
Fati e dha gjatë jetës sime që të kem qënë dëshmitar dhe nganjëherë aktor, dhe kam marrë pjesë në shumë ngjarje të rëndësishme, si gjatë rinisë time të herëshme, kur fillova punën si gazetar, ashtu edhe më vonë kur rrugët e jetës më shpunë në Nju Jork, në konferenca e mbledhje ndërkombëtare e sidomos në Gjenevën multietnike. Shpesh disa miq të mij të mirë, si më parë dhe tani më shtyjnë të shkruaj kujtimet e mija të një mediatori kulturor, pasi për vite të tëra, krahas botimit të librave, apo konsulencës për botime me organizatat ndërkombëtare, kam marrë pjesë në qindra e qindra konsulta, duke realizuar trialogun: mjek-pacient-përkthyes. Një punë që më ka sjellë një kënaqësi të veçantë, pasi kam dhënë ndihmesën time modeste, për të përkthyer “tale quale” (saktë, siç shprehet italiani), fjalët e mjekut, asistentit social, juristit, drejtuar një gruaje apo një burri, apo fëmije e adoleshenti nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut. Kam patur një “klientele” të plotë, duke punuar sidomos gjatë viteve 2000- 2003 më tepër se duhet. Jo për të fituar para, por thjesht për të ndihmuar, sidomos ato grupe kosovarësh që vinin fillimisht me skafe nga Shqipëria dhe kalonin me “kombe” në Itali, deri në Zvicër. Vendosa ta ndërtoj këtë ditar jo për të evokuar kujtimet e mija, - ato që më interesojnë vetëm mua dhe ndoshta një pjese të familjes sime që i shkruaj por i mbaj për vehte-, por për të dhënë një dëshmi të punës së madhe që bëhet në Zvicër, për të integruar të huajt, gjë që e shoh me sytë e mij edhe këtu në Klinikën Gjeneveze të Montanës (Clinique Genevoise de Montana)… Këto kujtime po i filloj nga fundi dhe do të hedh në letër pastaj ato të viteve të mëparshme. Prandaj edhe i titullova: “Ditari i një mediatori kulturor ‘të dështuar’ “, pasi jam në këtë klinikë tashmë si pacient. Gjatë viteve u kam dhënë mend qindra pacientëve dhe miqve të mi të mire, sidomos nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi që më dëgjonin dhe më telefononin, mblidheshim bashkë në raste festash, por tani janë të tjerët që kujdesen për mua. A mos ndoshta kam punuar më tepër se duhet, apo kam pësuar ndonjë Burn-out? Të vërtetën do ta mbaj për vehte, pasi është një çështje personale dhe nuk dua të prek njerëzit e mi më të shtrenjtë në këtë botë. Kohët e fundit kam patur disa propozime, për të shkuar pranë X në aksh vend, apo edhe në Atdheun tim, në Tiranën time, ku kam lindur dhe kam jetuar deri në moshën 40 vjeçare. Apo edhe në Fierin e prindërve të mi. Nuk kam vendosur akoma se si do të marrë rrugë jeta ime, pasi tani jam vetëm një pacient dhe jo mediator kulturor “i dështuar”. 30 korrik: Nisemi tetë vetë me mikrobuzin e Pjerit (Pierre) për në Krans-Montana (Crans-Montana). Rruga është e gjatë, por shoferi profesionist do që të arrijë patjetër në orën 12.15 në Klinikë. Kështu që gjatë gati 3 orëve rrugë, ai nuk na ndalon aspak për të pirë një cigare. Vetëm kur mbrijnë atje kam mundësi të tymos një cigare “Prestige”. Vendosemi në dhoma dyshe. Unë jam me ndihmës dentistin zviceran, Gilles Jolly, një burrë fisnik 60 vjeçar, me flokë të thinjura, me të cilin do kaloj rreth tre javë, ditët në Klinikën Gjeneveze të Montanës. Gjithçka është e përkryer. Ushqimi, shërbimi, kujdesi mjekësor i mjekëve dhe infermiereve. Fillon mjekimi intensiv me insulinën që e fillova para tre ditësh, sipas këshillës të dy miqve të mij : profesor Jean-Philippe Assal dhe profesor Isuf Kalo. Ndërkohë marr mjekime edhe për tensionin, si dhe artrozën në gjunjë. Kam marrë me vehte edhe bastunin, të cilin e kam peshqesh nga mikesha ime belge, Helena. Tek koka e krevatit vendos fotografitë e dy fëmijëve të mi të shtrenjtë: Gentit dhe Nausikës. Ndërkohë doktoresha e katit të dytë, Lea Baumann, një vajzë simpatike, me flokë të zeza dhe shefja e klinikës, Mateiciuc më bëjnë vizitë në dhomë dhe më urojnë mirëseardhjen. Shefja e klinikës më thotë se i ka telefonuar edhe profesor Assali që është i shqetësuar për vlerat e larta të glicemisë sime. Bëjmë një kontratë sëbashku që përveç faktit që unë të marr në dorë mjekimin tim, të dëgjoj edhe këshillat e personelit mjekësor. Kam shumë simpati për këtë doktoreshë, e cila megjithëse është në moshë të re , e zotëron në mënyrë të përkryer profesionin e saj, sidomos në fushën e diabetit. Më thotë se megjithëse unë kam përkthyer 2 librat e profesorëve më të dëgjuar në botë për Diabetin, Prof. Assalit dhe Prof. Golay, përsëri duhet të dëgjoj edhe këshillat e personelit mjekësor këtu. 31 korrik. Ora 7 e mëngjezit. Infermierja vjen për të më matur gliceminë. Jam mësuar që të fle vonë në apartamentin tim në Gjenevë, por këtu duhet t’i bindem jetës në klinikë dhe orarit të vendosur. Shkoj të bëj seancën e parë të „biçikletës“. Vetëm 15 minuta, si ditë e parë. Menjëherë e shoh rezultatin, pasi glicemia bie nga vlera 14 para saj, në 9.5. Më vonë pasdite, shkoj me grupin prej 6 vetësh në „Clinique Bernoise de Montana“ (Klinikën e Bernës të Montanës), për të bërë lojra dhe not. Gyslène, bjonde dhe tepër simpatike është profesoresha jonë e mirë, gjithmonë buzagaze. Një mrekulli e vërtetë, pasi harroj shqetësimet dhe hallet e ditës. Kthehemi në klinikë, ku janë vendosur afro 80 vetë, sidomos pacientë nga Gjeneva. Klinika është krijuar më 1903 dhe është një institucion publik mjekësor, i specializuar në mjekësinë e brëndëshme, si dhe të riadaptimit fizik dhe psikologjik. Ka 80 shtretër dhe 100 bashkëpunëtorë. 1200 pacientë vijnë çdo vit në këtë klinikë ku edhe kurohen dhe pushojnë, në atë mjedis të rregulluar bukur, me një kopësht me lule dhe përballë malet e Zvicrës, si dhe poshtë liqeni i kaltër. Këtu kanë ardhur për t’u mjekuar në vitet 30-të edhe bashkëpatriotë tanë, sidomos ata që kishin mundësi financiare. Ndërsa ne kemi fatin se sigurimi mjekësor na e mbulon pjesën më të madhe të shpenzimeve të qëndrimit. Ekipi mjekësor drejtohet nga një kryemjek, Dr. Olivier Berclaz, i cili është një specialist i përkryer në mjekësinë e brëndëshme, në mjekësinë fizike dhe të riadaptimit. Janë 50 specialistë që sigurojnë ndjekjen mjekësore të pacientëve: mjekë, infermierë, psikologë, dieteticienë, laborante, masazhistë, profesorë të gjimnastikës akuatike, farmacistë, radiologë, përveç personelit të shërbimit. Cilësia e pritjes së pacientëve, kujdesi mjekësor i përkryer dhe transparent në komunikim, përbëjnë vlerat kyçe dhe kartëvizitën e Klinikës. 1 gusht. Në Kopshtin e bukur të Klinikës organizohet festa kombëtare e Zvicrës, Ushqimi tepër i bollshëm me „grillade“ (mish të pjekur), me „Fondynë“ (djath i shkrirë) zvicerane të famshme etj. I vetmi bemol „negativ“. Nuk na shërbejnë verë të bardhë valezane, që njihet në gjithë botën. Kryemjeku Berclaz, tepër simpatik dhe serioz më thotë në konfidencë se e kanë menduar këtë mundësi, por meqë një pjesë e pacientëve e pëlqejnë verën dhe një pjesë jo, kanë vendosur njëherë për njëherë të mos e shërbejnë atë. I them se do të ishte mirë për shembull, ashtu si infermieret na japin ilaçet dhe ne jemi të detyruar t’i marrim në sy të tyre, që në darkë të na jepnin nga një gotë verë. Edhe në qytet po të dalim s’kemi të drejtë të pijmë verë. A e mbajnë të gjithë këtë rregull, që është tepër i mirë, për të mos u hapur rrugë abuzimeve, sidomos ndaj atyre që janë alkolikë? 2 gusht. Sonte, ora 22.00 kur të tjerët kanë rënë për të fjetur, unë po ulem para ordinatorit, këtu në sallën e Bibliotekës së pasur, për të shkruar për të gjithë ata njerëz që më rrethojnë këtu: të nacionaliteteve dhe feve të ndryshme, të kulturave të ndryshme, zviceranë, italianë, francezë, hollandezë, amerikanë, polakë, por edhe boshnjakë, kroatë, si edhe shqiptarë. Çdonjeri prej tyre ka historinë e jetës së vet dhe unë „gërmoj“ pak e nga pak me pyetjet e mija në jetën e tyre. Do t’u flas për Georges, ndihmës mjek, i cili duke qeshur më thotë se oxhaku përballë klinikës është ngritur gjatë viteve „pasi nuk mjaftonte për Plakun e Vitit të Ri për të futur në të dhuratat e tij“, për fëmijët që banonin aty. Erdhi një Vit i Ri kur dhuratat nuk nxinin më dhe dilnin jashtë oxhakut. Por një vit, për shkak të krizës botërore që u ndje edhe në Zvicër, oxhaku nuk u mbush plot. Ai më thotë gjithashtu: „A e di Alfred, pse nuk është martuar Plaku i Vitit të Ri?“. Unë tunda kokën, duke i lënë të kuptoj se nuk e di. Ai m’u përgjigj: „Plaku i Vitit të ri nuk ka grua pasi ajo nuk është dhuratë“ (?!!!) 3 gusht. Miku finlandez me të cilin kam punuar në organizatat ndërkombëtare vjen dhe më takon tek lokali, nga shihet gjithë Krans-Montana. Përshëndetemi dhe ulemi në një tavolinë. Vjen kamarjerja simpatike që çdo mëngjez më shërben “ristreton” e përkryer. I them: “Çfarë dëshiron të hamë dreke?”. Ai i çuditur më drejtohet: “A u takuam për të biseduar, apo për të ngrënë dreke?”. U kujtova se finlandezët e kanë si zakon, si dikur në Shkodër tek “Kafja e Madhe” që rrinin me orë të tëra duke biseduar apo bërë shaka, para një kafeje. 4 gusht. Në këtë Ditar do t’u flas për Krans-Montanën, e ndërtuar në malet dhe kodrat e Zvicrës të bukur, ku vijnë me mijra turistë jo vetëm nga e gjithë Zvicra, por edhe rusë, gjermanë, austriakë, kuvajtianë, amerikanë, italianë…Fqinji im i dhomës, Gilles dëshiron që gruaja e tij, ish kampione e gjimnastikës në Poloni, të qëndrojë një natë në Krans-Montana, pranë Klinikës ku jemi ne, por çmimet variojnë nga 250 franga zvicerane dhe shkojnë deri në disa mijra për një natë. Do t’u flas edhe për atë shqiptaren fisnike dhe të bukur, 45 vjeçare nga Korça, e cila ka ardhur në Zvicër në vitet 90-të. Ajo ka tre fëmijë dhe u mallëngjye kur më pa dhe kur i dhashë dy nga librat e mij me autograf. Të tre fëmijët e saj, megjithëse janë integruar në shoqërinë zvicerane, flasin shqip. A ka gjë më të fisme dhe më të bukur, që brezi ynë i ri, edhe pse i lindur jashtë kufijve të saj, të mbajë gjallë gjuhën amtare? Elda më flet për jetën e saj, për vuajtjet gjatë kohës së diktaturës, për prindërit e saj që janë vendosur në Greqi dhe ajo ka vite pa i parë. Ajo qan dhe rrëfehet. Duke ruajtur intimitetin e saj dhe të atyre qindra vajzave dhe grave kosovare që edhe ato kanë vuajtur nga regjimi satrap i Milosheviçit, shumë histori të dhimshme, unë i hedh në letër, por nuk dua t’i botoj. Ato janë çështje personale, ashtu siç është çështje personale, historia e jetës sime, sidomos këto muajt e fundit, e një mediatori kulturor, përkthyesi „të dështuar“. Jo se nuk di të përkthej, por sepse ka dështuar krejtësisht në jetën e tij personale, në një kohë që u ka dhënë mend dhe kurajo të tjerëve, atyre qindra e qindra pacientëve të tij. Ai e ka ndarë me ta dhimbjen e tyre, por tani nuk ka guxim të ndajë të vetëm me të tjerët. 5 gusht. Mario, informaticieni e pa se ordinatori im ka shumë viruse. Ai i zhduku ato por ngeli virusi i „Trojës“. Do përpiqet ta „shkatërrojë“ edhe atë. Frika ime është se ata banditë që futen në dritaret personale, ashtu siç është përpjekur të futet në jetën personale dhe shtëpitë e bashkëpatriotëve ai „qoftëlargu“ me dhëmbë floriri (për të kam vendosur të mos flas më, sipas këshillës së doktor Ëngjëllit“), mund të më marrin edhe shënimet intime. Prandaj ato po i shkruaj vetëm në një fletore që do t’ja lë tim biri. A mund të rri pa folur për atë zonjë me flokë të përhimta nga Orlando e Amerikës, e cila këndon aq bukur këtu para nesh siç ka kënduar me grupe këngëtaresh në rininë e saj në Zvicër e gjetiu. Ajo i ka duart e arta dhe është një informaticiene e rrallë dhe konsulente për shumë organizata ndërkombëtare. Ajo po bën gjithçka që të ndalojë pirjen e duhanit dhe më nxit edhe mua të bëj një gjë të tillë. Ka një solidaritet të çuditshëm në Klinikë kur sheh se të gjithë i japin këshilla njëri tjetrit për dëmin e duhanit. „Biçikleta“ po jep frytet e saj. Glicemia sa vjen e ulet pas sforcos. Por shpejt ngrihet pasi unë jam tepër i shqetësuar nga problemi im intim. Më duket vetja se do iki nga kjo botë pa qënë i kuptuar… 6 gusht. Ekipi mjekësor këtu është 24 orë në 24 në shërbimin tonë. Shqetësimi që pata mbrëmë që më shkaktoi ngritjen e tensionit dhe të sheqerit, bëri që personeli mjekësor të gjendej pranë meje çdo një orë. Derisa më zuri gjumi dhe ëndrrat më shpunë në kujtime të bukura. Më doli përpara dhe tim atë i paharruar Tuni, i cili më dha kurajo ta përballoj jetën dhe t’a marr ashtu siç është. Tek dhoma ku pihet duhan pas orës 21.30 është shkruar nga një pacient në frëngjisht: „Jeta është si një cigare që sa vjen e tretet, hiri është dashuria, tym është ç’ka mbetet“… Mora pjesë në kolokiumin për „Hypertensionin“ (tensionin e lartë të gjakut) me kryemjekun Berclaz. Shpjegon qartë, me një gjuhë të thjeshtë dhe të gjithë nuk e ndjenë mbarimin e orës së mësimit. I dhashë disa pyetje lidhur me jetën e tij të vrullshme dhe tepër të mbushur si mjek prej disa dhjetëvjeçarësh në Klinikën Gjeneveze të Montanës. Më premtoi se do t’i drejtohet me disa përgjigje lexuesve. Shpesh në shtëpinë e tij bie telefoni edhe jashtë orarit zyrtar të stërzgjatur, por edhe gjatë pushimeve vjetore. Dhe ai mjek fisnik, zviceran, europian, ndodhet pranë me këshillat e tij tek pacientët e kombeve të ndryshme. Ka dhe kujtime të bukura nga pacientët shqiptarë. Të njëjtat ka edhe kryemjeku i Klinikës për të cilin dëshiroj të flas në mënyrë të veçantë, pas bisedës time të hapur me të sot. Do t’u flas të dashur lexues, këto ditë, për gjithçka që shoh këtu në Krans-Montana, një nga Perlat e Zvicrës. Por jo për sekretet personale të mediatorit „të dështuar“ që u ka dhënë për vite të tëra „mend“ të tjerëve dhe nuk ka ditur të ndërtojë si duhet vatrën e tij. A mos ka ardhur kjo nga çiltërsia ime, nga besimi i verbër, nga amaneti i tim eti? Këtu është dera drejt Parajsës për ata si unë që i kanë kaluar të gjashtëdhjetat dhe mendojnë se meqë nuk kanë bërë gjynahe të mëdha në jetë, pas disa viteve do shkojnë atje ! Përpara, tani që po shkruaj janë malet e mbuluara me dëborë të përjetëshme. Në qytet kur shkon me autobuzin gratis sheh shumë turistë, të të gjitha kombësive. Atje gjen dhe shqiptarë dhe përshëndetesh me ta, si miq të vjetër. Ata në kioskat e shumta gjen dhe gazeta shqiptare. Këtu flas me boshnjakë, kroatë, shqiptarë, polakë, italianë…Bilbioteka është shumë e pasur dhe ka edhe libra shqip. Këtu ka televizorë në çdo kat, përveç dhomave ku porositin vetë pacientët, ka Internet. Do flas edhe për atë mikun tim këtu nga Valais (Valé) që banon shtatë kilometra që këtu, i cili na solli një shportë me kajsi nga pemët e kopshtit të tij. Për të paraja nuk vlen, vetëm miqësia e mirë dhe solidariteti që akoma mungon tek ne shqiptarët. Do t’u flas edhe për atë psikologun nga Gjeneva, i cili ka patur në konsultat e tij shumë shqiptarë nga Kosova dhe ka bërë studime të vlefshme. Fatkeqësisht një ishemi ceebrale ka bërë që ai të reduktojë veprimtarinë e tij krijuese.
Një familje e Kombeve të Bashkuara në Kombin e vogël: në Zvicër
Ditari i një mediatori kulturor të rimëkëmbur (II) Besoj se shkrimtarja ime e preferuar zvicerane, Marie-Luce Dayer, të cilës i kam përkthyer librin « Karuzeli i ëndrrave » dhe po përgatis përmbledhjen dy gjuhëshe shqip-frëngjisht « Nën krahun e Shqiponjës », nuk do të më zemërohet, sepse po rimarr në këtë pjesë të dytë të Ditarit tim në Klinikën Gjeneveze të Montanës, këto fjalë nga libri i saj : « Kur ta lexoni Ditarin tim shtatë herë, do të thoni, ndoshta me të drejtë : « është një Ditar i keq » ; megjithatë, një pjesë më pëlqeu ; Cila ? Çdonjeri nga ju do të japë një përgjigje të ndryshme…Çdonjeri, sipas thellësisë ku rrënjoset shpirti i tij dhe reflektimi i botës që ka përshkruar gjatë natës ». Ditari im ka qënë i përditshëm dhe është shkruar prej vitesh. Tani, me kalimin e moshës, kujtimet vijnë më shpejt se koha. Shpesh, i rilexoj dhe ndjej një kënaqësi të veçantë, por edhe një brengë për diçka që nuk është bërë ashtu siç duhej. Megjithatë, i jap zemër vetes dhe them se duke qënë të krishterë, për të folur me të Plotfuqishmin Zot, nëpërmes një prifti, ose kur shkojmë të djelën në kishë, ne duhet të jemi të pastër shpirtërisht, pa patur bërë asnjë gabim. Por kush ka qënë ajo qënie njerëzore, që në në mënyrë ose një tjetër, nuk ka gabuar ? Kështu, që Zoti besoj se do të na « falë » për disa gabime të bëra, prej çdonjerit prej nesh.
Një miku im më shkroi përsëri, pasi lexoi Ditarin tim, duke më kujtuar një citim të Akademikut të ndjerë Bedri Dedja, i cili në një mjedis familjar, rimori nga një shkrimtar i njohur botërisht : » Njeriu, edhe nëse bie 1000 herë, ai do të përpiqet të ngrihet për të 1001 herë, dhe akoma, deri në frymën e tij të fundit. E falenderoj atë për këto fjalë dhe për kurajon që më jep, duke më prekur së tepërmi : Gjithashtu, falenderoj të gjithë miqtë që më mbështesin, si edhe bashkëshorten time të urtë, e cila më telefon çdo herë dhe kujdeset në mënyrë të përkryer për nënën time 86 vjeçare. Ajo më përgjigjet se gjithçka shkon mirë, megjithëse unë jam i ndërgjegjshëm se ajo lodhet shumë. Lajme të mira më vijnë nga Genti që është shumë i afërt për mua, për Rozën dhe Nausikën, bukuroshen që është shumë e zgjuar, fisnike dhe e ndjek ecurinë e jetës me optimizëm… Do të doja t’u flisja akoma dhe akoma për të gjithë Ekipin e Klinikës Gjeneveze të Montanës, e cila sipas këndvështrimit tim është një nga më të mirat në Zvicër. Kuzhinjerët, personeli i shërbimit të restorantit, që na shërben tre herë në ditë, pa shfaqur as më të voglën lodhje, ai i pritjes, i infermierëve, animatoreve, të kafeterisë etj… Një mik më tha : « Mos e kërko historinë dhe jetën në përgjithësi të një institucioni në gazetat apo broshurat e përgatitura, por në bisedat e përditëshme të njerëzve, në ditët e mira dhe të këqija, në mënyrën se si flasin, si grinden, si veprojnë… ». Shpresoj se për këto do flitet në Ditarin tim, për dashurinë, solidaritetin, rilindjen, shërimin, për rezistencën e jashtëzakonëshme të shpirtit të njeriut, për aftësinë e njeriut për të përballuar fatin dhe jo vetëm ta pësojë atë. Siç thoshte Bodleri (Baudelaire): « Jam plaga dhe thika, viktima dhe xhelati ». 10 gusht. Marr pjesë në kolokiumin mbi tensionin e lartë. Doktoreshë Lia Baumann shpjegon me një gjuhë të qartë, jo akademike dhe ne kuptojmë gjithçka që ajo thotë. Ajo buzëqesh lehtë por që i jep një nur të veçantë. Ajo më kujton gjithashtu të gjithë ata mjekë, me të cilët kam punuar gjatë viteve, për të realizuar trialogun mjek, pacient, mediator kulturor. Shpesh, ne shkëmbenim mendimet tona mbi nivelin e shkollimit, gjeografinë, historinë, kulturën, zakonet e vendeve nga vinin pacientët. Dhe trialogu gjithmonë ishte i arrirë. Në rast se një mjek apo infirmiere vijnë çdo mëngjez duke buzëqeshur, kjo mund të shërojë pacientin. Në rast se ndodh e kundërta, sidomos kur një infirmiere qëndron e zymtë, menjëherë ty mund të të fillojë të të dhembë koka. Nuk e di nëse egzistojnë ëngjëjt mbrojtës. Në bluzën e Doktoreshë Lia Baumann shkruhet : « Mjeke e përgjithëshme ». Në fakt, në të duhej të shkruhej :« Ëngjëll mbrojtës ». Ishte ajo që vendosi një kod komunikimi, pa të cilin unë do të isha shkëputur me botën, në çaste të vështira. Me të mund të flas hapur. Sespe, nëse kam vetëm një arsenal mimikash, mbyllje sysh apo një tundje koke, nga ana e një pjese të vogël të personelit, që besoj se është i lodhur nga puna e shumë viteve me pacientët, për të kërkuar që të të vihen fashot në këmbët e enjtura, është e kundërta me personelin me moshë më të re. Nuk kam të drejtë të bëj një përgjithësim, sepse kam punuar vite të tëra me Profesor Humbert, Doktoreshë Marinette Wyss, Doktoreshë Hyila Hoschain, Dr. Pierre Wacker, Karoline Porcher, Chantal Kaparos, Emma, Nathalie etj., që sot janë në pension dhe ato nuk tregonin asnjë shënjë lodhje. Nuk them se të gjitha janë kështu. Shumë pacientë, në të njëjtin kat sjellin si rezultat që infermieret shpesh, sidomos në mëngjez, nëse guxoj ta shpreh, pa frymë kritike, port ë sinqertë, punojnë si robot. Natyrisht, këtu, ato nuk kanë raste të rënda si në Spitalin Kantonal, por në Gjenevë, sidomos në mëngjez, gjendesh para një armate infirmierësh. Si për doktoreshë Lina Baumann, i uroj doktoreshës së ardhshme Kenza që do të fillojë së shpejti studimet për mjekësi, të arrijë rezultate të shkëlqyera në profesionin e saj. Ndërkaq ajo ka marrë një drejtim të mirë, sepse është e ndërgjegjëshme se profesioni i saj i ri kërkon sakrifica dhe humanizëm. I uroj dhe njëherë arritje në ecurinë e saj universitare, si edhe kolegut të saj me flokë të dredhura në katin e dytë të Klinikës. 11 gusht. Më në fund, një grua valezane ndaloi, kur qëndroja në auto-stop. Një hollandeze që punon në Montana, më shpjegoi se për shkak të stresit në punë, valezanët nuk ndalojnë, kurse të tjerët janë me pushime dhe ata kanë kohë. Në të njëjtën kohë autobuzët përbrenda qytetit të Montanës apo Krans Montanës apo në Kampingun Moubra janë gratis. Për valezanët që janë me të vërtetë shumë të sjellshëm dhe shumë mikpritës, ka shumë historira për të qeshur që dëshmojnë për karakterin e tyre të fortë, si Shqiptarët e Veriut të Shqipërisë, të mikut tim Franko Marussich, të cilët u detyruan të largohen nga vendi për shkak të invazioneve otomane rreth vitit 1700. Kurse valezanët janë shumë të lidhur me krahinën e tyre. Dhe kanë të drejtë, sepse njerëzit e kombeve të ndryshëm vijnë këtu të kalojnë pushimet, gjatë gjithë vitit. Një valezanit i lindi mendimi që të ndërtojë një hotel ku mbi portë shkruhet : « Këtu fliten të gjitha gjuhët ». Por një mëngjez, një nga pushuesit ishte i nxehur dhe ju drejtua hotelxhiut, me këto fjalë : « Zotëri, ju keni shënuar mbi derën e hotelit se këtu fliten të gjithë gjuhët. Por qysh dje në mëngjez, nuk kam parë asnjë njeri që të flasë gjuhën time ». Hotelxhiu, pasi u mendua një çast, u përgjigj menjëherë :« Zotëri, a nuk ju mjafton që ju jeni duke folur gjuhën tuaj ?! » Tani do t’u tregoj histori « të vërteta dhe serioze”. Një valezan më thotë se vetë valezanët kanë të drejtë, nëse duhet të vënë tubin në gojë për të provuar përqindjen e alkolit në gjak, më tepër se 0.8%. Pse? Sepse kur ata lindin, janë me përqindje alkoli 0.5%. Dhe ata kanë të drejtë : vera e bardhë e Valesë, sidomos ajo që quhet « Fendant » është e shkëlqyer. Dje isha i detyruar të pija në qytet vetëm një gllënjkë në Pazarin e së Premtes të Montanës, sepse gotën m’a ofroi një braziliane e re që ishte pronare e një dyqani veshjesh. Ju lutem, mos i thoni mjekut tim, sidomos kur ishte çështja që duhej të nderoja zakonet e valezanëve. Nuk mund të refuzohet një gllënjkë « Fendant », sepse është sikur të refuzosh rakinë e Shqiptarëve. Valezanët thonë se janë ata që kanë shkuar për herë të parë në Hënë. Por milanezët, tirolianët, marsejezët, vlonjatët, baskët, shurafët e Marokut (Moulav), korsikanët, boshnjakët e Srebrenicës, kroatët e Zarës, thonë se kanë qënë ata të parët. Një delegacion do të niset nga Klinika Gjeneveze e Montanës me fluturimin e ardhëshëm të Anijes Kozmike për të parë gjithçka në vend. Të gjithë do të kenë me vehte nga një flamur të rajonit të tyre… 12 gusht. Mora një mesazh nga Profesor Alain Golay, specialist i njohur botërisht për obezitetin, me të cilin po punoj për përkthimin e librit të tij « Të dobësohesh pa stres ». Ndër të tjera, ai më shkruan : « Gjithmonë e kam kënaqësi kur kam njoftime nga ty. Bravo për Ditarin dhe mund të them se ti nuk je aspak një mediator i dështuar ». Këto fjalë të profesor Alain Golay m’a ngrohën zemrën dhe mendoj se janë reflektim i karakterit të një mjeku me një përvojë disa dhjetëvjeçare me pacientët, miqtë. Asnjeri nuk e detyron t’i shprehë ato, por sidomos për pacientët e Klinikës që ai drejton, është një mbështetje. Kemi të bëjmë me vetedukimin e pacientëve. 13 gusht. I dërgova një kartolinë djalit të mbesës sime, Marios, në Nju Xhersi për Ditëlindjen e tij. Ai dhe Amelia janë shumë të shtrenjtë për mua dhe unë nuk i harroj ditët që kam kaluar me ta. Ishin duke bërë gjimnastikë në pishikën e Klinikës së Bernës në Montana dhe papritmas një grua 87 vjeçare m’u afrua. Pas disa shkëmbime fjalësh, i bëra pyetjen se çfarë profesioni ka patur. Më tha se ka punuar si juriste në ish Bankën « Société de Banques Suisses », por gjithashtu kishte mbaruar dhe Konservatorin dhe kishte regjistruar një disk. Më premtoi se do të m’a dërgojë. Është aktive dhe kam respekt për të, duke patur parasysh moshën e saj të madhe. I ngjan gruas së De Golit nga shtati, si dhe për fisnikërinë e saj. 14 gusht. U kënaqa kur gruaja austriake më foli për doktor Mathieu Assal, me shumë respekt. « Atij i zë dora për gjithçka »- më tha ajo. Kishte kryer një operacion në këllk. Kur i thashë se njoh gjithashtu edhe të jatin, Jean-Philippe Assal, që është një nga diabetologët më të mirë në botë, ajo më tha duke buzëqeshur : « Si i jati dhe i biri ». E pyeta, nëse fliste akoma gjermanisht. Më tha se ka 40 vite në Zvicër, Kur shkon në Austri, i thonë : « Je bërë snobe ». « Ka shumë aksente, atje, më thotë, shumë dialekte. Unë kam vetëm një mikeshë që flet gjermanisht në Gjenevë. Po të shkosh në Tirolin e thellë, shumë fjalë është vështirë t’i kuptosh. Shpesh, kur flas gjermanisht, duhet të kërkoj fjalët, sepse këtu flas vetëm frëngjisht. Duhet të mendohem shumë për t’u shprehur në gjermanisht, pra fus shpesh nga një fjalë frëngjisht. Në ato çaste m’u kujtuan ata shqiptarët e Amerikës, të hershëm të cilët kur flisnin shqip, shpesh përdornin dhe fusnin në mes dhe fjalë anglisht. Zonjës nga Austria i pëlqen sidomos gjuha muzikale nga Marseja. Nuk mund të pranoj veprimet e papërgjegjëshme të disa grupimeve, të ashtuquajtura të mbrojtjes së kafshëve dhe që ndërmarrin akte të dhunëshme, ndaj të respektuarit, Daniel Vasella, Drejtor i Novartis. Të marrësh urnën e nënës së tij, si edhe të djegësh vilën e tij të dytë të pushimit, këto janë akte banditizmi që ne të gjithë duhet t’i dënojmë. Humanizmi i Daniel Vasellës dhe stafit të tij të « NOVARTIS » është i dukshëm dhe shembullor, në vënien në dispozicion të pacientëve, kudo në botë, mjekime për trajtimin e sëmundjeve kronike. Unë e kam përmendur mëse njëherë dhe po e përsëris : kam një përvojë personale, të humanizmit të tij, kur i nderuari Zoti Daniel Vasella më shkroi një letër shumë prekëse dhe vuri në dispozicion eliminuesin e hekurit Exjade për Talasemikët që tanimë është e disponueshme jo vetem në Zvicër, në Francë, në Itali, në SHBA, por gjithashtu edhe në Shqipëri. Novartis dhe Daniel Vasella punojnë çdo ditë për të gjetur një zgjidhje sa më të mirë në mjekimin e sëmundjeve të hemoglobinës dhe veçanërisht të Talasemisë. Si në të kaluarën, ashtu edhe në të ardhmen, me pjesëmarrjen time në Konferencat Ndërkombëtare të Talasemisë, nuk do të mungoj të ngre rolin e prekursorit të Novartis, në kërkimet gjenetike. Të trasnformosh genin difektoz me një gen të mirë, kjo do të thotë të shpëtosh miliona jetë. I heq kapelen këtij zvicerani bujar dhe të gjithë zviceranëve që më kanë ndihmuar në ecurinë time në Zvicër. Nuk e di a do të kem mundësi t’u a shpërnblej, gjatë viteve të jetës që më kanë mbetur… 14 gusht. Krahët poetikë të Vangjush Zikos. Darkave, këtu, mbi 1700 metra mbi nivelin e detit, në Krans-Montana të Zvicrës, është kthyer në një ritual, që ne mblidhemi, miq të kombeve të ndryshëm, në sallën e madhe të Bibliotekës dhe unë u përkthej nga shqipja në frëngjisht, disa shkrime të botuara në gazetat shqiptare. Miku im, Vangjush Ziko, si edhe më parë ka marrë notën maksimale ng ana e tyre. Edhe këta njerëz të Ballkanit, Europianë, jashtë Europës së 27-shes, si zviceranët apo përfaqësues të kombeve të tjerë, mendoj se kanë gjetur pak nga vetja e tyre në poezitë e bukura të Vangjushit. Njerëzit mund edhe të vegjetojnë, por kurrë njerëzit e kalibrit të poetit dhe shkrimtarit tonë, Vangjush Zikos. Ai e zgjeron çdo ditë spektrin dhe vizionin e poezive të tij, „krahët » e tij poetikë. Do të kisha dashur ta kisha këtu pranë dhe të përshëndeteshim, të diskutonim për të tashmen dhe të ardhmen e Kombit, të gjuhës dhe letërsisë së tij. Respekte dhe një mirënjohje e veçantë për këto çaste lumturie që ja jep, i dashur dhe i respektuar, Vangjush. 15 gusht. Para se të kalojmë në temën që doja të trajtoja në fund, dua të theksoj si gazetar dhe shkrimtar se sistemi zviceran i shëndetësisë është një nga më të mirët në botë. Ky nuk është një lavdërim, por një realitet i ndjeshëm që duket kudo në vend. Ja u lë kritizerëve të çdo lloji qofshin që të « gërmojnë » në këto mangësi. Do të doja që edhe vendi im Shqipëria, e vogël si Zvicra, të marrë shembull nga Helvetia, e përbërë nga njerëz të dashur, punëtorë dhe paqësorë. Në Spitalin Kantonal Universitar të Gjenevës, ku kam patur fat të përkthej vite të tëra, shërbimet janë të përkryera. Atje gjen mjekë të rinj që vijnë nga e gjithë bota : Shqiptarë që përgatiten në klinikat më të mira dhe pastaj kthehen në vend për të dhënë ndihmesën e tyre apo punojnë si bashkëpunëtorë në klinikat zvicerane. Emrat e Prof. Dr. Isuf Kalos, Doktoreshë Adriana Keta, Dr. Florian Toti e të tjerë janë të njohur nga kolegë të tyre zviceranë, vlerësohen prej tyre dhe kanë marrë pjesë në seminaret ndërkombëtare të Grimentzit apo Zinalit, të organizuara nga Profesor Jean-Philippe Assal dhe profesor Alain Golay. Më në fund, në këtë të 15 gushtit desha të flisja shkurt për lumturinë që na dha drejtoria e Klinikës Gjeneveze të Montanës, drejtuar nga Zoti Jean-Pierre Blanc. Ne u nisëm nga Klinika në orën 14.00 për të shkuar në liqenin më të madh nëntokësor të Europës. Kalojmë nga Montana Village, Chermignon, Lens njerëzit shkojnë për të marrë energji vetëshërim) ; në Longeborgne ku është një kishë dhe një Hermitage dhe çiftet pa fëmijë vijnë për të mundur të kenë një krijesë njerëzore në të ardhmen. Në mal ka edhe një terren golfi. Më në fund mbrijmë në St Léonard në të famshmen shpellë nëntokëore, ku na pret Gary Tassoni, njeriu që do na drejtojë Ai nga shpjegon në frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italiasht, historinë e shpellës së mrekullueshme. Së shpejti, ai do të mësojë shqip për t’u shpjeguar sekretet e Shpellës shqiptarëve që do të vijnë për cizitë këtu. Moulay Ahmed, nga familja mbretërore e Marokut- Alaouite-, na nxjerr nèe fotogradi, kujtime të paharrueshme. Gary vazhdon shpjegimin e tij, duke theksuar se në 1943, Jean-Jacques Pittard eksploron për herë të parë « kavernën » misterioze të Liqenit Nëntokësor. Vetëm në 1949, Liqeni mund të vizitohet nga publiku. Ai është 300m. i gjatë, 20 m. e ka gjërësinë dhe 10 metra thellësinë. Liqeni i nëndheshëm i St-Léonard është më i madhi në Europe. Më tepër se 100’000 turistë e vizitojnë çdo vit këtë kuriozitet natyrol të jashtëzakonshëm. Barkat na shpien deri në fund të Shpellës. Ikim me një kujtim të paharruar nga ky Liqen i nëndheshëm. Ghislène na bën një « dhuratë », duke na shpënë tek Liqeni i Sionit, ku qindra e qindra pushues dhe qytetarë, kalonin të shtunën qetësisht. Takoj krejtësisht rastësisht, një shqiptar të Kosovës, i cili jeton prej 45 vitesh në Sion. Ka 6 fëmijë dhe është i lumtur se ata nuk e harrojnë gjuhën e tyre amtare, Shqipen Së shpejti do të ikim nga Krans-Montana. Dhe unë nuk do të harroj Alenin, Jean-Pierre, Henk, Olivier, Lia, Simona, Sara, Ghislène, Kenza, Maria, Lourdes, Gilles, Lina, Moulay, Ursula, Ismet, Hugo, Charlotte, Pascal, Gaétano, Marie Noëlle, Maria, Giovanna, Dobrilla, Dilma, Carla, Reto, Mario, Amalia et shumë të tjerë: një familje e Kombeve të Bashkuara, në Kombin e vogël të lulëzuar, të njerëzve të dashur dhe mikpritës, të njerëzve punëtorë, Zvicrën.