Nga Llesh Ndoj: DUKE KËRKUAR FAJTORIN
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 19 hours ago
- 4 min read

Llesh Ndoj: DUKE KËRKUAR FAJTORIN
-Pa qenë specialist, opinion rreth situatës vijuese të përmbytjeve-
Përmbytjet në vend janë bërë një dukuri natyrore që pěrsërit vetveten në mënyrë thuajse ciklike, duke sjell dëme të pallogaritshme për të gjithë shoqërinë, pa marrë në konsideratë dëmet individuale për dhjetëra familje e individë, të cilat nuk rikuperohen ndoshta një jetë! Edhe këto përmbytjet e ditëve të fundit, apo të fillim janarit 2026, fatkeqësisht nuk bënë ndonjë përjashtim nga të mëparshmet, me plus - minuse të vogla, kryesisht për Lezhën e Shkodrën, por me gjendje të rënduar për Durrës, Gjirokastër, Laç, Përmet e të tjera zona.
Unë personalisht e familjarisht nuk kam patur as kam asnjë dëm prej tyre, por si qytetar i përgjegjshëm, e si njeri i gjallë që ndjej dhimbjen e tjetrit, nuk mund qëndrova pa reaguar. E bëra atë në mënyrën që e ndjej të shprehurit më të lehtë, me vargje.
Ja statusi që hodha në murin tim në rrjetin social facebook:
***
Dita ujit turbullt
Pse u zemërua qielli
N’ditën e Ujit Bekue?
E derdhi shumë lotë
Mëkatet tu na i zbulue!
Humbën diga e prita
E kanalet milionëshe,
Riktheu panik e frikë,
“Venecia” çdo qoshe.
Një lutje Atit në Qiell
Se n’tokë ka rá shpresa,
Gurët n’qafë hajnave
E në ujërat e qelbëta!
6 janar 2026
***
Reagimet ndaj saj qenë përgjithësisht pozitive, por nga më të ndryshmet. Ato vetëm Zotin nuk e “fajësonin”, por të tjerët po! Pati nga ata që “nxituan” t’ia faturojnë pasojat vetëm komunizmit, ashtu siç pati edhe asish që të gjitha ia faturonin demokracisë, qeverisjes së djathtë apo asaj aktuale, kinse të majtë. Dikush, sigurisht ndonjë rrogëtar pushteti, apo bythec rilindas, nxitoi t’u dalë në krahë pushtetarëve (pa patur asnjë fjalë ndaj tyre!), ndoshta në zbatim të detyrës së përhershme si bythëlëpirës, apo duke pritur ndonje llokmë si shpërblim.
Si poezi, ndjehem mirë kur fjala ngjallë reagime të shumëllojshme. Bile vetëm kur ndodh kësisoj e ndjej se ajo është në misionin e saj, por përball faktit e vërteta nuk mund të jetë veçse një!
Dua, të paktën për këtë fillim analize - opinion, ta shmang artikulimin politik rreth çeshtjes, prandaj po hidhem larg në të shkuarën:
Ata që si unë kanë jetuar në fshat e kanë kryer punë fshatari, duhet ta kujtojnë se prindërit apo gjyshërit tanë, kurrë nuk i vinin shtëpijat në mes të arës, as aty ku toka dukej se historikisht ishte formuar nga aluvionet. Edhe pse atëhere s’kishte inxhinierë e sonda, ata i parashikonin mirë themelet e tyre. Pa hekur e beton, veç me gurë e gëlqere, të rralla ishin shkarjet nga përmbytjet. Thuhej gjithashtu se aty ku një herë ka qenë ujë (vendi i përroit!), e tij do të jetë përsëri një ditë! Për ketë shihnin e pyetnin mirë, pastaj vendosnin, duke ia respektuar pronësinë jo vetëm njerzve, por edhe natyrës. Apo, besoj u kujtohet, se sipër shtëpijave tona kishte gjithnjë disa zabele që i quanin “të zanat”, ku nuk lejohej të pritej jo një pemë, por as edhe një degë, apo të futej këmbë bagëtie!
Pse?
Nga rreziku i pěrmbytjeve, sigurisht!
Më kujtohet se gjatë dimrit, kur dukej se moti po prishej, njerëzit dilnin e shikonin (kontrollonin) rezët e vijave, apo vendet ku përrojnat bënin brryl, për të hequr aty çdo pengesë që uji të vazhdonte në rrugën normale e të mos devijonte, pasi edhe vetëm një gur a një shkurre mjaftonte që përroi të “të përshendeste” në vatër. Kudo ku dukej mundësia më e madhe për devijime, mbilleshin pemë, kryesisht shelgje. Shkurt, njerëzit ishin të përgjegjshëm për masat e veprimet e tyre në mbrojtjen nga ujërat e fenomenet e tjera të natyrës.
Shteti komunist 40 - 50 vjeçarë, bëri çfarë bëri, shumë prej gjerave sot gjykohen keq, por në çeshtjen që flasim, bëri kryesisht e tërësisht vetëm mirë! U thanë kënetat, u stabilizuan shtrerërit e lumenjve dhe u nděrtua rrjeti, apo sistemi kompleks i kullimit. Edhe hidrocentralet, nuk u lejuan të sjellin fatkeqësi, përveç të shpërngulurve nga tokat e përmbytura me planifikim.
Po sot?
Nga frika e urisë kemi marr “barkun në trastë” dhe e kemi çuar atë tek buka (nënkupto: toka), por kemi ndërtuar në zemër të saj, aty ku pushteti i ujit ka qenë dikur e mbërrinë lehtësisht edhe sot. Pa pyet shtet as privat, pa leje e me leje, i kemi zënë vendin ujit.
Kemi futur në zërin “tokë e zanun” edhe kanalet e para, të dytat po e po, ndërsa të tretat nuk ekzistojnë më. Për pasojë, sistemi i kullimit nuk funksionon. Prandaj quhet sistem! Një hallkë po nuk funksionoi, pushon së funksionuari i tëri. Njësoj si në një fabrikë, ku një transportier i këputur, ndalon të gjithë procesin. S’ka sot kanale të treta, s’pastrohen të dytët, s’kanë ku marrin furnizimin të parët. Hidrovoret, edhe ato që janë plotësisht të rregullta, mbyten nga plastikat e ngordhësirat! Pa përmendur se shumica e tyre janë streha e militintëve më të privilegjuar që s’njohin as elektricitetin, as mekanikën, por “dinë notin”! Jo notin në kuptimin e parë të fjalës, se shumë prej tyre mbyten në një lugë ujë, por notin deri tek titullari… Edhe në qytet njejtë: janë shtuar pallate e banesa pa fund, ndërsa kanalet mbeten po ato, e ujërat e zeza e të bardha gurgullojne nga pusetat bashkë me felalet.
Në male përrenjtë kanë ndryshue rrjedhën, pyjet janë prerë e djegur.
Çfarë presim tjetër?
Natyrisht që shteti postkomunist ka përgjegjësitë e veta për të gjitha këto. Asnjë falje se çliron atë nga mëkatet. Korrupsioni ka gërryer veprat hidroteknike, përpara se uji t’na përmbytë ne! Asnjë analizë qenësore nuk është bërë për fenomenin, megjithëse kemi specialistë të fushës nga më të zotët. Pa qenë specialist i fushës, unë mendoj se, edhe pse fare pak janë shumat e lekëve që buxheti ka adresuar për riparime e dëmshpërblime të pasojave, po të ishin investuar ato në parandalim e parambrojtje, situata do të ishte shumë herë më e përmirësuar. Mbase më shumë se kurrë, është momenti që edhe ne, edhe shteti, të hedhim sytë edhe nga skemat e sigurimeve, apo më saktë: të kontribuojmë të gjithë nga pak, që barra të mos bjerë e plotë mbi askënd! Dikur, edhe në këtë aspekt, siguroheshim.
Mbi të gjithë e mbi gjithçka, secili prej nesh duhet të tregohemi më të kujdesshëm e më të përgjegjshëm lidhur ne këtë fenomen.
Thuhej dikur “s’shkon uji përpjetë!”, por sot ai shkon përpjetë, përveçse me tubacione e pompa, edhe kur ne me papërgjegjshmërinë tonë, apo shteti me veprime e mosveprime korruptive, ia zë udhën e rrjedhës normale atij!
Pastaj themi të habitur: nga na erdhi?!








