Neki Lulaj: PARISI, ËNDRRRA IME E KAHMOTSHME

Reportazh artistik nga qyteti i dritave, artit dhe historisë
Nga Neki Lulaj
“Bota është një libër dhe ata që nuk udhëtojnë lexojnë vetëm një faqe.” Kjo thënie, që i atribuohet Shën Augustinit të Hippos, më duket se e shpreh më së miri kuptimin e udhëtimit: dëshirën e njeriut për të njohur botën, për të zbuluar qytetërime të tjera dhe për ta pasuruar shpirtin me përvoja të reja. Me këtë mendim do ta nisja rrëfimin tim për Parisin, qytetin e dritave, të artit, të letërsisë dhe të historisë evropiane, të cilin prej vitesh e kisha ruajtur si një ëndërr të bukur në mendjen time.Kisha lexuar për Parisin në libra, kisha parë fotografi të monumenteve të tij madhështore dhe kisha dëgjuar rrëfime nga udhëtarë të shumtë. E dija se, shumë shekuj më parë, në truallin ku sot shtrihet ky metropol gjendej vendbanimi i lashtë Lutetia, pranë brigjeve të lumit Sena. Prej atij vendbanimi, nëpër shekuj, do të rritej një qytet që sot përfaqëson një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës, artit dhe qytetërimit botëror.Por, siç ndodh shpesh me ëndrrat e bukura, edhe kjo e imja do të bëhej realitet në një mënyrë krejt të papritur.
Një befasi që ma zbukuroi vjeshtën
Vajza ime, Albiana, së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët tanë të dashur, Leartin, Leandrën, Luanën dhe Ledrin, ma përgatitën një befasi që do ta kujtoj gjatë.Një ditë më njoftuan se kishin rezervuar hotelin për një javë në Paris dhe se do të niseshim të gjithë së bashku.Për mua ishte befasi e vitit! Nuk e di nëse më shumë më gëzonte mendimi se më në fund do ta vizitoja qytetin e ëndrrave të mia apo fakti se këtë udhëtim do ta ndaja me njerëzit më të dashur të jetës. Ndoshta të dyja bashkë. Sepse, kur njeriu arrin në një moshë kur vitet e jetës fillojnë të peshojnë më shumë se vitet e pritjes, çdo dhuratë e tillë merr një kuptim të veçantë.
Gëzimi i gjyshit ishte i papërshkrueshëm. Përfytyroja veten duke ecur rrugëve të Parisit, me nipërit dhe mbesat pranë, duke u treguar atyre çfarë kisha lexuar për monumentet, ndërsa ata do të më mësonin ta shihja qytetin me sytë e tyre të rinj.Çfarë mund të jetë më e bukur për një gjysh sesa të ndajë me familjen një ëndërr të kahmotshme? Mëngjesi i së hënës së tetorit na gjeti të përgatitur për nisje. Moti ishte i vrenjtur, mjegulla kishte mbuluar horizontin dhe një rigë e imët shiu na shoqëroi gjatë kilometrave të parë. Megjithatë, as retë dhe as freskia e mëngjesit nuk mund ta zbehnin entuziazmin tonë. Dalëngadalë, mjegulla mbeti pas nesh. Qielli u kthjellua dhe rrezet e diellit filluan të ndriçonin peizazhet që shtriheshin në të dy anët e rrugës. Fushat, pyjet, fshatrat dhe pemët me ngjyrat e vjeshtës krijonin një pamje që të kujtonte një tablo të punuar me kujdes nga dora e një piktori.
Ishte një mëngjes i zakonshëm tetori, por për mua kishte diçka të jashtëzakonshme: po udhëtoja drejt një ëndrre që e kisha ruajtur për shumë vite. Na prisnin rreth 560 kilometra rrugë. Pas dy ndalesave të shkurtra për të pirë kafe dhe për t’u freskuar, vazhduam udhëtimin. Komunikacioni ishte relativisht i qetë, ndërsa bisedat familjare dhe humori i fëmijëve e bënin rrugën të dukej më e shkurtër.Sa më shumë i afroheshim Parisit, aq më shumë ndryshonte pamja. Autostradat me shumë korsi, dendësia e automjeteve dhe ndërtesat madhështore që shfaqeshin njëra pas tjetrës na paralajmëronin se po hynim në një qytet të përmasave të mëdha.
Dhe ja, pas disa orësh udhëtimi, mbërritëm në vendin e caktuar, në rrugën e Universitetit, Rue de l’Université. Lamë veturën dhe vazhduam në këmbë pjesën e mbetur të rrugës. Papritur, përpara syve tanë u shfaq ajo që kishim pritur me aq padurim.
Kulla e Ajfelit!

Për disa çaste, pamja na la pa fjalë. Pastaj, sikur të ishim marrë vesh paraprakisht, shpërthyen thirrjet e gëzimit:
— Uaaa, sa e bukur! Një princeshë e vërtetë!
Aty për aty, kullën e përfytyrova si një nuse madhështore, të stolisur me dantellën e saj metalike, që qëndronte krenare përmbi qytetin e lashtë. Telefonat dolën menjëherë nga xhepat. Fotografitë, buzëqeshjet dhe thirrjet e gëzimit nuk kishin të sosur. Rreth nesh kishte dhjetëra grupe turistësh, të ardhur nga vende të ndryshme të botës, të cilët po përjetonin të njëjtën mrekulli. Në atë çast kuptova se disa pamje, sado që t’i kesh parë në fotografi, nuk mund ta zbulojnë plotësisht bukurinë e tyre pa i përjetuar nga afër.
Turistet e ri para Kullës se Eifellit grupi: Laurat Berisha ,Albiana Berisha , Ledri Berisha, Neki Lulaj, Luana Berisha, Leandra Berishs dhe Leart Berisha.
Kulla e Ajfelit – një mrekulli mbi Paris
Për të hyrë në territorin e kullës, na u desh t’u nënshtroheshim kontrolleve të sigurisë. Radha ishte e gjatë dhe pritja zgjati rreth nëntëdhjetë minuta, por kureshtja e vizitorëve dukej më e fortë se lodhja. Askush nuk ankohej shumë. Të gjithë prisnin me durim çastin kur do të mund të ngjiteshin në këtë monument të famshëm. Kulla e Ajfelit u ndërtua për Ekspozitën Universale të vitit 1889 dhe u përfundua brenda pak më shumë se dy vjetësh. Sot, me antenat e saj, arrin një lartësi prej mbi 330 metrash dhe mbetet një nga simbolet më të njohura të Francës. Sa më shumë i afroheshim, aq më tepër na mahniste madhështia e saj. Nga afër, struktura metalike dukej si një ndërthurje e jashtëzakonshme vijash, harqesh dhe formash gjeometrike. Ishte vështirë të besoje se një vepër e tillë, e projektuar me aq guxim, ishte ngritur në fund të shekullit XIX.
Me ashensor u ngjitëm në katin e dytë. Përpara nesh u hap një panoramë e gjerë, sikur dikush ta kishte shtrirë Parisin në pëllëmbën e dorës.Rrugët, sheshet, ndërtesat dhe lumi Sena krijonin një pamje madhështore. Njerëzit lëviznin poshtë nesh si pika të vogla, ndërsa qyteti dukej sikur nuk kishte fund. Pas një qëndrimi në katin e dytë, vazhduam ngjitjen drejt majës së kullës. Dielli i tetorit na përkëdhelte me rrezet e tij, ndërsa horizonti hapej gjithnjë e më shumë. Nga ajo lartësi, Parisi më ngjante me një princeshë të shtrirë në qetësi, me Senën që i përshkonte trupin si një shirit i argjendtë. Ndërtesat në të dy brigjet e lumit, urat e shumta dhe monumentet që dalloheshin në largësi krijonin një tablo të gjallë, ku historia dhe moderniteti bashkëjetonin në harmoni.
Për një çast harrova gjithçka përreth. Mendova për udhëtimet që kisha bërë gjatë jetës, për vendet që kisha njohur dhe për ato që ende mbeteshin të pazbuluara. Njeriu, sa më shumë sheh, aq më tepër kupton se bota është e madhe dhe se dija e tij është vetëm një pjesë e vogël e saj. Qëndruam gjatë duke soditur qytetin. Shënuam në mendje disa vende që dëshironim t’i vizitonim në ditët në vijim.Pastaj zbritëm në tokë, por magjia e Parisit nuk kishte përfunduar. Përkundrazi, një përvojë tjetër na priste.
Sena, lumi që i jep shpirt qytetit
Vendosëm ta shihnim Parisin nga lumi Sena, duke u nisur me anije për një lundrim rreth nëntëdhjetëminutësh. Nëse nga Kulla e Ajfelit qyteti dukej si një hartë e madhe, nga lumi ai shfaqej si një skenë e gjallë, ku çdo ndërtesë, çdo urë dhe çdo fasadë dukej sikur kishte një histori për të treguar. Anija lëvizte qetë nëpër ujë, ndërsa në të dy brigjet shpalosej bukuria e Parisit. Monumentet madhështore, ndërtesat historike, shëtitoret dhe urat e zbukuruara krijonin një pamje që ndryshonte në çdo kthesë të lumit. Turistët fotografonin pa pushim. Disa bisedonin me zë të ulët, të tjerë shijonin pamjet në heshtje. Secili dukej sikur kërkonte të ruante diçka nga kjo bukuri. Unë, përveç pamjeve që më kalonin para syve, ruaja edhe ndjesinë e të qenit bashkë me familjen. Herë pas here ktheja kokën nga fëmijët, të cilët i ndiqnin me kureshtje monumentet dhe përpiqeshin të mos humbnin asnjë pamje. Sa e bukur është jeta kur mundësitë për të zbuluar botën bashkohen me dashurinë për njerëzit e tu! Dita e parë kaloi shpejt, pa e ndier lodhjen. Rreth orës njëzet e tre të mbrëmjes u kthyem në hotel, të mbushur me mbresa dhe me dëshirën për ta filluar sa më shpejt ditën tjetër.
Notre-Dame – madhështia e besimit dhe e historisë
Pas një mëngjesi të këndshëm dhe kafes së zakonshme, u nisëm drejt Katedrales Notre-Dame, një prej monumenteve më të njohura të arkitekturës gotike në Evropë. Edhe këtu na pritën radhë të gjata vizitorësh. Njerëz nga vende të ndryshme kishin ardhur për të parë nga afër këtë vepër të jashtëzakonshme, kushtuar Virgjëreshës Mari. Pamja e jashtme të mahniste me kullat, skulpturat, harqet dhe hollësitë arkitekturore të punuara me mjeshtëri. Çdo pjesë e ndërtesës dëshmonte durimin dhe përkushtimin e brezave që kishin kontribuar në ndërtimin e saj. Brenda katedrales, atmosfera ishte krejt tjetër. Heshtja, lartësia e harqeve dhe drita që depërtonte përmes vitrazheve krijonin një ndjenjë solemniteti. Njeriu ndiente se kishte hyrë në një hapësirë ku koha ecte me hapa të tjerë. Notre-Dame nuk është vetëm një ndërtesë fetare. Ajo është një pjesë e historisë së Francës dhe e kujtesës kulturore të Evropës. Këtu janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme historike, ndër të cilat edhe kurorëzimi i Napoleon Bonapartit si perandor, në vitin 1804. Duke e soditur këtë monument, mendova për shekujt që kishin kaluar mbi të, për brezat që kishin ardhur e ishin larguar, për gëzimet dhe dhimbjet që historia kishte lënë pas. Zjarri i vitit 2019, që dëmtoi rëndë çatinë dhe majën e katedrales, kishte tronditur botën. Por restaurimi dhe rihapja e saj në dhjetor të vitit 2024 dëshmuan se trashëgimia kulturore mund të ringrihet kur ekziston vullneti për ta ruajtur atë. Duke dalë nga katedralja, ndjeva se kisha vizituar jo vetëm një monument, por një pjesë të gjallë të historisë evropiane. Pjesën tjetër të ditës e shfrytëzuam për të udhëtuar me metronë e Parisit. Trenat nëntokësorë, stacionet e shumta dhe lëvizja e pandërprerë e njerëzve na zbuluan një tjetër anë të qytetit. Parisi nuk jeton vetëm në bulevardet e tij të famshme; një pjesë e madhe e jetës së përditshme zhvillohet edhe nën tokë, në rrjetin e gjerë të transportit që lidh lagjet dhe zonat e tij.
Katakombet – aty ku heshtja flet për jetën
Gjatë ditëve në vijim vendosëm unë dhe nipi im Learti të vizitonim Katakombet e Parisit, një vend për të cilin kisha lexuar më parë, por që nuk e kisha përfytyruar sa i veçantë dhe tronditës do të ishte nga afër. Zbritëm në një botë të nëndheshme, larg dritës së diellit dhe gjallërisë së qytetit. Korridore të gjata, kthina të errëta dhe mure të ndërtuara me kafka e eshtra njerëzish na shoqëronin gjatë ecjes. Në këto galeri ruhen eshtrat e miliona njerëzve, të zhvendosur kryesisht nga varrezat e Parisit gjatë shekujve XVIII dhe XIX, për shkak të mbingarkesës së varrezave dhe shqetësimeve të shëndetit publik. Ishte një pamje njëkohësisht e jashtëzakonshme dhe trishtuese. Kafka të radhitura me kujdes, eshtra të vendosura në forma të ndryshme dhe korridore që humbnin në thellësinë e tokës krijonin një atmosferë të rëndë, por edhe të mbushur me domethënie. Për disa çaste mbetëm pa fjalë. Aty, në atë botë të heshtur, madhështia e Parisit merrte një kuptim tjetër. Qyteti i dritave na tregonte anën e tij të errët, atë që lidhej me vdekjen, kujtesën dhe kalimin e kohës. Mendova se, pavarësisht pasurisë, famës dhe lavdisë që mund të arrijë njeriu, në fund të gjithë jemi pjesë e së njëjtës histori njerëzore. Brezat ndërrohen, qytetet ndryshojnë, monumentet ngrihen e restaurohen, por kujtesa mbetet detyrë e të gjallëve. Katakombet nuk ishin vetëm një atraksion turistik. Ishin një mësim i heshtur për jetën, një përballje me të kaluarën dhe një kujtesë se historia nuk shkruhet vetëm nga mbretërit, perandorët e gjeneralët. Ajo ndërtohet edhe nga jetët e panumërta të njerëzve të zakonshëm. U larguam prej andej me mbresa të thella dhe me mendime që nuk mund të shuheshin menjëherë.
Urat e Parisit – art mbi ujë
Parisi dhe Sena janë të pandashëm. Lumi e përshkon qytetin si një damar i gjallë, ndërsa urat e shumta lidhin brigjet dhe krijojnë një prej pamjeve më karakteristike të kryeqytetit francez. Gjatë shëtitjeve tona, vëmendjen ma tërhoqën veçanërisht urat historike, të cilat ndryshonin nga njëra-tjetra për nga forma, zbukurimet dhe historia. Ndër më mbresëlënëset ishte Pont Alexandre III, ura madhështore e zbukuruar me skulptura, figura dekorative dhe kuaj të artë. Eleganca e saj të krijonte përshtypjen se nuk ishte thjesht një mjet kalimi nga njëri breg në tjetrin, por një vepër arti e vendosur mbi lumë. Në të dy anët e Senës, ndërtesat historike pasqyroheshin në ujë, ndërsa anijet vazhdonin lundrimin me turistë që përpiqeshin të përvetësonin sa më shumë nga bukuria e qytetit . Duke i soditur këto ura, m’u kujtua se sa shumë gjëra të bukura mund të ndërtojë njeriu kur bashkon dijen, imagjinatën dhe mjeshtërinë. Urat e Parisit nuk lidhin vetëm dy brigje . Ato lidhin epoka, histori dhe breza . Janë dëshmi e një qytetërimi që ka ditur t’i japë funksionit edhe bukuri, edhe kuptim artistik.
Harku i Triumfit – kujtesa e një kombi
Një tjetër ndalesë e rëndësishme ishte Harku i Triumfit, një prej monumenteve më të njohura të Francës, i vendosur në sheshin Charles de Gaulle, në skajin e bulevardit të famshëm Champs-Élysées. Me lartësinë e tij prej rreth pesëdhjetë metrash, monumenti të imponohet që nga larg. Ndërtimi i tij nisi në vitin 1806, me urdhër të Napoleon Bonapartit, për të nderuar ushtritë franceze, dhe përfundoi në vitin 1836 . Në muret e tij janë gdhendur emra betejash dhe gjeneralësh . Nën hark gjendet Varri i Ushtarit të Panjohur, ku flaka e përjetshme ndizet në kujtim të atyre që humbën jetën për Francën. Qëndruam për një kohë duke e soditur këtë monument, i cili ndërthur madhështinë arkitekturore me kujtesën historike. Aty mendova se çdo komb ka vende ku historia bëhet e prekshme, ku emrat e të rënëve dhe flaka përkujtimore u kujtojnë brezave se liria dhe identiteti nuk janë dhurata të rastësishme. Për ne shqiptarët, që kemi historinë tonë të mbushur me sakrifica, kujtesa të tilla kanë një domethënie të veçantë. Por, krahas monumenteve dhe historisë, në këtë udhëtim më mbushte me gëzim edhe diçka tjetër: entuziazmi i fëmijëve. Nuk i dëgjova asnjëherë të ankoheshin për lodhje, mërzi apo për dëshirën për t’u kthyer në hotel. Përkundrazi, çdo vizitë sillte pyetje të reja, fotografi të reja dhe dëshirën për të parë edhe më shumë. Një ditë, Ledri, më i vogli i grupit, m’u afrua dhe më pyeti me sinqeritetin e tij fëmijëror:
— Gjysh, a mund ta zgjasim qëndrimin edhe për disa ditë? Buzëqesha. Në atë pyetje të thjeshtë fshihej gjithë kënaqësia e udhëtimit. Kur fëmijët kërkojnë të qëndrojnë më gjatë në një qytet që po vizitojnë, do të thotë se ai u ka dhuruar diçka të veçantë. Ndoshta kureshtjen, ndoshta bukurinë, ndoshta ndjenjën e lirisë që të fal zbulimi i një bote të re. Atëherë mendova: kushdo që e viziton Parisin për një javë, është sikur të ketë lexuar disa kapituj të një enciklopedie të madhe, të mbushur me histori, art, arkitekturë dhe qytetërime. Eh, ku ka shkuar bota! Sa shumë ka krijuar mendja dhe dora e njeriut ndër shekuj!
Luvri – përballë pavdekësisë së artit
Vizita në Muzeun e Luvrit ishte një nga çastet më të rëndësishme të udhëtimit tonë. Mendoj se kush e viziton Parisin dhe nuk ndalet në Luvër, lë pa lexuar një kapitull të rëndësishëm të historisë së artit botëror. Atë ditë binte shi. Përpara muzeut lëviznin turma të mëdha vizitorësh, ndërsa shitësit ambulantë kishin dalë me çadra për ata që nuk ishin përgatitur për motin. Çmimet ishin të larta, por kureshtja për të hyrë në muze dukej më e fortë se shiu dhe pritja e gjatë. Ndërtesa madhështore, me oborret dhe piramidën e saj të famshme prej xhami, të krijonte përshtypjen e një porte që të çonte në një botë tjetër. Luvri e ka zanafillën si kala mesjetare e shekullit XII dhe, pas shumë shndërrimesh gjatë historisë, u bë një nga muzetë më të rëndësishëm të botës. Radha ishte e gjatë, por vizitorët prisnin me qetësi. Njerëz të ardhur nga kontinente të ndryshme kishin të njëjtin qëllim: të shihnin nga afër kryeveprat që ruhen në këtë tempull të artit. Pas kontrollit të sigurisë, më në fund hymë brenda. Ajo që na priste ishte një pasuri e jashtëzakonshme. Salla të mëdha, korridore të gjata, skulptura, piktura, objekte arkeologjike dhe dëshmi të qytetërimeve të lashta krijonin një botë që nuk mund të përshkohej e të njihej brenda pak orësh. Çdo sallë të ftonte të ndaleshe. Çdo vepër kishte një histori. Çdo figurë dukej sikur ruante një pjesë të jetës së kohës kur ishte krijuar. Vëmendjen e vizitorëve e tërhiqte veçanërisht Mona Liza, kryevepra e Leonardo da Vinçit. Përpara saj qëndronin shumë njerëz, të cilët prisnin radhën për ta parë dhe fotografuar. Ishte një ndjenjë e veçantë të gjendeshe përballë një pikture që e kishe njohur prej vitesh nga librat dhe fotografitë. Buzëqeshja e saj enigmatike, vështrimi dhe misteri që e rrethonin kishin bërë që kjo vepër të bëhej e famshme në mbarë botën. Por Luvri nuk është vetëm Mona Liza. Ai është një univers i tërë artistik, ku takohen qytetërime, epoka dhe shkolla të ndryshme të artit. Duke ecur nëpër galeritë e tij, m’u duk sikur po udhëtoja nëpër shekuj. Para meje shpalosej historia e njerëzimit, e rrëfyer jo vetëm me fjalë, por edhe përmes ngjyrave, formave dhe mjeshtërisë së artistëve. Aty kuptova se veprat e mëdha artistike nuk u përkasin vetëm kohës kur janë krijuar. Ato vazhdojnë të jetojnë për sa kohë që njerëzit i shikojnë, i studiojnë dhe gjejnë tek ato diçka nga vetja. Luvri ishte një dëshmi e fuqishme se arti mund ta kapërcejë kohën, gjuhën dhe kufijtë.
Parisi, qyteti që të mëson ta duash botën
Java jonë në Paris ishte mbushur me përjetime të shumta. Kulla e Ajfelit, Notre-Dame, Katakombet, urat mbi Senë, Harku i Triumfit dhe Muzeu i Luvrit ishin vetëm disa nga ndalesat që na lanë mbresa të thella. Por, me kalimin e ditëve, kuptova se bukuria e Parisit nuk qëndron vetëm në monumentet e tij të famshme. Ajo gjendet edhe në rrugicat e vjetra, në bulevardet e gjera, në kafenetë plot njerëz, në libraritë, në sheshet e gjalla dhe në ndërtesat që mbartin histori shekullore. Gjendet në mënyrën se si qyteti e ruan të kaluarën, ndërsa vazhdon të jetojë me ritmin e së tashmes. Parisi është një qytet që të fton të ecësh, të shikosh dhe të mendosh. Në çdo kthesë mund të zbulosh diçka të re; në çdo shesh mund të gjesh një gjurmë historie; në çdo monument mund të lexosh një pjesë të përpjekjeve të njerëzimit për të krijuar diçka që i mbijeton kohës. Vjeshta ia shtonte edhe më shumë hijeshinë. Gjethet e arta, drita e butë e tetorit dhe fasadat e ndërtesave të lashta krijonin një atmosferë të veçantë. Qyteti dukej sikur vishej me ngjyrat e një pikture të madhe, të cilën natyra dhe historia e kishin krijuar së bashku. Megjithatë, kur sot i rikujtoj ato ditë, nuk janë vetëm monumentet që më dalin përpara syve. Më kujtohen buzëqeshjet e nipërve dhe mbesave, pyetjet e tyre, fotografitë që bënim së bashku dhe çastet kur ndaleshim për të soditur diçka të bukur. Më kujtohet Albiana, e cila me këtë dhuratë ma bëri realitet një dëshirë të vjetër, si dhe dhëndri im, Laurati,që e ndau me ne këtë udhëtim të paharrueshëm. Njeriu mund të udhëtojë në shumë vende, mund të shohë pallate, muze e monumente të famshme, por lumturia merr një kuptim tjetër kur këto përvoja i ndan me familjen. Fotografitë do të mbeten dëshmi e asaj që pamë. Por kujtimet më të çmuara do të jenë ato që nuk mund të fiksohen plotësisht në një fotografi: emocionet, bisedat, gëzimi i përbashkët dhe ndjenja e të qenit pranë njëri-tjetrit. Në fund të fundit, udhëtimet nuk maten vetëm me kilometrat që përshkojmë, as me numrin e monumenteve që vizitojmë. Ato maten me njohuritë që fitojmë, me përvojat që mbledhim dhe me kujtimet që mbeten në zemër. Parisi ishte një ëndërr e kahmotshme që më në fund u bë realitet. Një javë e mbushur me art, histori, bukuri dhe dashuri familjare. Duke u larguar nga ky qytet, e ndieja se kisha fituar më shumë sesa një përvojë turistike. Kisha njohur nga afër një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë evropiane dhe kisha ndarë me familjen ditë që do të mbeten gjatë në kujtesën time. M’u kthye sërish në mendje thënia e Shën Augustinit: bota është një libër dhe udhëtimi na jep mundësinë të lexojmë faqe të reja të tij. Po, sa më shumë udhëton, aq më shumë kupton se bota është e pasur me histori, bukuri dhe njerëz. Dhe sa më shumë njeh, aq më tepër dëshiron të mësosh. Parisi nuk ishte më vetëm një emër i lexuar në libra, as një pamje e parë në fotografi. Ai u bë një kujtim i gjallë, një pjesë e jetës sime dhe një ëndërr që do ta ruaj gjatë në zemër. Një ëndërr e realizuar në tetorin e artë, nën dritat e Parisit, me familjen time pranë.








Comments