top of page

NEVERITORJA


Prend BUZHALA

(Tregime me pak fjalë), 23

Mos u hidhëro. Ky tregim i shëmtuar nuk ka të bëjë me ty. Gjërat e neveritshme nuk do t'i rrëfej këtu, përballë teje. Këto do t'i shënoj përballë një realiteti të neveritshëm, në neveritore. Pikërisht: nga fjala neveri po e krijojmë fjalën neveritore. Kështu e paska kjo botë: t'i gjykojmë njerëzit vetëm nga pamja. Ose edhe nga ngjarjet: t'i shohim vetëm ashtu si duken. Ose ashtu duam t’i projektojmë neveritë tona, dëshirat a ëndërrimet tona. Kurse atë pasperden nuk e shohim, aktorët e vërtetë nuk i shohim. Prandaj, kur ne, nuk mund t'i përthekojmë as t'i parashikojmë ato më të këqijat, atëherë edhe reagojmë keqas, me ankth, me trishtim, me tam-tame, me alarme.

1. Ky tregim nuk e ka asnjë cilësi të mirë, asnjë personazh që ia vlen të jetë dinjitoz, asnjë njeri me karakter. Asnjë kallëzim që dhuron shpresë. Kështu më doli përpara një aktor që shkruan edhe letërsi që po grindej me një mik të tijin. Unë po e shpall veten të çmendur dhe pikë, - bërtet aktori që shkruan edhe poezi. Këtij lumëmadhi i pëlqejnë fekaljet. Me to ndërtohet realiteti, thotë. Krejt njerëzit janë idiotë, krejt realiteti është idiotesk, vazhdon më tutje. Krejt shtetet e krejt kombet janë fekalje sociale. Edhe fëmijët, edhe nënat?- e pyet miku që i qëndron afër. Ato janë kurva, fëmijët janë kriminelë të lindur, e shpjegon botën ai. O burrë i dheut, - ia kthen miku i tij,- ka kaluar koha e artistëve romantikë apo simbolistë, që e shpallnin veten të mallkuar, të çmendur, bohemë, ti po jeton jashtë kohe. Ka kaluar koha kur njerëzit duhet të paraqiten sa më të çuditshëm. Vetë kjo botë është një çudi. Ti je si artist njeri i botës, ndërton ura, interpreton jetën, realitetin, madje mund të përzihesh edhe në politikë dhe aty t'u japësh këshilla atyre që e bëjnë politikën. Aiii, lëre, lëre këtë punë, - replikon aktori artist. Dua të jem vetja. Dhe pikë. Nëse kështu më pranon, mirë, nëse jo, shko në të samës. Ç'më duhen mua njerëzit fisnikë? Ç'më duhen përrallisjet për të mirën? Për karakterin? E miku i tij ia kthen: po, po e shoh. Vërtet ti je mishërim i asaj turme pa tru që i pëlqejnë skandalet, e neveritshmja, faqja e zezë, lajmet nga kronika e zezë se si djali vret nënën dhe motrën, mësuesi dhunon nxënësen e vet, apo politikani blen shpirtra njerëzish për t'i paguar për vrasje, krim financiar e ekonomik apo për krim politik. E mora vesh se nuk të pëlqen as e bukura, as e vërteta në anën e ndritshme të saj. Nuk je i përkushtuar me vullnetin për të vërtetëne e lirinë dhe si duhet të shërohen këto fatkeqësi. E aktori që shkruan edhe letërsi: ta dhjefsha të vërtetën, të mirën dhe lajmin e mirë. Vetë po e vërteton se nga çka përbëhet specia jonë. Unë nuk dua ta mbuloj neverinë time. E miku i tij: të kuptoj, o mik. Ti revoltohesh pafundësisht. Dhe ku e gjen shpëtimin? Vazhdimisht ti përpiqesh ta gjesh këtë shteg shpëtimi dhe nuk e gjen. Pse? Sepse ti aty i shmangesh dhimbjes. Po qe se ti nuk fut edhe dhimbjen tënde aty, po qe se nuk njësohesh me atë realitet dhimbjesh, atëherë vetëm bërtet, shan. izolohesh, qaraveshesh... përjargesh. E ke bërë hapin e parë: deri te kjo neveri. Bëje edhe të dytin: deri te thellësitë e qenies. Te thellësitë e shenjta. Thellësitë e gëzimit e të lumturisë njerëzore. Fali të tjerët... E aktori që shkruan edhe letërsi: Fali? Ahahahaha! Eh, sa falja është bërë prej fillimit të botës! E çka u përmirësua?! Shihi zemrat e njerëzve: janë të mbushura me mëkate. Botën po e ndezin me ato mëkate. Punë e madhe. Unë do t'i shkoj deri në fund kësaj bezdie me mëkatin. Po e përkëdhel, po bisedoj me të, sepse po mi rrëfen ato jashtëqitje të karakterit njerëzor. Mëkatarët vijnë në errësirë: mi rrëfejnë të gjitha në vetminë time krijuese. Mashtrimet, armiqësitë, inatet, bukurinë e ankimeve e të zemrës së ashpër. Keqdashjet, hilet. mandej mua më shfaqet arti me paradokset që t'i fal ky realitet i neveritshëm. E miku i tij: Paradoksalisht ti jepesh pas të keqes. E mira sikur nuk vlen. Atëherë nuk ke se si të mos shndërrohesh në qenie të dhunshme. Të shoqërojnë ndjesi të forta, pasionet e kundërvënies. Por njerëzimi, për shkak të këtyre pasioneve, nuk e ka asnjë mision të vetin: le të zhytemi të gjithë në ferr. Le të shkojmë të gjithë dreq të mallkuar! E aktori që shkruan edhe letërsi: Prapë po më bën të qeshem! Hiç mos e ke atë hall: ata që i drejtojnë këto fije iu thonë të tjerëve le të shkojnë në ferr, po qe se i përmbahemi asaj teorisë sate për prapaskenat.

2. Tregimi rrëfen në veten e parë: biseda ishte e pafund. I lashë të dy duke u grindur, tërë natën. Por ai miku që e replikonte aktorin që shkruan edhe letërsi, nuk e kuptonte gjendjen. Nuk e kuptonte gjendjen e mikut të tij, aktorit që shkruan edhe letërsi. Ishte student, kur e kishte dashuruar vajzën e pronarit të banesës së tij. Pronari ishte politikan i dikurshëm i regjimeve të kaluara. Politikan, hafije dhe profesor. Për shkak që nuk dëshironte që vajzën e tij ta merrte një njeri i egër nga katundi, ai e kishte degdisur vajzën e tij në spital. Vajza qe dhënë pas ilaçeve. Kishte abortuar foshnjën. Ia kishin vrarë dashurinë në bark. Për shkak të kësaj “përkatësie” (i kishte zët edhe artistët aktorë), ai ishte në gjendje që të vriste shumëfish, të shkatërronte gjithçka... ta zhdukte familjen e tij! Pasi e abortoi foshnjën e vdekur, edhe vajza vdiq, pas konsumimit të tepërt të ilaçeve. Por skandalizimit të tij i erdhi kulmi, kur I Pari i Shtetit i dha Medalje kësaj figure të pështirosur për “merita profesionale dhe atdhetare”! Në fund shënova (siç rrëfen tregimi), edhe këtë replikë: që shkruan edhe letërsi: Por unë po them, me ne së bashku le t'i marrim edhe ata në ferr! Le të digjen edhe ata bashkë me ne! Prandaj unë i ndez levat e urrejtjes e të neverisë ndaj këtij realiteti baltak. Mirë e kishte Hitleri: është fanatizmi që i ndez masat për ta ndryshuar historinë, e jo shkencat, dijet, arti. Ky art le të jetë pjesë e kësaj neverie. A nuk shkoi në ferr së fundmi edhe vetë ai Hitleri? Tani jetojmë në një botë digjitale. telefonat celularë, interneti, faqet e rrjetit social, portalet. makinat, aeroplanët, anijet. Je ti ai që nuk jeton me këto përparime idiotësh. E miku i tij: Gjërat (ashtu si paratë) kanë dy anë të medaljes: të mirën dhe të keqen. Varet se në cilën anë vepron dhe cilën anë e përdor. Po të mori përpara ky digjitalizim, ai të shpie aty ku ti nuk e sheh më botën.

3. Aktori që shkruan edhe letërsi, tashmë në skenë po e luante Lojën më Të Bukur të Vetvetes.

(Prend N. Buzhala, 4 shtator 2020)

52 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page