Mihal Gjergji: ZOTUA, DJALOSHI NGA NIVICA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 3 min read

Zotua ishte një djalë simpatik me tipare ezmere, me sy të zgjuar dhe kurreshtarë brenda të cilëve rrezatonte inteligjencë dhe mirësi, sepse fisnikëria e rracës e gjenë një mënyrë për të lënë gjurmët e saj. Ishim këmbyer e përshëndetur disa herë në qendrën e Nivicës, në rrugën që lëviznin mbasditeve banorët e fshatit, nga Vatra e kulturës deri te Zyrat e kooperativës, atje ku ndodhej dhe furra e bukës. Atëherë s’bëheshin xhiro argëtuese, seicili nxitonte në hallin e vet me shpresën se do të kryente ndonjë punë. Bashkëmoshatarët e Zotos më së shumti qëndronin para shkollës së mesme për të rrëmbyer vështrimin e ndonjë vajze që u kishte trokitur në ëndrra. Kaluan vitet dhe rastisi të takoheshim në Athinë, diku afër Manastiraqit. Unë kisha vajtur për të ndihmuar nipin tim të prangosur nga policia greke. Dhe sa herë që kam shkuar në këtë vend, më parë kam menduar largimin, përpara se të më largonin. Shqiptarët mbanin në shpinë vrafërinë e trashëguar e së fundmi edhe urrejtjen e madhe të fqinjit tonë jugor, atje ku shkuan për të ndryshuar jetën. Operacionet e shtetit grek ishin sistematike dhe rrëmbenin me përdhunë çdo shqiptar që gjenin në rrugë, në lokale, në autobuzë apo në punë, të cilët s’kishin leje qëndrimi. Edhe Zotua kishte vajtur si emigrant, doemos për të punuar. Më pa nga larg dhe u afrua drejt meje duke më thirrur në emër. Më përqafoi me përzemërsi. U ulëm diku dhe qëndruam rreth një orë. E dëgjova me vëmëndje. Edhe një i panjohur të bëhet i afërt në dheun e huaj, sepse të bashkon gjaku dhe gjuha. Zotua kishte marrë përsipër detyrimin për ti shërbyer vetes dhe familjes në ato kushte lirie që vetëm i kishim ëndërruar. Por liria nënkupton përgjegjësinë, prandaj kishte filluar të mendonte për të ardhmen, kishte guxuar, do të thoja, sepse beteja e vërtetë fillon pikërisht te guximi. Pastaj u ndamë, por mua më ndoqi pas vështrimi i tij aq domethënës. Nuk mendova që ajo kafe do të ishte e fundit në atë takim lamtumire. Dhe s’mund ta përfytyroj vazhdimin e asaj dite, të atij viti dhe të kohës që rrodhi paskëtaj. Shumë mote kaluan kur mësova për dramën e tij. Pankreasi ishte shkaktari i asaj dhimbjeje torturuese. Bluzat e bardha janë të pafuqishme përpara forcës ndëshkuese të mallkimeve që s’dimë se nga vijnë e që shpallen para nesh si vendime të formës së prerë. Megjithse 35 vjeçar, nuk mundi ta sfidonte të keqen e madhe që kishte depërtuar brenda tij. Stërmundimi, lodhja dhe stresi e shtynë drejt humnerës. Ishte muaji Tetor i vitit 2002. Dikur e mbështeste kokën në prehrin e nënës, tashmë prehet në vendlindjen e tij i mbështjellë nga ëndrrat që s’mundi ti realizonte. Edhe nga plagët e shpirtit të cilat nuk rrëfehen. Njeriu e ka të vështirë ti marrë me vete gjithë rrugët në të cilat ka ecur. Të gjithë kemi të vdekurit tanë dhe ata ngjasojnë me shenjtorët e ngujuar brenda qelive që ua përgatisin të gjallët. Stinët ndërrojnë ngjyrat dhe lulet, e ata përsëri aty, durojnë vapën përvëluese dhe shirat e rrëmbyer, ndryshe s’do ta meritonin këtë emër. S’dua ti referohem misticizmit, as teologjisë, por fati i Zoto Seferit nga Nivica e Kurveleshit më bën të besoj se Zoti s’dëshiron që emërin e tij ta mbajnë vdekëtarët, e kësisoj s’nguron të dërgojë ëngjëllin që merr shpirtrat pa pasur asnjë thërrime mëshirë. Pak gëzime, shumë vuajtje dhe në fund vdekja, ky është shpërblimi që merr seicili prej nesh.
Tiranë, Tetor 2025









Comments