top of page

Mendimi filozofik i Fatmir Terziut, kap krenajën dhe thellësia e mendimit ka ngjashmërinë e sondës


SOTIR ATHANASI

NGA SOTIR ATHANASI


Refleksion mbi librin: “TURMA LETRARE “CLIQUE” të FATMIR TERZIU


Hyrje:


Është libri më i fundit i dalë nga pena shumë produktive me firmën: Dr. FATMIR TERZIU. Aty janë përmbledhur studime, mendime analiza dhe jo vetëm, të cilat hedhin dritë “përtej kurtheve e blogjeve për shkrimtarët. . . , veçanërisht përtej komenteve në borde. Nuk kanë të bëjnë as me aktvendimet e tyre e aq më pak me krijuesit që kërkojnë të jenë drejt për drejt në prodhimin letrar”, - siç arsyeton me shumë kopetencë, kamje gjuhësore e thellësi mendimi, autori.

Terziu e sheh të domosdoshëm dhe me shumë të drejtë që t’a hapi librin me shpjegimin e termit: “CLIQUE”. Mbi këtë dhe ndonjë problem pranë tij, është baza e këtij refleksioni. Sepse, nuk mëtoj të zotëroj forcën e duhur për shqyrtimin, zbërthim e aq më pak, bisturinë e autopsisë së kësaj lënde dhe këtyre shënimeve në një stekë tejet të ngritur akademike. Për më tepër, jashtë fushës sime krijuese. Por hovëzim që më dha libri pasi e lexova, më bëri të ulem e të hedh këto rradhë, që janë më pranë një opinioni, se sa një analize.


Shpjegimi i termit


Në fjalorin shqip me (KLIKË) “CLIQUE” nënkuptojmë një grup të vogël njerëzish që bashkohen nga ambicie, interesa, qëllime të ndryshme e që zhvillojnë një veprimtari të detajuar: dhe shembujt janë tejet në ekstrem si: Klikë tradhtarësh ( renegatësh), Klikë ushtarake, Klikë imperialistë, Klikë revizioniste, etj. (nga retushimi i fjalës në monizëm).

Por në këtë libër, nuk është fjala për këtë përkufizim kaq cinik, përbuzës e tërësisht antihuman. Karakterizime këto të monizmit, jo. Jo dhe jo. Fjala është për një tjetër gjë. Aspak të keqe. Përkundrazi. Të mirë dhe konkretisht. Për atë që: domosdoshmërisht një grup njerëzish mbëlidhen në një ambient, qoftë edhe kafe, për të këmbyer mendime qëllim'mira, edhe pse kjo tufë njerëzish, mund të quhet “KLIKË”, por, që mbart një tjetër mëndësi e një tjetër kuptim.

Tek lexon hollësi në këtë shpjegim, s’mund të anashkalosh finesën dhe mprehtësinë në qëmtimin e rasteve pozitive si shëmbulli i “Coleridge, kur shkoi në Stouey dhe gjeti një vlerësim të paçmuar në shoqërinë e lagjes dhe një nderim të barabartë me atë që ishte konsideruar një poet, filozof, apo një burrë nga fusha e artit krijues.

Nga ana tjetër, autori nënvizon se: edhe se “këto “Clique” letrare me snobizmin e tyre, me dredhi të errëta dhe inçestin (vetë-urim) tentojnë të bëjnë asgjë, por edhe të hedhin baltë mbi gurrat e kënaqësisë letrare (Arch Clique ), ose “Shigjetë Clique”).

Më kujtohet në rininë time të hershme ne, një grup letrarësh, grumbulloheshim në Pallatin e Kulturës “A. Kelmendi”, në Tiranë. Aty “rrihnim” temat e tregimeve tona me njëri-tjetrin. Unë punoja në shtypshkronjë dhe në repartin e XINGOGRAFISË, ca gurë të bardhë pak më të vegjël se ato të bilardos, përplaseshin me njëri tjetrin në funksion të figurës në xingografi. Ata gurë ishin njësoj të lëmuar, se një lloj i bënte karamboli. Duke u nisur nga ky fakt e kjo ngjashmëri, atë shoqëri unë e kam quajtur: XINGOGRAFIA. Dhe çdo krijim, edhe pse kishte unin e autorit, ai sërish do të merrte “vulën” e grupit. Pra të XINGOGRAFISË.

Dhe ne nuk e njihnim aspak Chestertonin me të cilin argumenton kaq natyrshëm autori i këtij studimi, kur thotë:

“Bukuria që ata shohin ( Është fjala për poetin i cili është i admiruar nga poetët, duhet të jetë më i madhi i poetëve ), në punën e tij, është pjesërisht edhe puna e tyre, po aq sa edhe puna e tij”. Këtu ne ishim aty, aty, se na karakterizonte syçeltërsia. Shtojmë këtu vëmëndjen dhe kujdesin tonë në atë të quajtur, apo të nënkuptuarën: auto-çensurë. Për shembëll:

Në gazetën e vetme letrare “Drita”, u botua një shkrim i tillë ku nënvizohej se në Peru, kryetari i shtetit për të gjallëruar jetën kulturore, njoftoi për një konkurs letrar. Ditën e shpalljes së fituesve, në një sallë të mbyllur, lexoi emrin e atij që kishte merituar çmimin e parë. Më kot priti ca sekonda se pastaj u ngrit dikush dhe tha: autori është në burg. Pushtetari vari turinjtë dhe lexoi emrin e çmimit të dytë. Sërisht ngrihet dikush dhe thotë të njëjtën gjë. Kryepushtetari sërish rrudhi surratin. Në çmimin e tretë, në vënd të shkrimtarit fitues, doli e ëma të marri çmimin se. . . ., i biri kishte vdekur në burg.

Ne të XINGOGRAFISË, qeshnim nënbuzë me këtë autogol të redaksisë që kërkonte të na mbushte mëndjen se forcat përparimtare ishin të burgosura dhe harronin se, ata forca, botonin megjithatë. E madje, merrnin edhe Çmime. Kurse, autorit të këtij shkrimi i qe hequr e drejta e botimit për një hiç kleçke në xhinsin e tij.

Ky mund të qe edhe provokim. Por ne ama (të “mbrujtur me mësimet e. . ., të Paudhit) s’linim të kalonte asgjë që . . . , Dr. Terziu e përmënd në esetë e tij, i cili gjithsesi, përfundon me një përkufizim të shkrimtares franceze Jane Yolen, kur thotë se: “Letërsia është një sëmundje që transmetohet tekstualisht, por që është e kontraktuar që në fëmijëri”.

Atëherë, a ka ndonjë shpresë të shërohet letërsia jonë e “kontraktuar që në fëmijëri”? e të infektuar nga mjaft gjëra, dhe së shumti: të shkruarit drejt Çmëndisë? “Të shkuarit drejt çmëndurinë, është rruga më e ngadaltë dhe më gallofe e punës së letrave, ose më saktë e shkrimit të letërsisë”,- nënvizon autori studimit.


Mbi didaktin dhe didaktikën


Dr. J. Miruss pranon se “sa më shpejt një shkrimtar bëhet i moralizuar (didaktik) aq më shpejt ai dështon”. Dhe Dr. Terziu, me gojën e këtij autori na ngushëllon se ka edhe përjashtime. Dhe përmend Dikensin, i cili njihet për tmerrin e tij didaktik në kohë. Po kështu, romancierë të mëdhenj rusë, kanë ndërtuar personazhë didaktike, vlera e të cilëve ishte të përfaqësonin mendimin që mbart ide e ideologji.

Megjithatë, risia të lulëzojë romani mban një kënd, një skedim, një arsye. Por jo gjithnjë, morali dhe stimuli i moralizuar është letërsi. Miruss, me këtë rast, nënvizon: “Nëse ju nuk mund të zotëroni talentin në “fiction” (trillim) {unë e kam ndryshuar duke përdorur fjalën: Paramnezi = Përzierja e REALITETIT me trillin artistik, si më të saktin, S.A. } pa qënë didaktikë, ju kurrë nuk do të zotëroni formën artizanale të “fictionit”. Gjë që nënkupton se letrat dhe letëkrijuesit janë gjithnjë angazhimi i një ideje jashtë gamës së dogmave dhe shabllonizmave. Ndaj studiuesi Terziu, përfundon me një thënie-përkufizim brilant e dridhërues: “Njeriu frymëmarrës dhe krijuesi i letrave, kanë rrugë të ndryshme në një trup fizik. Jashtë moralit dhe didaktik për të. Në këtë mënyrë, krijuesi është i lirshëm. Nuk ndikohet. Shkurt bën Art. Artin e fjalës së bukur.”

Një tjetër problem shtron shkrimtari novelist amerikan kur thotë se: Ky brez nuk mund të prodhojë literaturë të barabartë me atë të çdo brezi të kaluar. Shkrimtari do të jetë i vdekur para se dikush t’a gjykojë atë. I një natyre të ngjajshme e shqetëson Dr.Terziun kur i duhet të shprehet se: “Romani ngrihet në nivelin e letërsisë kur ajo mori si një kompleks hapësirash kombinon: bukurinë formale, mjeshtërinë teknike dhe thellësinë e perceptimit në të treguar një histori të mirë”. Dhe ne pranojmë se është afër mendsh që do të nënvizohet me patjetër. Çfarë? Trinomi filozofik: kohë, hapësirë dhe vend.


“Clique” letrare dhe imitimi


Në të gjitha, kohërat ka qënë problem për shkrimtarët e rinj edhe imitimi i autorëve të mëdhenj. Cilëtdo qofshin ata dhe sado të mëdhenj. Fantazia e tjetrit, është në të njëjtën kohë edhe identiteti I tjetrit. Të mos harrojmë se . . . “Ajo pra, letërsia e identitetit kulturor , automatikisht ngre një roman me statusin e saj që ne e quajmë letërsi”.

Me këtë rast, ndonëse dalim cazë nga libri, i lejoj vetes të krahasoj kohërat, ose epokat. Molieri në kohën e vet shkroi për. . . “Borgjezi Fisnik”.

Ishte shtresa e ulët që me forma herë mbi e herë nën rrogoz, e rriti shkallën e pasurisë. Por kjo s’do të thoshte se u njesua me fisnikët. Paraja ka forcë e pushtet ndaj njeriut. Prandaj personazhi kryesor te “Borgjezi Fisnik”, mori profesorë për të mësuar si të sillej në pritjen dhe përcjelljen e njerëzve të një rangu fisnik. Dhe tingëllon tejet reale e aspak e trilluar ndonëse është po aq groteske fakti që e folura bisedore midis njerëzve dhe atij vetë quhet prozë !?! A nuk është edhe ky grupim njerëzish një “Clique”.

Në programet e së dielës në “Top Channel” në emisionin satirik “Portokalli”, trajtohet me shumë art figura e këtyre borgjezëve tanë të rinj. Shikoni Bukurien dhe vajzën me dialekt korçar, që luan sekretaren e saj dhe që zonja Bukurie, me injorancën e saj ulëritëse e trajton më keq se një shërbyese.

Mua, në fillimet e letërsisë dhe përkitas, pas botimit të tregimit të parë, një punëtor linotypist në shtypshkronjën “Bashkimi”, atje ku printoheshin gazetat, moshatari im, pasi e pa tregimin, më tha:

- E lexova artikullin (!?!) tënd. Bravo! Do të bëhesh poet! (?!?)

Ai bëri dy gabime. E para: nuk ishte artikull, por tregim. E dyta: me tregim (PROZË), mund të bëhesh shkrimtar dhe jo poet.

A nuk përfaqësojnë tipa të tillë një. . . “Clique” që mbushin çdo ditë kafenetë?

Këtë dukuri, në një tjetër lloj këndi Dr. TERZIU e ka trajtuar në kapitullin: “Për Pesimistët, po aq edhe Optimistët.”

Mbi kaosin e Vangjush Saros dhe mendimin e Dr.TERZIUT.

Unë e kam lexuar në portalin “www.fjala e lirë.com” që drejtohet nga Fatmir Terziu. Aty pashë edhe solidaritetin e disa shkrimtarëve. Në libër Dr. TERZIU e trajton në një kapitull dinjitoz. Por unë, do t’u shtoj diçka personale. Falmani ngjajshmërinë me tipin e mrekullueshëm të Pëllumb Kullës: Doni më për Belulin. Se nuk ka të bëjë me mburrjen, por me diskriminimin. Konkretisht:

Kisha botuar romanin “Polen Gruaje”, ose: “Stafetë e dhimbshme e një dashurie parisjene”.

Vajta në librarinë “Adrion” në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Ishte e treta herë që nuk e gjeja librin tim në stendat e tyre. I telefonova botuesit me tonin në kufijtë e durimit, por edhe të shpërthimit. Të nesërmen, vajta sërish. Dy vajza të reja shkuan te stenda e librit të ri. Më kërkuan t’u shpjegoja për kopertinën dhe unë u thashë: Në kapak kulla Eifel dhe një çift nën ombrellë. Brenda është portreti i strukur i autorit.

Në raftet e fundit, njëra nga të rejat, si më e orientuara u befasua kur e pa ullën Eifel të përmbysur. Ajo me shumë shkathtësi (sigurisht edhe me një kuriozitet të natyrshëm) pa portretin tim dhe më tha:

- Ju qënkeni autori?

- Fatkeqësisht po, - thashë unë dhe sytë m’u njomën kur pashë se ku qe reklamuar libri im. Mundi, emocioni, netët pagjumë për gati një vit. Por edhe lotët për personazhet.

Vajza e re, nuk ishte mospërfillëse dhe e ndjeu dëshpërimin tim.

- Librat i vendosim sipas alfabetit. Prandaj . . . rradha e tij ishte aty në fund.

- Zonjushe, - iu drejtova asaj. Më falni, e jeni e martuar?

- Jo akoma.

- Kur të martoheni dhe të vishni fustanin e bardhë, do të ndjeni se jeni dikush. Se keni ditën Tuaj. Se jeni Princesha e asaj dite. Edhe një libër kështu duhet të jetë. Të paktën ditën e parë në stendën e librit të ri. Aty më tutje është Kadare me një stendë të tërë.

Mirë keni bërë. Por e dini si quhet kjo, bija ime? Bajraktarizëm. Dhe e dini pse? Se në kohën e tyre, në një odë të madhe, në krye qëndronte Bajraktari. Përqark odës, rrinin malësorët. Ai që hynte në Odë përshëndeste kështu:

- MIRËMËNGJES, O BAJRAKTAR!

Dëgjonte përgjigjen e tij, pastaj u drejtohej bashkëmalësorëve:

-TUNGJATJETA JU TË TJERËT .

Duke përfunduar


Në librin e Dr. FATMIR TERZIU, ky problem shtrohet në një tjetër kënd mbi kaosin e letërsisë. Dhe bën shumë mirë. Ai ka një kapitull të tërë edhe për pesimistë dhe optimistët e leximit. Ashtu siç ka edhe Rrugë të reja në krijimtarinë shqiptare, etj., etj.,

Dhe nuk rreshtet së qëmtuari edhe për Fishtën e papërsëritshëm, apo, për Romanin përtej “Përroit të ndërgjegjes”, dy herë shqiponja Bijtë e shqipes, tumirje pritambël dhe për të përfunduar në “Kohë që enden në pakohë”.

Unë e pohova që në krye se ky shkrim nuk mëton zbërthimin e këtij libri ku mendimi filozofik i autorit, kap krenajën dhe thellësia e mendimit ka ngjashëmrinë hera-herë të sondës dhe herë-herë të hulumtuesit e shqyrtuesit të materialit që sjell nëpër duar, ku nuk mungon edhe hanxhari në ndonjë paragraf, ashtu si tingulli i ëmbël i njeriut, që do vëndin e tij nga largësitë akademike të Londrës.

Athinë, 1, Maj, 2017


25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page