonë djali e pyeti :

- Pse njeriu nuk është vetëm mishngrënës?

Gerioni u mendua një hop, po jo,ishte mundim i kotë, edhe kjo qe pyetje e vështirë. Fëmija ishte i papërballueshëm. Vallë, mos qenë kështu gjithë fëmijët e botës? Një mençurie dhe kurreshtjeje të tillë ishte e pamundur t'ia dilje. Mos pati të drejtë e shoqja që nuk donte t'i futej kësaj valleje?Po gjithë bota si bën me fëmijët, nëse ata janë kaq të lodhshëm?

Gerioni po e shihte Paridin e vogël në mëdyshje. Një çast mendoi : " Mos është fëmijë i veçantë, mos ka zhvillim psikomotor të parakohshëm?"

Po djali i çuditshëm nuk e la ta përfundonte mendimin për të.

- Nuk do qe më mirë që ne të hanim vetëm kafshët që ushtehen me bar, si lepuri, delja,dhia, lopa, kali, sorkadhja, iriqi, kërmilli? Barin e hanë ato dhe ne, duke ngrënë mishin e tyre, kemi marrë edhe barin.

Burri kish mbetur pa fjalë; një fëmijë kaq i vogël dhe kaq i mençur. Alisa vente e vinte nëpër shtëpi dhe nuk po ia vinte veshin bisedës së atyre dyve. po edhe asaj i erdhi radha të habitej.

- Po ti teta Alisa nuk ke bërë asnjëherë fëmijë si gratë e tjera? - iu drejtua Paridi pa të keq.

Gruaja u shtrembërua në fytyrë, egërsoi shikimin, u kthye nga djali dhe i tha me inat :

- Këto nuk janë pyetje që duhet t'i bëjë një fëmijë i vogël si ti. Tezja jote nuk të paska edukuar mirë.

Gerioni i bëri shenjë të shoqes që të ulte tonin, po ajo bëri sikur nuk e vuri re dhe vijoi :

- Nuk kam patur fëmijë, po edhe sikur të kisha, nuk do doja të ishte kështu si ti.

Djali u zemërua, pështeti kokën te Gerioni dhe nuk foli më.

- Dhe tani bëhu gati të flesh gjumë. Jot motër po sheh në ëndër përrallat e Aladinit me llampën magjike tani..

Paridi e kundërshtoi .

- Do fle me xhaxhi Gerionin, nuk dua të fle vetëm.

Ai ngriti sytë dhe i hodhi një vështrim lutës burrit, saqë këtij të fundit i erdhi keq., i cëmboi në zemër.

- Xhaxhi Gerioni do flerë në krevatin e vet , me mua, ty do të shtroj këtu, në divan, do të vë edhe karrike anash se mos lëviz natën dhe bie për tokë.

Paridi vari përsëri turinjtë dhe u gnjesh edhe më pas Gerionit. Si e pa që me atë grua nuk bëhej shaka, ai iu lut :

- Vetëm sonte teta Alisa, nuk do kërkoj kurrë më të fle me xhaxhin.

- Mos e përsërit më - ia ktheu gruaja ashpër - Vetëm sonte the? Sigurisht që vetëm sonte do flesh këtu, se nuk do vish më herë tjetër. Nuk kam ndërmend të merrem me ty, se qenke i bezdisur. Jot motër është e urtë.

Djali i vogël nuk ia ndante shikimin Gerionit. Sytë e tij shprehnin një dëshirë të çuditëshme, luteshin thellë dhe çiltër, sa qe e pamundur të mos të preknin një zemër që rrihte mes njerëzve të kësaj bote.

- Babi më vinte përnatë në gjumë, pastaj shkonte në krevatin e vet. - tha papritur fëmija dhe nga syti i shkitën ca pika loti.

E si të mos nia plotësoje dëshirën një jetimi që po të zëvendësonte në një njohje kaq të shkurtër me të atin që e pat humbur njëherepërgjithmonë?

- Do fle këtu sonte me Paridin - i tha burri Alisës pa e shikuar në sy

Ajo vuri re lotët që kishin lagur qerpikët e të shoqit, po çuditërisht, kjo nuk ndikoi që të ndrronte mendim.

- Jo, ai nuk duhet të mësohet me teka dhe ti nuk duhet t'ia ushqesh ato. Tezja e vet le të bëjë si të dojë.

Sërish hyri në mes tezja e djalit. Përse duhet ta përmendëte atë vajzë që nuk e kish parë ndonjëherë?

Gerioni e mënjanoi djalin te cepi i divanit, shkoi mori çarçafët dhe jastëkët nga dhoma e gjumit, i shtroi ato dhe iu drejtua Alisës që po rrinte e palëvizur te frigoriferi, e ftohtë dhe me motorin e fikur si edhe ai atë çast:

-Dhe tani natën e mirë, u gdhifshim të gjithë shëndoshë.

Gruaja u largua pa thënë asnjë fjalë. Kjo mbase ishte hera e parë në jetën e tyre bashkëshortore që Gerioni sillej pa përfillur dëshirat e saj, shpesh të pakuptimta, veç gjithmonë, për gjithçka në jetë ka një herë të parë. Mbase kjo duhet të ndodhte vite më parë. Ishte njëlloj si ajo historia e dhëndrit që theri macen në sy të nuses së re në çastin që hynë në gjerdhek. Kur e pyeti shoku i tij si ia bënte që gruaja e dëgjonte për gjithçka, ia tregoi sekretin. E bëri edhe tjetri atë gjë, po nuk i mori ujë lopata, duhej " që në gusht e nga një grusht" Ita shokut të vet që gruaja e tij as që lëvizi qerpikun kur ai pat therur macen. " Je i vonuar - ia ktheu ai - Duhej bërë ditën e martesës; ajo tani ta ka pirë lëngun! "

Mos ndodhte edhe me Gerionin ashtu?

Me këto ecejakje të mendimeve, po e kapiste gjumi, duke ndjerë frymëmarrjen e paqtë të fëmijës që tashmë po shëtiste nëpër ëndra me ëngjëjt e tij mbrojutës. Paridi i vuri doçkën e tij në faqen e ashpër dhe i përqasi gjumin edhe burrit si me magji.

Mbase ishte nata e parë që po bëhej pre e një ndjenje të çiltër, të kristaltë, që buronte nga një pafajësi parajse hyjnore, parajsë që e sollën ata dy vocrrakë jetimë , që nuk kërkonin veçse dashuri njerëzore.

Të nesërmen Alisa doli nga shtëpia më herët se zakonisht, pa u përshëndetur as me të shoqin, as me fëmijët.

Gerioni e ndjeu , po bëri sikur ishte në gjumë; nuk donte të prishte humorin që sa të niste dita. U çua më nge, kur u zgjuan dy të vegjlit, i veshi, u dha mëngjesin e vogël, u mori me vete diçka për të ngrënë, mos i merrte uria më vonë dhe mori rrugën për nga kopështi botanik i qytetit. Ndenjën goxha atje, më vonë shkuan në parkun e fëmijëve dhe kur po shkonte dreka, vuri re që vajza, Katrina mezi po i hidhte këmbët e vockla, kësisoj vendosi t'i kthente në shtëpi. E mori në krahë, vogëlushen, duke i thënë Paridit :

- Ti nuk do mërzitesh që po marr Katrinën në krahë?

Djali u përgjigj si t'ish burrë i madh :

- Djemtë ecin vet, nuk kanë nevojë të ndihmohen nga të tjerët; vajzat janë delikate.

Drejtoi trupin dhe nxitoi hapin, si për të vërtetuar atë që sapo tga.

Gerioni qeshi.

- Ku e ke dëgjuar këtë?- e pyeti.

- Ma ka thënë tezja.

Atij i bëri përshtypje; fëmijët e kishin tezen si idhull, gjithçka që dinin dhe e thoshin ishte e saj; dukej sheshit që vajza merrej me ta si një nënë e mirë, edhe pse ishte vet akoma në moshë shumë të re.

- Pa më thuaj ç'gjë tjetër bën për ju tezja juaj, që jua ka fituar zemrën kaq shumë?

Ktrina që pat pështetur kokën kaçurrele te supi i tij, e shikoi në sy dhe u përgjigj në vend të vëllait :

- Të gjitha ato që dimë na i ka mësuar ajo. Ne e duam shumë dhe duam të jemi gjithnjë me të, po nuk duan gjyshërit e tjerë.

Pas pak, si të qe kujtuar dhe nuk donte ta linte për herë tjetër, lëvizi sërish kokën dhe shtoi :

- Teta Alisa më duket se nuk na do.

Gerioni u duk i hutuar; fëmijët kishin kuptuar fare mirë nga ai qëndrimi i saj i ftohtë, armiqësor Ata janë të vëmendshëm, pa u marrë vesh nga të rriturit dhe në heshtje përtypin gjithçka.

I tha vogëlushes për ta qetësuar:

- Nuk është e vërtetë, ajo ka tipin ashtu, nuk e shpreh dashurinë.

- Qenka si mësuese Nadirja që nuk na përkëdhel kurrë dhe nuk di të thotë fjalë të mira - ndërhyri Paridi - Atë nuk e do asnjë fëmijë te ne.

Gerioni nuk e shtyu më bisedën. Fëmijët e shfaqën hapur mendimin e tyre për gruan e tij, por ai nuk donte që ata të krijonin urrejtje. Këta dy vogëlushë po i hynin në zemër fare natyrshëm, edhe pse ishin vetëm dy ditë që po merrej me ta. Si në mjegull, burri përqasi një vendim të pa kristalizuar tërësisht, të nxitur nga dëshira e mirë dhe fisnike për t'u dhënë jetimëve atë që u mungonte, prindërit e humbur, po akoma të gjallë në çdo hap të jetës së tyre. Shokun më të mirë të fëmijërisë dhe të gjimnazit, Gerioni e kish patur të rritur pa nënë. I ati nuk qe martuar për së dyti; e pat rritur vet, me shumë sakrifica djalin. Ai i kish njohur nga afër vuajtjet e shokut, i vinte keq, po edhe krenohej me të, se nuk e njihte mëshirën përbuzëse, ishte me personalitet të tepëruar dhe me një vullnet për ta patur zili; nuk kërkonte kurrë ndihmë, po kur ndjente që dikush e donte atë.ia jepte pa kursim.

Sepse i kujtoi atë ky fëmijë që po ecte lirshëm në krah të tij.

Dhe kjo i nxiti më tepër dëshirën për ta birësuar, atë dhe Katrinën çapkëne.

Çuditërisht, këta jetimë sikur kishin përgjuar jetën e tij që po rrëshqiste në pjerrinën e fatit të pamerituar dhe i patën bërë pritë diku, për ta pengua rrokullisjen e heshtur, po të trishtuar.

Kujtimi i shokut të vet që kish ecur në jetë pa asnjë dashuri shpirtërore, përmes dhëmbjeve të pamëshirëshme dhe të pandërprera, përmes ambicjeve dhe zemrave ziliqare të njerëzve të vegjël, e ndihmoi të merrte një vendim, që mbase do t'i ndryshonte jetën atij dhe mbase zbuste , sadopak, shpirtin e gurtë të të shoqes.

Ai ishte i bindur dhe i vendosur që ta hidhte atë hap; do t'i birësonte dy vëllezërit për të mos i lënë në një jetë si dy trungje me degë të thara, pa gjethe, në një vdekje të zgjatur që hidhte hapat ngathët mes vrapimit të të tjerëve. Do bënte ç'ishte e mundur për ta bindur Alisën që këta fëmijë ishin dhuratë bujare e Zotit që po i shihte me syrin e dritës për të ardhmen.

Veçse dëshirat ndonjëherë ndeshin në një murë të pakapërxyeshëm të njeriut me të cilin ke ndarë krevatin për vite të tërë, ke ndarë hallet dhe vështirësitë e jetës, mirë apo keq.

Në mbrëmje Alisa u kthye në shtëpi gjithë nerva dhe pa përshëndetur, iu kthye të shoqit me ton të ashpër :

- Edhe sonte ke ndërmend t'i mbash këta të dy/

Ai u përgjigj pa e prishur terezinë:

- Po, do t'i sjell edhe javën tjetër, edhe tjetrën, derisa të vendosim t'i birësojmë.

Gruaja po e shihte me sy të zgurdulluar. Ku kishte mbetur Gerioni që nuk ia prishte kurrë , qoftë edhe për gjënë më të parëndsishme. Ç'kishte ndodhur me burrin e saj?

- Mos ke luajtur gjë nga fiqiri? - bërtiti ajo.

Tjetri i bëri shenjë:

- Ule zërin , se janë nga dhoma tjetër dhe nuk duhet të dëgjojnë të tilla gjepura. Nuk duhet t'i lëndojmë.

Ajo përplasi me inat çantën në tavolinë dhe shpërtheu në një histeri që e detyroi Gerionin të ngrihej, ta kapte me forcë për krahu dhe ta ulte pranë vetes.

- Nuk i dihet kush ka lajthitur, po jam i sigurt që unë jo - i tha, duke u përmbajtur. Këta të dy do jenë fëmijët tanë dhe nuk duhet ta vësh në dyshim. Mundohu të arsyetosh me qetësi dhe me këmbë në tokë.

- Fëmijët tanë?- shpërtheu ajo- Fëmijët e tu, sepse unë nuk kam ndërmend të birësoj fëmijë nga të jetimores, të cilëve nuk u dihet as origjina. Po sikur të jenë nga prindër me ngjyrë? E ke menduar këtë? Edhe ajo na duhet pastaj, të kemi nesër dhëndër dhe nuse ashtu, si u thonë atyre...

- Evgjitë - e ndihmoi ai - E para nuk duhet t'i përbuzësh njerëzit, se nuk është faji i tyre që i përkasin një race të ndryshme nga e jona. E dyta dhe kryesorja, vëre vëth në vesh fjalën që të thash mbrëmë. Ata nuk janë pa origjinë, madje janë më të fisëm se ti që mban hundën përpjetë, sikur të ishe vajza e Kontit të Montekristos, apo e Elisabetës së Anglisë. Janë dy fëmijë në fatkeqësi dhe janë aq të edukur e të mençur, sa vështirë se ti do t'i kishe bërë dot të tillë.

- Do të thuash që me ta është marrë ajo tezja e tyre? Këtë doje të thoshe? Pyeta edhe për atë. Më thanë që është një kokërr injorante, e padalë, pa pikë shije në të veshur e në të jetuar, sa që nuk e afron asnjë prej shoqeve të saj. Nuk ka as shkollë të lartë, pa le dhe na hiqet si ato administratoret e shtëpive të pasura angleze të shekullit të kaluar.

Gerioni qeshi, nuk e lejoi veten të binte në kurthin e Alisës, ruajti kontrollin dhe gjakftohtësinë; iu kujtua sjellja e të atit, kur nëna e tepëronte me rrotullimet e tepërta që merrte kur nxehej. Ai qeshte dhe e lejonte gjersa i mbaronte lënda djegëse. Atëhere i kthehej me të qetë dhe me llogjikë bindëse.

Ashtu veproi edhe ai këto çaste.

E shoqja nxori nga thesi edhe ca rraqe të tjera të dala boje, pastaj u ul dhe nuk po fliste më. Dikur tha e qetësuar :

-Ti nuk mund të bësh me kokën tënde, sepse në kët shtëpi jemi të dy që vendosim.

- Po sikur të bëj atë që kam ndërmend pa të pyetur, ç'do të ndodhë?

- Do largohem unë nga shtëpia - u përgjigj ajo e vendosur.

Gerioni u mendua një çast.

- Jo, ti s'ke arësye ta bësh këtë, sapo e the që shtëpia është e të dyve. Unë do t'i çoj fëmijët te prindërit e mi, që të të le vetëm, në botën tënde të vogël, egoiste.

Gruaja nuk foli, sigurisht kjo ishte një dakortësi e parapëlqyer nga ana e saj.

Ajo u vesh dhe kur po dilte nga porta tha pa e kthyer kokën

- Do shkoj tek im vëlla, mund edhe të vonohem.

- Rri sa të kesh dëshirë - ia ktheu Gerioni- Për fëmijët ka kush kujdeset,

Katër fundjavët që vijuan ai i çoi fëmijët te prindërit e vet, në fshat. Veç t'i shihje si silleshin ata me dy pleqtë, sikur të ishin njohur me ta që kur kishin lindur. U lidhën aq shumë me njeritjetrin, sa i ati i tha Gerionit herën e fundit :

- Mos i ço më në atë jetimore djalin dhe vajzën. Bëj dokumentat e birësimit dhe jepi fund kësaj zvarritje të kotë. Ti e sheh që ata u mësuan me ne dhe nuk duan të largohen.

- Mirë baba - u dakortësua ai. Të hënën do merrem me këtë punë, nuk besoj të më sjellin pengesa.

- E ke një pengesë sa për njëqind - ndërhyri e ëma.- Sonte çoi fëmijët në shtëpi dhe prija shkurt asaj. Po të dojë të rri dhe të sillet si grua me mëndje në kokë, në të kundërt, secili në punën e vet. Boll të ka nxirë jetën . Të gjeti ty, të urtë dhe të sjallshëm , se ndonjë tjetër do t'ia kish treguar vendin me kohë.

Ajo u foli fëmijëve që po luanin me qenin, i bëri gati, i puthi dhe i porositi :

- Sido që të vijë puna, çfarëdo që të thotë Alisa, ju mos u ndjeni fare. Babai juaj e ka vendosur që do t'u birësojë. Do s'do ajo, nga sot e tutje ne do të jemi një familje.

Hajde ta prisje gëzimin e vogëlushëve! U turrën kush e kush të puthte më shumë herë duart e plakës, po Gerioni u foli që të nxitonin, se do ikte autobuzi i fundit.

Alisën e gjetën në shtëpi. Po shihte një filëm në televizor dhe as që luajti vendit. Katrina e vockël iu afrua dhe donte ta përqafonte, po kur pa që tjetra nuk e bëri fare qejfin qeder, iu bashkua të vëllait pa u ndjerë; iu kujtuan fjalët e nënës së Gerionit.Më vonë, kur po i mbylleshin sytë , përgjumësh vocrrakja pëshpëriti :

- Mami Alisa, unë të dua shumë.

Gruaja lëvizi e nervozuar dhe i tha të shoqit :

- Ti e ke mësuar të më thotë mami, apo jot ëmë? Ta kesh të qartë ti, ta dinë mirë edhe këta djallushët e vegjël, unë nuk jamë mama, sepse nuk kam fëmijë: Mamaja e tyre le të bëhet ajo tjetra, tezja.

Gerionit i erdhi për të qeshur dhe nuk u përpoq ta fshihte këtë. Tjetra e shikoi me inat.

- E kanë babain këtu, le të vijë dhe ajo si nënë dhe gjërat ndreqen lehtë.

Ja, më në fund e kish shprehur atë që e grryente prej kohësh përbrenda.

- Për mua thuaj ç'të të vi për mbarë, po me atë vajzën e botës mos e tepëro, nuk ke punë.

Alisa u ngrit.

- Thash atë që mendoj, nuk më ndalon askush ta bëj këtë. Je i lirë ta sjellësh tezen e tyre që nesër në shtëpi. Iki unë që këtej.

Gerioni qeshi, këtë herë me zë, shpenguar .

- Ti do vizituar te psiqiatri - i tha- Midis meje dhe tezes së fëmijëve nuk ka asgjë veç kujdesit të përbashkët për këta jetimë. Mos hyr në mëkat se janë dy ëngjëj të pafajshëm. Të ndëshkon Zoti po t'i urresh pa asnjë arsye.

Të rriturit menduan se Paridin e kish zënë gjumi, po qenë gabuar; djali e dëgjoi gjithë bisedëm. Kur Alisa po largohej, ai i foli :

- Teta Alisa, nëse ti nuk do që unë dhe motra ime të jetojmë në shtëpinë tënde, kjo nuk ka për të ndodhur. Nesër ne do largohemi për të mos ardhur më anjëherë.

Gerionit iu ndrydh zemra. Ai u çua rrëmbyer, e ngriti djalin në krahë, e puthi disa herë , pastaj ktheu kokën nga ajo grua e pashpirt dhe i tha :

- Ju të dy jeni bijtë e mi tashmë. Kush nuk është dakord me këtë, e ka rrugën të lirë, le të largohet. Të rriturit e bëjnë vet përzgjedhjen. Unë e kam bërë timen, biri im!

Paridi i vogël i fshiu lotët e nxehtë të atit dhe e puthi.

- Edhe unë do bëj përzgjedhjen time, që sonte madje.

Ajo u vesh dhe u largua nga shtëpia. Për ku?

Paridi u shqetësua, po Gerionit as që i bëri përshtypje. Le të shkonte ku të donte, ishte e lirë të vendoste e pandikuar. Mëndjemadhësia, egoizmi dhe krenaria e asaj gruaje e kalonte njerëzorën, kishte brenda tyre diçka nga kushtrimi i kafshëve paraardhës.

Dhjetë ditë Gerioni u mor me praktikën e birësimit, së bashku me tezen e fëmijëve dhe me gjyshërit e tyre. Alisa ndërkohë nuk u kthye në shtëpi; as Gerioni nuk e bezdisi më. Ditën e fundit, kur pat mbetur vetëm firmosja nga ana e të dy palëve, drejtoresha e jetimores u tha se duhej edhe firma e Alisës, kështuqë Gerioni qe i detyruar ta takonte që t'ia kërkonte edhe për sy e faqe këtë. Ajo nuk pranoi. i tha që kish bërë padinë në gjykatë për divorc dhe se do të shiheshin vetëm ditën e gjyqit

- Tani je i lirë. Të uroj të kesh jetë të lumtur me tezen e fëmijëve dhe me ata dy djajtë e vegjël, veç po të them që je treguar i cekët, nuk u thellove të pyesja për prindërit e tyre. Dije që Zoti i ndëshkoi me aksident, se ishin të dy mëkatarë!

Gerioni nuk e mori fare mundimin t'i kundërvihej; një femër që quan djaj dy ëngjëj që sapo kishin nisur të gëzonin pasi mbetën jetimë, që ndjen kënaqësi për fatkeqësinë e prindërve të tyre , që quan mëkatarë dy prindër të mrekullueshëm që i ndau nga jeta një i dehur i papërgjegjshëm dhe kriminel, nuk meriton as të quhet njeri. Si mund të arri njeriu deri në këtë pikë të poshtërsisë?

Gati sa nuk gaboi, t'i thosh që e kish parë Zoti që nuk i pat dhënë fëmijë, po u tërhoq çastin e fundit. Solli ndërmend që njihte plot gra që nuk kishin patur fëmijë, po ishin me zemër të madhe dhe jepnin në pafundësi dashuri. Kjo shprehje dukej pa vend dhe e gabuar.

Iku pa asnjë mendim të qartë në kokë. Rrugës takoi tezen e fëmijëve. I foli për takimin me Alisën. Ajo heshti, po u kuptua që nga brenda po ziente si llavë vullkani. Si mund të kish njerëz të tillë, me arsye dhe llogjikë të harruar në ndonjë skaj të shkretëtirës?

Gerioni po e shihte me vëmendje të zgjuar, ndoshta për herë tëparë që nga dita që qenë njohur. Herët e tjera e kish acaruar e shoqja që bëhej xheloze për këtë vajzë, po sot i dha asaj disi të drejtë. Ajo ishte si dita e freskët nën një qiell blu, të paretuar dhe një diell përkëdhelës maji në krahasim me Alisën që në vend të zemrës duhet të kish patur një copë akulli të përjetshëm, të huajtur nga ndonjë ajsberg.

Vajza u skuq nën këtë shikim të ngulët të njeriut që mbase e pat lakmuar pa ia shprehur për asnjë çast të vetëm. I kërkoi të falur dhe u largua

Mendoi se nuk qe mirë të përfitonte nga momenti i vështirë që po kalonte ai.E nesërmja bashkë me mëngjesin kish tronditur gjithë qytetin e vogël Gerionin e zgjoi tingllima e ziles së telefonit.Ashtu, përgjumësh ai pyeti ?

-Kush është?

E kushërira i tha pa kujdes, sikur t'i jepte ndonjë lajm të ndonjë planeti tjetër :

- Alisën e shtypi makina para një ore.

Gerioni i kish humbur fjalët.

- Më dëgjove? - përsëriti ajo- Vdiq kur po e çonin në spital.

Atij i shkiti nga dora doreza e telefonit.

Paridi që sapo qe ngritur nga gjumi, e pyeti :

- Ç'të ka ndodhur bablok?

Ai e kish thirrur me emrin që thërriste Geroni të atin. Për një çast harroi që Paridi nuk qe djali i tij i vërtetë, e rroku për qafe dhe e shtrëngoi fort.

U zgjua edhe Katrina, që iu bashkua përqafimit të tyre.

Kjo dashuri ua kalonte të gjitha halleve dhe fatkeqësive të jetës, qëndronte atje lart, në qiellin e natës, si ylli më i shndritshëm i gjithësisë.

Erdhi edhe tezja e fëmijëve; ajo kish dëgjuar për aksidentin dhe u mat të thosh diçka, po Gerioni i bëri shenjë me kokë, që të mos merrnin vesh vocrrakët; ata e patën përjetuar një humbje dhe kjo e Alisës, edhe pse e kishin të qartë që gruaja nuk i donte, do t'u rikthente kujtimet e trishtuara.

Gerioni i tha vajzës të qëndronte me fëmijët dhe u largua. Ç'duhet të bënte?

Të dilte një herë nga shëpia, pastaj vendoste ku do të shkonte.Për një çast mendoi të takonte të atin , po u bë pishmënt. Të paktën këtë herë duhet të vendoste vet për jetën që i mbetej për të jetuar. Një ditë i ati nuk do të qe më në këtë botë. Ku do të pështetej paskëtaj?

Ashtu, si në mjegull i doli përpara fytyra e tezes së fëmijëve. Alisa nuk e kish patur keq, kur frikësohej mos ajo i zinte vendin.

Sidoqoftë, rrëshqitjes në pjerrinë tani dukej se i pat ardhur fundi;boll ishte rrokullisur tatëpjetë. Kish akoma edhe shumë jetë për t'u ngjitur lart . Dhe do të ngjitej me siguri.

Fund

Pajtim Xhelo, 3 qershor 2020

33 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page