Mihal Gjergji: NAZIFI I NAZARETIT
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 3 min read

Jam munduar ta nxjerr jashtë vetes e ai përsëri futet brenda meje si jehonë e një kohe të largët që mëtojmë ti shmangemi. E kam fjalën për Nazifin e Nazaretit, jo si person, jo si familjar, por si përfaqësues i një fisi të madh, i një lisi me kurorë të lartë dhe me rrënjë të thella. Ishte shtatlartë, me rrëmbat e kuqe të gjakut që i mbulonin fytyrën, me sytë e thellë dhe vështrimin e mprehtë. I thantë në shtat dhe në fjalë. Ai kishte qindra pyetje në kokë dhe s’mori asnjë përgjigje. Në burgun e vetmisë së tij ishte shndrruar në eremit dhe njëherësh predikues i fjalës së pathënë. Endej vetmitar rrugëve të Gusmarit dhe kërkonte me ngulm të takonte atë me të cilën ishte ndarë prej motesh, qysh në vitet e largëta 1916-19 që u kthye nga Amerika. Ëndrra e bukur e lirisë kishte mbetur matanë deteve dhe oqeaneve, larg, shumë larg. Po Nazifi dalldiste herë pas here, shkulmet e gjakut i ndjente ti godisnin aortën. Megjithse kishin ardhur në Kurvelesh në pranverën e vitit 1492, në kohën e spastrimeve të hebrenjve nga vendbanimet e tyre, përsëri jetonte me Shqipërinë në zemër dhe me dinjitetin në fjalë. Ishin larguar nga qyteti i Nazaretit me përdhunë. (Edhe Jezusi ishte nga Nazareti i Galilesë). Jugu i Shqipërisë u bë streha e sigurt e qindra hebrenjve. Kështu ndodhi edhe me Nazif Banën. Në Gusmar ndërtoi sarajet tre katshe dhe i stolisi me orenditë e Janinës dhe pasqyrat e Stambollit. Kosheret e bletëve tregonin kulturën e jetesës. Edhe Magripi ndërtoi hanin (dy katsh) në qendër të fshatit. Pikërisht aty hapi edhe shkollën e parë shqipe. Rrjedha e ngjarjeve solli me vete vrundujt e erës që do të frynte për gjysëm shekulli. Kështu filloi lufta e Nazifit me vetveten dhe me të tjerët (rracën ckifoze) gjer në fymën e fundit në vitin 1962, në moshën 78 vjeçare. Në këto rrethana, asnjëherë s’e pranoi tjetërsimin e pronës, kooperativat bujqësore, kolektivizimin e gjithçkaje. (“Qofsh i bekuar, o burg, që ishe në jetën time”- do të shkruante Aleksandër Solzhenicini. Në vitin 1945, ishte oficer i dekoruar i Ushtrisë së Kuqe. Në një letër private, mes miqsh, bëri një shaka të vogël për Stalinin. Shteti e hapi letrën. E lexoi. Dhe e trajtoi si krim. Brenda pak javësh u arrestua, iu hoq grada, u zhduk nga jeta publike. U fut në kampet e punës së detyruar dhe u dënua me tetë vjet Gulag.) Të kundërshtosh atë që s’është e drejtë, është hapi i parë i rezistencës. Edhe Nazifin e penguan, e kufizuan, por s’mundën ta dënonin, sepse kolona ku mbështetej ishte e fuqishme. Ishte vëllai i Magrip Banës, i shkolluar në Janinë, një atdhetar me kontribute të shumta gjatë luftës dhe pas çlirimit. Rregjimi i ri (“pushteti popullor”) i pengoi të shtonin gjënë e gjallë, por jo të shtoheshin me njerëz, fëmijë, nipër dhe mbesa. Mirua, motra e Nazifit u martua në Gumenaj. Pikërisht kjo zonjë ua derdhi me litroshe gjakun e hebrenjve fisit ku u martua, dhe Gumenajt i binin gjoksit për atë që kishin marrë nga dajot e tyre. Dëgjoja shpesh mëmën time të më fliste me një ndjenjë dhëmbshurie të thellë për Nazifin, dajon e babait të saj. Ja pra, ky ishte Nazif Bana, dinjiteti i të cilit i tregoi edhe rrugën ku do të ecte. Gjithmonë e kam përfytyruar me gurin e rëndë në shpinë. E çfarë kishte më shumë Sizifi që mbeti në gojëdhënat e mitologjisë? E shikoni pra, fjalët e moçme nuk vdesin, edhe gjykimet profetike të Nazifit që e solla në kujtesën tuaj.
Tiranë, Janar 2026.









Comments