top of page

METAMORFOZA E NJË POETI


METAMORFOZA E NJË POETI

Refleksione për poezinë e S.Martikos

Për krijuesit dhuntitë janë të ndryshme, siç janë dhe amplitudat e shpërthimeve në krijimtarinë e tyre. Ka poetë që potencialin e tyre artistik e shkarkojnë duke u djegur si një meteor dhe pastaj vdesin 30–40të vjeçar, ose heshtin tërë jetën me një libër ose dy, por duke lënë gjurmë të thella ne ndërgjegjen krijuese të artit. Këto janë raste të rralla , përjashtimore. Përgjithësisht, poeti, shkrimtari, artisti kërkon dhe hulumton së thelli identitetin e njeriut dhe të vetes gjatë rrugës së gjatë e të mundimshme të jetës. Ky është rasti më i përgjithshëm. Edhe poeti Martiko ka kaluar tri faza në krijimtarinë e tij gati dyzetë vjeçare. Në të dy librat poetikë: “Dashuria e parë”(1973) dhe “Midis shokëve”(1978) , të cilët mbijetuan duke kaluar në filtrat makabër të kohës, gjejmë sot pesë ose gjashtë poezi , të cilat do të bëheshin shtrati humusor ku do të mbinte e lulëzonte vëllimi i bukur poetik “Adresë e humbur jam”, ku pa më të voglin dyshim, është një arritje jo vetëm brënda vetes, por në një plan më të gjërë. Këtu gjejmë mbi njëzetë poezi shumë të mira si “Tim eti” etj.etj. Në këtë libër (Pas një heshtjeje të gjatë gati njëzetë vjeçare), poeti shkruan në varg të rregullt metrikë dhe në varg të lire.

Duhet nënvizuar që shpirti poetik martiko, është një shpirt gjithmonë i shqetësuar, pse jo dhe rrebel dhe gjithmonë në kërkim të një tjetër strukture dhe mënyre të re të perceptuari të fenomeneve jetësore dhe sidomos atyre të padukshme. Pikërisht këtu fillon faza e tretë e krijimtarisë së tij, që mua më pëlqen ta quaj: METAMORFOZA. Nëqoftëse e reduktojmë metamorfozën e Martikos thjesht tek forma, do të bënim një gabim të pafalshëm. Këtu nuk bëhet fjalë thjeshtë për “formën” , por për një ndryshim thelbësor të elementëve përbërës të poezisë, d.m.th. në ide, konceptime, imazhe,sintaksë, çka do të thotë një permbysje tërësore jo vetëm për vetveten. “Format nuk kanë dimensione. Ato ekzistojnë të pavarura. Ne i bëjmë dimensionale…”– thotë ZAN POL SARTRI.

Stefani bëri një revolucion brënda vetes dhe një evolucion në poezinë shqipe.Futi për herë të pare poezinë në prozë pa shënja pikësimi si surrealisti Luis Aragoni tek “ROMANI I PAMBARUAR” në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar. Poeti I mirënjohur Sadik Bejko nënvizon: “Stefan Martiko…është shëmbulli i një poeti që di ta kapërcejë e ta shndërrojë krejtësisht vetveten…” Dhe kjo gjë ndodh me vëllimin e bukur poetik “Ti mungon që prej Evës”, për të vazhduar me “Heshtat e barit”, “Lumë i vonuar” dhe arrin kulmin me librin e mrekullueshëm “Trishtimi yt Mona Lizë”.


* * *

Stefani është një poet sasior dhe cilësor. Për nga sasia do ta krahasoja me Ricosin, i cili sa qe gjallë shkroi rreth 120–të vëllime poetike(Përveç të pabotuarave). Ricosi pa më të voglin dyshim, është një nga kollosët jo vetëm të letërsisë greke, por dhe asaj botërore. Ai ka poezi e poema të shumta të mrekullueshme si “Sonata e një nate me hënë” etj. etj., por përgjithësisht ai është një poet tepër i angazhuar dhe i politizuar (Ndoshta ky qe misioni i kohës së tij.) Pikërisht këtu është ndryshimi. Në rreth njëmijë poezitë e botuara ne gjashtë vëllimet pas viteve 90–të, tek S. Martiko nuk gjejmë asnjë poezi me ngjyrime politike( Trefishin e vëllimeve të botuara e ka në dosje).

Poezia e z. Martiko nuk qëmton në sipërfaqe, fakte, ngjarje, ndodhira, fenomene të jetës së përditëshme të njeriut e të shoqërisë, përkundrazi ai determinon ato minerale të rralla që nxjerr sonda e tij poetike nga thellësitë e ajsbergut, pra nga subkoshienca ( Nënvetëdija), ku sipas Hajdeger ( Hejdeger) është “Magazina më tronditëse e mendimit dhe e shpirtit të njeriut”. Vërtetë, pikërisht aty flenë ose janë dremitjet, dramat më të mëdha e më të dhimbëshme të njeriut: vegimet, hijet, ëndërrat, dëshirat e pa realizuara,dështimet. Ato që nuk guxojnë të dalin në sipërfaqe, ato që përbëjnë në fund të fundit jetën e vërtetë të njeriut dhe jo ato që thotë vetëdija për t’u përshtatur me shoqërinë e për të mbijetuar…Në këtë kontekst, poezia e Martikos merr nuancat e një poezie universale e të përjetshme.

Poeti Martiko nuk seleksionon, nuk ripunon. Nuk do të prishi imazhin e brishtë që i fal çasti poetik. Ndoshta ka të drejtë. Në letërsi dhe art më tepër se kudo, ekziston subjektivizmi: ajo poezi që ty të duket e dobët, dikush tjetër e quan kryevepër. Ja se ç’thotë Stefan Cvajg për Stendalin: “ Ai do të ndjekë penën pa lexuar se ç’shkruan, nuk do të analizojë( “ E kam parim që të mos bezdis veten tek shkruaj dhe të mos fshij asgjë”) Ai nuk do t’i lërë kohë artistit që të luaj me stilin, që të stolisi fjalët. Nuk do të punojë si piktor, por si fotograf i çastit.” Studiuesi dhe krijuesi Alush Avduli në sintezën e studimit të tij për poetin Martiko konkludon se përgjithësisht poezia e tij është e “errët”,”simbolike”, “e padeshifruar”, “tepër filozofike”, për pasojë është një poezi që i përket të ardhmes. Bukur dhe ashtu. Dhe më pas : “Ajo është një poezi me përmasa gjithëeuropiane” Përputhet në essencë edhe studiuesi e kritiku letrar Thanas Boçi: “Poezia surrealiste– konkretiste e Stefanit ka një figuracion të ngritur në simbole hermetike, të fituar nga imazhet gjatë jetës, ndaj edhe një pjesë lexuesish e kanë të vështirë ta kuptojnë atë”. Me pjesën e parë të sintezës të z.Avduli jam dakord vetëm me një ndryshim, të mos ngatërrojmë masën e rëndomtë të lexuesve të poezisë, të cilët jo për faj të tyre, janë mësuar me ditirambe. Fakti që shumë krijues të mirfilltë: shkrimtarë, poetë, estetë e pëlqejnë dhe e vlerësojnë, do të thotë që ajo është një poezi “ELITARE”. Nuk është detyrë e poetit të zbres tek masa e rëndomtë, përkundrazi ata duhet të ngrihen në nivelin e poezisë të tij. Ndryshe nuk ka ecuri të letërsisë dhe të shoqërisë në përgjithësi.

Për poezinë S.Martikos janë shprehur shumë studiues dhe kolegë krijues si: Sadik Bejko,Faruk Myrtaj, Odise Goro, Pirro Loli, Novruz Abilekaj, Grigor Jovani, Vasil Vasili,Arqile gjata etj. etj. Rezultantja është pak a shumë ajo që nënvizonë Z. Boçi që poezia e Stefanit” është në arritjet e poezisë së sotme bashkëkohore që lëvrohet në botë, ku poeti është futur në brazdën e saj denjësisht.”

67 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page