Mentor Serjani: Një nisje e ndritshme letrare.
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jun 30
- 4 min read
Updated: Jul 4

Një nisje e ndritshme letrare.
Nga Mentor Serjani
Lirizmi emocional dhe figurativ në vëllimin Mëngjeset e tua të Agron Memës. Vëllimi poetik “Mëngjeset e tua” i Agron Memës vjen si një rrëfim i thellë dhe personal i dashurisë, i përjetuar jo vetëm si emocion, por edhe si reflektim shpirtëror dhe përvojë estetike. Në poezitë e përzgjedhura, poeti ndërton një botë të veçantë ku dashuria nuk është asnjëherë lineare – ajo është çuditërisht e bukur, shpeshherë e pakuptueshme, e dhimbshme, por gjithmonë e vërtetë. Poezitë e këtij vëllimi të parë vijnë si dritare në shpirtin dhe ndjeshmërinë moderne Vëllimi poetik “Mëngjeset e tua” nga Agron Mema është një zë i ri, por me një jehonë të lashtë ndjenjash, që depërton në atmosferën shpirtërore të lexuesit. Poeti vjen me një lirizëm të veçantë ku e bukura dhe e thjeshta ndërthuren dhe fltrohen artistikisht Ashtu siç thekson edhe Fatmir Minguli në parathënien e librit se: Mema nuk e fsheh shpirtin, por e shpalos atë në mënyrë delikate, herë në forma të plota, herë në ndriçime të shkurtëra lakonike që mbajnë brenda universin e një ndjenje të madhe. Përdorimi i figurave si metafora, krahasimi, personifikimi është i pranishëm në shumë poezi: që pasurojnë tekstin, duke e bërë atë më të ngarkuar emocionalisht dhe vizualisht. Poeti, siç thekson Minguli, vjen nga Saranda dhe ka përvojë si gazetar. Kjo ndjeshmëri ndaj jetës së përditshme, por edhe ndjeshmëria e qytetit jugor Sarandës me detin, dritën, vajzat, natyrën – janë të pranishme në shumë poezi. Le të analizojmë tani disa poezi më hollësisht ,si më të bukurat në përzgjedhjen time -Në poezinë “E çuditshme je?!”, Mema paraqet një ndjenjë dashurie që sfidon çdo përkufizim racional. Me vargje që shprehin habi dhe përplasje emocionale, ai shpalos një dashuri të çrregullt e të paparashikueshme Figuracioni poetik është i pasur dhe domethënës: metaforat si : “shpirti i femrës është si ditët në prill” japin një ndjesi të ndryshimit të papritur emocional dhe forcës së padukshme të ndjenjës. -Në poezinë “Vështrimi ynë…”, dashuria merr përmasat e një përjetimi sensual, ku një vështrim shndërrohet në qendër të botës së ndjenjave. Poeti përdor elemente natyrore si simbolika të ndjenjës: diellin, klorofilin e ullirit dhe petalet e trëndafilit krijojnë një harmoni mes shpirtit dhe natyrës. Vargjet janë të buta, përplot ndjeshmëri dhe sharm erotik, ndërsa metaforat e thjeshta, por të ngarkuara emocionalisht, i japin poezisë një fizikalitet të natyrshëm dhe delikatesë.

-Një atmosferë tjetër përçon poezia “Ky mëngjes sot”, ku shfaqet trishtimi dhe melankolia e një mëngjesi të ftohtë shpirtëror. Përmes krahasimeve të dendura si :“si një sy i mbushur tejpërtej me lot” apo “si një mot që bubullinë e vetëtinë”, mëngjesi shndërrohet në metaforën e brengës së brendshme. Megjithatë, kontrasti mes luleve që ende çelin dhe motit të keq,lë hapësirë për shpresë dhe mbijetesë të ndjenjës, përtej trishtimit. -Në poezinë “S’kërkoj asgjë”, poeti e ngre të dashurën në lartësi hyjnore. Ajo është Penelopa bashkëkohore, simbol i bukurisë dhe ndjeshmërisë. Me një gjuhë biblike dhe përmasa mitologjike (“Zoti tek ty punoi me nge… të ngjiti në shtatë qiejt mbi re”), figura e gruas shndërrohet në një përfaqësuese të bukurisë së kulluar dhe paqes. Por njëkohësisht, në fund, Mema vendos një kufi të qartë mes dashurisë së shenjtë dhe torturës emocionale, duke përdorur antitezën mes “ullirit” dhe “Çezarit” për të paralajmëruar përmasat e errëta të ndjenjës kur nuk është e balancuar. -Në “Kur ti shkon”, shfaqet ideja e pranisë së dashurisë si një fuqi transformuese e realitetit. Vështrimi i gruas, hapat e saj, parfumi dhe ndikimi mbi natyrën përreth janë të ngarkuara me sensualitet e adhurim. Figura poetike si personifikimi (“pemët përkulen… flladitet flladi”) dhe metafora (“aromë parfumi e ylber drite”) theksojnë ndjeshmërinë e tejskajshme dhe përjetimin e thellë të bukurisë femërore. -Ndërsa poezia, “Mëngjeset e tua”, përmban një ton më të qetë, melankolik dhe të pjekur. Ajo është një reflektim mbi një dashuri të shkuar, që ka lënë gjurmë të thella. Përkundër faktit që e dashura tani ndodhet “në krahë të një tjetri”, poeti e ruan vlerësimin për të. Ai e përmbyll ndjenjën si një dashuri e kthyer në kujtim, në një gjurmë të paharruar, por të pranueshme. Në të gjitha këto poezi, figurat letrare janë thelbësore për ndërtimin e atmosferës dhe përçimin e emocioneve. Metaforat, antitezat,personifikimet, krahasimet dhe simbolet janë të përdorura me kujdes dhe elegancë, pa e mbingarkuar poezinë. Ato japin ngjyrë dhe ndriçim ndjenjës, duke e shndërruar përvojën personale të autorit në një përvojë universale për lexuesin. Agron Mema sjell një zë të ndjeshëm, të sinqertë dhe origjinal. Poezia e tij është një bashkëbisedim intim me dashurinë, ku çdo mëngjes, çdo shikim, çdo kujtim shndërrohet në poezi. Vëllimi “Mëngjeset e tua” është një vëllim që nuk kërkon të bërtasë për të tërhequr vëmendje; është një libër që të flet në heshtje, si një mëngjes i butë pas një nate të trazuar. Ai është një reflektim i një shpirti që di të vuajë, të dashurojë, të falë dhe të kuptojë – cilësi këto që mungojnë gjithnjë e më shumë në poezinë bashkëkohore. Agron Mema vjen si një frymë e pastër jugore, me një zë të vetin, që premton të bëhet më i fortë dhe më i pranishëm në letërsinë shqipe. Ai nuk kërkon të bëjë zhurmë, por të thotë të vërtetën e zemrës. Këto vjersha përfaqësojnë një lirizëm të sinqertë, ku dashuria nuk është e zbukuruar, por e përjetuar. Agron Mema përdor një gjuhë të ngrohtë, metafora të natyrshme dhe një ndjeshmëri të hollë për të krijuar poezi që flasin direkt me lexuesin. Dashuria në këto poezi është një mister i përjetshëm, herë i bukur, herë i dhimbshëm – por gjithmonë i vërtetë. Urime për këtë nisje të ndritshme letrare dhe urime mëngjeseve që vijnë nga pena e tij!









Comments