top of page

NJË JETË ME PËRFUNDIM TRAGJIK!


Kadri Tarelli

Shpendi Topollaj në dramën:E PËRDALA

Këto dit doli në dritë drama “E përdala”, e shkrimtarit të njohur Shpendi Topollaj, i cili pasi ka provuar të gjitha gjinitë e shkrimit në mbi 50 libra, së fund provoi edhe dramën, të cilën e titulloi “E përdala”. Askush nuk ka të drejtë të paragjykojë autorin për titullin e krijimit të tij, por mua do më pëlqente ta mbante po atë titull që kishte novela “Kurva”, botuar disa vjet me parë, po me autor Shpendin. Shumëkush mund të thotë, ç’ bëri “E përdala” dhe ç’ bëri “Kurva”, të dyja janë emërtime që shprehin përbuzjen dhe neveri, natyrisht në emër të moralit. Është e vërtetë ngjasimi i kuptimit me të cilën përdoren në të folur, por këto dy fjalë nuk janë sinonime.

Kam përshtypjen se fjala “e përdala”, mund të përkthehet e shpërlarë, pra një femër që jo vetëm s’është e bukur, po nuk ka fare yndyrë njerëzore, është pa dinjitet, madje të vjen ndot t’i afrohesh apo të rrish me të, sepse edhe s’ke pse rri me të. Ndërsa “Kurva” ka të vetmen “fatkeqësi”, që detyrohet të shkojë me shumë meshkuj.

Lexuesi i novelës dhe spektatori i dramës, veç apo bashkë qofshin, që në rreshtat dhe fjalët e para ndeshin një tjetër njeri, një tjetër femër, aq sa kur mbyllet libri dhe bie perdja e shfaqjes, dalin me tjetër mendim, mund edhe të lotojnë, duke mallkuar kohën dhe shpifësit e ndyrë. E dashurojnë heroinën tonë, madje më shumë e adhurojnë atë për mençurinë, fisnikërinë, karakterin e fortë dhe ndershmërinë e saj.

Nuk marr përsipër të hyj në oborrin e Frojdit dhe analizën psikologjike, sepse kjo dukuri e vjetër sa vetë jeta, lind dhe qëndron për arsye të ndryshme, bie fjala, rëndom për nevoja ekonomike, shpesh për mbijetesë, ose për ambicie që nuk mund të arrihen në rrugë normale. Ka shumë raste për kërkesa fiziologjike, kur femra nuk kënaqet me një mashkull. Këtu historia, ca më shumë letërsia, është e mbushur me plot shembuj të kësaj natyre, ku jo vetëm gra të thjeshta, por ka edhe gra të pasura, apo artiste dhe femra të show-bizit, e deri në mbretëresha dhe perandoresha, që kishin në dorë fatin e popujve të tyre. Dhe një arsye më tepër, (nuk përjashtohen raste të tjera), ajo që ndodh më së shumti, siç i ndodhi edhe Selenës së bukur, është një emërtim i ndyrë dhe i pështirë, i ngjitur nga shpirtligësia, zilia, keqdashja, injoranca dhe mendësia provinciale e grave që nuk kanë me se të merren dhe përflasin të tjerat, në vend që të merren me jetën dhe familjen e vet. Një huq i keq llafazanesh e llafazanësh (burra që flasin njësoj si gratë), që pa u menduar gjatë, i ngjitën nofkën “Kurvë” një vajze të re, emër që e shoqëroi deri në vdekje, duke i dhënë të drejtë shprehjes popullore: “Më mirë të dalë syri se nami”.


I përmenda këto fjalë, për të thënë se heroina “E përdala”, është e bukur, e zgjuar, punëtore, grua e bashkëshorte e ndershme dhe nënë e përkushtuar. Femër me shumë kulturë dhe shpirt fisnik, por me një ”faj” të madh: Ishte mbesë e nj oficeri atdhetar në ushtrinë e Monarkisë, ushtarak i shkolluar në Itali, në Akademinë Ushtarake në Modena, të cilin diktatura e burgosi pa as më të voglin faj. Ishte bijë e një babai që në çdo zyrë që trokiste, i thoshin me përbuzje: Je bir i oficerit zogist. Ishte kjo vajzë, e cila mbaroi me nota të shkëlqyera gjimnazin, por që nuk u lejua të ndjekë studimet për shkak të “njollës” në biografi.

Sot, në kushtet e reja na duken të papranueshme formulat dhe kushtet çnjerëzore të diktaturës, sidomos “Lufta e klasave”, që e shkatërronte jetën e atyre që s’ishin të vijës së saj. Madje ka nga ata që na thonë: Po ju si i pranonit? Pse ulnit qafën, t’u venë zgjedhën? Etj, etj. Shtojmë këtu edhe thashethemet dhe thashethemexhinjtë, që janë të kudondodhur përherë mes nesh. Selena e pësoi, sepse guxoi të dashurojë‼ A mund të ndëshkohet dashuria, ky gur-themel i jetës, dhuratë e Perëndisë? Pyetje që nuk kërkon përgjigje!

Ata që e jetuan atë kohë dhe të rinjtë që kanë lexuar sado pak, e dinë se ky fat i trishtë i dramave të mëdha familjare i ndoqi shumë vajza e gra, shqiptare dhe të huaja, mjerisht edhe të kupolës së diktaturës. Çuditërisht, me gjithë ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në vend, pas përmbysjes së sistemit, mentaliteti vazhdon të mbetet i njëjtë mes nesh. E gjitha çka ndodh, i jep të drejtë filozofëve të thonë e të vërtetojnë, se mendimi shoqëror ndryshon shumë ngadalë.

Janë pikërisht këto faktorë që shkaktuan dramë në jetën e kësaj vajze, që shndërrohet në një përfundim tragjik. Aq e vërtetë është kjo, sa që artisti ynë Reshat Arbana “Nder i Kombit”, arrin të shprehet: “Kurrë nuk dua të besoj se në Anglinë e kohës së Shekspirit (Shakespeare), ka pasur më shumë histori rrëqethëse e deri tragjike, sesa te ne gjatë këtyre tre dekadave”.

Gjithsesi, lexuesi dhe spektatori që mund të shikojë këtë dramë, i bindur se, kur të vihet në skenë, do të shohë një Selena (Personazhi kryesor), me karakter të fortë, që e përballon jetën me punë të ndershme, grua me plot shpirtmadhësi, që fal dhe ndihmon edhe ato që e përgojuan dhe e përbuzën, grua që nuk u josh nga shuma e parave të ofruara në atë vend të huaj, kur si mërgimtare kishte shumë halle për të jetuar e mbijetuar, vetë dhe me djalin e saj. - Por unë jam e fortë, - shprehet diku, - Do ta përballoj fundin tim, ashtu siç përballova edhe telashet e pamerituara që më kish rezervuar jeta ime.

Ky është qëndrimi që e nderon atë dhe gjithkënd që e dëgjon, për t’ia thënë vetes dhe të tjerëve, sepse kështu ka mundur të fitojë nderim, adhurim e përkujdesje fisnikërie, deri sa u nda nga kjo botë e ndërtuar keq.

Nuk është e nevojshme të rrëfej përmbajtjen, pasi është e thjeshtë dhe e kuptueshme nga të gjithë; Mjafto tw them, se “Vritet një dashuri….!”

Emigron në Itali, vjen në Durrës, në fund përsëri në Itali, por tashmë e sëmurë rëndë, që i afrohet me shpejtësi vdekjes, pavarësisht shërbimit dhe kujdesit spitalor, rrethuar edhe nga dashuria e bashkëshortit dhe fëmijëve të saj. Janë çaste prekëse, që tronditin çdo zemër njerëzore, sidomos letra që i le të shoqit, ku përmblidhet e tërë jeta, fundi i saj i hidhur dhe amaneti më shumë se i hidhur: “Të varroset në dhe të huaj”. Një fund i pritshëm. Autori nuk mund të na sillte një “Happy end”, kur vetë jeta nuk është e tillë.

Nuk jam unë i vetmi që e them, se të gjitha veprat e Shpendit, përfshi edhe këtë dramë, dallohen lehtë nga dy veçori të theksuara por të bukura, duhet thënë edhe të dobishme:

Së pari: temat i merr nga jeta, në një farë mënyre janë të gjitha të jetuara dhe me personazhe të gjallë, por që shkrimtari tashmë edhe dramaturg, i ka veshur kostumin e fjalës artistike, duke i qëndisur hollë karakteret e tyre. Kjo përbën një ndër arsyet pse pëlqehen veprat e tij. Mendoj se më shumë se kaq, janë mesazhet njerëzore, sa shqiptare aq edhe universale, që e bëjnë veprën të bukur dhe po aq edhe edukative, për të urryer veset dhe mallkuar kohën, që i mbështet.

Së dyti: ka një ndërthurje të përkryer të ngjarjeve të përshkruara në libër, me mitologjinë dhe letërsinë e antikitetit, të cilën autori e njeh mirë dhe e përdor mjeshtërisht bukur. I gjithë përkushtimi i tij është që, të shprehë mendimin filozofik, se pavarësisht zhvillimit të teknologjisë dhe mirëqenies shoqërore, jeta përsëritet nga njerëz të ndryshëm, në kohë të ndryshme dhe vende të ndryshme. Asgjë nuk i ka shpëtuar kohës, megjithëse kanë kaluar mbi 2000 vjet qysh atëherë.

Në përfundim po përmend pak fjalë të Selenës, që na bëjnë të trishtohemi e të mendohemi thellë: “Vendi ynë është i mrekullueshëm, por a vlen kjo kur njerëzit të gjykojnë dhe të shohin me përçmim? Një vend e bëjnë të dashur dhe të afërt, jo kodrat, fushat, pyjet e detrat, por në radhë të parë, njerëzit”.

Urime Shpendit për këtë realizim të ri, i bindur se ai dhe të tjerë autorë do të dramatizojnë veprat e tij!

Kadri Tarelli

Durrës. Qershor, 2020.

38 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page