top of page

Më duhet ta përshëndes këtë libër me vlerë


Më duhet ta përshëndes këtë libër me vlerë


Nga Robert Martiko



Libri i ri i profesor Fatmir Terziut, me titullin “PARITET”, jo vetëm për shkak të përmasës voluminoze të faqeve, por kryesisht nga përmbajtja e tij, mund të konsiderohet si një vademecum[1] filozofik me mjaft interes për ta lexuar. Gjen aty të trajtuar tema nga më të jashtëzakonshmet si arti i bisedës, adhurimi, individualiteti i përgjegjshëm, dhimbja poetike, enigma, fenomeni intelektual, frika, lufta për lirinë e internetit, kozmologjia inerte, madhështia, mahnitja, matriarkati, rreth një përkthimi për Homerin e lashtësisë, tjetërsimi, politika moderne dhe dhjetëra tema të tjera, me interes për tu lexuar.

Nëse do të më duhej të vija një theks, duke u përpjekur për të vënë një emërues të përbashkët të të gjitha temave të trajtuara në “Paritet”, duke u futur në thelbin e problemeve të shoqërisë dhe mendimit filozofik, akademik shqiptar, në radhë të parë më duhet ta përshëndes këtë libër me vlerë.



Të gjitha problemet jetike të shoqërisë shqiptare mbështeten mbi tre male të mëdhenj të ngarkuar me borë pothuajse të përjetshme. Janë: Bizanti, Pushimi Osman prej pesë shekujsh dhe Diktatura Komuniste gjysmëshekullore. Kjo e fundit sheshoi çdo përpjekje për një ndryshim të mundshëm në mentalitetet e paragjykimet e trashëguara. Realizmi Vëllavrasës Famëkeq Socialist, i bazuar në Luftën e Klasave, ktheu shoqërinë shqiptare shekuj të tërë pas, nëpërmjet helmit të përçarjes dhe armiqësisë që shpërndau në shpirtrat e pa rilindur të njerëzve. Për Rilindjen Shpirtërore[2] Fatmiri flet qysh në faqet e para të librit të tij. Kur shkruhet për një temë kaq me rëndësi, historikisht të panjohur në Shqipëri, kjo tregon se ndoshta në të ardhmen diçka mund të ndryshojë. Jam i bindur se një ditë Rilindja Shpirtërore do të vihet në rendin e ditës nga bota intelektuale shqiptare, si busull e domosdoshme ndryshimi, jo errësire e paditurie.

Mund të lindë pyetja sesi mund të ndikojnë në shpirtin e njeriut të ditëve tona, jo vetëm Komunizmi, por edhe Osmanët e Bizanti. Në pamje të parë, faktori i tretë, duket të mos ketë asnjë lidhje. Por e vërteta është ndryshe. Elementët e treshes kanë lidhje thelbësore të tmerrshme, tragjike. Faktori i brendshëm shpjegues është se shpirti i ngurtësuar i njeriut është ndërtuar në një formë të tillë, që, në rrjedhën e shekujve e kalon lehtë mendimin nga një monopat në tjetrin.

Konkretisht, dihet se Marksi ndërtoi teorinë e tij të bazuar te Fundi i Lumtur, pa shfrytëzues e të shfrytëzuar. Në terrenin praktik të doktrinës, kapitalizmi do të rrëzohej si fryt i kalbur, që bie nga pema në tokë ngaqë, gjoja, historia ka ligjet e saj të pashkruara. Vendet më të industrializuara në Perëndim ishin: Gjermania, SHBA, Franca, Suedia, Italia, etj. Por, çuditërisht, shoqëritë e rilindura të këtyre vendeve, nuk e pranuan Luftën Civile. Shoqëria e parë që thithi si me magnet Marksin u gjend në Rusi, me 93% të popullsisë fshatare. Pa industri. Me Bizantin në pavetëdijen e thellë, që predikonte Parajsën Qiellore në një trajtë metafizike. Dostojevski paraqiti në veprat e tij pikërisht shpirtin rus, pa rilindje shpirtërore, të copëtuar në mijëra pjesë, që disa dhjetëvjeçarë më vonë, do të paraqitej në Revolucionin Tetorit me një egërsi tragjike prej disa dhjetëra milionësh të vrarë. I njëjti fenomen magnetizimi shpirtëror, jo të rilindur, të lidhur me utopinë, gjakun dhe krimin, u shfaq edhe në Shqipëri, Jugosllavi, Bullgari, Rumani, Kinë e gjetkë.

Të thuash se Historia ka ligjet e saj, kjo domethënë se realiteti i botës ku jetojmë është i mbyllur në kuti, me të dhëna të caktuara. Për pasojë, askush mund ti shpëtojë fatit të tij. Nuk ka koncept më të tmerrshëm nga ky. Sepse pengon ndjenjën e krijimtarisë që karakterizon shoqëritë e rilindura në Perëndim. Marksi përveç kësaj teze, që e ka zanafillën e saj me Hegelin, shtoi edhe atë çmendurinë tjetër të madhe se materia, realiteti ekomomik, përcakton gjërat dhe ndërgjegjen. Jo e kundërta! Prandaj eksperienca materialiste u mat në botë me rreth 100 milionë të vrarë dhe të asgjësuar dhe gjithë të këqijave të tjera. Gjithë vendet e ish Lindjes së Kuqe kanë sot probleme të pakapërcyeshme nga mentalitetet dhe shpirtrat e bllokuar.

Duke lexuar librin “Paritet”, mund të vihen re edhe tre mangësi të tjera. Pa Rilindje Shpirtërore nuk mund të ekzistojë asnjë libër me vlerë studimore në Shqipëri, për të ndihmuar qoftë edhe në një perspektivë të largët shoqërinë. Në aspektin thjesht logjik, është e mundur të shkruhet diçka pa pasur parasysh një masë të caktuar? Vetëm nëse bëhet fjalë për gjëra të fantaksura. Pa vlerë. Kur ndodh kjo, bëhet fjalë për mbyllje hermetike në shpellë. Pikërisht ky është tipari më karakteristik i mendimit intelektual jashtë Kohës dhe Historisë. Bën përshtypje fakti se edhe kur mangësia vihet në dukje, reagimi është minimal. Secili dëshiron të shfaqet i “madh” në sytë e tjetrit, të komshiut apo vijuesit të tij. Kushedi sesa çmime jepen me tituj të rëndë, pa pasur idenë e gjerëve. Vetë ata që japin çmime janë tipa të kufizuar. Bëhet fjalë për një panair kotësie të tmerrshëm, kur nuk ekziston në mendimin shqiptar as ideja e Rilindjes Shpirtërore. Si mund të ndihmohet shoqëria për të kapërcyer problemet e saj! Mjafton të mburret intelektuali i lartë në kafene apo në Feisbuk. Harrohet se veprat pa vlerë historia i hedh të gjitha në koshin e plehrave. Ndërsa me dëshirën për hulumtim të natyrës njerëzore, temë e patrajtuar deri më sot në Shqipëri, futjen në thelbin e gjërave që ndryshojnë botën, studiuesit i jepet mundësia të bëhet i përjetshëm.

Një tjetër temë është kur besohet se me thirrje e me urime shoqëria mund të ndryshojë E vërteta është se farës së Rilindjes Shpirtërore në Evropë, të mbjellë dhe ushqyer nga mendjet më gjeniale në Botë, në nivel inteligjence Ainshtaini, iu desh për të dalë në sipërfaqe rreth 500 vjet. Ndërsa në Shqipëri, mendimi intelektual, shqiptar, nuk ka as idenë e kësaj lloj fare. Po të shkruash në shqip, në Google, fjalët: Rilindje Shpirtërore apo Ndërgjegje Historike, nuk rezulton asgjë. Historikisht nuk ekziston as ideja. Mund të bëhet pyetja se mirë shoqëria vështirësohet të kuptojë, studiuesit, profesorët e universitetit, çfarë i pengon për të mbetur në periferinë e gjërave?

E treta që mund të vihet në dukje është se konsiderohet Skënderbeu, apo Nënë Tereza vetëm për vlera muzeore. Kjo vjen sepse nuk kuptohet thelbi i tyre i thellë. Jo si shembuj fame të një të kaluare historike, por si vlerë e jetës së përditshme, me karakter praktik, jetik. Me të vërtetë, cila është vlera e tyre? Përfundimisht mund të thuhet se pa ngritjen e nivelit intelektual, studiues, të gjërave me interes primar, thelbësor, për ndryshimin e mentaliteteve, shoqëria shqiptare do të mbetet në shekuj në kaos e fatkeqësi të përsëritura, me karakter tragjik.

Në këtë sfond me përsëritje në rreth të mbyllur rrënimesh historike, ka vlerë leximi i librit “Paritet” të Fatmir Terziut. Jo më kot mund të thuhet, se nëse dashuria me karakter universal të bën poet, fatkeqësitë e vijueshme, mendjet e hapura, i bën të drejtojnë vëmendjen drejt botës së thellë të gjërave...

[1] një manual ose udhëzues që mbahet vazhdimisht pranë për konsultim [2] Në botën perëndimore koncepti i ndriçimit shpirtëror është bërë sinonim i vetë-realizimit dhe vetes së vërtetë dhe vetvetes së rreme, duke u konsideruar si një esencë thelbësore e mbuluar nga kushtëzimi shoqëror.

197 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page