NDARJA E BURRAVE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 20, 2020
- 1 min read

NDARJA E BURRAVE
Nga Luan Çipi
Ndarë pleqtë kashtë e kokërr,
Mbyllur në shtëpi si murg,
Të shtrënguar si në mokër,
Me ndjesi se rrinë në burg.
Ku janë burrat nga qëmoti:
Luli, Pirrua, e Nikollai?
Pse nuk rrojnë si i la Zoti,
Torja, Gimçja, Taullai?
Ku janë trimat tanë me nam:
Xhemka, Veveti, Mevlani?
Pse e mbajnë kokën mënjanë:
Sula, Gudua, Vangjua, Fani?
Urdhri rreptë u dha nga lart,
Pensionistët të mos dalin!
Vendimi shkruar në kartë:
Për pazar, dërgoni djalin!
Blini, mblidhni, sa më shumë,
Mjeri unë, që s’kam asnjë:
Kaptuar det’, mal e e lumë,
Veç i ndjej me sy e zë.
Rimë ngujuar në shtëpi
Në komandë është celulari,
Në rrugë të mos ketë njeri,
Duroni sa të vijë behari!
Spitalet, të mbushur plot,
Varrime pa njerëz çdo ditë,
Viktimat, problem në botë,
Brengë e lot, mbuluar sytë.
Sot ia hodhëm, po për nesër
Na tmerron “Korona e Re”,
Moti duket shi e breshër,
Qielli qan, mbushur me re.
Mjekët, heronj të vërtetë,
Trima, s’ua ha kush hakun,
“Kovidi Nëntëmbëdhjetë”,
Doli vëlla me “Qoftëlargun”.
Nuk na ngelet tjetër shpresë,
Veç lutjes te Mëshiruesi,
Të lidhur me besa-besë,
Larg nga ne koronavirusi!
20 Prill 2020
Comments