top of page

Durim Çaça: DINJITETI I MUNGUAR INSTITUCIONALISHT I LETËRSISË NË SHQIPËRI


      Për ta thënë qysh në krye, ka një shpërfillje institucionale prej vitesh ndaj veprimtarisë letrare në Shqipëri. Dhe, nëse me termin “kulturë”, në kuptimin më të gjerë të saj (dhe ligjor) kuptohet tërësia e tipareve shpirtërore, materiale, intelektuale dhe emocionale të një shoqërie si dhe fusha e zhvillimit shoqëror që përfshin krijimtarinë e gjithanshme në gjuhë artistike, letërsi,  art, shkencë dhe në tërë sferën përjetuese estetike dhe intelektuale, pa dyshim letërsia zë vendin qendror në këtë zhvillim dhe në kulturimin artistik të një shoqërie Përmes kësaj veprimtarie të gjerë krijuese, nëpërmjet  së cilës krijohet vepra letrare, si burim emocioni, kënaqësie estetike dhe njohjeje të jetës shoqërore e botës shpirtërore, vepër që krijohet me anë të mjetit të saj specifik, gjuhës së përditshme të ngritur në art literariteti. Gjithëherë letërsia ka qenë në krye të arteve të tjerë, për shkak të komunikimit të saj të gjerë dhe me ndikim formësues të thellë në jetën e shoqërisë së cilës i përket, por dhe për komunikim ndërkombëtar, (si, bie fjala, krijimtaria letrare kadarejane, etj.). Madje, dhe në politikën komuniste të shtypjes së lirisë krijuese, në fjalimet e plenumeve famëkeqe të udhëheqësit të saj diktatorial, në krye ishin shkrimtarët e, më pas, vinin artistët e tjerë, si “ndihmës besnikë të Partisë”, që kërkonte të ishin, duke i nxitur dhe detyruar ata drejt një  letërsie propagande politike.

      

      Ministria e linjës, (MTKS)

 

    Një lloj “katrahure” nis që me emërtimin e dikasterit, si administrues qendror i fushës  së veprimtarisë zyrtare, ku Kultura nuk është më prej vitesh, ministri më vete por iu është bashkëngjitur si shtojcë, fushave të tjera të veprimtarisë shtetërore, sipas politikës pragmatiste të qeverisjes së ditës, sikur zhvillimi i kulturës së një vendi të mbaronte brenda programit të një qeverie, apo të një mandati politik qeverisës partiak, kur në të vërtetë duhet parë, në rastin më të mirë,  i zhvillimit të saj në një stad më të lartë, gjatë kësaj kohe. Ndaj dhe konceptimi i veprimtarisë në këtë fushë duhet të përfshijë perspektivën e këtij zhvillimi, hap pas hapi, për të parë në një periudhë të gjatë kohore ndikimin e tij në emancipimin kulturor e shoqëror të një populli e kombi. Kështu, kultura në ministrinë tonë përkatëse, herë i është bashkur asaj të Ekonomisë, herë të Inovacionit, më pas, të Rinisë, më tej, të Gruas, gjer në emërtimin aktual, si Ministria e Turizmit, Kulturës e Sporteve.

       Megjithëse përcakton si mision për kulturën krijimin e mjedisit të favorshëm për rritjen dhe zhvillimin e shërbimeve dhe produkteve kulturore dhe krijuese në sektorin publik dhe privat, (sipas vizionit të Strategjisë Kombëtare për Kulturën, me qëllim që artet dhe trashëgimia kulturore e Shqipërisë të jenë forcë shtytëse për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik) dhe me qëllimin strategjik!! (kaq evaziv, nga institucioni i lartë i Qeverisë),  “për më shumë vëmendje për artin dhe kulturën”, paradoksi nis që me strukturën e saj ku, në 3 zëvendësministrat, (ekonomist, lektore e gjuhës së huaj dhe sportist i takëondosë), në 8 këshilltarët e kabinetit të Ministrit dhe në 23 drejtoritë e dikasterit në fjalë, (ku është si shtojcë dhe kultura), janë emëruar “me shumicë”: ekonomistë, juristë, financierë, inxhinierë marketingu, por nuk ka asnjë titullar zyrtar shkrimtar apo të veprimtarisë së jetës letrare e intelektuale. Po kështu, në këto dhjetëra drejtori, janë vetëm 3 të tilla me karakter të përgjithshëm, (drejtoria e politikave dhe zhvillimit të artit e kulturës dhe rinisë, ajo e politikave për artin e kulturën si dhe e monitorimit dhe menaxhimit të projekteve në fushën e arteve dhe kulturës), ku ceket dhe veprimtaria në fushën e letërsisë, me pak fonde për financimin e pesë veprave të autorëve të rinj dhe  përkthimin e 5 veprave të letërsisë sonë të sotme, në gjuhë të huaja, ndërkohë që qindra milionë lekë të buxhetit të ministrisë në fjalë i marrin Organizatat Jofitimprurëse, (OJF) të organizimeve të veprimtarive kulturore, (koncerte, ekspozita pikture, opera e balete, recitale muzike instrumentale, etj.), OJF, herë-herë, dhe fiktive, me veprimtari fiktive. Ky përqëndrim i buxhetit qendror shtetëror të kulturës të kësaj ministrie, në artin muzikor e pamor (duke lënë jasht vëmendjes dhe shpërfillur veprimtarinë krijuese dhe performuese letrare), nuk besoj ngaqë ministri është diplomuar në Institutin e Arteve. Ndoshta, duhet një e mesme e artë mes ministrash shkrimtarë, (që nga: S Malëshova, e më pas, F. Paçrami, M. Zeqo, P. Zogaj, V. Koreshi, T. Laço, V. Zhiti, apo artistë: E. Rama, Dh. Anagnosti e ndonjë tjetër), të cilët, megjithëse më kohëshkurtër si titullarë, shpërfaqen  më frymëzues  dhe ministrash funksionarë politikë të partisë në pushtet që paraqiten më jetëgjatë, por thjesht si  menaxherë administrativë të kësaj veprimtarie të gjerë shtetërore shumëplanëshe.

    Ndërsa institucionet vendore kulturore, (drejtoritë e kulturës dhe sportit të bashkive), teksa në bashkitë e mëdha mund të sponsorizojnë ndonjë festival poetik apo konkurs letrar të krijuesve në nivel bashkiak, me pjesëmarrës krijues dhe nga rajone të tjerë të vendit,  në bashkitë e vogla, zakonisht financohet ndonjë koncert i fundvitit me hije korruptive apo “sofrat”  e përvitshme festive e banketit të Vitit të Ri, për militantët partiakë të kryebashkiakut, apo të ndonjë feste sportive, si, bie fjala, ajo për njëqindvjetorin e një ekipi futbolli modest, me më shumë humbje se fitore dhe që nuk luan në superiore prej shumë vitesh, ku u shpenzuan dhjetëra milionë lekë, për telajo pompoze disenjosh grafike, dhjetëra foto-posterash lojëtarësh, bandera dhe banderola me logo e ngjyrat e ekipit për gjatë 5 kilometrave të rrugës së hyrjes kryesore të bashkisë, podiume skenike gjigante, (për t’i dhënë ngjarjes së vogël lokale, jubileut të përvjetorit të krijimit të një klubi futbolli, një pamje sa më madhështore), skenë pompoze butaforike që shërbeu vetëm për ndonjë përshëndetje ish-lojtarësh dhe për promovimin e një botimi të historikut sportiv skedash federimi të futbollistëve dhe kalendarësh ndeshjesh e rezultatesh futbollistike të ekipit në fjalë, paraqitur nga një korrespondent sporti si “vepër monumentale”!! (pompozitet që dhe ekipe të tillë të famshëm, si: “Barcelona”, “Bajerni”i Mynihut, “Mançester”-i, apo “Real”-i Madridit“, fitues sa herë kupash europiane e të kampionëve, nuk kremtuan me kaq shumë madhështi në 100-vjetorët e krijimit të tyre, më 1999, 2000, 1978, 2002). Një pamje e përhershme kjo e provincializmit dhe populizmit të pushtetarëve tanë lokalë në arrivizmin e tyre për të marrë sërish votat e zgjedhjeve të ardhshme elektorale, për përfitime milionësh përqindjesh tenderash publikë, (për ndërtimin e hotelit të vet  në bregdet, si paraardhësit),  ndërsa për veprimtari performancash letrare artistike e manifestimesh kulturore të krijuesve të këtyre bashkive, as që bëhet fjalë, ngaqë, si gjithëherë, për mungesë fondesh e mjetesh financiare bashkiake.    

 

     Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL)

 

   Krijuar me VKM në vitin 2019, (duke zëvendësuar strukturat e mëparshme, Qendrën Kombëtare për Kulturën dhe Artin dhe Këshillin Kombëtar të Librit dhe Nxitjes së Leximit), Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, (QKLL), si instuticion i vetëm qendror i këtij aspekti, në varësi të MTKS, ka si qëllim: përmbushjen e detyrave zhvillimore dhe shërbimeve të drejtpërdrejta për librin, brenda dhe jasht Republikës së Shqipërisë dhe si mision: ndjekjen dhe zbatimin e projekteve në fushën e librit, sipas programit qeverisës të ministrisë në fjalë duke synuar përhapjen e kulturës së leximit në të gjithë vendin, nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit promovues dhe edukativ të bibliotekave si dhe mbështetjen e projekteve për promovimin e letrave shqipe në tregun europian dhe botëror. Ajo kryen këto detyra, (sipas aktit normativ të krijimit të saj): Harton  programe dhe financon projekte në fushën e librit, mbështet botimet e librave dhe revistave në fushën e letërsisë e të shkencave shoqërore, krijon kushte nxitëse për zhvillimin e letërsisë duke siguruar mbështetje financiare dhe organizon konkurse për dhënien e çmimeve kombëtare letrare, si dhe nxit e promovon librin dhe përkthyesit shqiptarë brenda dhe jasht territorit të RSH dhe krijon kushte për zhvillimin e kulturës së leximit, në të gjitha grup-moshat brenda dhe jasht vendit, në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën...Projekte që përzgjidhen nga pikëpamja e përmbajtjes dhe asaj financiare nga Kolegjiumi i QKLL, (kolegjium ku duhet të përfshihen personalitete të shquar të letërsisë e kulturës sonë të sotme) dhe miratohen për realizimin e tyre nga titullari i këtij institucioni.

  Siç shihet, nga kjo paraqitje e gjerë e funksionit të kësaj Qendre të përgjithshme të librit, kësaj instance të lartë qendrore, shihet që letërsia, në veprimtarinë e këtij institucioni shtetëror të librit, nuk përbën  përparësi në fushën e kulturës sonë dhe në projektet nxitëse për zhvillimin e saj, madje nuk renditet as në detyrat kryesore të veprimtarisë së vet. Madje letërsisë i janë shtuar dhe shkencat shoqërore, kështu që, krahas mbështetjes financiare dhe promovimit të botimeve historike, filozofike, antropologjike, psikologjike, sociologjike, ndodh të mbështetet dhe të promovohet edhe ndonjë botim letrar artistik, pasqyruar kjo metodologji edhe në vlerësimet me çmime zyrtare, ku krahas së ndonjë vepre të letërsisë, vlerësohen dhe botime filologjike, studime leksikografike, të përfshira në kategorinë e studimeve letrare.  

   Por në të vërtetë institucioni kryesor kulturor për librin i shtetit tonë nuk paraqitet si  Qendër  shtetërore e veprimtarisë së kësaj fushe, por thjesht si drejtori kulture vendore promovimesh autorësh të qytetit të Tiranës, (në raste të rralla, ndonjë krijues letrar nga rrethet, arrin të mbledhë disa të njohur të vet dhe të bëjë një përurim të botimit të tij të ri); nuk paraqitet as si Kombëtare, (nuk ndodh që të bëjnë paraqitje të veprave të tyre autorë shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Preshevës, Diasporës, etj., madje edhe një poet i përzgjedhur si laureat prej kësaj Qendre, botoi një antologji të poezisë shqipe gjysmëkombëtare, të krijuesve vetëm të Shqipërisë) dhe, sipas një romancieri të ri, nuk është as e Librit, (aq më pak, atij artistik), “sepse ka harruar ku gjendet libri kur deklaron se nuk ka prurje cilësore në poezi, me ato pak publikime që mund t’i kenë shkuar Qendrës në fjalë, ndërkohë që në Bibliotekën  Kombëtare ka mbi 400 botime poetike për vitin 2024; nuk është as Qendër e Leximit, duke përçmuar shkrimtarët, lexuesit dhe aktin e leximit, kur i bëri bashkë poezinë, tregimin, romanin në një çmim dhe vendosi se letërsia për fëmijë nuk meritonte asnjë lloj vlerësimi”. Ndërsa si instancë kordinuese dhe ndërvepruese mes  kësaj Qendre, të veprimtarive të saj kulturore për librin, me shoqata lokale shkrimtarësh, grupime të lira vendore krijuesish e lexuesish, klubesh të shumtë letrarë  (promovime, performanca, konkurse letrare, festivale poetikë), brenda vendit dhe aq më pak, në trojet tona kombëtare ku këto shoqata e klube krijuesish e lexuesish janë akoma më të fuqishme në intensitetin e veprimit kulturor, as që çohen ndërmend për t’u përfshirë në programet dhe projektet e saj burokratike formale. 

  Institucioni në fjalë, krijuar për kulturën e librit me karakter të përgjithshëm (me përjashtim të atij shkollor e profesional-teknik), përmes promovimit si dhe për nxitjen e leximit, duhet të  ngulmojë dhe të harmonizojë dhe veprimtaritë paraqitëse të botimeve që duhet të kryejnë bibliotekat, që nga ajo Kombëtare, gjer te ato të rretheve apo bashkiake (veprimtari që, përgjithësisht janë jasht funksionit të promovimit artistik e kulturologjik, ndërkohë që biblioteka të fakulteteve universitare të letërsisë, kryejnë shumë rrallë ndonjë veprimtari të tillë për mjedisin kulturor studentor. Madje mund të synohej të viheshin në lëvizje përmes saj dhe Ministrisë së Arsimit edhe qendrat kulturore të fëmijëve si dhe bibliotekat e shkollave të mëdha  të sistemit parauniversitar, atyre 9-vjeçare e gjimnazeve, (duke bërë dhe pasurimin e bibliotekave të tyre të cilat,  për shumë e e shumë vite, s’kanë parë titull të ri botimi, për interesat shpirtërore e kulturore të kësaj moshe, detyrë kjo e Ministrisë së Arsimit), por dhe  në takimet e shkrimtarëve me nxënësit, gjatë muajit tetor të Letërsisë, me promovimet dhe fushatat e tyre për  rritjen e lexueshmërisë.    Madje veprimtari promovuese  po kryejnë dhe libraritë kryesore: “Adrion” në Tiranë, “Hugo”, në Durrës, etj., apo dhe Panairi kryesor i përvitshëm i Librit në Tiranë, në ditët e zhvillimit të tij intensiv, në nëntor, por që kërkojnë kordinimin e harmonizimin frymëzues të QKLL, për të qenë kjo e fundit brenda tagrit të vet të qëllimit e synimit funksional të saj  që i përcakton akti normativ ligjor.

      Një nismë e bukur ishte ajo e ministres paraardhëse, për krijimin e Klubit të Librit në një pjesë bashkish të vogla, (në të cilat mundësitë financiare për kulturën paraqiten më të pakta),  ku grupe prej 20-30 lexuesish moshash, nivelesh e profesionesh të ndryshme, që nga gjimnazistë, lexues të thjeshtë të moshës së rritur e gjer te krijuesit e thinjur, mblidheshin në takime periodike mujore, për shkëmbime përjetimesh, përvojsh e mbresash artistike, rreth veprash letrare të përzgjedhura autorësh shqiptarë e botërorë, dhuruar nga botuesit apo financuar nga Ministria e Kulturës, nismë që u ndërpre pas një viti, ndërkohë që për krijimin e një kulture të qëndrueshme leximi, nevojiten së paku 2-3 vjet.

      Por, në një vështrim më të thellë, po duket se dhe kjo strukturë institucionale, e krijuar para pak vitesh, nuk po ka asnjë ndikim (impakt) në zhvillimin kulturor (intelektual dhe estetik) të shoqërisë sonë të sotme, për të qenë e kultivuar, e lexuar dhe e emancipuar, në nivelin e lartë të zhvillimit të botës globale që jetojmë  dhe ngjan që, në një kohë të afërt, dhe ky institucion do të shkrihet, ashtu si strukturat e mëparshme qendrore  të kulturës së librit dhe leximit të cilat kjo QKLL zëvendësoi. Sepse veprimtari të tilla të cekëta, të përcipta, formale, (herë me 10-15 pjesëmarrës të 4-5 afërmëve të autorit që bën promovimin, plotësuar me punonjës të stafit të Qendrës, herë me një grup të vogël fëmijësh të shkollës fillore dhe herë me ca të rinj gjimnazistë, apo me ndonjë pjesëmarrje modeste në ndonjë panair të librit në Itali, me 3-4 botues shqiptarë si në atë për fëmijë e të rinj në Bolonjë, a me ndonjë stendë në Sallonin Ndërkombëtar të Torinos, apo me 4 autorë të rinj shqiptarë në Panairin e Librit të Laipcigut, pa ndonjë jehonë kulturore. Ku, më shumë kanë ndikim, veprimtarë kulturorë të emigracionit shqiptar  në Europë, si studiuesja dhe botuesja Loreta Sshillock (nga Berati) në Shtuttgart që përkthen dhe boton letërsi shqipe në gjermanisht, (romane të Kadaresë, Bashkim Hoxhës, etj.,), a studiuesi nga Pogradeci, Luan Topçiu, në Bukuresht që hartoi dhe botoi Antologjinë e poezisë shqipe dhe Historinë e letërsisë shqipe në rumanisht, apo shtëpia botuese “Besa” në Leçe që përkthen dhe boton letërsi shqipe në italisht, etj., me të cilët Qendra jonë duhet të mbajë kontakte  bashkëpunimi, sipas projekteve të saj ) dhe jo veprimtari sa për 2-3 foto “aktiviteti” në rrjetet sociale si dhe për të mbushur shkresa zyrtare  me “veprimtari të larmishme e mbresëlënëse” dhe “realizime të suksesshme planesh pune mujore” dhe, në rastin më të mirë, për të qenë një lajm i thjeshtë informimi në ndonjë tv periferik.    Veprimtaritë tilla nuk sjellin kurrfarë dëshire e pasioni kulturologjik, (aq më pak të një hovi emotiv dhe estetik artistik) për librin dhe leximin ngazëllor dhe erudit.  Duke qenë e hapërdarë në kaq shumë synime e detyra institucionale, me aktivitete pa efektivitet, zhvilluar si një punë të rutinës zyrtare, pa kurrfarë frymëzimi dhhe idealizmi, a se për shkak fondesh të pamjaftueshme financiare, apo të shpërdorimit e përvësimit të tyre korruptiv nga funksionarja titullare e Qendrës në fjalë, duke krijuar dhe klanin e vet të klientelizmit përmes përzgjedhjesh promovimesh, financimesh autorësh të rinj, veprash të letërsisë shqipe për përkthime në gjuhë të tjera, komisionesh çmimesh shtetërore, shkrimtarësh apo botuesish si pjesëmarrës në evente dhe panaire ndërkobëtare të librit, etj.. dhe duke mos përmbushur qëllimin e lartë për të cilin u krijua: vizionin e ri zhvillimor dhe të shërbimeve për librin, librin artistik si dhe përhapjen e kulturës së leximit përmes punës promovuese të bibliotekave dhe promovimit të letërsisë shqipe në tregun europian e botëror.

     

      Mungesa e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

  

    Fakti qqë veprimtaria kulturore e QKLL, paraqitet jo me efektivitet dhe, madje, herë-herë problematike, me kritika të shumta publike, si në këto muajt e fundit, vjen dhe për shkak të mungesës së Lidhjes së Shkrimtarëve të Artistëve të vendit, (LSHASH), si një institucion publik që lidh krijuesit me përkrahjen dhe mbështetjen e shtetit,  kulturën shoqërore shpirtërore të të cilit ata zhvillojnë dhe e  përfaqësojnë me artin e tyre në kohë të ndryshme. Shqipëria është i vetmi vend europian sot që nuk ka asnjë shoqatë qendrore të shkrimtarëve dhe artistëve, asnjë institucion të tyre, (kryesi, seli, gazetë apo revistë letrare të vet) dhe shkrimtarët e artistët e vendit tonë nuk përbëjnë asnjë lloj komuniteti me një status të përcaktuar ligjërisht, edhe pse veprat e tyre më të shquara përbëjnë ndërgjegjen e kombit, zhvillimin e civilizimit shqiptar dhe të demokracisë së sotme moderne.

    Kujtojmë se datimi i krijimit të saj i përket vitit të largët 1945, “si një organizatë jofitimprurëse, e krijuar nga një grup shkrimtarësh e artistësh shqiptarë, për të propaganduar krijimtarinë letrare e artistike të autorëve shqiptarë, për të vlerësuar e rivlerësuar veprat më të mira të letërsisë, muzikës, pikturës e skulpturës shqiptare, vlerat tradicionale dhe ato bashkëkohore dhe për të nxitur krijimtarinë e talenteve të reja”. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, (LSHA), mbronte dhe nxitëte tendencat më të mira të zhvillimeve të letërsisë dhe artit në shërbim të shoqërisë e kombit shqiptar, sipas modeleve më të mira të vlerave letrare e artistike të kombeve të qytetëruara, (por që shpejt mbi të rëndoi zgjedha e metodës së realizmit “socialist” propagandistik të politikës shtypëse të partisë-shtet të komunistëve), me kryetar të saj të parë, S. Malëshovën, e më pas, Dh. Shuteriqin, D. Agollin dhe, në vitet e para të demokracisë pluraliste e të lirisë artistike, duke nisur me: B. London, Xh. Spahiun, L. Dizdarin, Z. Moravën, dhe H. Sinanin. Organizatë krijuesish e talentesh  që veproi e funksionoi për më shumë se 60 vjet, (1945-2006) dhe që,  me zhbërjen e saj, u bë i dukshëm fakti i trishtë dhe në këtë drejtim, se sa mbrapa është Shqipëria, krahasuar me të gjithë shtetet e tjerë, jo vetëm në Europë, po dhe në  kontinentet e tjerë, në vlerësimin e veprës kulturore dhe të njerëzve krijues të saj, krijues që e bëjnë këtë art letrar e kulturë artistike, në rrethana të pazakonta e të vështira ekonomike, pa kurrfarë vlerësimi e mbështetje, për të mos ndërprerë vijimësinë kulturore të këtij vendi. LSHA-së, më 2006, iu mor nga qeveria e kohës godina e saj e bukur, megjithëse juridikisht ishte pronë e vet, iu ndërpre financimi i gazetës “Drita” dhe revistës së saj letrare, (ndërkohë që në Kosovë, çdo pushtet e qeveri e saj mbështet financiarisht revistën e famshme letrare e kulturore, “Jeta e re”, prej afro 80 vitesh, pothuajse pa ndërprerje, edhe kur diktatori gjakatar i Ballkanit, Millosheviçi, i dëboi me dhunë, më 1990, botuesit shkrimtarë të saj të shquar shqiptarë, nga Pallati i Shtypit në Prishtinë, sot ky “forum” madhështor i jetës letrare dhe kulturës intelektuale del me 500 faqe), u shpërbë kryesia që nuk kishte më seli institucioni dhe pushoi së funksionuari, mosfunksionim që vijon  dhe sot, edhe pas 20 vitesh.

    Një përpjekje që u bë nga një grup nismëtarësh për rithemelimin e Lidhjes, (S. Mato, i ndjeri, N. Jorgaqi, A. Xheka), në tetor, 2020, në kafenenë e zyrave të Sigal-it, (ish-hotel “Peza”), rezultoi e pasukseshme se A. Xheka që ishte marrë me organizimin, duke njoftuar disa  shkrimtarë e piktorë të rretheve që njihte, për të marrë pjesë në këtë mbledhje rithemeluese, nuk kishte ftuar disa nga poetët e shkrimtarët e shquar të kohës, kështu që, kryetari i këtij grupi apo komisioni nismmëtar të rikrijimit të shoqatës qendrore,  S. Mato, i zemëruar,  nuk pranoi vijimin e mbledhjes dhe u largua, duke u ndërprerë kështu dhe mbledhja në fjalë, kështu që rithemelimi i LSHA-së nuk u krye. Por ndërkohë, në nisje të kësaj mbledhjeje, A. Xheka, nga podiumi, propozoi menjëherë për sekretar të përgjithëm, pa pritur propozime të tjera nga pjesëmarrësit e sallës dhe pa u zgjedhur më parë kryesia e kryetari, siç e kërkon një procedurë e tillë, një letrar të ri të panjohur, i afërm i një miku të vet  që, më pas, me këtë titull fiktiv përfaqësimi, ndoshta, për idealizëm apo për protagonizëm, u përpoq ta krijonte vetë shoqatën në fjalë, duke lëvizur për këtë qëllim, në ndonjë rreth të vendit, por prej afro 6 vjetësh, pa sukses. (Teksa paraqitet si administrator i një faqeje fb-u formale publike, në emër të një LSHA-je fiktive). Natyrisht, që një sipërmarrje e tillë e madhe idealiste, intelektuale e kulturore do të ishte e pamundur të kryhej, siç rezultoi, nga një poet i ri me një libër të parë vjershash në atë kohë dhe do të kërkonte personalitete të shquar me prestigj e prekursorë të artit tonë të sotëm, se sa ambicien e një fillestari të letërsisë i cili, megjithatë, paraqitet me këmbëngulje nëpër konkurse letrare të shoqatave vendore të shkrimtarëve si Sekretar i Përgjithshëm, madje dhe si Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, dhe jo vetëm brenda vendit, por dhe jasht shtetit, si, bie fjala, në Rumani, duke mbledhur kështu, me një kredibilitet fals, çertifikata çmimesh dhe shpërblime financiare të tyre, në emër të një organizate qendrore shkrimtarësh e artistësh,  të paqenë tashmë prej 20 vitesh, duke marrë kështu pamjen e një mashtruesi e arrivisti të zakonshëm të përvetësimit të një funksioni e ofiqi publik të një institucioni që nuk ekziston. Absurdi shqiptar që shfaqet gjithkund.  Por që “titullari” në fjalë nuk takon në fondet buxhetore dhe një gjë e tillë ngjan krejt e padëmshme, e papëfillshme, në një vend të një populli të varfër ku vidhen e përvetësohen në një korrupsion të egër miliona euro të fondeve publike nga funksionarët më të lartë (zëvendëskryeministra, etj.) të shtetit të vet, pikërisht ata që duhej të ishin më të përgjegjshmit e që duhej t’i administronin për zhvillimin dhe mirëqenien e tij.

   Në këto rrethana shpërfillëse për letërsinë tonë, ajo duhet të ketë institucionin e vet, LSHA-në, pas kaq shumë vitesh mungese dhe do t’i  bënte nder, por edhe si pjesë e misionit të saj, që QKLL, t’iu propozonte e sugjeronte 4-5 autoriteteve të letërsisë dhe artit tonë të sotëm që të merrnin përsipër këtë nismë, sa fisnike e dinjitoze, aq dhe të domosdoshme, të rithemelimit të shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë e cila mund të mbante po emërtimin e njohur, “Lidhja”, apo ndonjë emërtim tjetër. Shoqatë qendrore që do të mund të përfshinte në organizimin e saj të gjitha shoqatat vendore lokale (e lokaliste) dhe klubet letrarë apo të degëve të saj të reja që mund të krijohen nga grupime vendore krijuesish, të rretheve, bashkive apo krahinave që sot funksionojë të veçuara; do të mund të kordinonte dhe harmonizonte veprimtarinë e saj të librit artistik shqip me shoqatat e shkrimtarëve shqiptarë, në trojet kombëtare, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, si dhe me ato në Europë e botë (me Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë të Suedisë,  Norvegjisë, Zvicrës, Gjermanisë, Italisë, Greqisë, SHBA, Kanadasë, etj.); do të mund mund të bënte promovimin bashkëpunues të botimeve të reja të spikatura në gjithë këtë hapësirë kulturore energjizmi krijimtarie shqiptare; do të mund të përzgjidhte me shumë më tepër objektivitet veprat më cilësore të autorëve të rinj, apo ato më të spikatura të letërsisë sonë të sotme, për t’u përkthyer në gjuhë të tjera, për t’u botuar me financim nga shteti; do të popullarizonte veprimtarinë e bibliotekave, sepse paraqitja e veprave të reja letrare për nxënësit, studentët, apo lexuesit e apasionuar do të bëhej në mjediset e tyre; do të kryente me profesionalizëm dhe realizëm, në mjedise krijuesish diskutimesh e këndvështrimesh të procesit artistik e nivelit estetik, të përzgjedhjes së çdo vepre letrare, në secilën gjini e zhanër, (të poezisë, tregimit, romanit, madje dhe dramës, humorit e satirës si dhe të letërsisë për fëmijë), për t’u vlerësuar me çmime letrare vjetore shtetërore, (si nivel më i lartë nga çmimet lokale të shoqatave kulturore vendore), për arritjet më të shquara në letërsinë e sotme shqipe; do të përzgjidhte me më shumë dinjitet laureatin e poezisë së sotme kombëtare.   Madje do  të përzgjidhte dhe veprën më të mirë, në një kohe të nevojshme paraprake 3-mujore, për çmimin që japin botuesit e letërsisë në panairin kryesot të librit, etj., etj.. Pra, siç shihet, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë do të kryente një pjesë të funksioneve dhe detyrave të QKLL, e cila do të realizonte ato veprimtari  që do të mbeteshin nga tagri i saj institucional dhe që, në këtë rast,  mund të jepte çmimin  për librin e veprën më të mirë kulturologjike, (memuaristike, publicistike, etj. si dhe të shkencave shoqërore: historike, sociologjike, filozofike, filologjike, antropologjike).

 

“Çmimet  e Mëdha Kombëtare Letrare”

 

      Po cekim që në krye të herës të këtij aspekti se emërtime të tilla pompoziteti propagandistik, si: Strategjia Kombëtare për Kulturën e qeverisë, Qendra Kombëtare për Artin dhe Kulturën, Këshilli Kombëtar i Librit dhe Nxitjes së Leximit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, Çmimet e Mëdha Kombëtare të Letërsisë, etj., nuk kanë asgjë të tillë pretencioze në thelbin përmbajtësor të tyre, siç kemi vënë në dukje më parë në këto radhë, por janë thjesht një lloj “reklame” partiake pushteti, “publiciteti” kombëtarist, atdhetarist, një lloj marketingu populist politik qeverisës. Në të vërtetë, e vetmja veprimtari me emocione dhe përmasa kombëtare, përveç ndeshjeve të  futbollit të Kombëtares sonë në kompeticionet europiane e botërore dhe të ndonjë parade festive të 28 Nëntorit në Tiranë, me parakalime shqiptarësh  nga të gjitha trojet dhe diaspora, mbetet Panairi i Librit i Tiranës, me pjesëmarrjen e dhjetëra botuesve të librit shqip nga të gjitha viset e kombit dhe afro të njëqind mijë lexuesve, vizitorëve, dashamirësve të librit, kryesisht, artistik dhe atij kulturologjik, që nga fëmijët, për letërsinë e tyre e gjer te të rriturit, për shijet e veta estetike të leximit dhe që mund të quhej, me të drejtë, Panairi Kombëtar i Librit Letrar e Kulturor Shqip, një organizim i Shoqatqës së Botuesve Shqiptarë, ku ndihmesa e MTKS, përmes QKLL-së së saj paraqitet modeste.  

       Kështu, Çmimet e Mëdha Kombëtare Letrare, për vitin 2024, në të vërtetë janë çmime normale vjetore shtetërore letrare. Madje, në rastin tonë, çmime të mëdha, jo e jo, por as normale nuk qenë se, për vlerësimin e veprave të letërsisë nga komisioni përkatës, u lanë jasht shqyrtimit një numër i madh botimesh artistike të këtij viti, duke u mjaftuar vetëm në pak vepra letrare që ndonjë botues apo autor dërgoi në QKLL, dhe jo në katalogët vjetorë përkatës për çdo gjini e zhanër të Bibliotekës Kombëtare, me fondet e librave të botuar letrarë, me ISBN, përgjatë këtij viti. Por ku u përzgjodh vepra letrare e punonjëses së institucionit, (anëtares së kolegjiumit të Qendrës). Ndërkohë që dhe botime që patën jehonë gjerësisht në shtypin e specializuar kritik dhe median elektronike e portalet letrare, nuk u përfshinë as në listën paraprake përzgjedhëse, gjë që solli indinjatën publike, me të drejtë, të një autori për romanin e tij të spikatur, të vlerësuar aq shumë, por të shpërfillur krejtësisht.    Sigurisht, këto nuk janë as çmime kombëtare, se përfshihen për vlerësim detyrimisht vetëm autorë  të  Shqipërisë së vogël politike (edhe kur janë shkrimtarë emigrantë, duhet të jenë vetëm të shtetit të saj) dhe jo të letërsisë shqipe me aq shumë vlera që publikohet çdo vit në mbarë trojet e kombit tonë, (për të përmendur një nga këto botime, bie fjala, romanin e këtij viti të Ag Apollonit, “Sikur të isha djall”, Prishtinë, 2024, vepra e të cilit, e  nderuar me Çmim Europian të Letërsisë dhe me  jehonë, jo vetëm në Kosovë e Maqedoni, por dhe në Austri, Çeki e Gjermani). Por nuk janë as çmime letrare, sepse komisioni zyrtar në fjalë la jasht vlerësimit e promovimit gjysmën e letërsisë: poezinë, prozën e shkurtër dhe letërsinë për fëmijë, pa përmendur dramën apo humorin e satirën, që meritojnë dhe këto, si gjini e zhanre letrarë, nderimin e vet artistik në realizimet e tyre më të spikatura. Duke dhënë vetëm 3 vlerësime çmimesh gjysmake, (që i shpalli në ditët e para të janarit, 2026): romanin, përkthimin, (madje dhe ky jo nga letërsia) dhe studimin letrar. Megjithëse përkthyesi i shquar, në këtë rast, që ka bërë shqipërime të mrekullueshme nga greqishtja të veprës së Elitis-it, Kazanzaqis-it, etj. apo nga frëngjishtja të Prust-it, Lotremon-it, etj. apo sjelljen në shqip të stilit “të përbindshëm” estetik të “Melankolisë...” të Kraznohorkai-t, dhe në këtë rast, vlerësimi i përkthimit në shqip të veprës mendimore të filozofit të famshëm antik, Aristotelit, për mjeshtërinë e të shprehurit argumentues  publik, “Retorika”, është plotësisht me meritë, por duhej të jepej nga seksioni për shkencat shoqërore që i përfshin, gjithashtu, kjo Qendër e Librit. Sepse 7  “Çmimet e Mëdha Kombëtare Letrare” (për poezinë, tregimin, romanin, dramën, letërsinë për fëmijë, studimin letrar dhe përkthimin letrar) u katandisën vetëm në 2 të tillë, (çmime vjetore zyrtare) romanin dhe studimin letrar, pa përfaqësuar  kështu, në mënyrë të plotë, letërsinë tonë të sotme. Situatë që do t’i shkonte përshtat frazeologjizmi popullor: “U mbars mali e polli një mi”. Megjithëse i kryesuar nga një shkrimtar i shquar, komisioni zyrtar përkatës nuk ia arriti qëllimit të tij të nderimit të kësaj krijimtarie vjetore.

     Po kështu ndodhi me këto çmime dhe në vitin 2023 ku, në përzgjedhjet e kategorisë së studimeve letrare, u vlerësua nga një gjuhëtar, (anëtar i komisionit të çmimeve letrare!!) një tjetër gjuhëtar (i stilistikës së gjuhës shqipe), ish-koleg i tij pedagog në fakultetin e filologjisë të Tiranës, për një parashtrim leksikografik të një fjalori shqip-greqisht të Kristoforidhit, duke shpërfillur kështu,  ky anëtar gjuhëtar “i dinjitetshëm” komisioni, studimet e mirëfillta letrare me vlerë. Kjo ndoshta dhe për shkak të kufizimit prej detyrës funksionale të QKLL-së, që parasheh dhe përfshin, megjithëse jo detyrimisht, (ndoshta  në këtë rast, shfaqet zelli i tepërt i drejtores së institucionit në fjalë që krijon përmes komisionesh me përbërje anëtarësh të tillë, klanin e saj klientelist influent, duke shpërblyer dhe studiues të shkencave shoqërore, në kurriz të të atyre pak çmimeve të letërsisë. 

     Përpjekjet që u bënë vite më parë nga struktura shtetërore të Ministrisë së Kulturës, (kur kultura ishte ministri më vete), për dhënie çmimesh letrare me emrat e korifejve të letërsisë kombëtare: “Migjeni”, “L. Poradeci, “Kadare”, etj., që vijon sot me çmime të tilla të shoqatave lokale të shkrimtarëve, “Gjegj Fishta” në Lezhë, “Naim Frashëri”, në Përmet, etj., apo me emërtime simbolike: “Penda e Artë”, “Penda e Argjendtë”, për poezinë, prozën dhe letërsinë për fëmijë, duken më dinjitoze dhe është e mundshme kthimi sërish i tyre, kjo dhe në traditën kulturore të shteteve të tjerë, që japin çmime letrare me emrat e poetëve dhe shkrimtarëve të tyre më të shquar, përgjatë historisë së tyre kombëtare. 

   Nga kjo që parashtruam vërejmë se, edhe në dhënien e këtyre vlerësimeve zyrtare për letërsinë si të tilla, pra, si çmime normale vjetore shtetërore letrare, QKLL, nuk e përmbushi këtë detyrë të përgjegjshme (por për të, periferike), me ndjeshmëri të madhe për mjediset e poetëve dhe shkrimtarëve që solli dhe një lloj zemërate e proteste publike krijuesish, në portale e media letrare që çoi më pas në dërgimin e një peticioni, në emër të qindra krijuesve të shoqatave të shkrimtarëve të Kukësit, Lezhës, Matit, Durrësit, Korçës, Sarandës, etj. për anulimin e këtyre çmimeve letrare për vitin 2024 jo përfaqësuese të letërsisë sonë të sotme, si dhe të “Poetes Laureate të Poezisë Shqipe” (për 2025-2027), duke kërkuar një dinjitet ligjor e kuadër jo vetëm administrativ, por dhe estetik të dhënies së këtyre vlerësimeve në nivel  shteti, drejtuar në fund të muajit janar, nga poeti dhe studiuesi, M. Buçpapaj, Ministrisë sonë të Kulturës.  

 

      Përzgjedhja e përdyvitshme e “Laureatit të Poezisë Shqipe”

 

     Siç dihet, poezia është një nga elementët më të dalluar të kulturës së çdo vendi e populli, ngaqë fjala e saj bëhet magjepsëse kur ka tiparet e gjuhës dhe shpirtit  që e bëjnë atë poezi. Vargu më i bukur, ritmi më i bukur, harmonia më e bukur është vetëm më e bukura. Nëse i përkushtohet qëllimit, edhe një poezi, edhe një varg, shndërrohet në një frymëzim të ndritshëm. Dhe poezia shqipe ka patur prekursorët e saj të madhërishëm nëpër shekuj. Ndaj nderimi i saj e i poetit, me emrin e saj, është një akt ndër më sublimët e më të përgjegjshmit, në letërsinë dhe atmosferën kulturore të jetës shoqërore të çdo kohe.

   Por përzgjedhja si “Poete Laureate” (për dy vitet 2025-2027), nga komisioni zyrtar përkatës, në fund të dhjetorit, 2025, e krijueses Rita Petro, shkaktoi një indinjatë të thellë jo vetëm në radhët e një pjese të autorëve të poezisë sonë, por dhe në gjykime të  një pjese të lexuesve dhe opinionit kulturor shoqëror. Natyrisht, një atmosferë e tillë polemiste kritike është më se e kuptueshme dhe më se e natyrshme, (madje, e dëshirueshme), për më tepër për një vepër poetike, të spikatur, në këtë rast, për nderimin më të lartë artistik për kulturën e një shoqërie të emancipuar e të kultivuar në një botë  të sotme të zhvilluar, me  një intensë të fuqishme moderne intelektuale dhe estetike.    Poetja në fjalë ka publikuar 5 libra lirikë (“Vargje të përfolur”,”Shija e instinktit”, “Vrima”, “Kënga e turmës” dhe vepra më e fundit “Poema e mungesës”, vitin e shkuar), prej të cilave çmohen si  vepra më të shquara poetike të saj, vëllimi tretë dhe ai i fundit, ndërsa dy të parët, duke qenë në fillimet e saj letrare, janë pa ndonjë jehonë, kurse “Kënga e turmës”, është një përmbledhje e zgjedhur e tyre, përfshirë dhe krijime të librit të tretë. Ja një vështrim i shpejtë në dy veprat lirike kryesore të kësaj poeteje që bëri motiv parësor të artit të saj letrar, sensualitetin e erotizmit:  “Vrima”, (2015)  u prit me përshtypje të fuqishme negative, që morën përmasa dhe të një “proteste kulturore”, veçanërisht, pas vlerësimit të këtij libri lirik nga Biblioteka Kombëtare, (Ministria e Kulturës), me çmimin “Lumo Skëndo”, me arsyetimin (pretendimin, argumentimin  apo justifikimin për disenjimin më të bukur grafik të botimit të një libri). Por opinioni letrar dhe ai shoqëror nuk e pranoi kurrë (madje dhe sot, pas kaq vitesh) këtë vepër poetike si një vlerë artistike.  Le të kalojmë nëpër disa vargje të saj:

“Kush je ti?/ Mashkulli yt./ Çfarë është ky këtu?/ Penisi/ Preke me dorë/ Uau…/ Sa i madh po bëhet!/Lëviz si me magji!/ Tani hiqi brekët, ule kokën/ Dhe shih mes kofshëve…/ Uau… / Vagina ime/ Tani mësoje mirë/ Kur ky i imi futet këtu/ Ky quhet seks…Po tani?/ Më hip sipër/ Dhe rrotulloje ashtu nga brenda/ Kthehu para…anash…pas…/ E ke parë demin/ Kur ia ngul lopës/ …Tani nxirre dhe fute në gojë/ Thithe/ Jo aq shumë/ se s’dua të prishem…(“Vrima”, fq. 25, 29). Të ndiej çmendurisht/ aty poshtë/ poshtë meje.../ Për ty hapem dhjetë centimetra/ përposhtë shtyj/ E kur e ndiej/ se mirësevjen/ mbi çarçaf e derdh...Të dorëzoj trupin tim/ bëj ç’të duash me të/ perversi im/me penis të madh.../ E ndiej në thellësi/ se si lëviz shpata jote/ oh, shpatë e artë e vëllait tim/ nën ty po vdes/ Dhe në të njëjtin çast/ si Gjergj Elez Alia/ dhe motra e tij...(fq.83, 84, 91). 

   Nëse këta vargje dhe ky libër paraqiten si vepër artistike atëhere ku është në ta arti? Siç shihet, më shumë se lirikë erotike sensuale, te  “Vrima” kemi një poetikë të perverses, me përshkrime fiziologjike, thuajse pornografike të aktit të marrëdhënies seksuale, madje edhe brenda një pasioni të flligësht inçestual. Nëse do të vështronim në një plan krahasues, pa shkuar më larg, (p.sh. te lirika erotike e poetes së famshme italiane, Alda Merini),  po sjellim në vëmendje, ndonjë nga poetet tona të sotme, të poetikës së ndjeshmërisë së erotizmit, si, bie fjala, Donika Dabishevcin, me librin e saj  “Kam me ardh si deka”, (Prishtinë, 2015), apo Linda Dervishin, me vëllimin e saj  të dytë poetik,  “Lot qumështi”, (Tiranë, 2023) ku, që në tituj të tyre, pasqyrohet qasja  estetike ndaj motivit dhe ku bie në sy ndryshimi mes vulgares së titullit të veprës së Petros dhe dy titujve të tjerë, ku pasioni dashuror shungullon me sigurinë, vendosmërinë, pathyeshmërinë si të vdekjes, në udhën për takim me të dashurin, apo me lotët e qumësht të gjinjve të mallit flakëritës të dashurisë së vajzës në ekstazë. Dhe ku fuqia sugjestive metaforike e vargjeve të tyre krijon emocioni trallisës të tronditjes estetike. Pa dyshim që, vepra letrare në fjalë e Petros, as që mund të vihet në kontekst, gjithashtu, edhe me një vepër të shquar, siç është drama poetike e autores amerikane, Eva Ensler, ‘Monologjet e vaginës”, publikuar në SHBA dhe përkthyer në 35 gjuhë, (përfshirë dhe shqipen),  thuajse 20 vjet  para librit “Vrima”. Dhe që u kthye në një manifest të feminizmit dhe në një kauzë të madhe sociale e shoqërore për mbrojtjen e grave kundër dhunnës e poshtërimit të një shoqërie maskiliste, burrash maniakë të një perversiteti të çmendur, si një protestë artistike që i dha jetë dhe Ditës – V, (V-Day), lëvizjes globale të aktivizimit për t’i dhënë fund dhunimit të grave e vajzave në botë. Vetëm gjatë vitit 2014 u mblodhën nga kjo lëvizje 100 milionë dollarë për mbrojtjen e grave në Kongo, Haiti, Egjipt, Irak, etj..   

     Siç shprehet dhe një jurist avokat nga Fieri, (në fb-un e tij, datë 31.12.2025), për veprën në fjalë të Petros, arti i madh, sipas kësaj fryme të re, të këtij libri poetik, nuk matet më me gjuhë, mendim, estetikë apo simbolikë, por me shok primitiv, me provokim të zhveshur, me çmontim brutal të çdo filtri moraliteti. Sepse, thuhet, poezia “na zhvesh nga komplekset”, me thirrjet e saj: Poshtë mediokriteti! Poshtë pesimizmi dhe paragjykimi i provincializmit! Por në të vërtetë ky libër është një shembull i përjetshëm i rënies së artit, ku figurat simbolike përdoren si skenografi për shok kulturor.

    Të shohim përmes pak vargjesh dhe veprën tjetër më të fundit, të Petros, që po paraqitet nga ndonjë gazetare e cekët tv-je si kryevepra e saj letrare, “Poema e mungesës”(2025), përmes një poezie të plotë të saj:

   Vdiq shkrimtari Ismail Kadare,/e ngritën në qiell por dhe e futën me sharje nën dhe/ Helena e tij ka mbetur sërish e bukur’dhe botoi e lirë, siç tha vetë, një roman më pas./ Dua Lipa arrin rekordin e famës botërore,/por nuk harron të bëjë me gishta simbolin e flamurit shqiptar./ Mira Murati bëhet përkohësisht CEO e Open. /për të krijuar më pas Thinal-i Machines Lab/ që zbuloi një APP të magjishëm për ëprsosjen e AL./ Burgjet po mbushen me ministra e isha,/ dhe më kujtohet gjithnjë shprehja jote se/ky vend do të bëhet vetëm kur  të burgosen/ politikanët e rangut të lartë.. 

Apo vargjet përzgjedhur  si më të bukurit e të fuqishmit, në shkrimin vlerësues të një autoreje në gazetën “ExLibris”, (24,1,2026): Rroftë politika:/ Që në thelb është biznes/ Sikurse dhe institucioni fetar,/Por jo aq i sinqertë sa biznesi,/që deklarohet i tillë/Që fitimi e pushtimi i tregjeve është synimi i tij/Biznesi nuk ka nevojë për maskë/ sikurse:/Politika-maskë e mirëqenies sociale/Religjioni- maskë e mirëqenies shpirtërore...

   Ku është këtu qasja estetike që e bën fjalën magjepsëse, që e bën vargun dhe krijimin poezi? Që na ndihmon të dallojmë artin nga jo arti, talentin nga opurtunizmi, në këtë renditje  të rëndomtë prozaike lajmesh mediatike e konstatimesh të njohura e të ditura  të përditshmërisë, në një gjuhë të zhveshur nga çdo ngjyrë emocioni e figurativiteti, si gjuha e shprehësisë së thatë politike e zyrtare administrative?! Krijimtaria e Petros, një poete e nivelit mesatar, përzgjedhur si emblema e poezisë së sotme moderne shqipe, ngjan të jetë një handikap në aktualitetin tonë të sotëm letrar e kulturor. Edhe pse poeti dhe studiuesi M. Buçpapaj, bëri të njohur për publikun tonë kulturor, praktikat e përzgjedhjes së poetit laureat në Britaninë e Madhe dhe SHBA, si një ndihmesë për jurinë zyrtare të këtij vlerësimi, kur në vendin tonë mungon një përvojë e tillë, kjo as që u pa si mundësi këndvështrimi dhe alternative për një punë dinjitoze nga komisioni i këtij çmimi letrar shtetëror.

     Kryetari i jurisë së përzgjedhjes së “Laureatit të poezisë shqipe”, (që, natyrisht, është poet më i mirë se  laureatja në fjalë), ia dha nderimin e lartë të laurimit, botueses së vet të librave të tij, të përkthyer prej frëngjishtes, (Bodler, Andre Zhid, etj.) që është po Rita Petro (dhe pronare e shtëpisë botuese, “Albas”), duke bërë kështu “nder” dhe allishverish në kurriz të poezisë së shenjtë shqipe të Bogdanit, Naimit, Fishtës, Poradecit, Kadaresë, Agollit lirik, gjer te poezia e mrekullueshme botërore e laureates së mëparshme, Luljeta Lleshanaku, (sa poshtë, sa e rëndomtë dhe sa vulgare duket poetika e Petros para saj).

      Trishtim edhe për këtë amoralitet të jetës letrare shqiptare, që i bashkohet amoralitetit shtetëror me zëvendës-kryeministren e zhvatjes së 300 apartamenteve, amoralitetit politik me pasuritë, vilat, në Shqipëri, (veç aferës së “Partizanit” të 17 kullave dhe kullave të tjera që po ndërtohen) dhe apartamentet e blerë nëpër Europë, përmes vajzës së tij, të kreut të opozitës, amoralitetit shkencor, me plagjiaturën e disertacioneve, si ai i rektorit të Universitetit të Tiranës, që vodhi atë të një doktoranti rumun, etj., etj..

    Në përmbyllje të kësaj pamjeje  kritike, mund të themi se letërsia në Shqipëri si veprimtari krijimtarie, kjo pamje madhështore e kulturës identitare të gjuhës dhe shpirtit të kombit tonë, në dikasterin e linjës, (ku vetë Kultura është një shtojcë e Ministrisë së Turizmit dhe Sportit), nuk bën pjesë, si zë më vete, në asnjë aspekt të aktivitetit zyrtar të  8 këshilltarëve të kabinetit të ministrit , as në atë të 3 zëvendësministrave, as në 23 drejtoritë burokratike të kësaj ministrie dhe vetëm në 30 institucionë në varësi të saj, diku aty, nga mesi i renditjes, pas një vargu muzesh qytetesh dhe Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit  të Kukullave, gjendet dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, ku, në të cilën, ceket, në një nga shumë detyra të saj zyrtare, madje si jo e rëndësishme dhe parësore, por në kuadrin e përgjithshëm për Librin,  edhe “fusha e letërsisë”. Në të gjithë këtë nomenklaturë administrative  të shtetit tonë për kulturën, shto dhe mungesën e institucionit publik të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, letërsia, si arti i parë i shpërfaqjes shpirtërore, estetike, intelektuale të kësaj kulture, nuk ka kurrëfarë përparësie, por është thjesht  një aspekt i një pune rutine formale burokratike, pa ndonjë peshë dhe përkushtim në veprimtarinë e saj institucionale, (që pasqyrohet dhe në shpërfilljen e papërgjegjshmërinë  ndaj saj, me dhënie çmimesh përmes komisionesh e tarafesh klienteliste).           Duke lënë kështu ndjesinë e një përjetimi të hidhur të një dinjiteti të munguar institucionalisht të letërsisë në Shqipëri, te të gjithë krijuesit poetë e shkrimtarë, që i japin shpirtit të saj kombëtar, shpirtin e vet.

 

31 janar, 2026.


1 Comment


Fatmir Terziu
6 minutes ago

Shkrimi i Durim Çaçës nuk është thjesht një ankesë ndaj funksionimit të institucioneve kulturore, por një diagnozë e thellë e një sëmundjeje strukturore që ka të bëjë me mënyrën se si shteti shqiptar e koncepton vetë kulturën dhe, brenda saj, letërsinë. Ai e zhvendos debatin nga niveli i episodit apo i skandalit të radhës në një plan më themelor: mungesën e një vetëdijeje institucionale për rolin ontologjik të letërsisë në ndërtimin e identitetit shoqëror dhe kombëtar. Në këtë kuptim, problemi nuk është vetëm se fondet janë të pakta, çmimet të kontestuara apo strukturat të keqorganizura, por se letërsia trajtohet si një aktivitet dytësor, i zëvendësueshëm, pa peshë formësuese në jetën publike. Ajo që del qartë nga argumentimi i autorit është…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page