top of page

Neki Lulaj: Atdheu ngjason me Diellin

Neki Lulaj

Atdheu ngjason me Diellin: kur i afrohesh të djeg, kur i largohesh të ngroh!

Tregim

Me suprimimin e autonomisë së Kosovës, për shqiptarët u shua çdo ndjenjë sigurie dhe rehatie. Jeta mori një tatëpjetë të frikshme. Rrethana të paqëndrueshme u krijuan brenda natës dhe ngjarjet filluan të rrokulliseshin njëra pas tjetrës, duke i detyruar shumë familje shqiptare ta braktisnin vendlindjen e tyre të dashur. Me atë ikje u vranë ëndrrat, u copëtuan shpresat dhe frika u bë shoqëruesja e përditshme e atyre që morën rrugën e mërgimit drejt ndonjë shteti evropian, në kërkim të strehimit politik.

Ata ishin një çift i zakonshëm, njerëz të ndershëm dhe të arsimuar. Ai punonte si inxhinier, ndërsa bashkëshortja e tij si mami në spital. Jetonin thjeshtë, por me dinjitet. Megjithatë, me Es kalimin e ngjarjeve të vitit të marsit 1989 regjimi diktatorial ja hoqi  Kosovës kompetencat e autonomisë përmes ndryshimeve kushtetuese të S..,dhe me këtë rast gjithçka u rrënua. Të dy u përjashtuan nga puna pa asnjë vendim zyrtar. Vetëm gojarisht u komunikua se ishin “të papërshtatshëm ideo politikisht”. Ai për mosbindje politike, ajo për refuzimin e firmosje s së një liste që dënonte demonstratat e studentëve, të cilat regjimi i shpallte armiqësore dhe kundërrevolucionare.

Gjendja në vend u bë kaotike. Regjimi i egër shovinist ishte shndërruar në një nostrum që shkatërronte gjithçka që i dilte përpara, pa kursyer as jetët e qytetarëve të pafajshëm. Grupe paramilitare famëkeqe dhe kriminelë të liruar nga burgjet u lëshuan në Kosovë vetëm për të mbjellë frikë, incidente dhe vrasje.

Jeta normale ishte paralizuar plotësisht. Në Kosovë ishte instaluar një aparteidi i egër. Për regjimin, çdo shqiptar ishte irredentist: fëmijët në kopshte, nxënësit në shkolla, studentët dhe punëtorët e arsimit. Në vendet e punës së shqiptarëve silleshin njerëz analfabet nga Kurshumlia, Leskovci dhe Nishi.

Në të gjitha qytetet u vendos ora policore. Nga ora 18:00 e mbrëmjes deri në orët e hershme të mëngjesit askush nuk guxonte të dilte nga shtëpia. Populli ishte i pafuqishëm për t’iu kundërvënë kësaj makinerie vrastare çetnike. Burgjet u mbushën përplot me të rinj e të reja, profesorë, studentë, nxënës dhe edhe me njerëz të moshuar. Torturat ishin të egra, çnjerëzore. Vrasjet e shqiptarëve shpërbleheshin, dhe frika sundonte gjithçka.

Megjithatë, përkundër gjithë kësaj errësire, diku larg në horizont dukej një vezullim i zbehtë drite, që simbolizonte shpresën për liri. Sepse gjithmonë thuhej se zullumi këputet prej trashit.

Kjo katrahurë, kjo dramë tragjike që luhej mbi kurrizin e pambrojtur të shqiptarit, i detyroi ata që, me lot në sy dhe zemër të copëtuar, ta merrnin rrugën e ikjes. Rrugën e dhimbshme të mërgimit, duke kërkuar strehim politik në një shtet evropian.

Ditët e para të mërgimit u dukën si ditët e ferrit të Dantes. Nga njëra anë, ishin qetësuar shpirtërisht dhe fizikisht: nuk dëgjonin më sirena policie, sharje, fyerje, krisma automatiku apo këngë çetnikësh. Nga ana tjetër, ndiheshin të humbur. Në vendin e huaj kishin liri, dhe kjo i bënte të ndiheshin të pasur, por u mungonte gjuha, u mungonin njerëzit e afërt

Të dy bashkëshortët ndiheshin të rënduar psiqikisht, por të zbrazur shpirtërisht. Kishin mbërritur në një vend të huaj, larg atdheut të tyre të origjinës, dhe aty ku kishin ngulur jetën, u duhej ta ndiznin oxhakun e ftohtë të mërgimit me shkarpat e shpirtit. Jeta kishte filluar nga e para, në heshtje, mes pasigurive dhe shpresave të brishta.

Prioriteti më i rëndësishëm ishte sistemimi i fëmijëve në shkollë. Falë ndihmës së organizatave humanitare, Diakonisë dhe Caritasit, që vepronin në atë qytet, dy fëmijët e mëdhenj u regjistruan në shkollë, ndërsa dy më të vegjlit në kopshtin e fëmijëve. Për prindërit, të dy intelektualë, por pa njohjen e gjuhës, horizonti dukej i mjegullt dhe pa perspektivë.

Çdo mëngjes, kur fëmijët niseshin për në shkollë e në kopsht, ata shikonin qytetin ku kishin ardhur për të jetuar. Ishte një qytet turistik jashtëzakonisht i bukur, me arkitekturë të rrallë dhe mbi dy mijë vjet histori. Në zemër të tij ngrihej një katedrale madhështore, aq e bukur sa thuhej se e gjithë Gjermania nuk kishte një të dytë si ajo. Qyteti ishte i pastër, me rrugë të gjera, plot gjelbërim dhe jetë.

Në fund të qytetit, vetëm pesëqind metra larg qendrës, gjarpëronte një lum i madh, me ujëra të bollshme, që quhej Rheina. Mbi të lundronin anije të mëdha tregtare dhe anije turistike, të mbushura me vizitorë nga e gjithë bota. Thuhej se ky lum ishte dhurata më e çmuar e qytetit, fryma e tij e gjallë.

Të dy bashkëshortët kishin një dëshirë të thjeshtë, por të paarritshme për ta në atë kohë: të uleshin për një kafe me ndonjë qytetar vendas dhe të shkëmbenin disa fjalë. Por gjuha ishte muri i padukshëm që i mbante të ndarë.

Ndërkohë, fëmijët filluan të përparonin me hapa të sigurt. Dy më të mëdhenjtë në shkollë dhe dy më të vegjlit në kopsht përvetësonin gjuhën me shpejtësi, gjë që u sillte prindërve shpresë dhe gëzim të madh. Filluan të ndërtoheshin edhe ura shoqërore: fëmijë gjermanë vinin për lojë në oborrin e shtëpisë së tyre, dhe zërat e gëzuar të fëmijëve e mbushnin hapësirën me jetë.

Një ditë, një vajzë gjermane, nxënëse e shkollës së mesme, trokiti në portën e tyre. Ajo foli në gjuhën e saj, duke kërkuar leje të luante me fëmijët e tyre. Fjalët e saj u përkthyen nga fëmijët, pasi prindërit nuk e kuptonin ende gjuhën. Ata pohuan me kokë njëzëri, duke thënë “po”.

Ishte një moment i bukur dhe domethënës. Ajo ditë u zgjat deri në mbrëmje, dhe lojërat vazhduan edhe ditët në vijim. Vajza filloi të vinte shpesh edhe në banesën e tyre, duke ngrënë drekë e darkë bashkë me familjen. Më vonë mësuan se quhej Dorothea. Ajo ishte vajza e dy prindërve intelektualë: i ati avokat, e ëma mësuese.

Vitet kalonin dhe Dorothea ishte bërë si anëtare e familjes së tyre. Ajo merrte pjesë në piknikë, shëtitje dhe gëzime me katër fëmijët e inxhinierit. Me lejen e prindërve të saj, shpesh flinte në banesën e tyre, derisa erdhi dita kur u largua për studime. Fëmijët, tashmë të rritur dhe nxënës të shkëlqyer, ndienin mungesën e saj, edhe pse gjuha tashmë nuk ishte më pengesë. Pas përfundimit të studimeve, Dorothea mbeti mike e sinqertë e kësaj familjeje.

Vitet iknin me turra vrapin e erës. Fëmijët u rritën dhe secili ndërtoi rrugën e vet. Njëri prej tyre u dallua në sport dhe arriti të ndërtonte një karrierë të suksesshme si futbollist, duke u bërë krenari jo vetëm për familjen, por edhe për qytetin. Të gjithë përfunduan shkolla të larta dhe universitete, themeluan vende të mira pune dhe u integruan në jetën gjermane.

Familja u bë e dobishme edhe për bashkëkombësit e tjerë që kishin ardhur nga Kosova vite më vonë, duke i ndihmuar si përkthyes nëpër zyra gjermane dhe në çështje të ndryshme jetësore. Ata nuk harruan kurrë rrënjët e tyre, por i shndërruan ato në urë lidhëse mes dy botëve.

Dhe kështu, oxhaku dikur i ftohtë i jetës në mërgim u ndez ngrohtë. Jo nga rastësia, por nga puna, durimi, solidariteti dhe dashuria. Jeta në vend të huaj nuk ua fali gjithçka, por ua dha mundësinë ta ndërtonin vetë — dhe ata e ndërtuan me dinjitet.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page