top of page

Ndoc Gjetja një poet me profil të veçantë poetik apo një poet mes dy rymave


Ndoc Gjetja (1944-2010)

Ndoc Gjetja një poet me profil të veçantë poetik apo një poet mes dy rymave


Dr Fatmir Terziu


Vëllimi poetik “Çaste” i poetit shqiptar, Ndoc Gjetja, redaktuar nga Iskra Thoma, ka një lidhje të ngjeshur të filozofisë së fjalës me hapësirën. Kapitulli i këtij vëllimi “Zërat e hapësirës” edhe pse i shkruar vite më parë e botuar në vitin 1984 është një fakt që zbulon se ky poet ka një ndjeshmëri të fuqishme të forcës së fjalës në lidhje me vetë hapësirën si filozofi. Kjo e bën këtë poet në mënyrë të padiskutueshme një nga poetët më të veçantë në krijimtarinë poetike shqiptare. Është ajo që Agim Vinca pikas në një nga analizat e tij "Ndoc Gjetja është një poet me profil të veçantë poetik”. Por e veçanta e këtij poeti në këtë lidhje filozofike me vetë hapësirën është një udhëtim imagjinar në morinë e muajve që shihet tek poezia “Marsi”, në hapësirën e stinëve që lexohet tek poezia “Pranvera”, në vetë hapësirën që vjen e përmbushet nga zërat, si një aspekt i lidhjeve me njeriun dhe ambientin, në një sfond burokratik zyrash tek poezia “Zërat e natës” apo edhe më tej në një sinkronizim të atmosferës që prodhon festimi i një gjashtëmbëdhjetë vjeçareje si Lida tek poezia “Diçka ka ndodhur…”. Kjo është një e veçantë që vjen nga stili dhe përvoja e tij më e ngjeshur poetike, nga njohja e poetëve dhe poezisë. Sipas Vincës ai ka mësuar nga përvoja e poezisë së poetëve të njohur përparimtarë botërorë dhe shqiptarë që nga Brehti deri te Agolli, por që këtë përvojë e përvetëson plotësisht në laboratorin e vet krijues'. Pra sipas Vincës ai është një poet që ka të veçantën dhe tipiken “në punë të mjeshtërisë poetike”.

Ndoc Gjetja lindi më 9 mars 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës. Kur ishte shtatë vjeç, prindërit e tij u vendosën me banim në Lezhë, ku jeton edhe sot. Në vitin 1970, filloi të botojë poezitë e para. Merret vetëm me poezi. Eshtë autor i disa vëllimeve poetike. Një studiues i njohur e ka cilësuar Ndocin poet që di me çdo varg t'i bjerë bukur tastierës së humanizmit. Kjo e fundit e thënë për këtë poet ka një lidhje të detajuar me atë ç’ka forcon tipiken e tij. Dhe tipikja e tij nuk është thjesht një anë e filozofisë në vetvete, as edhe një nocion i thjeshtë filozofik, por një hapësirë ku gjendet tërë fuqia e fjalës për të paraqitur vetminë që shihet qartë tek poezia “Po të isha vetëm”, ku autori në vargje e prezanton këtë anë hapësirë me fjalë të goditura: “më është bërë zakon dhe s’mund të rri një ditë/pa e bërë një shëtitje atje te sheshi në qendër,/që të shoh fytyrat e shokëve e miqve të mi/dhe fytyrat e njerëzve që s’ua di emrin”. (Faqe; 5) Tipikja e këtij poeti që i takon atij brezi poetësh, që bënë përpjekjet në heshtje për ta nxjerrë poezinë nga faza e retorikës dhe e notave deklamative e himnizuese, për ta bërë më të larmishme në tematikë dhe më me kolorit në lidhje me hapësirën si filozofi më vete, gjendet edhe në ditërrjedhën e natyrshme, ku enkas mëngjesi merr formën e vetë hapësirës, apo edhe kur shtatë ditët e javës ngjeshen në këtë hapësirë si një ridimensionim kujtese, malli, vrulli dhe heshtjeje deri në pafolshmëri me shoku-shokun. Këto parë në poezitë e tij “Mëngjes” dhe “Shtatë ditë” nga kapitulli “Bijtë e njerëzve të mirë” janë aspekte filozofike që ushqejnë diskursin e hapësirës si një aspekt formëplotësues në logjikën dhe timbrin logjik të fjalës dhe vargut, duke e prurë këtë poezi bashkëkohëse edhe në ditët me larmi në bashkëkohësinë e mendimit poetik. Është një lidhje me atë që Rugova gjen në studimin e tij “Poezia e Rilindjes dhe poezia bashkëkohëse” (Libri: “Kah teoria”, Prishtinë 1978). Rugova shprehet: “kjo do të thotë duke kërkuar vazhdimësinë dhe bazat në korrelacione më të gjera të transformimit si proces poetik” (Rugova 1978). Sipas Rugovës kjo shihet në induksionindhe deduksionin poetiktë poezisë. Ndërsa sipas Mehmet Krajës kjo shihet tek narracioni pasi ai “i dedikohet fiksimit të imazheve”(Kraja, 1979). Dhe të gjitha këto në hapësirën poetike janë një kënd i ndryshueshëm dhe i vëzhgueshëm, janë një hapësirë e veçantë filozofike në poezinë e Ndoc Gjetjas.

Në fakt kur ndërmora kërkimin në poezinë e këtij poeti, jo më kot seleksionova vëllimin poetik në fjalë. E para se deri në këtë kohë asnjë fjalë e prerë nuk është thënë nga Kritika, së paku kur është fjala për rrugën krijuese të gjatë e të vrullshme të këtij poeti, dhe së dyti se vlerat e poezisë së këtij poeti shpeshherë janë ngatërruar me ‘të veçantën’ dhe me ‘humanizmin’ në poezinë e tij. Duke u ndikuar nga pakësimi i termave të studiuesit Vinca, në një sferë më funksionale një përqëndrim tek poezia e Ndoc Gjetjas është një arsye e domosdoshme për të stacionuar një përkujdesje dhe një vëzhgim apriori. Qëllimi i poetit është që të gjej fjalën në hapësirën e tij metafizike dhe të prodhojë hapësirën filozofike në dobi të mesazhit dhe fjalës, ndërsa ajo e studiuesit është që të pikasë diferencën që vjen ndryshe si një kod për lexuesin dhe studentët e kësaj fushe, pse jo edhe për hierarkinë poetike në vend. Latif Berisha, na vjen në ndihmë në një nga studimet e tij kur dikton “vetvetiu del se fjala poetike, si mjet i realitetit të jashtëm, të harmonizuar me jetën e brendshme të njeriut, pra të humanizuar, përbën njërën nga veçoritë esenciale e specifike të kritikës letrare” (Berisha, 1976-6).

Kështu duke parë esencën e specifikën e kritikës letrare në këtë analizë, por duke riskuar paksa me mënjanimin e një kapitulli që vjen nën një amalgamë tipike fjalësh për atë kohë në të cilën autori e botoi, kapitullin “Politika e tundjes së brirëve’ në një limit tjetër poezia e këtij poeti ka një ndjeshmëri tipike edhe sot. Kapitulli “Aty ku hyni ju” është një sfidë më vete. Të njëmbëdhjetë poezitë e tij kanë një rrjedhë leximi të ngeshme që përforcohen me anë të perceptimit dhe kognicionit të hapësirës. Poezia “Lexuesit” është si një ese përmbyllje në këtë libër, por edhe një diagonale metrike në tërë gjuhën dhe strukturën poetike të këtij poeti. Ai shkruan: “Shkrova këto poezi,/krijova ca zogj të bukur fjale,/të cilat i hodha në ajër për ty,/duke menduar se kështu/do t’i ndihmoja pranverës/dhe gëzimeve të ditës./Po nuk të cicëruan në zemër/i hëngërt macja e kritikës!”.

Në aspektin njohës të poezisë së Ndoc Gjetjas, vetë konteksti poezi dhe njohje, si formë e kognicionit (njohje poetike) ka drejtuar vëmendjen kritike në poezi të tilla si “Shoh këtë grua” apo “Aty ku hyni ju”.

Pak ambicioz ndoshta në këtë aspekt të komunikimit kritik bashkëkohor, për këtë lidhje si aspekt i kognicionit në poezi, edhe pse kjo është diçka interesante për ta parë dhe vëzhguar në një front të ri, në zhvillim e në mes të ideve poststrukturale si pasojë, edhe ato gjuhësore dhe njohëse që vijnë nga vetë idetë e gjuhës që dikur është trajtuar ‘si një mbeturinë evolucionare e taktikave të mbijetesës bazë’ (Xhaxhiu, 1981:99). Kështu kjo ‘ndryshe’ sugjeron një lidhje në mes të të shkruarit, dhe zhvillimit gradual e atij të qënit i drejtë, ndoshta për të lejuar më shumë frymëmarje në poezi, dhe natyrisht pastaj duke gjetur lidhjet në këtë ngjizje.

Por kjo nuk nuk do të thotë se është një poezi dekonstruktioniste në të vërtetë, e cila zakonisht siç e dimë mirë vjen si një lidhje në një aspekt të reduktuar nga teoria filozofike e Derridas, Lakan dhe Kristeva. Por jo aq poshtë me një koncept të vetëm në mënyrën se si Gjetja i ka krijuar këto poezi (ende si një krijimtari që vjen mbetet bindshëm, por në një farë mënyrë edhe zvogëluese në konceptin kohor të hapësirës). Kjo s’ka të bëjë madje as edhe me poststrukturalizmin. Poststrukturalizmi, siç sugjeron vetë emri i tij, ishte një lëvizje që varej nga konteksti i projektuar për të minuar ‘kapjet për fyti të strukturalizmit’, po të huazonim fjalë për fjalë këtë nga një burim në frëngjisht dhe përfundimisht kjo teori synoi që të gatuhej si një ‘akademi botërore’ në këtë krijimtari. Sigurisht është një shenjë që sjell paksa dyshim, në kushtet e përdorimeve gjuhësore, një koncept disi i lodhur. Pra, një gjë që vetëm gjuhëtarët e shohin më në thelb, kritikët, studiuesit dhe filozofët nuk e konsiderojnë si një lidhje që e çon poezinë në një drejtim pa krye, as edhe të ndikimit nga psikoanaliza e Frojdit por këto lidhje në tërë poezinë e Ndoc Gjetjas janë ende gërmime masive që kanë buruar nga struktura e rëndësishme kulturore që ai megjithatë përjetësoi nën një epërsi shpirtërore për të diktuar e krijuar me frymën e tij ndryshe. Ndoc Gjetja përpos kësaj analize dhe këtyre fakteve që ngjizen me teorinë e hapësirë dhe kognicionit mbetet jo vetëm një poet me profil të veçantë poetik por edhe një poet i qëndrueshëm mes dy rymave, një poet me një poezi të shëndoshë e tipike bashkëkohore.

Vazhdon …

Bibliografi-referenca:

Bachelard, Gaston (1958) Poezisë e hapësirës Londër: Beacon Press.

Berisha, Latif (1976) Pikëpamjet e Luigj Gurakuqit për poezinë. Analizë kritike tek “Gjurmime albanologjike”, seria e shkencave filologjike, Prishtinë, numri 6.

Deleuze, Gilles (1985) The Time Image Londër: Athlone Press.

Doda, Ismail (1978) Poezia epike gojore e Krajës. Kritikë tek revista “Koha”, Tivar, numri 1.

Gjetja, Ndoc (1984) Çaste. Tiranë: Naim Frashëri

Rugova, Ibrahim (1978) Poezia e Rilindjes dhe poezia Bashkëkohore. Analizë tek “Kah Teoria”, Prishtinë.

Tracy. D. H. (1989) Aspektet e poezisë. Londër: Penguin

Vinca, Agim Reth krijimtarisë së poetit Ndoc Gjetja, online.

Xhaxhiu, Muzafer (1981) Shkrimtarë, vepra dhe dukuri letrare. Tiranë: Naim Frashëri.


47 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page