Fatmir Terziu
… ka ditë që netët nisin pa orar
qepallat nënshkruajnë paq me agimet
dhe gjithë gjethtina e gjendjes bie e ngrihet
vjeshtë në një pyll të errët,
netë të pakohë në këtë kohë
mbi pemë të dalldisura të larguara nga Njeriu
natyra duket si një rrobë.
Miliona gojëza të padukshme kafshojnë
fatet në degë të përkulura
e endja e retinës shkërmoqet mes rrethimit të ajërt
për shkak të mendimeve të ngulura:
ringjallja qenka thjesht një vendim i pastër
yll i këputur nga skenat e përditësisë
ku strofka i është paracaktuar patjetër
në hapësirën e madhe të Gjithësisë.
…e mbas …mbasditja është një refren
korrekton vargjet brenda këtij pylli
mandej sytë përthithin perëndimin që s’e gjen
as në heshtje, as në strofka mendimi…
… e kështu gjithëditja shkon mes lemzave
me tezgjahët artizanal të përmendjeve në hava
duke bërë apelin e gjatë të emrave
… mes tyre … mes tyre ende je Ti Baba!
Përparim Hysi
Urata të të bëhen,or mik!
Pranvera Duli
Ah !...sa vargje te bukura zemre !