top of page

MIKROBOTA DHE MAKROBOTA POETIKE


MIKROBOTA DHE MAKROBOTA POETIKE

e Niko Kacalidhës

Nga Timo Mërkuri


I- Duke u shprehur për botën poetike të Niko Kacalidhës, cilësuam se ajo shtrihet në hapësira të ndryshme gjeografike dhe kohore. Në parathënien e librit “Eliksiri i gurit” të Niko Kacaklidhës, poeti Sadik Bejko, për hapësirën gjeografike të krijimtarisë poetike shkruan: “Poeti i Karaibeve Derek Ëallcot thotë se poeti s’mund të bëjë gjë tjetër më të mirë veçse të poetizojë 40-50 kilometra katrore të vendlindjes së tij, ato që njeh më mirë[1]”. Në pamjen e parë kjo thënie duket e saktë, Niko Kacalidha përshkruan së pari shtëpinë e tij dhe fshatin e lindjes, Leshnicën, madje me një bukuri imazhesh drite. Në qoftë se për shtëpinë e tij shkruan varagjet më tronditëse të pozisë së tij:


Shtëpia ime në shpat të Ferrit

Në cep të legjendës


Shpella që të nxjerr në Ferr, bodrumi

i klithmave dhe ulërimave të mia.

Plasi damari i Ferrit dhe u quajt Skotini,

strukur në vertebrat e shtëpisë sime.(f.173).



..për Leshnicën dhe krahinën përeth ai shkruan me vargjet më të bukura, duke na pikturuar një parajsë poetike me njerëz plot dashuri e dhimshuri, Krishtin, Shën Mërinë dhe heronjtë e mitologjisë, të cilët ndrinin në jetën e banorëve mes territ kulturor të provincës. Është interesante bota poetike e Niko Kacalidhës, ajo është sa e madhe po aq dhe e vogël, por tejë përmasave të saj ajo ka një bukuri që të kujton sa peisazhet e letërsisë mitologjike, një vend plot me pemë në çdo degë të së cilës kanë folenë një trumbë zogjsh aq edhe sfondin modern të kohës sonë. Bota poetike e Niko Kacalidhës është e përmbledhur së pari në një “mikrobotë”, në Leshnicën e tij. Me të drejtë kritiku grek Jorgos Frangos duke e parë këtë fshat (Leshnicën) nëpërmjet vargjeve të Niko Kacalidhës shkruan: “Leshnica, pra, është një fshat i vogël simbolik, piktoresk, me pak banorë të moshuar, zhytur në natyrë, që Niko Kacalidha me vargjet e tij e ka bërë të na përshfaqet si një Nju Jork fantazmagorik, si një Paris vezullues, si një Moskë hijerëndë. Dhe as unë nuk e di se në ç’vend tjetër emblematik, verbues, madhështor dhe mbresëlënës të planetit”, po ashtu dhe kritiku tjetër grek Thodhosi Pilarino që shkruan: “Ai (Niko Kacalidha. Shën.im.T.M.) jeton mes dy botëve, të natyrës virgjine e metropolit të zbuluar dhe, pavarësisht nga efektet e "civilizimit", të dukshme dhe prezente në poezitë e tij, ai është i përkushtuar në magjinë e vendlindjes, të cilën e dëshmojnë shpesh kontekstet lokale dhe kronologjike, Leshnica, mikrokozmosi i së cilës shndërrohet në poezinë e tij në një univers të pafund poetik”.


II- E parë në kontekstin gjeografik, mikrobota e Niko Kacalidhës është një parajsë poetike e admiruar dhe dëshiruar nga çdo lexues i tij, por bota poetike e Niko Kacalidhës nuk përfshin vetëm këtë hapësirë 40-50 kilometra katrorë mikrobote që cilëson poeti i Karaibeve, sepse poeti pasi “brodhi” Tiranës i shpenguar, shkoi në Korçë te Vangjush Mio dhe në Pogradec te Lasgushi, bëri paktin me Akrokeraunet, zbriti në Sarandë, ku gjeti sirenat, u hodh në Itakë për të takuar Odisenë e në Trojë për të pyetur Paridin se pse nuk e kishte puthur Helenën, kaloi pranë ishullit të Çirçes, shkoi në Golgotha dhe u kthye në Siçili dhe nisi udhëtimet e pambaruara në tokën greke. E thënë shkurt, poezia e tij mbulon mijëra e mijëra kilometra katrore, por ajo që ka më shumë rëndësi është niveli i epërm i artit të tij poetic në gjithë këtë gjeografi.


III- Vlen të themi se se bota poetike në rritje e Niko Kacalidhës është shtrirë dhe në dimensionet “kohore”, të cilat janë shumë të dukëshme dhe kanë rëndësinë dhe rolin e tyre në kuptimin dhe shijimin e poezisë së tij. Në hapësirën kohore të Niko Kacalidhës “koha” përfshin jo vetëm ditët, stinët apo moshën, “Një pjesë moshatarësh tani u martuan/Ku na shkoi fëminia, me flugerin në duar”? (f. 50), “Hajde dallo mes resh krela-krela/ku është funddimri e ku pranvera”( f 53), “Eja, e dashur, ç’ke një ngjyrë sonte/që i bëre të skuqen dhe yjet?/Apo pse shaminë ta hoqa dhe era /e lëkund të varur poshtë ullinjve” (f.67) por dhe epoka kohore si paganizmi, krishtërimi, “Unë them të bëhet dritë dhe bëhet dritë. /Kjo është formula ime edhe nuk e di se nga ma / paskan vjedhur perënditë”( f.61). antikiteti ” Lumi i Lithisë[2] :Gjithë jetën rendte tatëpjetë, brigjeve të mia/./ Është shpirti im që ngjitet nëpër brigje. /Dhe endet netëve nëpër kopshtet e Leshnicës”.(f.297), “Orfeun gjeta duke qarë nëpër dafinat e Butrintit “(f.377) si dhe kohë moderne, që përbëhet nga dy pjesë, koha e sotmë dhe e ardhme.


IV- Për nga mënyra poetike se si “funksionojnë” këto botë poetike duket se ato janë organikisht pjesë, ndijime dhe perceptime të botës së tij të brendëshme shpirtërore dhe kjo është e dukëshme se pavarësisht temës dhe kohës, është poeti Niko Kacalidha që ndjen, vuan, ëndëron e flet:


Lumi i Leshnicës


Brenda meje e kam lumin të tërë, gjëmimtar,

paqësor, fëmijë harrakat, plak të mençur, të shtruar.

Lumi njëmijë vjet, m’i kushton gjëmimet mua.

………………………………………………………..

Lumi i Leshnicës për njëmijë vjet mund të jehojë

për mua dhe të turbullohet për mua f.152.


Le të lexojmë poezinë :


“Në breg të detit u shfaqën sirenat”

- Në ç’vit?

- Tre mijë vjet pas Odiseut.


Në breg të detit u shfaqën sirenat.

Ju, nuk e besoni që në breg të detit një

mëngjes u shfaqën sirenat.

Me njëmijë ngjyra, me njëmijë zëra.


Odise, po të qenë të tilla sirenat e tua,

unë do t’i kisha flakur copërat e dyllit

nga veshët e akejve.

…………………………………………….

Me njëmijë pulëbardha shkume supeve,

qenë këto vajza gjimnaziste. (f.145) për të parë se si poeti mer dhe aktualizon temat homerike gjithmon në sensin e evidentimit të të bukurës.

Kjo mënyre e trajtimit dhe aktualizimit poetik estetikisht është arsyeja që te poezia e Niko Kacalidhës pemët ndjejnë, zogjtë pagëzohen e vajtojnë. Është vargu poetik i tij vendi ku dhe heronjtë mitikë ndjejnë e perceptojnë sipas kohës sonë, me një bukuri të brishtë. Duke ecur nëpër këtë bukuri poetike, të kujtohet shprehja e Dostojevskit se: “E bukura do ta shpëtojë botën” dhe nis e beson te bukuria, madje me një naivitet si te poezia : “Me siguri Paridi s’e ka puthur” :


Me siguri Paridi s’e ka puthur…

E ku të linin pleqtë e Trojës që përgjonin bukurinë

nga muret?

E ku të linte Menelau që e ndoqi pas mes zjarreve

detare?

E ku të linte Odiseu që me vite priste brenda kalit?

E Poseidoni që me fushnjë i tërbonte detet?

Po ku të gjente një minutë Paridi për ta puthur?

Gjithë gjullurdia e Trojës, pa një puthje!

Gjithë ai gjak i derdhur kot, pa asnjë puthje!

Se po ta kishte puthur do të zbuteshin dhe detet.


Me siguri Helenën s’e ka puthur

Sarandë, më 2. 4. 2003


Autori shfrytëzon lehtësisht Homerin kur thotë që pleqtë e Trojës u mahnitën nga bukuria e Helenës, flisnin për të dhe e shoqëronin me shikime fshehtas kur dilte nëpër bedena. Këtë hutim pleqsh poeti e shoqëron me aspekte lufte dhe vuajtje udhëtimi, por leximi i saj na dritëson mendimin se tema është reflektim i pasqyrimit poetik të kohës sonë. Te poezia “Shkarkimi elektrik i vetëtimës” sheh Prometheun te shqiponja

Goditi me sqep shqiponja në strall dhe lindën

vetëtimat e maleve të mia.

Ti ma solle zjarrin shqiponjë, Promete i moçëm, f.62


Është interesante poezia “Ekehiria[3]”, fjalë gr. që nënkupton “Armëpushim Olimpik”. që mund ta cilësonim si “Hymn për paqen”

Të mbajmë detin në flatrat e engjëjve,

në duart e kerubinëve.

Tempuj, vegime, net somnambule të

shtegtojnë drejt ylberizimit të jugës.

Të derdhet zajeve të bardha eliksiri

i vajzave të puthura. Të ndizen zjarre

në Pashkët e ringjalljes për shpirtrat e

të vrarëve. Të rikurdisim përsëri

zemberekun e diellit për fosforeshencën

e eshtrave.Të gdhendim në pragjet

e kaltra të shtëpive delfinë dhe drerë.

Të lëshojmë anije lule limoni brigjeve.

Të ndjellim në guvë pëllumbat e urisë.

Të shkojmë me jugën kaliboç, brigjeve

të borzilokut. Të nxjerrim shtëpitë tona

për ajrosje ullinjve, ndër dritaret e detit.

Të lëmë bocmanin, për të përcjellë yjet.

Të harrohemi në gurrën e shenjtërimit në

liturgjinë e zogjve.Të derdhim kaltërsinë

e puthjes vajzërore në virgjërinë e deteve.

Të flijojmë diellin në altarin e përrallshëm

të buzëperëndimit. Në pjergullën e

galaktikës të hedhë kombinezonin mbrëmja.

Le ta varë kombinezonin në një bli vajza e detit.

Armëpushim, o zot, në bardhësinë e brigjeve!f369


Autori “ngatëron” kohët dhe kufijtë e tyre, flet në antikitet për “Pashkët e ringjalljes” që në fakt janë festë kristiane dhe menjëherë shton fjalët “për shpirtrat e / të vrarëve” që e bën vargun të gjithëkohshëm, më pas të befason me vargjet: “Të nxjerrim shtëpitë tona/për ajrosje ullinjve, ndër dritaret e detit” dhe si një pagan i hershëm fton që: “Të flijojmë diellin në altarin e përrallshëm / të buzëperëndimit” , duke e mbyllur këtë dithiramb me lutjen (apo thirjen) kinse drejtuar Zotit, por që u drejtohet njerëzve: “Armëpushim, o zot, në bardhësinë e brigjeve”, duke nënkuptuar që pas këtij armëpushimi, jeta të jetë një festë “Olimpike”.

Niko Kacalidhën e kanë quajtur si një poet jo (shumë) social, që ri paksa i mënjanuar ndaj aktualitetit, kinse merret me zogj e drurë për të mos u marrë me njerëz, kinse aratiset nëpër epokat homerike për tju shmangur ballafaqimeve dhe angazhimeve sociale. Ne folëm për arsyen e kësaj “fshehjeje” nëpër pemë, drurë dhe antikitet të poetit, por gjithsesi Niko Kacalidha nuk u ngujua në mënjanim dhe për të provuar këtë, ju tregoj poezinë “Ekehiria” me temë nga antikiteti , e cila sfidon aktualitetin e ditëve të sotme, madje jo me zë të ulët por me një thirrje tribunash. Niko Kacalidha është ndoshta poeti më social në poezinë bashkëkohore shqipe, poeti më modern social, me një poezi metaforike dhe simbolike. Është pikërisht ky stil i tij poetik metaforik dhe simbolik që disa lexues nuk e kuptojnë angazhimin e tij social.


V-Gjuha dhe melodiciteti poetik i fjalëve në poeziznë e Niko Kacalidhës ka një veçori si te pak poetë bashkëkohorë. Në vargun e tij poetik krahas shkëlqejnë shumë fjalë të një përdorimi popullor por edhe të botës shkencore, historike, madje dhe fjalë të gjuhës greke, por që janë pjesë e fjalorit shkencor që kanë fituar qytetarinë e botës. Të lexuara në ndonjë fragment proze apo tekste shkencore dhe historike këto fjalë kanë një tingëllimë të “rëndë” si psh fjalët “ekehiria”, “metempsikoza”, “paftat” (Paftat e arta të yjeve), “monogjirja” (quheshin Amazonat, të cilat e prisnin një gji për të përdorur lirshëm armët), “heliotropizmi[4]”,“kodiledoni[5]”,“epifania[6]”(ehënës), “ostracizmi[7]”, “shugurimi[8]” (i zogjve), “pagëzim[9]”, “koncilet” (e yjeve), “hierore”, “njelmësi”, “harlisja” (e

jaseminit), “ondulacionet” (e flokëve), “buduar” (i mbrëmjes), “bokërimë”, “spiritualizmi[10]” (i gjethit), “klepdistra” (e hënës) etj. Përdorimi i këtyre fjalëve në poezi na tregon se Niko Kacalidha e njeh në thelb gjuhën shqipe dhe në saj të kësaj njohjeje edhe fjalët greqisht që përdor në poezinë e tij, i përdor në mënyrën që dhe pa sqarime fjala të jetë e kuptueshme në tekst nga lexuesi. Jo vetëm kaq, por këto fjalë vendosen në varg si një notë muzikore në pentagram në një melodi të bukur muzikore, duke shtuar melodicitetin e poezisë. Po të shikosh me vëmëndje poezitë e Niko Kacalidhës kanë një melodicitet tipik, sikur këndohen me lirën e Orfeut, melodicitet që bëhet më i dukshëm kur i reciton. Këto fjalë nuk të hutojnë, këto fjalë të poetizuara, së bashku me krijimin e fjalëve të reja zgjerojnë më tepër hapësirën e botës poetike dhe bëhen një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së Niko Kacalidhës.


Sarandë, më 20.01.2023

[1] Niko Kacalidha “Eliksiri i gurit”: Toena, Tiranë 2004. fq 12. [2] Lumi i Lithisë, Lumi i harresës, në udhëtim me varkën e Karontit të vdekurit e harronin botën e të gjallëve. [3] Ekehiria dmth armëpushim në periudhën e lojrave olimpike. Lojrat Olimpike e kanë origjinën nga Greqia ku filluan së pari në vitin 776 p.e.s. dhe ishte bërë ligj që në periudhën e zhvillimit të tyre nuk do zhvillohej asnjë luftë mes qytet-shteteve greke apo me shtete të huaja, të cilat e kishin pranuar këtë akt. [4]Heliotropizmi-ήλιος/diell,tropos-mënyrë.Heliotropizmi është fenomeni i lulediellit që gjithë ditën rrotullohet pas lëvizjes së diellit. [5] Kodiledoni në botanikë quhet gjethi embrional që del gjatë nisjes së çarjes dhe gjelbërimit të farës. Ka bimë monikodileone dhe dikodileone, me një apo dy gjethe embrionale. [6]Epifania, njihet edhe si "Dita e Tre Mbretërve" dhe "Dita e Dymbëdhjetë", është një festë e krishterë e përkujtuar më 6 janar. Në këtë ditë hidhet kryqi në ujë dhe një notar e nxjerr duke fituar respektin e njerëzve. [7] Ostracizmi ka lindur në Greqinë e lashtë ku me copa bëhej votim popullor me pjesë të enëve prej balte thyera votohej për largimin (internimin)nga Athina të një personi. Për këtë largim duheshin mbledhur 6000 copa (vota). Në konceptin modern është injorimi që I bëhet dikujt në vendin e punës, distancimi, mënjanimi etj. [8] Shugurimi (ceremon kishtare) është përkushtimi solemn ndaj një qëllimi apo shërbimi të veçantë fetar. Fjala “shugurim” do të thotë “bashkim me çatë që është e shenjtë” [9] Pagëzim, ceremony kishtare anë të cilit një besimtar i kësaj feje pranohet në gjirin e saj duke u spërkatur ose derdhur ujë mbi kokën e tij, ose duke u zhytur në ujë. Krishti u pagëzua me ujë në lumen Jordan nga Gjon Pagëzori. [10] Spiritualizmi është ryma fetare që merret me gjithëçka që ka të bëjë me shpirtin dhe frymoren.

27 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page