top of page

Muri Berlinit dhe mure që s'kanë rënë


Ana Kove

Duhet të nisesha për në Berlin. Ky udhëtim kishte shumë rëndësi për mua. Kishte qenë udhëtimi im i parë imagjinar, që po që po bënte realitet ëndrrën e atij tetorit të largët, kur ra Muri i Berlinit. I isha shmangur shumë e shumë vite, si diçkaje të shenjtë e të shtrenjtë, që mjaftohesh vetëm ta ledhatosh në kujtime, nga frika se mos realiteti ia humb shkëlqimin dhe magjinë tërheqëse. Aeroportet ishin shndërruar vendet më të trishta dhe më të dashura njëherësh. E dija se aty do të përsëritej gjithmonë njësoj e njëjta histori. Pasaporta e ime, si dele e zezë. Qytetarë të EU-së në një shërbim special; dhe të tjerët si tufë, që shtyheshin ngjitur me njëri-tjetrin. Kontrollori i pasaportës vijoi me të njëjtat pyetje! Si dreqin t’ia bëja për ta mposhtur këtë ndjenjë inferioriteti, sa herë kaloja me pashaportë në dorë përmes këtij muri përballjeje. Muri i Berlinit kishte rënë, por jo muri mes meje dhe atyre njerëzve atje, pas një drejtkëndëshi xhami, që ma zhvishnin privatësinë deri në thelb me pyetje naive: Ku do të shkoni? Pse do të shkoni? Ku do flini? Keni adresë? Ju pret njeri… A e priste njeri? Po ç’ishte ajo, nuk ishte vetë njeri? Cili është qëllimi i udhëtimit tuaj? –më pyetën. Atë çast sytë e mi u ndeshën me të kontrollorit të pasaportës. Ai kishte ca sy pa ngjyrë, mes të kaltrës së shuar dhe jeshiles së zbardheme. Qëllimi? Ah, Herr, doni vërtet ta dini? - i thashë në gjuhën e tij. Kontrollori u hutua paksa. Çështje procedure, sehr geehrte Dame! – m’u përgjigj! Sa do të qëndroni? Sa do të rrija? Nuk e kisha menduar këtë pyetje më parë. Biletën e kisha prerë të hapur, pa datë të përcaktuar. Nuk e di! – i thashë në mënyrë krejt naive këtë herë. Ai më pa sërish i çuditur! Pas meje njerëzit në radhë po e humbnin durimin. Vështrimit pyetës të kontrollorit iu përgjigja këtë herë me mirësjelljen e kërkuar: Unë po vij në vendin tuaj të njihem me një poet që ka vdekur, dhe po më pret një poet i gjallë…

Kontrollori, me sytë që iu zmadhuan edhe më shumë poshtë syzave pa skelet, ngriti dorën dhe m’u duk sikur do më flakëronte një shuplakë fytyrës, por ai goditi me një vulë të rëndë që zhurmoi fort mbi pasaportën time. “Qëndrim të këndshëm te ne, liebe Dame!” Më në fund isha e lirë! E lirë! E lirë! “Ti Je e lirë, Liebling. Por nuk ndjehesh e çliruar. Liria dhe çlirimi nuk janë njësoj...” Unë kisha nevojë ta ndjeja çlirimin. Por nuk ishte aq e lehtë. Ecja përgjatë rrugës Bernauer Strasse dhe ndieja frikë. Jam rritur në një vend, ku për çdo gjë ndieje frikë. Frikë edhe për të adhuruar zotin e të gjitha dëshirave dhe shpresave të shpirtit. Edhe atë e doja në fshehtësi e me frikë. E ndieja deri në kockë dhimbjen e mosçlirimit. Edhe pse këtu në Berlin askush nuk më njihte dhe askush nuk donte t’ia dinte se ç’bëja. Kjo ishte një botë tjetër. Krejt ndryshe nga bota ime atje larg, mes pamundësive. Kjo ishte bota e mundësive. E të gjitha mundësive, veçanërisht për një artist...

(Fragment i shkëputur nga tregimi me te njejtin titull, qe vjen ne revisten e "POETEKA", si edhe pjese e aktivitetit te Tetorit gjerman "Lulekuqja dhe Kujtimi".

4 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page