top of page

Nga biografia e një mësuesi çermenikas


- Nga biografia e një mësuesi çermenikas -

Shkruar nga Avni Alcani


Kur u takova për herë të parë mësuesin e mirënjohur çermenikas Çaush Kullafi, gjëja e parë që më ra në sy ishte portreti dhe buzëqeshja tepër e ngrohtë e tij, e cila transmetonte mirësi, thjeshtësi dhe modesti. Që nga ajo kohë ne jemi lidhur dhe kemi bashkëpunuar shumë ngushtë me njëri-tjetrin. Ajo që na ka bashkuar ka qenë pasioni për letërsinë, traditat historike, etnokulturore dhe, veçanërisht, dashuria që ne të dy kemi për krahinën tonë të përbashkët, Çermenikën.

Çaush Kullafi ka lindur në fshatin Letëm të Librazhdit më 4 mars 1963. Në fshatin e tij ai kreu shkollën fillore dhe atë 8-vjeçare "Hajdar Kullafi". Që në vogëli kishte një etje të madhe për dituri dhe prindërit nuk ia shkëputën dëshirën, por ia ushqyen atë djalit të tyre, për të vijuar më tej edukimin nëpërmjet arsimimit dhe shkollimit të mëtejshëm të tij.

Pas mbarimit të shkollës elementare me rezultate shumë të mira, atij i doli e drejta për studim në Shkollën e mesme Pedagogjike të Elbasanit, dhe me pas ne Institutin Pedagogjik ne Elbasan. Në 16 gusht 1980 emërohet mësues në Shkollën e mesme të Bashkuar "Hajdar Kullafi" në fshatin e tij të lindjes, në Letëm. Mësuesi i ri dallohet për pasionin e madh që kishte për profesionin e tij të mësuesisë, si dhe për rezultatet e mira që ai arriti në këtë fushë. Një pasion të madh ai pati për ngrumbullimin dhe studimin e fjalëve të rralla të gjuhës shqipe, të mbledhura në fshatrat e krahinës së tij të Çermenikës.

Në mars të vitit 1988 martohet me Zylfijen, vajzën e re nga Fushë Studëna, në atë kohë zonë administrative e Peshkopisë, e cila dhe ajo ishte mësuese, por në fshatin Zabzun të asaj zone. Pas martesës, po atë vit Zylfija emrohet mësuese në Shkollën e Mesme Bashkuar "Hajdar Kullafi" Letëm, ku punonte edhe bashkëshorti i saj, Çaushi. Punuan bashkë në këtë shkollë deri në vitin 1994. Nga viti 1994 e deri tani çifti Kullafi punojnë si mësues në shkollën 9 vjeçare "Vëllazërimi" në Tiranë, ku vazhdojnë të punojë bashkë edhe sot.

Çaushi dhe Zylfija lindën katër fëmijë, të cilët, si bijtë e dy mësuesve që ishin, arritën rezultate të larta në mësime dhe sejcili prej tyre ka mbaruar studimet e larta, në profilin dhe profesionin që ata zgjodhën dhe dëshironin. Fëmija i parë është Besmira. Ajo mbaroi Fakultetin e Drejtësisë në vitin 2011 dhe mori diplomë të nivelit të dytë, me titull Juriste. Në vitin 2015 Besmira merr titullin avokate dhe në vitin 2022 përfundon titullin Mastër në shëndetin publik. Prej disa vitesh ajo punon në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Vajza e dytë, Majlinda, përfundon studimet e larta për gjuhën anleze. Ka marrë titujt mastër profesional si përkthyese dhe master shkencor si mësuese e gjuhës angleze. Prej disa vitesh Majlinda punon si mësuese e gjuhës angleze në një nga shkollat e kryeqytetit (Tiranë). Vajza e tretë Erjona, pas mbarimit të gjimnazit "Sami Frashëri” në Tiranë me rezultate të shkëlqyera, vijoi studimet e larta në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, dega Administrim Biznesi, të cilin e mbaroi në vitin 2016. Në vitin 2017 Erjona largohet në Munich të Gjermanisë, ku mbaroj studimet mastër shkencor në profilin Menaxhim dhe teknologji, Marketing dhe lidërship, Shkenca Kompjuterike. Djali i tyre i vetëm, Nadmiri, në vitin 2023 përfundoi studimet e larta në profilin inxhinjeri informatike në Universitetin e Tiranës.

Gjatë periudhës së Covid-19, kur gjithçka ishte paralizuar për shkak të epidemisë, duke përfshirë të gjithë arsimin shqiptar dhe në të gjithë vendin ishin mbyllur tërësisht shkollat për rreth 2-3 muaj, çifti i mësuesve bashkëshortor, Çaushi dhe Zylfija, së bashku me vajzën e tyre, Majlinda, morën iniciativën për të zhvilluar mësimin onlain nga shtëpia e tyre. Iniciativa e tre mësuesve nga familja Kullafi, Çaushi, Zylfija dhe Majlinda u bë shëmbull në të gjithë Shqipërinë. Televizioni Kombëtar shqiptar “Top Channel” transmetoi një emision special, me titull: “Tre mësues në një shtëpi, e kthyen shtëpinë në shkollë”, i cili pati një jehonë të jashtëzakonshme në të gjithë vëndin, i cili bëri krenarë të gjithë bashkëkrahinarët e tyre të Çermenikës.

*

Qysh kur ishte ende nxënës në shkollën e mesme pedagogjike dhe në Istitutin e Lartë Pedagogjik spikati te Çaush Kullafi talenti letrar në fushën e poezisë dhe të prozës. Talenti i tij ra në sy të poetit të mirënjohur Koçi Petriti, i cili jetonte dhe punonte në qytetin e Librazhdit. Ai e përkrahu fuqishëm Çaushin, pasi zbuloi tek ai një poet të talentuar dhe me të ardhme. Një miqësi i madhe lindi mes dy poetëve, miqësi që u bekua nga kryepoeti i madh shqiptar, Lasgush Poradeci. Lasgushi e vlerësoi dëshirën e madhe për letërsinë që kishte ky djalë i ri, si dhe talentin për poezi, duke e uruar që ai të bëhej poeti i së ardhsmes. “Mbaje pranë këtë djalë, - i tha Lasgushi Koçi Petritit, - është talent. Mos e lër në dorë të njeriu tjetër”.

Në këto vite ai provoi të botonte në organet qëndrore të shtypit shqiptar. Botoi disa poezi dhe reportazhe në gazetën "Zëri Rinisë" dhe në revistën letrare "Nëntori". Në vitin 1978 mori pjesë në festivalin e këngës për të rritur në Librazhd, si autor i tekstit të këngës "Shokë jete", të kënduar nga dueti Kristaq Gume dhe Burbuqe Bode. Në vitin 1979 merr pjesë në festivalin e pionierëve në Librazhd me tekstin e këngës" Miniera e re" me muzikë të Valentin Veizit, kënduar nga kori i Pallatit të pionierëve Librazhd, në të cilin u vlerësua me Çmimin e Dytë të festivalit. Në vitin 1979 përfaqësoi Librazhdin në simpoziumin kombëtar në Tiranë për mbledhjen dhe përpunimin e fjalës së rrallë.

Është autor i dhjetra teksteve të këngëve, por më më të njohura janë këngët "Udhëto moj kënga ime", me muzikë të Edmond Zhulalit dhe kënduar nga këngëtari çermenikas Hysni Hoxha, si dhe i këngës për Ali Tomën, me muzikë të E. Zhulalit dhe kënduar nga këngëtari i njohur lezhjan, Arben Pacami. Gjithashtu ai është autor i tri librave me prozë, si "Udhëtim në jetë", "Grimca jete" dhe "Një dorë e ngrohtë".

Çaush Kullafi aktualisht është drejtor i Redaksisë së gazetës kulturore “Zana e Çermenikës.



204 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page