ZYBA HYSEN HYSA
NDERIM PER NJE BURRE FISNIK, I CILI U TORTURUA VETEM SE ISHTE I BIRI I ISUF LUZAJ!
- NGUSHËLLIME FAMILJARËVE, FAREFISIT DHE GJITHË MIQËVE PËR NDARJEN NGA JETA TË BABAIT, VELLAIT DHE MIKUT TË TYRE, KUJTIM ISUF LUZAJ!
- KUJTIM LUZAJ: BABAI MË THA; “TI JE KOMUNIST!”
(NË VEND TË BIOGRAFISË: BISEDË ME KUJTIM LUZAJ, NË KUADËR TË LIBRIT: “ISUL LUZAJ, NJË SHTIZË DIELL MBI ATDHENË”)
Meqë qëllimi i bisedës është në lidhje me Isufin, a mund të më thoni, se çfarë mbani
mend nga kontakti i parë me babanë?
- E kam takuar për herë të parë ne Çikago, në Amerikë në vitin 1993. Pasi u
përqafuam, u ulëm për të biseduar me të dhe në bisedë e sipër, kur po i flisja për të kaluarën tonë, për vuajtjet e familjes, për vuajtjet e mia gjatë kohës së burgut më ndërpreu e më tha:
- Ti je komunist!
- Çfarë thua baba? Unë komunist! Unë që nga komunizmi kam kaluar nëpër ferr 12
vjet dhe ti tani më thua që je komunist?! Kjo është fyerja më e madhe për mua! Të ma thoshte një tjetër njeri, nuk di se sido të ndahesha me të...
- Po... ti je komunist dhe ta them unë pse je komunist. Je i tillë, se ti atë edukatë ke
marrë atje 45 vjet, atë mentalitet ke dhe nuk ndryshon asgjë nga edukata komuniste, po në qoftë se me këtë inat që më flet ti, për komunizmin, për urrejtjen që ke për të edhe ne do të veprojmë ashtu siç bënë ata atëherë? Ku qëndron ndryshimi, prandaj po të them që ke edukatë komuniste dhe je komunist.
- Tani komunizmi ra... dhe në Shqipëri ka ardhur demokracia, - i thashë unë.
- Demokracia, - më tha, - demokracia për shqiptarët është si një gjellë që se kanë
ngrënë ndonjëherë dhe nuk ia dinë shijen. Demokracia do vijë në Shqipëri pas shumë vjetësh, jo sot, se në Shqipëri është nevojë të ndërtohet njeriu, në radhë të parë, do vijë atëherë, kur të shuhen gjithë mllefet, “ky është komunist”, ky është ballist”, “ ky është zogist...” Brezat që do të lindin sot e tutje, ata do ta bien demokracinë në Shqipëri...
- A më njeh për babë dhe a ke dashuri për mua? – më pyeti.
- Për babë, po, jam i sigurt, por dashuria është atëherë kur rritesh dhe edukohesh
nga babai, gjë që mua më ka munguar kjo.
- Më ke thënë të vërtetën, bir! – më tha dhe sytë iu mbushën me lotë...
- Më fal që po të dërgoj në kujtime sa të dashura, po aq të dhembshme, por do
dëshiroja të dija nga ju, megjithatë ftohtësinë e kohës, që nuk e zhbëjmë dot, a kishit dëshirë të rrinit gjatë me të dhe a kishe vështirësi komunikimi?
- Ishte një njeri që dinte të komunikonte edhe me një fëmijë edhe me një të
moshuar, të bënte për vete. Dhe po të them, që po të kishte pasur fatin ta kishe njohur kur ishte gjallë, atëherë vlerësimi yt për të do ishte 10 fish.
- Për ne poetët dhe krijuesit në përgjithësi është ndryshe, ne e njohim njëri –
tjetrin më shumë nga largësia, edhe përtej jetës, se shpirtin e lëmë të hedhur në letër dhe unë kam kaq kohë që komunikoj me të dhe jam futur në ato dhomëza të shpirtit të tij që vetëm unë di t’i hap e jam pushtuar nga një magji, thua se kam rënë në dashuri me të, bile kam bërë edhe një poezi: “Kam rënë në dashuri me një të vdekur,/ që iu desh të vdiste të më vinte pranë...”
- Ha, ha, haaaa... shumë interesante kjo, por unë nuk heq dorë nga mendimi im...
- Mbase ngaqë nuk jam krijues, por vërtet të them, ai të magjepste në bisedë. Me të
asnjëherë nuk ndjeheshe keq, se ai fliste pa ruajtur distancë, të quante të barabartë, nuk fliste me fjalë të mëdha që mezi t’i kuptoje, fliste thjeshtë, shumë thjeshtë, bile me një gjuhë krejtësisht të pastër, labçe... shqip, me një shqipe të kulluar, aq sa e shikoje ne sy e nuk shmangeshe dot, se nuk ngopeshe me të dëgjuar...
- Unë e kam shkruar edhe në libër e po ta them edhe ty, kurrë nuk më ka ndodhur
në jetë, që të kem lexuar një libër dhe të ndjehem ballë për ballë me autorin, që të qesh sikur e kam aty, që të qaj sikur e shoh me sy...
- Ç’mendim kishte ai për vajtjen tuaj në Amerikë?
- Ai u “pajtua” me vajtjen tonë atje, për t’u rehatuar për ca kohë, por përherë na
thoshte: “Si vendi yt nuk ka dhe jam i sigurt që do ktheheni përsëri në Shqipëri...”
- Më thuaj, si e organizonte ditën Isufi?
- Ai gjithë ditën ose do të shkruante, ose do të lexonte edhe për shëtitje rrallë e
shikoja aty rreth shtëpisë, por ai kishte biçikletë që lëvizte në vend.
- Për veten tënde... kujtime fëmijërie...
- Fillimisht kemi ndenjur në Ujin e Ftohtë. Më pas na hoqën nga shtëpitë tona me
pretekst, se i duheshin ullishtës, dhe na çuan në një bodrum që kishte dy qepena për hapje e mbyllje, pa banjo. Qepeni i madh deri në gjysmë dhe as luhej më, qepeni i vogël që e përdornim si derë për të hyrë në bodrum, për ta hapur dhe për ta mbyllur mblidheshim gjithë kalamajtë, nëna, gjyshja dhe mezi e hapnim dhe e mbyllnim.
Erdhi dita e votimeve për Frontin demokratik, 57 – 58 - ën, kryetari i këshillit të lagjes erdhi e shkroi në ballin e bodrumit “Poshtë armiqtë e vendit”. Aty kalonin nxënësit në mëngjes dhe në drekë, se ishte shkolla, duke bërtitur: ” Poshtë armiqtë e frontit!”
- Shkollimi juaj...
- Shtatëvjeçaren, në Ujin e Ftohtë.
- Ju keni vuajtur dënim në burg, përse akuzoheshit?
- Më akuzuan për biseda arratisjeje, ishim tre veta: Unë, Alem Luzi dhe Pëllumb
Xhyheri. Ne kishim bërë një bisedë, por u zbuluam dhe na arrestuan. Që nga hetuesia, pasi u dënova, më çuan në Tiranë, në kampin e të burgosurve tek ish Kombinati i Mishit, prej andej ne “Uzinën e Traktorëve”, nga atje, në “Sodën Kaustike “ në Vlorë, më pas në Fabrikën e Çimentos në Elbasan, nga atje, 6 vitet e fundit në Burrel.
Kur isha në Elbasan munda të komunikoj me Isufin duke i dërguar një letër e cila i kishte rënë në dorë dhe m’u përgjigj me një adresë “Bilbil Zenel Labi” gjoja një mik i familjes dhe e imitonte tamam si ai dhe nuk po e kuptoja që ishte im atë, kurse në një frazë të vetme, më thoshte: “Ta marrësh vesh mirë se kush jam, babai im dhe gjyshi yt kanë studiuar për hoxhë në Stamboll, prandaj e ruajmë akoma këtë miqësi...” Këtu e kuptova që ishte Isufi. Letrat e mia mos ia jep njeriu t’i lexojë, sepse shejtani di shumë se është shejtan, por unë, nga Gëzimi, e hapa në gjithë kampin këtë gjë, sigurisht me ata që i quaja shokë, pra në shokët e mi. Për fat të keq i vete në vesh komisarit të kampit, i cili më thërret në zyrën e tij dhe më pyeti:
- Ç’njerëz ke jashtë?’
- Kam babanë dhe xhaxhanë si dhe një mikun tim familjar, Bilbil Zenel Labin.
- Ku e mori vesh ky adresën tënde, - më tha, - se ne e morëm vesh se kush është
Bilbil Zenel Labi? Që sot e tutje nuk ke për të marrë asnjë korrespondencë dhe vërtet nuk mora më letra.
Unë u dënova 10 vjet dhe u ri dënova në Burrel edhe 4 vjet tjerë. Pjesa tjetër m’u shtua se në burgun e Burrelit nga një poezi të cilën nuk e kisha bërë vetë, por Mitat Alushi nga Dukati, i cili u vra në Elbasan, në moment dëshpërimi u hodh në tela dhe e vrau roja. Në shtratin e tij u gjend kjo poezi e cila u dedikohej dy të burgosurve që kishin dashur të arratiseshin nga kampi e cila ishte tepër armiqësore për sistemin komunist: “Trim, ku shkon, thotë tufani?/ Trim ku shkon, thotë rrebeshi,/ Mizorinë dot s’e rrëzoni,/ Plot me plumba u mbush sheshi...” U dënova për përgatitje “Agjitacion e propagandë” se në ekspertizën e poezisë dilte shkrimi im, në të vërtetë shkrimi ishte imi, por unë e kopjova nga origjinali për ta ruajtur si një kujtim të pavdekshëm dhe më vjen keq që nuk i mbaj mend të gjitha vargjet e poezisë, së vërtet ka qenë shumë e bukur.
- Të më falësh nëse të nxit për kujtime të trishta, por jam e interesuar të di për
jetën tuaj në burg, çfarë të ka mbetur në mendje ndonjë gjë që e kujton shpesh?
- Unë kujtoj vuajtjet tona, kur them tona, kam para sysh të gjithë ata njerëz që
burgoseshin për një fjalë, për një ëndërr, për të drejtën... Unë shpesh mendohem, se si arriti të funksiononte sistemi komunist kaq gjatë dhe si mundëm ne të duronim kaq gjatë? Po të tregoj disa episode të burgut, që sot duken për të qeshur, por kanë qenë të vërteta mendoj se njeri më antishqiptar dhe kriminel që ka qenë Enver Hoxha, nuk do të ketë pasur dhe nuk mendoj se do të lindë njeri në të ardhmen. Sikur Zoti të kërkonte një njeri për ta shkombëtarizuar dhe për ta degjeneruar këtë komb, njeri më të përshtatshëm se ai nuk do të gjente, se torturat, masakrat dhe poshtërimet që ka bërë ai, as një serb nuk besoj se ua ka bërë shqiptarëve.
Kujtoj nga burgu, se na nxirrnin për nevoja personale dy herë në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje, por për të na mbajtur në tension, kur na hapnin derën, rojet na thonin: “I fundit e di vetë”, pra nëse nuk nxitoje, të fusnin në birucë. Atje (në Burrel) kishim 4 – 5 banjo, të ndara me nga një mur, ndaj sapo hapej dera, iknim me vrap të zinim banjo dhe po me vrap do të vinim në kohë, se na fusnin në birucë.
Një i moshuar mezi ecte dhe u vonua, roja shkoi dhe i mbylli derën e banjës nga jashtë duke e lënë gjithë natën brenda. Në mëngjes, kur e nxorën, ai i frikësuar se do e fusnin në birucë, por ndodhi çudia, e sollën në dhomë, ku ne ishim 20 e ca veta. Mbeti në pritje ta merrnin, por nuk e morën, atëherë i qetësuar që nuk do e merrnin tha: “O shokë, ajo natë ka qenë nata më e rehatshme e jetës sime, se jam zbrazur rehat gjithë natën... Sikur ta dija se do ndodhte kështu, do vonohesha një herë në 10 – 15 ditë që të dhi... rehat...” Këtë na e përsëriste përditë, derisa një shok i tha: “Mjaft se e dëgjuam!” po ai përsëri e përsëriti, se kishte qenë nata më e bukur e tij në burg.
- Vërtet është e dhembshme, e pse më vjen për të qeshur, por besomë, shpirti qan,
por më trego ndonjë episod tjetër?
- Në dhomë kishim nga të gjithë krahinat e Shqipërisë. Aty ndodhej edhe një i
moshuar nga Veriu, një diplomat pa diplomë, burrë shumë i mençur, i cili ishte burgosur, se kishte mbajtur një natë në shtëpi një diversant. I behet gjyqi dhe prokurori i jep dënimin kapital, me vdekje, por kryetari i gjykatës, e vendos me 25 vjet heqje lirie.
- Ç’ke për të thënë, - e kishte pyetur kryetari i gjyqit.
- Andej nga Veriu nuk themi “Faleminderit”, por “T’u rritë ndera” dhe ju u rritët
ndera, se unë nuk e mendoja se do të rroj kaq gjatë, por kam frikë se do u ngelem borxh, si do i vejë halli pastaj...
- Nuk ka gjë, se çfarë të ngelet, do ta kryejnë djemtë e tu, - iu kthye kryetari.
- Më kujtohet Uran Kastreci, një njeri shumë i zgjuar, nuk kam takuar një të tillë.
Në burg sillnim njerëz për informacion politik dhe ai përherë pyeste e përherë i kapte “mat” në mendime. Një herë erdhi një oficer sigurimi, por më shpejt se herë tjera me pikësynim për ta “mundur” me fjalë Uranin dhje na shpjegoi dënimin që i bënte shteti ynë BS për sulmin ndaj Çekosllovakisë. Pasi mbaroi oficeri, u drejtua:
- Ka ndonjëri ndonjë pyetje?
- Uranin e kisha në krah dhe i thashë të mos e ngrinte dorë, por ai foli që nga fundi
ku ne ishim. Personi që ishte në krah të oficerit i tregoi që “ky është”, ai i foli:
- Eja këtu përpara dhe fol.
- Jo, jam më mirë këtu me shokët e mi, se pranë jush, - dhe fillojë të flasë. – Ju e
dënuat ndërhyrjen ruse në Çekosllovaki, po pse nuk e dënuat ndërhyrjen e tyre në Hungari, kur tanket ruse kalonin mbi kufomat hungareze, apo se atëherë ishit miq e tani jo?
- Nuk dinte si të përgjigjej dhe ai foli përsëri:
- E di që me ikjen tënde, ose do më dërgojnë në burg, ose do më fusin 2 – 3 muaj në
birucë.
- Jo, ty s’të prek njeri me dorë, - i tha ai, por nuk kaloi 10 – 15 ditë i sajuan një
shkak dhe e futën në birucë. Atje ishte e vërtetë fjala që thuhej: “Atje i thonë Burrel, hynë dhe nuk del”, se në birucë të hiqnin rrobat e të linin vetëm në këmishë, ku nga dritarja dukeshin stalaktitet e akullit sa krahu të trashë, mendo sa ftohtë ishte atje. Ajo ishte 2. 5 metra e gjatë dhe 1 metër e gjerë, asgjë tjetër, veç në darkë të sillnin një batanije të hollë dhe të lerosur, të cilën e palosnim dhe uleshim mbi të e flinim, kur na humbte vetëdija nga të ftohtit. Ka pasur raste që në një qeli futnin nga dy veta, bile ka ndodhur që njëri ka vdekur dhe ai që mbetej gjallë nuk tregonte derisa merrte erë kufoma, se donte të hante racionin e tij, se kurrë nuk u ngopëm një herë me bukë.
- O zot i madh... si i përballuat gjithë këto?
- Njeriu mësohet edhe me të keqen, s’ka si bën ndryshe. Atje të dënonim edhe për
ëndrrat. Më kujtohet një shok i dhomës, që kur u zgjuam nga bilbili i policit na tregoi:
- O shokë, kam parë një ëndërr me Enver Hoxhën. Sikur ishim në një luadh të
madh dhe ishim ulur këmbëkryq dhe unë isha ulur në krah të tij. Ai u tregua shumë i dashur me mua, por më shkëputi nga ëndrra bilbili i policit.
- Do jetë sëmurë, - tha dikush.
- Do Zoti e thyen qafën, - ndërhyri një tjetër.
Kështu filluan komente të ndryshme, por dikush nga shokët tanë ishte spiun dhe tregoi, ndaj atë e thirrën në drejtorinë e burgut pas 2 – 3 ditësh.
- Si je? – e pyeti operativi.
- Mirë.
- Po gjumin e bën të mirë?
- Mirë.
- Po ëndrra sheh?
- S’ka njeri të mos shohë ëndrra.
- Çfarë ëndrrash ke parë para 2 – 3 ditësh?
- Unë kam kujtesë të dobët, harroj se çfarë kam parë...
- Po ta kujtoj unë, ke parë udhëheqësin e Partisë dhe të popullit.
- Po...
- Si guxon ti maskara të shohësh udhëheqësin tonë në ëndërr?
- Më doli, unë nuk e takova vërtet!
- As me sy s’ke për ta parë, jo më të guxosh ta takosh e të flasësh me të! Meqë e
pranove fajin, nuk po të dënoj me birucë.
Kështu, të tregoj vuajtjet e burgut nuk kanë të mbaruar, por një gjë jam i sigurt sot, që babai ynë ka qenë shumë i mençur, se që në atë kohë diti ta dallojë komunizmin se çfarë fytyre kishte e çfarë dëmi do të sillte popullit tonë të shumëvuajtur. Ai hyri tek ne si helm e dashje pa dashje, atë helm e pimë të gjithë e pse vuajtëm nga ai, morëm fytyrën e tij, u bëmë njerëz pa ndjenja, pa dashuri, armiqësorë... Vërtet babai kishte të drejtë kur më tha: “Ti je komunist!”
ZYBA HYSEN HYSA: NDERIM PER NJE BURRE FISNIK, I CILI U TORTURUA VETEM SE ISHTE I BIRI I ISUF LUZAJ!
Comments