top of page

Myzafer Ramzoti: NË KËRKIM TË GJURMËVE TË “ DURRËSIT TË HUMBUR “ TË PROF: FATMIR MINGULIT.




      Prodhimtaria krijuese e Ing. Fatmir Mingulit është e gjithanëshme e me arritje cilësore. Atë e tërheq gjithçka, çdo shkrim, poezi a prozë, çdo artikull apo analizë kritike për libra të lexuar apo reçensë të botuar në shtypin e ditës për çdo roman, novelë, tregim apo ese të shkruar nga miqtë e tij të panumërt.

Kjo krijimtari ka marrë përmasa të pa arritëshme nga dikush tjetër sidomos në këto tre – katër vitet e fundit. Ndoshta, kurrë ndonjëherë, një krijues letrarë, një vëzhgues letrarë nuk ka menduar e shkruar sa ai, me aq forcë, me aq thellësi, pa ndërprerje e me aq ambicje në çdo gjini të letërsisë duke shijuar e analizuar çdo shkrim deri në ide , krijimtari e figuracion si ai.

Ai lexon gjithçka, përtyp gjithçka, përpunon gjithçka që lexon duke na nxitur të ndjekim shembullin e tij, rrugëtimin e tij në labirinthet e krijimtarisë letrare e artistike. Këtë e thotë apo e vërteton në dhjetra parathënie librash, në analizat kritike të krijimtarisë qytetare të krijuesve durrsakë e vendorë. Ai lexon me shpejtësi, analizon me shpejtësi, të rejat, idetë, dritën e përshkrimit , të realitetit e të së ardhmes. Sapo përfundon analizën për një libër të vështirë të më të dashurit e më të vlerësuarit të tij ( me të drejtë) Moikom Zeqos, krijon një tjetër libër për një tjetër mik të tij Shpendi Topollaj  apo për krijimet e Pol Milos, Agim Bajramit, Bashkim Hoxhës e plot të tjerëve. Për të krijimtaria letrare është kthyer në detyrim, në kthjelltësi, në përfytyrim e përceptim, në vazhdimësi krijimi të pandërprerë figurash. Të gjithë ata që e lexojnë mrekullohen me freskinë reale e originale të shkrimeve të tij që s’reshtin së na befasuari njëri pas tjetrit, njëri më i fuqishëm e më i saktë se tjetri. Edhe ai është njeri dhe, si i tillë ndjenë se duhet të pushojë, por, për të, nuk ka pushim se, edhe kur pushon e pushtojnë ide të reja që e ngacmojnë, që e bëjnë të marrë stilolapsin e të shkruaj, të gërmojë e të sistemojë mendimet e tij e të krijuesve që presin të vlerësojnë e të respektojnë mendimet e tij.

Dëshira, pasioni nuk e lënë të qetë , nuk e lënë të pushojë dhe ai vrapon të thellohet në mendim, në ide duke na dhuruar krijime të tilla si “ Tatuazhet e Shpirtit”,” Njerëz të Durrësit”,”E shtuna Durrsake”, “Pelegrinazh në Durrës”,”Kundër ikona thyesve” e të tjerë libra që dëshmojnë për erudicion të nivelit të lartë, që dëshmojnë për vlera njohëse e absorbuese, për hulumtime të mirëfillta letrare e estetike që dëshmojnë për një punë titanike e cilësore.


Ankohet për lodhje, premton se do të merret me veten,por, papritur , marr vesht se punon për një libër të ri me vlera të pakonstestueshme, për “ Durrësi i Humbur” që dëshmon për cilësitë kërkuese , zhbiruese, zbuluese, për erudicion e shije të mirëfillta artistike të përpunuara e të ngjeshura, të gërshetuara ngushtë me të vërteta historike, qytetare e arkeologjike.

Në këtë libër të ri ai qeshet me mrekullinë e frymëzimit, me drithmat e kënaqësisë që i jep prodhimtaria letraro – artistike, që, tek ai, lulëzon me ngjyrime të shndritëshme e të shumëllojëshme në një krijimtari të kristaltë.

Ky libër, ndryshe nga të tjerët, ushqehet nga një ndjenjë e re , nga nostalgjia, nga dashuria që i përcjell atij e kaluara që ka humbur bashkë me rininë tonë të vështirë. Në këtë libër, krahas përvojës vetjake, e shtynë përpara deri në rrëmbim mirënjohja dhe ndjesitë, ende të gjalla e të drejtëpërdrejta të bashkëqytetarëve të tij.

Ai beson në vetvete deri në bestytni, në atë jetë të kaluar, të pastër edhe pse të varfër duke i dhënë asaj jetë e produkti që është se na bëri njerëz të thjeshtë, mëshirues të thjeshtë, zëdhënës të thjeshtë të asaj që përjetuam atëherë kur edhe kafshatën e bukës e ndanim me njëri – tetri pa u menduar dy herë, pa marrë leje, pa u ndrojtur se do të na kritikonin apo të na tregonin me gisht. Ai aty flet për një botë që iku jo pa lënë mbresa e gjurmë tek ne që e jetuam. Ai na e risjellë në kujtesë dhe ende arrin të na magjepsë, të na tensionojë kur i kthehet të humburve duke na shkaktuar dhimbje e lot në shpirtë, në ndjenjë, në dilema e në drithërima të panumurta.

Ese- të, tregimet, kujtimet vijnë natyrshëm, njëri pas tjetrit nën trysninë e ndjenjës së lirë të veshur me mantelin e nostalgjisë së pakushtëzuar, të dashurisë mikluese të viteve e të situatave të jetuara tashmë, të qendisura mjeshtërisht me shprehjen letrare e artistike të mbrujtur me metafora, epitete,litota apo aliteracionee simbole që flasin, që kujtojnë e rikthejnë ngjarjet nga ato kohra të bukura e të vështira në kohën tonë të vëzhguar me sytë e dikurshëm.

Çdo ngjarje na vjen në mënyrë të vetvetishme, si shprehje e zjarrtë e mbushur me dashuri e nostalgji pa stërrzmadhime , pa hiperbolizime, pa harruar që i tërë libri në të gjitha faqet flet për objekte jetësore simbol e për njerëz të harruar që, në në fakt, nuk janë harruar sepse Fatmiri i kujton dhe na i risjellë në memorje me magjinë e tij krijuese si gurë kilometrik që ndajnë epokat e brezat në thellësi të viteve.

Fatmiri është inxhinjeri që ndërton grehinën Durrsake në librin e tij me fjalën e zgjedhur, me nervin e tendosur dhe, atëherë, esse-ja pasuese vjen e fortë, ndriçuese, vezulluese që prek ndjesitë tona të fjetura për të harruarën apo të humburën, me dritën e tij të shkëlqyer.

Minguli, ky njeri me vullnet të fortë e të çeliktë, me mendim të kristalizuar, njeri që tregon më mirë se kushdo tjetër si duhet ndërtuar një vepër letrare, por edhe një vëzhgues i rreptë është hulumtues i thellë që u shkon deri në thelb problemeve të ngritura në veprën që studion , i shkon deri në qelizë, deri në themel duke i thënë të bukurës e bukur dhe të shëmtuarës e shëmtuar. Ai din të tregohet edhe tolerant në diskutimet pa krye të ndonjeërit, ashtu siç na mëson Pontesilea kur definonte: - Zemër e mallkuar, që nuk di të përmbahesh!”

Në asnjë nga librat e tij e aq më pak në “Durrësi i humbur” ai është vetëm. Me të janë objektet simbol të qytetit tonë të lashtë bregdetarë, të qytetit legjendë, të Durrësit të lashtësisë e të rinisë si “ Hotel Breshka”, kinematë e qytetit, “Stamlesi, “ Vollga “ që edhe pse e pagëzuan “ Iliria” ruajti dhe ruan ende emërin e parë të kohës së “ miqësisë së madhe “ me rusët që e frekuentonin dhe durrsakët që tërë zonën e pagëzuan “ Vollga”.

Stefan Cvajg shkruan për Niçen: - Ai që beson në vetëvete, sadopak bestytnitë nuk mund të kundërshtojë idenë për të qenë mishërues i thjeshtë, zëdhënës i thjeshtë, medium i forcave të epërme, dhe kështu, papritur, gjithçka bëhet e dëgjueshme, e dukshme…

Kështu e kam njohur Fatmirin në romanin e tij të mrekullueshëm “ Frika “ e, më pas, edhe në tregimet e përfshira në vëllimin “ Kthimi i mbrapshtë” e, kështu e gjeta dhe në këtë libër të ri; vëzhgues të fuqishëm, rrëmues e qëmtues të paepur. Libri “ Durrësi i humbur” na zgjon, na ngacmon e na nxit të gjejmë rrënjët tona, vogëlinë e rininë tonë që po na fshihet nga sytë çdo ditë e më tepër si Shatërvani, si Fusha e baltës, si Porti i Ri që tani u bë i vjetër e, që edhe pse nuk ka humbur është në plan për të humbur, si Kantjeri Detar që u rrit me mund e djersë e që sot nuk ekziston më e që u mbyt bashkë me anijet e me atë flotë të mrekullueshme tregëtare e luftarake; si paketat e cigareve “ Durrësi”, “ Arbëria”, “ Porti” e plot të tjera. Minguli na kujton Qytetin pa kinema, ofiçinën “ Papaj”, Manastirin e Shën Vlashit, e plot të tjera, por mund të na kujtonte dhe “ Shkallët e Ermenit “, dhe pastiçerinë “ Bela Venecia” pa harruar Hamamet apo banjot publike, tregjet që ruhen e nuk ruhen as si gërmalla në themelet e pallateve që mbinë kudo mbi Qytetin tonë të humbur apo të groposur nën dhe.

Fatmiri na mëson se po të kërkosh i gjen gjurmët që inxhinjeri i rindërton me fjalë shpirti, me lot zemre, me klithma të fuqishme që duhen dëgjuar e lexuar në faqet e këtij libri të bukur homazh për Durrësin që i kapërcen shekujt.

Ne durrsakët, pavarësisht nga profesionet tona, jemi të gjithë pak arkeologë,pak historianë e, për këtë dëshmon edhe ky libër ku gjenë Kalanë, Muret rrethuese të qytetit 2700 vjeçar, ku janë gjurmët e një beteje me përmasa Europjane e botërore mes Çezarit e Pompeut pa harruar që dikur ishte po ajo Europë që na importoi një Mbret, Vidin, që feudalët shqiptarë të pabindur e sabotuan dhe e rrëzuan bashkë me “ Konakun e Madh”.

Ky libër i mrekullueshëm na fton të themi atë që dimë për kulturën e grabitur siç flet Hasan Ulqini, siç flet Gjergj Vlashi me krijimet e tij, siç flet Mojkom Zeqo e Lida Zeqo (Miraj), siç na i kujton ky libër i thellë e me vlera të padiskutueshme i Mingulit.

Ky libër na vjen në kohën e duhur e, tek mua që e lexova me një frymë dhe e rilexova, m’u duk se idetë, mesazhet që profesor Minguli përcjell janë feksje shkreptimash e vetëtimash, janë buçima e gjëmime gjëmëmëdha që duhen dëgjuar nga të gjithë sepse ai fshikullon e na fton të kthejmë kokën pas nga të vërtetat e simbolet kryeneçe të Qytetit tonë.

Dostojevski thotë : - Çdo gjë që bëhet objekt pasqyrimi artistik del më e dobët sesa realja. Realiteti, e kalon atë që mund të krijojë imagjinata.

Personazhet e këtij libri janë pjesë e realitetit tonë. Ato kanë veçoritë e tyre sepse janë konkretë e të gjallë në veprimtari. Eshtë Fatmiri që i nxjerr nga realiteti i tyre e i përgjithëson në krijimtarinë e tij. Ata janë shokët e tij, miqtë e tij, bashkë qytetarët e tij me vlera morale e shoqërore të personalizuara. Kjo është meritë e mjeshtrit Fatmir Minguli që din të vërë gishtin mbi plagë për ta shëruar atë!

Jam lexues i rregullt i Mingulit dhe  jam i sigurtë se në magjen e tij të krijimtarisë ka hedhur harxhet e nevojshme për ndonjë krijim tjetër me vlera të padiskutueshme!


Myzafer Ramzoti

Qershor 2025

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page