top of page

Ndikimi i Isuf Myzyrit nga urrejtja


Ndikimi i Isuf Myzyrit nga urrejtja


F. Terziu


Lidhja midis muzikës dhe problemeve sociale, situatave, gjëndjes së aktualitetit, fakteve të ndodhura në rrjedhë të jetës dhe politikës, veçanërisht shprehjes politike në këngë, është parë në shumë kultura edhe si një ndjenjë e lindur nga shkaqe të ndryshme. Muzika mund të shprehë tema antikrijuese ose proteste, duke përfshirë këngë jo-pajtuese, këngë dëshpërimi, e në forma të tjera, por idetë pro-ideve të padukshme, ndjesive të pashprehura përfaqësohen gjithashtu nga tekstet që vijnë e shfaqen në publik, për shembull, në vjersha, strofa, melodi nën dhëmbë e të papublikuara, tekste për të shpëtuar kokën nga mjedisi, koha, trajtesa sociale, diktatori e tij. Shumë prej këtyre llojeve të këngëve mund të përshkruhen si këngë të ardhura nga urrejtjet e ngacmuara nga ndodhi të ndryshme. Këtyre teksteve dhe këngëve nuk u shpëtoi dot edhe mjeshtri, Usta Isuf Myzyri[1].

Isuf Myzyri, këngëtari, vjershëtari, kompozitori popullor elbasanas që punoi si bahçevan, berber dhe qeleshexhi që në vitin 1924 krijoi një ndarje nga klasa e njerëzve të pasur, që mendonin ndryshe. Thoshte mes shokëve, se këto tre zanate, që e mbajtën gjallë me bukë e lanë atë analfabet. Po ashtu shtonte se shkas i urrejtjes për këta njerëz u bë vrasja e nipit të tij në të dalë të 1924-ës. Për këtë Isuf Myzyri mendonte se vrasësit ishin të shtyrë nga disa të pasur, që kishin vetëm një arsye se mos u iknin djallëzitë e tyre për të bërë para e pasuri. Ai u thoshte shokëve dhe miqve të tij se “nipin tim Maliq Myzyri, ma vranë bejlerët dhe feudalët e qytetit, se kishin frikë ngaqë ai u bë anëtar i shoqërisë përparimtare patriotike “Bashkimi[2].

Për këtë ai shpërtheu kundër të pasurve duke përshkruar botën që e rrethonte të mbushur me mjerim e vuajtje, duke menduar se ajo që ai i përkiste vetë mund të shprehej kështu:

“Pasanikut kur i humb ndonjë pare

çdo njeri e rënkon.

Të vobegtin kur vdes fare

asnjeri s’e ngushëllon”

Pasanikët hanë bajram,

gjithë t’mirat atje u dhanë,

disa në burg e në zindan,

të vobegtit s’kanë buk’ t’hanë”. (I. Myzyri, “I vobegti dhe pasaniku

Por “urrejtja” ndaj pushtuesit ishte një shkak që detyroi Shtëpinë e Myzyrëve[3] të ishte dhe një nga bazat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai në këtë luftë humbi nipin dhe mbesën e tij, Dyli e Haxhire Myzyri, motër e vëlla:

“Derdhën gjakun e beku,

Duke thanë rroftë Shqipnia,

Vepra e tyre s’ka t’harru,

I përfshin’ dhe historia.” (I. Myzyri: “Dyli e Haxhire Myzyri”)

Më pas ai i kushtoi edhe një vjershë Enver Hoxhës:

“Për gjyshnit e parë qe Skënderi,

Si trim e burrë ai luftoi.

Për ne sot ësht’ Enveri

Shqipninë e lirë e zbukuroi.

Rroftë Enveri dhe rinia!

Për Shqipërinë kanë punue,

I përmend dhe historia

Vepra e tyre s’ka t’harrue” (I. Myzyri: “Enverit”).

[1] Për merita të veçanta të përhapjes së muzikës sonë popullore Presidiumi i Kuvendit Popullor e nderoi kompozitorin, vjershëtorin e këngëtarin popullor elbasanas me titullin e lartë “Artist i Popullit” (pas vdekjes). [2] 13 Tetor 1924 themeli i shoqërisë "Bashkimi", tek Mulliri i Xhemil Muços, në Fier. [3] Shkrimtari Odhise Grillo ka shkruar një poemë për shtëpinë e Myzyrëve. Poema e tij quhej “Po mbinin jargavanë”. Ai shprehej: “Shtëpia e Myzyrëve E varfër, e vogël, Po ka njerëz të mirë, Dhe brenda nxë një kodër. Shtëpia s’ka tavan, Të shembur ka çatinë, Po nxë një Elbasan, Po merr gjith’ Shqipërinë”.


@copyright

77 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page