top of page

Merita Bajraktari Januzi: Për librin poetik ”Teh nate” të Hazir Mehmetit    

Aug 7
12 min read

 

Recension për librin poetik ”Teh nate” të prof. Hazir Mehmetit

Nga: Dr. Merita Bajraktari Januzi       

Si studiuese e letërsie, ndjej kënaqësi kur lexoj vepra të mira letrare dhe vepër e mirë, e arrirë, është ajo që të merr me vete, të zhytë në botën e përjetimeve, aty ku bukuria e shprehjes artistike dhe fuqia e fjalës kthehen në shenjë që të mbetet në kujtesë apo  në gjurmë kulturore që ecë nëpër kohë. E tillë është vepra poetike e prof. Hazir Mehmetit, publicistit, prozatorit dhe veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, brenda dhe jashtë vendit, në mërgim.

Përmbledhja e tij poetike vjen si një tufë lirikash (85 sosh), me motive të atdhedashurisë: mallit për vendlindjen, dhembjen për vuajtjet e luftës, gjakun e derdhur, humbjen e njerëzve të dashur, nostalgjinë për rininë dhe jetën në mërgim, që lidhen në shumicën e herave me elementet autobiografike dhe me kontekstin nacional si esencë brenda temës së madhe patriotike.

Vepra titullohet Teh nate, kjo metaforë e fuqishme që mund të interpretohet apo zbërthehet në disa dimensione kuptimore. E para, fjala “Teh” tregon mprehtësinë që pret, që hapë plagë e dhembje dhe autori në teh nate shpalosë kujtimet, përjetimet e dhembjet e veta. Në kuptimin e procesit të krijimit, tehu i natës na del edhe si metaforë e qetësisë, ku në teh nate autori i hapë shtigjet e kujtesës, çelë rrugën e vargut poetik dhe të gdhendjes së kujtimeve nëpër kohë. Siç do të thoshte Hajdeger ndërlidhur me mendimin e tij filozofik për kohën si koncept, teh nate do të ishte ajo“koha ekstazë ku subjekti del nga vetja për t`u përshtatur me kohën objektive”,  ku shpërthimi artistik e emocional ecë buron e derdhet, nga vargu në varg.

 Pra autori përjeton ekstazën poetike në teh nate dhe poezitë shpërthejnë si zjarr ndriçues për temat që në thelb kanë vlerat e larta identitare, thirrjet për ruajtjen e tyre me krenari. Në kuptim simbolik nata ka edhe kutimin e errësirës dhe jo rastësisht shumë poezi e reflektojnë kohën errët të realitetit të vendit të autorit, ku e ka mendjen dhe zemrën.

Përmbledhja poetike nis me poezinë “Të lutem” e cila është një poezi lirike me motive atdhetare, ekzistenciale dhe njerëzore. Ajo shpreh dëshirën e poetit për lirinë, përkatësinë,  dashurinë dhe njëjtësimit me vendlindjen e tij. Titulli "Të lutem" dhe përsëritja e kësaj thirrjeje në gjithë poezinë krijojnë një ton të fuqishëm emocional dhe e bëjnë lutjen boshtin kryesor të veprës:

 

” Më lejo,Të jem i lirë të prek tokën time

Ta ndiej diellin dhe fjalën e tij

Të ngopem me ajrin e freskët të bjeshkëve të mia

Të bërtas deri në kupë të qiellit

O Zot, ku je fshehur, përse fle fantazmë!

Liro tru të kalbura nga frika!

...

Me lejo, të këndoj këngën që ndjej,

Shqip erë moteve

Simfoninë e kullës sime të vrarë

Të çmallem me këngën e ndaluar

Të vrapoj arave të mia deri në majë qielli

Aty ku shqiponja ngroh zogjtë në çerdhe

Më lejo, të shkel hije e zjarre mbi kodrat e mia

Atje vrapi nuk ndalet

Kali i Sokolit vazhdon trokun e dhunuar burgjeve

Të lutem, më lejo të ulëm pranë trungut të gjyshit

Ta ndiej aromën e dheut, dhembjen e tij

Lotët t’ia numëroj.

Më lejo të lutem!

T’i  falem dheut tim!

                                                                                    ( Të lutem)

Poeti kërkon të jetojë pa frikë dhe pa shtypje, duke qenë i lidhur ngushtë me tokën, historinë dhe identitetin e tij. Poeti përdor shumë simbole për të thelluar kuptimin, si: Toka – atdheu dhe identiteti; Dielli – shpresa, jeta dhe e vërteta; Shqiponja – kombi shqiptar, krenaria dhe liria, mandej metaforat:

Kulla e vrarë  që nënkuptorn historinë e dhimbshme, luftërat dhe humbjet, Trungu i gjyshit – tradita, rrënjët dhe trashëgimia familjare.

Guri i Thatë – që ndërlidhet me urtitë gojore/ popullore si” I zoti jeton në gur të thatë” por edhe me elementin  simbolik të qëndresës, apo metaforat tjera: – "zemra ime e gjysmuar", "tru të kalbura nga frika", "kënga e ndaluar" dhe figurat tjera: Personifikimi – "era të valëzon", "fjalën që thyen zemra", "shqiponja ngroh zogjtë"; thirrja apostrofike – "O Zot, ku je fshehur?", hiperbola – "Të bërtas deri në kupë të qiellit", etj që i japim shije estetike dhe fuqi kuptimore vargjeve.


Nëse do t`i grupojmë poezitë, sipas dominimit të temave, do të mund t`i ndanim ato në grupe temtike, si:

Poezitë me motiv atdhedashurie  që shprehin dashurinë, mallin për vendlindjen, besnikërinë dhe përkushtimin ndaj atdheut, si vlerën më e lartë e më sublime, për të cilën sakrifikohet gjithçka, si gjaku i derdhur  që paraqitet si çmimi i lirisë dhe si kujtesë e përhershme për brezat e ardhshëm. ( Poezitë:. Atdheu, Për ty, Eci, Natës, Trungu, Teh nate, Erës, Shtëpi e braktisur, Nuk dua, Bac, Kur, Qyteti im, Kalldremi, Trumcaku im, Natës, Sfida, Po shkoj, Zabeli i Delisë, Ah dhembje).

P. sh. poezia “Qyteti im” është një shprehje e fuqishme e kujtesës, mallit dhe lidhjes shpirtërore me vendlindjen. Qyteti nuk paraqitet vetëm si një hapësirë fizike, por si një pjesë e brendshme e qenies së poetit: “Brenda meje heshtë qyteti im” tregon se ai jeton si kujtim dhe ndjenjë e pashlyeshme. Kalldrëmet e vjetra, rrugicat dhe muret e kështjellës marrin vlerë simbolike, duke përfaqësuar historinë, rrënjët dhe kohën e kaluar

 

”Brenda meje heshtë qyteti im

Kalldrëme të vjetër zemërgurë

 

Buzëqarë mbete, plaku im i vjetër

Rrugëtim malli e dashuri gdhendur memece

 

Tani kur shpresat shpërlajnë krahët

Ti je aty dashuria ime, fshehur rrugicave

 

Pika shiu simfoni maji në petale shqerre Emër i pa harrur kujtim që vjen për mot ...”

Në aspektin estetik, poezia ndërtohet mbi imazhe nostalgjike: shiu, petalet, pëllumbat dhe engjëlli, të cilat krijojnë një atmosferë ëndërrimtare ku natyra bashkohet me kujtesën njerëzore. Vargu “Emër i paharruar, kujtim që vjen për mot” shpreh idenë e përjetësisë së vendit të dashur, ndërsa takimi me murin e kështjellës simbolizon rikthimin te rrënjët dhe te identiteti.

Nga poezie në poezi, kemi mesazhe të bukura poetike që lidhen varg në zinxhirin e gjatë të kujtesës e mbijetesës historike e kulturore. P.sh. Poezia “Zabeli i Delisë” vjen si një elegji epike për jetën, sakrificën dhe kujtesën e një njeriu të lidhur me tokën, familjen dhe atdheun. Figura e Deli Kurtit paraqitet si simbol i brezit të vjetër që ka mbajtur mbi supe dhimbjet, varfërinë dhe luftën për ruajtjen e identitetit. Zabeli, bungu, eshka dhe gurxixa marrin vlerë simbolike: ato janë shenja të rrënjëve, të qëndresës dhe të kujtesës së një bote që don mbijetesë. Përmes figurës së plakut, autori shpreh dramën e njeriut që ka dhënë gjithçka për jetën, fshatin dhe tokën e tij, por mbetet vetëm me kujtimet dhe mungesën e trashëgimisë familjare.

 

“Delli e zuri  plakun nën hijen e bungut

Pëllumbat fluturim zbriten nga ëndrra

Delia hapi sytë e i tha veti:

Edhe një herë, sytë e lodhur mes rrudhave

Zemra  rrahu  miliona herë, njëqind vite

Aroma e barit të njomë në freski

Ulur si dikur në mriz me delet e tij

Eshkën nxori nga xhamadani

Arnat folën me radhë:

I pari nga thesi i elbit në mulli

I dyti nga këmisha e gjyshes së tij

I treti erë xhubletë Sokolit

I fundit nga xhepi i shqyer i të atit

Arna, arna, bota ishte ndërtuar

Nuk dihej numri, aq sa yjtë e qiellit,

Aq sa në magje thërrmijat e miellitAq  sa dëshirat e vdekura pa emër

Aq sa kokrra arra kishin pikur degëve

- Deli, he Deli djali!”

…

Harxhova çdo gjë, ia fala të gjitha jetës

Fshatit tim, arave dhe maleve

Drita e syve u shter,  pritje për fëmijë

Pa trashëgimtarë njeriu vërtetë vdes

Bardha iku herët mëngjesin me vesë

Thanë se do ta takoj sërish, ndoshta në botën tjetër”

Në thelb, poezia është një përballje mes dhimbjes së humbjes dhe shpresës së rilindjes. Humbja e djalit, ikja e Bardhës dhe vetmia e Delisë simbolizojnë plagët e një populli. Zabeli i Delisë shndërrohet nga një vend kujtimi në simbol të identitetit kombëtar at sepse sakrificat e brezave nuk humbin; ato mbeten themel i lirisë, gjuhës dhe kujtesës kolektive.  Kuptohet që poezi në këtë rrafsh tematik e estetik, ka mjaft, por u ndalem vetëm te disa.

Poezitë përkujtuese në dy linja. E para, për vajzën e vdekur që shprehin pikëllimin, humbjen dhe dhimbjen e thellë për një jetë të ndërprerë në rini. Poezitë gjakojnë dhembje nga plaga e hapur që s`mbyllet, po edhe krenari për vlerat dhe arritjet që i kishte vajza e poetit, bija e Kosovës, të cilës edhe ia dedikon librin poetik që në hyrje “Vajzës sime, Dr. Vlora Mehmeti- Tërshani”-Autori   Në këtë linjë hyjnë poezitë: Sonte të fala, Loti që flet, Sonte, Tërë ditën aty, Sot te ti Vlora,

Vdekja është një nga motivet dhe temat më të rëndësishme në letërsi. Në teorinë letrare ajo nuk shihet vetëm si fundi biologjik i jetës, por si një koncept estetik, filozofik dhe simbolik, përmes të cilit autorët trajtojnë humbjen, kujtesën, dashurinë, kohën dhe kuptimin e ekzistencës. Filozofë e teoricienë të shqyar e kanë zbërthyer atë, sidomos Sigmud Freud, Martin Heidegger, Roland Barthes, Maurice Blanchot, Northrop Frye, Philippe Aries, Julia Kristeva, etj. Të cilët e trajtojnë motivin e vdekjes, mallit për të vdekurin dhe dialogut lirik si përjetim estetik.

Brenda kësaj kornize përjetimi emocional dhe estetik janë vargjet e ndjera që nuk ka si mos të përçohen te çdo lexues:

”Nuk mundem

Jo, jo, fjala nuk del

Fjala u be lot e loti jetë

Det mbi det,  loti që flet

 

Vlora ime, ti vjen ashtu si ishe

M’i fshin lotët

Nuk doje të qanim,

Na doje vetëm të qeshur

Ashtu siç ishe vetë”

E brenda dhembjes e lotit, poezia pason me vargje krenarie për vajzën-studiuese e dalluar që edhe i japin forcë e ngushëllim, por dhe motiv për t`i skalitur kujtimet e mira e madhështore deri në përjetësi:

“Në Sallën Solemne shpërthyen sythet

Doktor Vlora Mehmeti- Tërshani përshëndetë

Besmirin në krah me Gradë Akademie

Ne të lumtur, në gaz e krenari

 

Sot kthehem aty, të takoj përsëri

Para me del buzëqeshja jote

Shkëlqim nuri arbëror epokash

Tani shndrit mbi ne meteor n ‘përjetësi”

Po kaq e realizuar dhe me fjalë zemre e shpirti janë edhe vargjet e pozisë tjetër,  Sonte të fala, të cilën po e nxjerri të plotë:

“Sonte ta fala gjumin

T’i fala ëndrrat më të bukura

Se ti m’i rilinde me lindjen tënde

T’i fala fjalët e unë pa to sonte

T’i fala sytë e unë i verbër pa ty

T’i fala krahë e duart me të cilët të barta ty

Ishe e lehtë mbi krahët e prindit, krejt e lehtë

Ti nuk doje të mbillje dhembje, as vaj

I mbaje vetëm për vete deri në jetësim

Ti doje të shkoje e qetë drejt qiellit

Me krah engjëlli të flakëruar, dashuri

E mbuluar me lavdi, flamur shqiptar

Aq shumë fluturove, shqiponjë

Përtej Paqësorit me epruvetë në sy

Me dashurinë e kreshtave të Drenisë

Me zë shqiptare nga Kosova, imazh shkence

Aty ku emri rifreskoi tetëdhjetë festa Flamuri

Dr. Vlora përshëndeti në shqip

Salla solemne, gjëmim deti

Auditorëve shkencore drejt kohës

Jeta jote tridhjetë e pesë lule

Me vulën e lashtë, Iliri

Betim në ashtin e vjetër, lindjen e re shqiptare”.

 

Anafora si figurë e përsëritjes, seç krijon tingëllimë e i jep muzikalitet kësaj elegjie, seç e bën madhështore vdekjen e një bije të shkëlqyeshme, shqiptare, që la gjurmë në komunitetin e shkencës ndërkombëtare, prandaj poeti-baba, i cili promovon kulturën shqiptare në mërgim, me krenari e thotë: “ Jeta jote tridhjetë e pesë lule/Me vulën e lashtë, Iliri/Betim në ashtin e vjetër, lindjen e re shqiptare”. Ngjashëm vijnë edhe poezitë tjera emblematike për Vlorën e dashur.

Linja e dytë e poezive përkushtuese, lidhet me vargjet dedikuar personaliteteve të respektuara kombëtare dhe ndërkombëtare, si poezitë: Një rreze që nuk shuhet (Ymer Elshanit),  Bac,  Fjalë zemre  (Peter Paul Wiplingerit),  Mikes (Susanne K.), Mësuesit (Ibrahim Kabashit), Ti nuk ike ve (Dr, Safet Idrizit),  I ri je miku im (Kamil Weiner), Po vjen dielli (At Antonio Belluscit), Fjalë guri (Destan Gashit), përmes të cilave autori thur fjalë lavdi e mirënjohje për poetë, mësues, mjekë, dëshmorë e veprimtarë që kontribuan në çështjen shqiptare, në dimensione të ndryshme, me penë e armë, si simbole shenjuese për dijen dhe rezistencën që kanë ecul krah njëra tjetrës në rrugën e gjatë të lirisë së  Kosovës, lirisë së shqiptarëve.

Krahas lavdisë së bijve të popullit, autori ngre lartë lobin ndërkombëtar, aleancën e kauzës shqiptare si vlerë e drejtësie njerëzore universale, prandaj shih vargjet për poetin, publicistin, shkrimtarin e artistin austriak:

”Wiplinger  foli kur heshtej

E hienat dëfreheshin në avullin e gjakut të njomë

Dje e sot

Kështu është lindja e tij

Qetësi në fuqi oqeani

Kundër dhunës e padrejtësisë dhePushtetarit mbi ngrehina vuajtjesh”

Vargjet ndërtojnë një portret të intelektualit që ka guximin të flasë kur të tjerët heshtin. Shprehja “Wiplinger foli kur heshtej” ka një ngarkesë të fuqishme simbolike: ajo e paraqet fjalën e poetit si një akt moral dhe një qëndresë ndaj frikës, indiferencës dhe padrejtësisë. Heshtja këtu nuk është vetëm mungesë zëri, por një gjendje shoqërore ku e keqja përpiqet të mbizotërojë. Në këtë atmosferë, fjala e intelektualit shndërrohet në armë të ndërgjegjes.

Figura metaforike “hienat dëfreheshin në avullin e gjakut të njomë” krijon një kontrast të fortë estetik midis viktimës dhe dhunuesit. Hienat simbolizojnë forcat grabitqare, cinike dhe çnjerëzore që ushqehen me vuajtjen e të pafuqishmëve, ndërsa “gjaku i njomë” tregon tragjedinë, dhimbjen dhe sakrificën njerëzore. Përballë kësaj bote të errët, Wiplingeri shfaqet si zëri i humanizmit, si një figurë që nuk pranon të bëhet pjesë e heshtjes kolektive.

Vargjet “Qetësi në fuqi oqeani / Kundër dhunës e padrejtësisë” mbartin një simbolikë të veçantë. Qetësia nuk paraqitet si dobësi, por si forcë e brendshme, e krahasueshme me fuqinë e oqeanit. Autori krijon një figurë të intelektualit që nuk lufton me dhunë, por me fuqinë e fjalës, të artit dhe të së vërtetës. Kjo e ngrit figurën e poetit në një nivel etik: ai bëhet mbrojtës i dinjitetit njerëzor dhe kundërshtar i çdo pushteti që ndërtohet mbi vuajtjen.

 

Edhe vargjet kushtuar Kamil Weinerit shprehin të njëjtën ide të solidaritetit ndërkombëtar.

 

“Tani gjethet shkundën, mbetet jeta

Sythet mbajnë aromë fjale atdhetar

Këtu në Sllovakinë e rrugë kryqëzimeve

Që Ti u dhe kuptim shqiptar”

Metafora “Tani gjethet shkundën, mbetet jeta” sugjeron kalimin e kohës dhe zhdukjen e gjërave të përkohshme, ndërsa ajo që mbetet është vlera e veprës njerëzore. Gjethet mund të interpretohen si simbol i stinëve historike, i ndryshimeve dhe i harresës, por jeta që mbetet është kujtesa, fjala dhe veprimi i atyre që kanë mbrojtur të drejtën.

Shprehja “Sythet mbajnë aromë fjale atdhetar” sjell një imazh të bukur poetik të ripërtëritjes. Sythet simbolizojnë të ardhmen, vazhdimësinë dhe lindjen e shpresës. Fjala e Weinerit, e lidhur me dashurinë për të drejtën dhe për popullin shqiptar, nuk humbet; ajo mbetet si një aromë që përhapet në kohë. Kështu, autori e paraqet kujtesën e miqve të kauzës shqiptare si një trashëgimi shpirtërore.

Vargu “Që Ti u dhe kuptim shqiptar” është kulmi i këtij vlerësimi, sepse tregon se mbështetja e intelektualëve të huaj nuk ishte thjesht një akt politik, por një përpjekje për t’i dhënë kuptim një vlere njerëzore. Kështu autori ndërton një vizion humanist, ku poeti dhe intelektuali marrin rolin e dëshmitarit moral të kohës. Ata nuk janë vetëm krijues të artit, por mbrojtës të së vërtetës dhe zëra të ndërgjegjes universale.

Tutje figura e At Bellusci-t vjen si symbol i urtësisë, shpresës dhe lidhjes shpirtërore me fatin shqiptar. Titulli “Po vjen dielli” mbart një simbolikë të fuqishme: dielli shënon dritën, rilindjen dhe kapërcimin e errësirave historike. Përmes vargjeve “Ati i Kombit / Ati i halleve të Mëmëdheut”, ai nuk paraqitet vetëm si figurë fetare, por si një udhërrëfyes shpirtëror dhe mbrojtës i kujtesës kombëtare. Epiteti “ZëUrtësi ynë” e shndërron atë në një zë të ndërgjegjes, një njeri që ruan dhe përcjell dhimbjet, shpresat dhe historinë e një populli.

”-Po ku ndihet një zë, ore!

-Nga dheu vjen zotëri, nga dheu

Flet ZëUrtësi ynë, Ati i Kombit

Ati i halleve të Mëmëdheut, dhembjeve të tij

 

Ati i rrezeve lirie e shprese New York e Prishtinë

Ati Ynë, shkëmb Pollini, porosi në marshim

 

Po, po, Ati  i plagëve të lashta

I lotëve, i shpresës mbrëmjeve, kur dielli shkon

I pritjes,  kur dielli vjen

Dashuri  nusërie,  duvak  në përtëritje

Fjalë në vrasjen e vdekjes

Shtizë Akilit betejave në Iliri

 

Shi lotësh,

Po, po janë mall dheu e mall gjaku

Mall motre,  mall nëne ngjyrë ylber

Në  vegjën e Penolopës në pritje të Odiseut

Është buka jonë e njomur përtej detit

Dashuri toke, vegim ynë, shpirt poeti

 

 

O, At Zë shprese  në agim

Lindje të reja n’ udhëtim

 

ZëUrtësi yë në porosi:

-Kur jemi bashkë Gjergji kthehet përsëri!

 

Eu, e bukura More

Ti nuk vdes

Jo!

Na ke ne.”

Metafora “nga dheu vjen” e lidh figurën e tij me rrënjët e tokës dhe me kujtesën e lashtë shqiptare. Ai del nga dheu si zëri i brezave, si bartës i një trashëgimie që nuk shuhet. Ndërkohë, vargjet “Ati i rrezeve lirie e shprese New York e Prishtinë” zgjerojnë hapësirën e tij nga vendi i origjinës drejt diasporës dhe botës shqiptare, duke simbolizuar bashkimin shpirtëror të shqiptarëve kudo që ndodhen.

Në pjesën “Ati i plagëve të lashta / I lotëve, i shpresës”, autori ndërthur dhimbjen historike me besimin për të ardhmen. Lotët dhe plagët janë kujtesë e vuajtjeve, ndërsa ardhja e diellit është shenjë e ringjalljes. Dashuria për atdheun shfaqet përmes figurave të fuqishme si “buka jonë e njomur përtej detit”, ku buka simbolizon jetën, sakrificën dhe lidhjen e pandashme me tokën mëmë.

Referencat mitologjike, si “vegja e Penelopës”, “Shtizë Akilit” dhe histrike “Kur jemi bashkë Gjergji kthehet përsëri!”  japin poezisë një dimension epik. Penelopa simbolizon pritjen dhe besnikërinë, Akili forcën dhe luftën heroike, ndërkaq Gjergj (Kastrioti) sjell figurën e unitetit dhe të rezistencës kombëtare. Përmes tyre, autori e vendos përvojën shqiptare në një univers më të gjerë kulturor, ku vuajtja dhe qëndresa bëhen pjesë e historisë njerëzore.

Eh sa bukur thirrja “Eu, e bukura More / Ti nuk vdes / Jo! / Na ke ne” shpreh dashurinë për trevat shqiptare, të humbura historikisht dhe sigurinë se kujtesa kombëtare nuk shuhet!

Përfundim

Poezi pas poezie, nga ajo që u tha më lart, vepra ka vargje të bukura që lidhen me qenien si individ dhe qenien shqiptare si komb, jetën e vdekjen, familjen, vendlindjen, rininë, miqtë, veprimtarët, rolin e mësuesit në vitet e hershme të punës së autorit, po edhe si mësues në mërgim. Thjesht puna e shenjtë e misionare që ka lënë gjurmë ndër breza, njësoj lë gjurmë ndër vargje (shih poezitë: Para nxënësve, E takoj”).  Nën petkun e pedagogut e mësuesit, poeti artikulon edhe vargje në formë këshille, si poezia “Këshilla e kohës”, Kur”, etj, por edhe vargje të shumta që lidhen me mallin e mërgimtarit.  Si veprimtar i lidhur ngushtë me qarqe kulturore e atdhedashëse në Perëndim, poeti njeh dhe përdor në vargjet e veta referenca të shumta kulturore, historike, mitologjike (Prometheu, Zeus, Poseidoni, Odiseu, Itaka, Penelopa, Otello, Servantes, Fishta, Ademi) dhe vargjet marrin konotacion intertekstual (koncept i njohur në letërsi nga studiuesja Juliana Kristeva), përmes të cilit autori shpërfaqë idetë e tij letrare, tek vargjet flasin me tekste tjera dhe përçojnë mesazhe.

Tani po e lë këtu analizën e interpretimin, për t`i dhënë udhë leximit dhe interpertimit nga lexues e studiues në vazhdim sepse ka ende vargje që prekin dimensione e elemente tjera domethënëse dhe meritojnë vëmendje.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page