top of page

Një dehje në një legjendë për 8 Mars


Një dehje në një legjendë për 8 Mars

Tregim nga Fatmir Terziu

 

Një prani monolitike. Botëqiellnake, e dendur dhe e plotë. Rrëke dritëzash, të ngufatura nga rryma argjendi. Hapësirë ​​e padepërtueshme, e lëngshme. Një vijë e drejtë shkume e bardhë njëqind metra larg bregut, e shtrirë pa fillim e pa fund. Pragpranvera torfe me reflektime të verdha nën shpatën rrezatuese të Veriut. Një qiell me sy blu me bebëza metalike. E gjelbër e plasaritur në fidane të këndshme shelgjesh.

- Ej, ej - thërret një zë femre nga parku i karvanit pas meje, mos e mbyll gojën buzë liqenit! Thonë se natën doli përbindëshi dhe banoi në shpirtin e atij që mbeti në breg.

I mbushur me mornica nga frika dhe lumturia, i ndjej gurët e rrumbullakët nën këmbët e mia si të vetmen lidhje me realitetin. Vështrimi im më kot kërkon zhytje totale në humnerën e padepërtueshme përpara meje. Një sipërfaqe e sheshtë takohet me vizionin tim dhe më largon sytë. Unë kërcej thellë e më thellë në veten time me çdo përpjekje për të depërtuar në këto ujëra totale, me luspa që ndjekin hapësirën si trupi shtriqanak i një dragoi. Magnetizëm i çuditshëm. Mund të largohem kur të dua, por dua të qëndroj këtu në mënyrë të paqartë, për një kohë të gjatë,  përgjithmonë ...

...

- Zemër, unë do të gatuaj në skarë disa hamburgera për darkë - një femër e padukshme tërësisht shikon nga pas rrjetës së çelikut të kampingut, do të më sillni skarën? A do të qëndroni atje gjithë ditën? Tani po errësohet dhe unë kam frikë. Do të argëtoheshim, apo jo? Të jemi bashkë unë dhe ti...

Lotët e parë bien në timbrin e saj. Drita prej platini thekson konturet me kreshta të perëndimit të diellit dhe zvarritet në reflektime si hardhuca mbi flokët e mbushur me argjendin e sponsorizuar nga qielli. Ky duhet të jetë djali i saj. Thjesht një tip hipie duke tharë këpucët pranë një mangalli që digjet me thëngjij komod dhe pi cigare pas cigaresh, me bishtat të zhytur në sipërfaqen e gjerë të pellgut. Këtu jemi vetëm unë dhe ai. Por duket sikur nuk jemi aty. Heshtja është aq e madhe sa zëri i të dashurës së tij tingëllon nga përtej. Si një dridhje e humbur nëpër një portal kohor. Frekuenca këmbëngulëse, njerëzore, femërore... Një dimension tjetër i etjes për të jetuar.

- Ajo në fakt do që ne të hamë dhe të bëjmë dashuri, pa shikuar larg, ia kthen pushtuesi i papushuar i tymit të cigareve, dhe unë erdha të takohem.

- Dhe a ia dolët - shpërtheva me kuriozitet të egër.

- Kuptohet - vetëm me buzë përgjigjet djali, duhet të ndahesh nga të tjerët që ta ndjesh. Vetëm këtu mund të ndodhë. Derisa dikush të të thërrasë përsëri…

Gruaja e shqetësuar vrapon drejt nesh dhe me këmbëngulje nëne e shtyn faqen te gardhi i improvizuar, i butë me tela plastikë.

- Mos i kushtoni vëmendje - thotë ajo me një lutje në sytë e saj. Ai është pak …, pak i çuditshëm. E solla këtu për 8 Mars, se donte të më uronte, dhe ka përhumbur veten në puthjen time… Por përndryshe ai është një djalë shumë i mirë...

- A e kupton - bir më hidh një sy, vetëm këtu, por nëse ka dikush që të të thërrasë. Përndryshe, nuk do të kthehemi ..., ne të dy do të mbesim këtu. Këtu…, ndoshta do mbetem vetëm unë…, mes nes…

… Ritmi i së ujtës më tërheq fijet në drejtime të ndryshme. Skocia më pushton me ngjyrën e uiskit dhe erën e myshkut. Ujërat e saj burojnë nga të gjitha anët e nëndheshme dhe dielli i saj shkëlqen si ari i vjetër në zorrët e perlave të reve. Tokë e lartë. E fortë dhe obsesive. Çarmatosja si egoizëm i dashur. Dhe kthehem tek fjala e këputur, e këputur… dhe them se ndoshta „nes“ ishte një këputje nga „nesh“.

„Nes“ përkthehet në „ujë i madh, i furishëm“ nga gjuha proto-kelte - shpjegon udhëkapësi i parë ndanë bregut, por tejet miqësor, kurioz të dijë se nga jam dhe pse e shikoj me kaq pasion kuptimin e fjalëve. Zakonisht turistët më pyesin për më të afërtin „Pub“, por sot më bëre të lumtur. Kisha harruar se kisha folur ndonjëherë galisht.

Theksi i ndezur skocez më magjeps veshët me disa rima të lashta pa fjalë. Vetëm intonacione. Melodi. Magjepsje, pas të cilave ndjej një pamjaftueshmëri të madhe dhe të shkretë brenda meje. Shpirti im kumbon si një shpellë zanash, nën humnerën e së cilës banon një përbindësh. Shekulli i njëzetë e një është i ngushtë për mua. Me të udhëtoj si asnjëherë tjetër në dritë të dyfishtë. Njërën e kam pranë meje. Më buzëqesh. Më ysht të shikoj më thellë. Të shkul damarët. E ujtë në këtë udhë të drejtë, ku vetëm këmbët tona e ndjejnë. Dhe aty pushtoj tërë atë që mund të bëjnë sytë. Dy palë zgavra të shtriqura deri në pafundësi. Dhe ngulen aty ku majëzat raketojnë qiellnajën boshe. Dhe kjo më bën të ndihem si një biletë me kusht për në një atraksion të paparë, si shans për të kuptuar se ajo ka lindur në një legjendë.

Është e pamundur për mua të depërtoj me sytë e mi trupor poshtë në thellësitë e pakapur nga trupi i njeriut. Ujërat e rëndë e të rrafshët nuk lënë asgjë të kalojë nëpër to. Ashtu si jeta, një sipërfaqe në të cilën ne bëjmë patinazh derisa të thyhemi.

Patinazhi im kësaj radhe është i riu, i hershmi, ai zanafillëse i kësaj drite në sytë e mi. Është një ditë e shënuar. Një ditë që kapërcen muskujt dhe nervat dhe ulet vetëm në dritë e nën dritë. Unë qëndroj gjatë në këtë dritë. Po e ndaj gjithnjë e më shumë veten nga të tjerët. Gradualisht, të gjitha ekzistencat, zhurmërimet, pyetjet, përgjigjet, zhdimensionimet, fjalët zhduken. Dhe kujtimet. Dhe letrat. Dhe tingujt. Para meje është vija e drejtë e shkumës së bardhë, përgjatë së cilës kap një zhurmë të hollë, solast, solast, solast... E kthej me kuptim prapa, mbrapa nëpër dritë, dhe mendja shëtit në kapjen e gjuhëve si e ujta nëpër brigje galike... Dhe gjej veten në qarkun e pafund të dritësive të ardhura nga lartësitë, dhe që përshfaqen mes nesh, tokës dhe ujërave magjepsëse. Nuk pse më trazojnë shqip!?

Dhe i flas heshtjes. Dhe ajo më ndjen. Heshtja ma kthen. Unë jam një energji që ka përfunduar orbitën e saj përmes pafundësisë së paftilluar të emrit tim, në të cilën takoj si prani kalimtare dhe si përjetësi … Fatmir. Kudo që të shkoj, tashmë kam ardhur. Isha. Jam. Unë do të…

- Do të bëjmë një histori të mrekullueshme, apo jo i dashur?

Zëri prej kadifeje i gruas sime shpërbën mburojën e energjisë të brendshme të dritës që shkëlqen sytë, mendjen, damarët e mi dhe më lëkundet në pontonin e më të mirës, më të paaritshmes, disa metra larg bregut shkëmbor, ku varet mes tollumbaceve një zemër e artë, e kuqja flakë mbulon sfondin e paqtë ku shkruhet: „Gëzuar 7-8 Marsin!“. Nuk besoj në atë që ndodh. Sytë më kishin tradhëtuar, apo diçka e paimagjinueshme më kishte zgjuar. U struka në ngrohtësinë që më dha momenti.

- Erdha të të thërras… në krevat. Është koha për tu zgjuar.

… Është koha, koha ime e tanishme. Ka dritë, dritë. Dritë. E metalta që mban trupin në goma kërcen në asfaltin me gunga të mëngjesit të vrullshëm. Dielli, më duket akoma më shumëdimensional, ai ashtu në dysh, më buzëqesh drejt e në sy. një ndjenjë e brendshme më rrotullon mendjen. Mendja shkëputet për një moment dhe ndjen një thirrje qiellore. Myshqet e lashta dhe muret prej guri kalojnë përreth. Dhe shpirti im këndon në hapjen dhe trazimin e kohërave. Këndon. Këndon. Këndon. Shoferi i mjetit metalik ka përsëritur në altoporlant: „Ju lutem mos prishni qetësinë e të tjerëve!“ Disa herë, disa herë, derisa nuk e kam ndjerë që gjithë ajo gjendje dykatëshe metalike të kishte ndaluar. Atë moment ndjeva vetëm dorën e një njeriu me uniformë, që më kapi për dore dhe nga çanta e tij po nxirrte një tub.

-Fryje! - më tha. Të dehurit nuk mund të udhëtojnë në mjete publike, aq më shumë të këndojnë me një zë të …

Unë u mundova të flasë. U mundova…, por muri i ftohtë në përpëlitjen time kishte bërë punën e duhur. Lava sytë dhe pashë përqark. Luçiana kishte ikur në shkollën ku jep mësim. Dhe atë 8 mars këndova. Këndova, dhe s'kisha më breng, por vetëm për atë që nuk ka frikë të kuptoj se ka lindur në një legjendë.

27 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page