top of page

MERITA THARTORI KUÇi: Vivra, Princesha e Kaninës

Aug 12
5 min read

10 Gusht 2026,

Mbajmë në mëndje, në zemër kushedi se sa histori jete. Disa zgjedhim t’i dëshmojmë, t’i rrënjosim në zemër për nga pesha që ato mbajnë, për nga emocioni që na pështjellon, sepse këto janë histori njerëzore që përmbushin kohën, i japin vlerë dhe vazhdimësi, krijojnë modele force dhe vërtetësie.

Referuar kësaj gjendjeje udhëtuam me bashkeshortin tim Alushin dhe miq të dashur dhe të letrave Kadri Tarellin, Shpendi Topollaj, Zija Beqaj drejtë Vlorës, më saktë udhës së Kaninës, për t’u ngjitur lart në Dukatin e Vjetër, në qendrën e së cilës është e dukshme memoriali i bijve dëshmorë të luftës e të fjalës së lirë, i cili dëshmon qëndresën për liri të kësaj zone që nga 1920- 1945 dhe kohës së diktaturës. Aty qëndron edhe shtatorja e Sado Koneshës, luftëtërja e luftës së Vlorës heroike. Kushdo që e viziton këtë vend do të përjetojë jo vetëm historinë e tij, natyrën e bukur që të ofron peisazhi i gjelbër dhe flladi i detit tek ngjitesh dhe të duash të zbresësh më tej, sepse e tillë është Vlora, magji në vetvete, që rriti njerëz të mirë, trima, bujare, të mençur e mikpritës. Mikpritjen këtë radhë e bëri i zoti i sofrës, Fitim Haxhiraj me të birin Vladimirin dhe nipin e tij Eneraldin.

Për herë të parë në jetë pashë lot në sytë e këtij burri artist, të mençur, baba i dhembshur, njeri i fjalës dhe i sakrificës, dëshmues i asaj shtypjeje, diktature të egër komuniste, por i një rrugëtim jete i cili nuk e përshkoi vetëm, por me një shoqe, grua zemre, mike, mësuese, studiuese, shkrimtaren “ Mjeshtren e madhe e Penës” Vilhelme Vrana Haxhiraj.

Vivra, Princesha e Kaninës sikur e citojnë miqtë e saj të vërtetë, ato që thellësisht njohin jetën dhe veprën e saj sa njerëore, humane edhe atë të shkrimit në Studime, prozë, publicistikë, poezi, rrëfime, e larguar vetëm pak kohë më parë fizikisht nga jeta, por jo nga shpirti dhe zemra e atyre që e deshën dhe e çmuan, por që edhe ajo nuk i ndau nga zemra, nga pena dhe koha e saj e vyer, u takuan pikërisht të Hënën e 10 Gushtit, një tryezë e mbushur plot, por mbi të gjitha me nderim, me kujtime malli, me vlera njerëzore dhe intelektuale, duke e sjellë Vilin të gjallë e mbi të gjitha me misionin më të madh të jetës atë të shkrimtares, pasuria e së cilës do t’u flasë brezave.


Aty u shënuan nota dhimbjeje, por edhe vlerësimi e mirënjohjeje. Bashkëshorti i saj i nderuar, njeriu që nuk rreshti së dashuruari atë të mirën deri frymën e fundit, zgjodhi pikërisht këtë datë, ta kthente homazhin për të në kujtesë, se sa pasuri është në vetvete Dashuria. Ai dhe ne të tërë, u bëmë dëshmitarë të 65 Vjetorit të tyre të martesës, një bashkëjetesë që i ngjan një kalvari dhimbjeje, por që dëshmoi se të duash don të thotë t’ia dalësh, të punosh sikur zonja Vilhelme në 35 vite krijimtari me mbi 72 vepra, don të thotë sukses të padiskutueshëm, frymëzim, por mbi të gjitha sakrificë jete, ndërkohë të kësh mbi supe edhe fëmijët, rritjen, edukimin e tyre, t’u jepesh padiskutim me gjithë forcën e shpirtit, e të marrësh prej tyre sa mirenjohje, veç lotit e mallit, sikur bëjnë dy engjujt e saj tashme me familjet e tyre vajza Linda me familjen e saj në Itali dhe Vladimiri aty në mes të Vlorës, si trashëgimi e çmuar.

Ndamë aty e nuk na erdhi turp për buzët ndërsa na u drithëruan, apo lotët që na kaptuan,

kujtime plot të njëzetepese të pranishëm, atë të mirën, të bukurën, qëndrestaren e shpirtlirën Vilhelmen, ndërsa vite më parë, në po atë vend këmbyem foto dhe sa buzëqeshje jete.

Folën, përshëndetën e falenderuan aty të familjes miq nga Mavrova, nipërit nga Gumenica, mbesat nga Oshtima ( Ceprati i Bejlerëve), Ermeni, krushqia e fëmijëve, çifte nga Mallakastra, dajot e Vilhelmes nga Koculi, kushërinj nga Trebleva, por të tërë u ndjemë aty të çmuar si një shtëpi.

Sa bukur e mori fjalën Shpendi Topollaj duke vlerësuar zërin e Vilit si shkrimtare dhe humaniste, përshëndeti miku i hershëm i familjes Haxhiraj, Kadri Tarelli, i cili la mënjanë shkrimin detikues dhe foli me kaq ndjenjë për shkrimtaren, duke cilësuar ndër veprat e saj më të fundit si botimin Intervista “ Kush Jam Unë “ (dhënë ekskluzivisht gazetarit Gëzim Marku) si libër dëshmi apo pashaporta e Vivras për në parajsë,- theksoi prof. Tarelli.

Erdhi edhe momenti im. U ndjeva krenare t’i dhuroja atij burri të gjallë, por të rrëzuar nga zemra, detikimin e miqve të Durrësit për Princeshën e asaj tryeze Vilhelme Vranari Haxhiraj. Jo me kot korrniza që mbante ato fjalë zemre qe veshur me ngjyrë të kuqe dhe tufa e luleve vjolë, simboli i qenësisë së një shpirti që na buzëqeshte dhe përshëndeste nga lart, në udhët ku zoti i vendos të dashurit dhe të mirët e kësaj bote. Dhe po kështu buruan edhe vargjet e mia kushtuar mikes sime të paharruar me titull “ Atje në Përjetësi „!

Trokëllima e atyre „ dollive“ siç e ka zakon tryeza Vlonjatçe qenë për jetën , për modelin dhe dashurinë e çiftit Vranari - Haxhiraj, për jetëgjatësinë e familjes me krenarinë e emrit që krijoi e ngriti e zonja e kësaj shtëpie, për respektin e miqve të paharruar, mbi të gjitha për famijen, për gjuhën tonë shqipe, për dashurinë për vendin, tokën tonë, për kryeveprën njerëzore që lemë në këtë botë, emrin e mirë sikur çifti Fitim dhe Vilhelme Vrana Haxhiraj.

Më mbetën në mendje fjalët e zonjës Liri Muka, kushërirë dhe mike fëminije me Vilhelmen, ku midis të tjerash u shpreh se duke ardhur sot në këtë takim homazh, kishte zgjedhur jo pa qëllim të vishej sa më bukur, me ngjyra pranvere, të ngrohta, sepse sikur ajo tha në fjalën e saj: - Vilhelmja këtë prani meritonte, sepse ajo e donte të bukurën, gëzimin e jetës, ajo qe duarartë ndër të tjera....

Kështu na duket sikur i kthejmë ditët në ngjarje, por që në fakt t’i detikohesh figurës së mikes, shkrimtares me zë Vilhelme Vrana Haxhiraj nuk është e lehtë. Këto radhë janë impresionim i përjetimit të tyres dashuri njerëzore në jetë, por Vilhelmja është nga ato figura, personalitete publike, intelektuale të rralla, është zëri i Elitës që do frymëzojë qindra gra e breza. Jeta, dëshmitë e kalvarit të saj për t’i dhënë figurës së gruan zërin e vërtetë, vendit lirinë e një demokracie emancipuese, janë zëri i kohës sonë në të mirë të letërsisë, historisë, forcës që ka edukimi i brezave më dije dhe urtësi. Tek e fundit, ç’është jeta në vetvete?

Është një mision trashëgimie dhe dashurie dhe Vivra jonë e arriti me jetën, veprën dhe dashurinë e saj Panteonin e Përjetësisë.

E paharruar mikja ime e shenjtë!


Vlorë, 10 Gusht 2026.

3 Comments


Guest
Aug 13

Një koment i bukur dhe i vlerësuar shpirtërisht dhe letraridht

Like

Guest
Aug 13

Përshëndetje dhe urime për këtë shkrim kaq të bukur, veshur me ndjenja të holla nderimi dhe lëvrimi për jetën dhe veprën madhore të Vivras, princesha e Kaninës

Ky shkrim është një ftesë përjetimi të kësaj Zonje të rëndë në letrat shqipe.

Urime! Pena juaj dritë përjetësie për figurën që mbart vlera kombëtare.

Like

F. Terziu
Aug 13

Merita Kuçi Thartori, mirënjohje të veçantë për zemrën e madhe, për fisnikërinë dhe për atë mikpritje të rrallë që i dha edhe më shumë dritë këtij takimi përkujtimor kushtuar “Nderit të Kombit”, shkrimtares së paharruar Vilhelme Vranari Haxhiraj.

Iu gjende me dashamirësi ekipit të ardhur nga Durrësi dhe të gjithë të ftuarve të tjerë, duke dëshmuar edhe një herë se mirësia nuk është thjesht një gjest, por një vlerë që bashkon njerëzit, miqtë dhe kujtesën tonë kulturore. Në atë lokal të bukur të Petros, në Dukatin patriotik e historik, mes bukurisë së vendit dhe shpirtit mikpritës vlonjat, u krijua një atmosferë e denjë për kujtimin e një gruaje që la pas një pasuri të jashtëzakonshme letrare, njerëzore dhe kombëtare.

Një…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page