Sevdai KASTRATI
Një prozë e panjohur e Faik Konicës
Poligloti dhe eruditi Faik Konica është, pa dyshim, një prej shkrimtarëve të rrallë në historinë e letërsisë shqipe. Ai është shkrimtar me dhunti të madhe krijuese, ndërsa proza e tij mbetet e veçantë për bukurinë e gjuhës dhe përmbajtjen e saj. Me të drejtë është thënë se Konica është një nga stilistët më të mirë të shqipes. Faik Konica është i veçantë në mënyrën e të shkruarit që e ka përvetësuar duke lexuar letërsinë botërore dhe falë kulturës së gjerë që ka marrë në vendet ku ka studiuar e ku ka jetuar, si në Francë, Belgjikë, Angli, SHBA, Austri, Zvicër, Itali dhe prapë në SHBA, ku vendoset përgjithmonë më 1921.
Faik Konica më 17 gusht 1934 nis botimin e një proze satirike me titullin Mendimet e Filopimin Trukuleskut përmbi ca dukje në Shqipërinë e viteve ’30. Proza u botua në vazhdime (24 gusht e 14 shtator) dhe, mjerisht, u ndërpre botimi i ‘fantasirave letrare’ të paralajmëruara nga redaktori i “Diellit”. Po ashtu, lexuesve të gazetës u bëhet me dije se autori i ‘fantazirave letrare’ është një shqiptar i njohur si dhe një mik i Vatrës. Ndërsa pseudonimi ‘Haju’ siç mund të shihet në vijim, është krijuar sipas përmbajtjes së prozës që në shqip-kucovllahisht është për ‘Ay’. Megjithëse në këtë mënyrë mistifikohet autori, prapëseprapë stili dhe gjuha¹ e tij na bëjnë të pohojmë se autori është vetë Faik Konica. Më poshtë do të ndalem në katër burime që na kanë ardhur në ndihmë për të përcaktuar saktë se proza i takon Konicës:
E para, për të mbështetur idenë se autorësia e Mendimet e Filopimin Trukuleskut i takon Faik Konicës do të ndalem me dy fjalë përmbi vllehtë. Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, kur shqiptarët filluan të migrojnë në Amerikë edhe vllehtë u vendosën krahas tyre në lagjet e qyteteve si St. Louis, New York, Bridgeport, Southbridge, Boston etj. Ashtu sikurse kishte ndodhur më parë edhe me arbëreshët tanë që jetonin në ato qytete ku jetonin edhe italianët. Për dallim nga vllehtë, arbëreshët marrin pjesë në jetën kulturore dhe shoqërore të italianëve. E vetmja gazetë e përditshme italiane që botohej në Amerikë L’Eco d’Italia (1888-1891) kishte për botues Felice Toccin dhe kryeredaktor Guiseppe Cadicamon. Ky i fundit (kushëriri dhe miku i Jeronim De Radës) themelon më 1891 kolegjin Dante Aligheri në Long Island City të Queens-it (NY)². Ndërsa vllehtë, sipas Konicës, në Amerikë rrinë larg shqiptarëve, bëjnë propagandë kundërshqiptare, në mbledhjet e tyre pranë flamurit amerikan vënë jo flamurin e Shqipërisë, por flamurin e një mbretërie tjetër të Ballkanit³. Përsëri, disa vjet më vonë, Faik Konica në veprën postume Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore, kur flet për vllehtë thotë se “kjo popullsi nuk ka gëzuar një nam të mirë”.
Gjatë viteve ’30 në gazetën “Dielli” botohen një sërë shkrimesh përmbi vllehtë, duke i akuzuar për armiqësi ndaj shtetit shqiptar. Përkundër mendimeve të tilla, Fan S. Noli mendonte ndryshe. Në një shkrim polemik Përgjigja jonë për disa kritika dhe këshilla, të botuar në gazetën “Republika” të Bostonit më 1930, thoshte se “Vlleht’ e Shqipërisë janë aqë të pakë dhe aqë të shtypur sa është një shaka të thuhet se kanë lojtur atë roll nefast që u ngarkon Dielli”⁴.
E dyta, toponimin Shkalla e Tujanit, e hasim te romani i papërfunduar “Dr. Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit” në tre raste.
E treta, h-ja sipas Konicës është shenjë masonike me anën e së cilës shqiptari njeh shqiptarin. H-në e ndeshim në dy raste, kur Faik Konicës i shkruajnë Koli J. Dallto nga Youngstown i Ohio-s dhe Loni P. Peristeri nga Marlboro i Massachusetts-it.
Letrën e Dalltos e boton më 10 nëntor 1925 në gazetën “Dielli”, në rubrikën e tij Shtylla e Faik Konicës, të cilën e boton pa i hequr e pa i shtuar gjë. Në mbështetje të tezës sonë po sjellim një fragment të letrës:
Kur qënka hashtu Aere pse si Boton Dhe Letrat e Hanës tjatër që të Barabiten dhe të Provojnë të thënat e Tuha?... ato që thoshe dije hapo këto që Thuha Sot.
Siç mund të shihet ahere bëhet aere, kurse ashtu, apo, anës, thua bëhen hashtu, hapo, hanës, thuha.
Për dallim nga letra e Dalltos, që është e shkruar si shkas e një letre që përgëzohet Konica për vijën politike që mban ndaj Zogut, Peristeri në letrën e tij të shkurtër, e botuar më 12 dhjetor 1925, kërkon nga Faik Konica që të heqë dorë nga djallëzitë dhe të dorëhiqet si kryetar i Vatrës:
“Ne hje hatdhetar, iq dore nga dijallezite... Jep demicien.”
Më poshtë po e japim të plotë përgjigjen e Konicës për të vërtetuar hipotezën tonë:
“Hunë hhjam hazër të ’eq dorë, siç më hhjep hhurdhër Qir Peristeris, hhi cili hhe do hhaqë shumë Vatrën sa ’arón që s’ hhësht hhas hhanëtar hhi Vatrës. Po hhjam gati me një shart vetëm: që Qir Peristeris të më hhjapë zotimin me të shkrojtur se ka për të nxënë cilat fjalë marin h në gjuhën shqipe, cilat jo”.
Sa i përket letrave të mësipërme, nuk mund të dimë nëse janë shkruar apo jo? Sa i besueshëm do të jetë Konica në botimin e tyre, apo letrat janë thjesht fantazi e tij? Në qoftë se e mbajmë parasysh shkrimin Dokra dhe fantasira, të botuar në “Dielli” më 22 janar 1925, kur shkruante për një kandidat për ministër që di alfabetin gjer te shkronja s, pa dyshim, mund të dyshojmë se Konica mund të jetë autori i letrave të mësipërme. Në atë shkrim thoshte se: “Kandidaturën e tij e vë me letrë; mirë po duke mos ditur edhe letrat t th u y v x xh z zh, si do t’a shkruaj? Imaginova pra letrën kandidaturë që vazhdon:
Sodi Kroeminisdër, - Kam nderin dë fë kandiadorën d’ime për minisdër. Dëshëroj dhe onë dë mar pjesë në kabined, në çfarëdo degë që në qofdë. Jam miafd i didor; alfabedin e kam ncënë gjer de ledra s. Përfeç kësaj, ikij frap dë madh, di dë bie me nod mirë, dhe di dë ngas një anie me modor: ashdu që, po dë bëhed nonjë kroengridje e papridur, jam gadi dë çdukem me një herë. Për këdo arësoe, kam shpresë se kandidadora ime do të meret nër so. Mbedem me nder dë madh, HOP SHTASA.”
Në fakt, të dy të lartpërmendurit janë përkrahës të Nolit dhe në shumë raste të tjera ai do t’i quajë kundërshtarët e tij si: grekomanë ose “epiriotë”, çobanë dhe maqedhonas që hiqen si “shqipëtarë”.
E katërta, Faik Konica është shkrimtari i vetëm në historinë e kulturës shqiptare që ka filluar shumë vepra dhe nuk i ka përfunduar:
- Nga 4 mars 1910 deri më 10 shkurt 1911 Faik Konica kërkon mbështetje nga shqiptarët e Amerikës⁶për botimin e vëllimit “Kondili i kuq”, ‘një libër i vogël me copa letrare, pralla dhe vjersha: shumica të botuar në revistën “Albania”, ca të tjera edhe të pabotuara’ që nuk e pa kurrë dritën e botimit.
- Librin “Jeta e Skënder Beut” e boton si nënfletë historike në gazetën “Dielli” nga 8 gusht deri më 17 tetor 1912, gjithsej në nëntë numra. Në botën e studimeve letrare është thënë gabimisht se libri është botuar në njëzetepesë vazhdime në gazetën “Dielli”, nga 8 gushti 1912 deri më 17 nëntor 1918. Së pari, është thënë nga Jup Kastrati6, autori i monografisë mbi jetën dhe veprën e Faik Konicës; së dyti, të njëjtin mendim e merr edhe Nasho Jorgaqi7, njohës i mirë i trashëgimisë së Konicës dhe, së treti, të njëjtin mendim e ka marrë nga Jup Kastrati edhe Shyqri Galica8, i cili ka mbrojtur tezën e doktoratës me titull “Faik Konica – eseist dhe kritik letrar” në Universitetin e Tiranës, më 1997.
- Faik Konica më 1 tetor 1913 nis botimin e ca fragmenteve në revistën “Hylli i dritës” të Shkodrës të ‘një libri filozofi popullore: shënime dhe mendime mbi jetën e njerëzve’⁹ që sipas tij për disa arsye, nuk vazhduan.
- Faik Konica gjatë qëndrimit në Lozanë të Zvicrës më 1915 mban shënime të përditshme mbi ngjarjet dramatike të luftës. Ditari fillon nga 21-25 shtator 1915 dhe nis të botohet në gazetën “Dielli” më 13 dhjetor 1915. Mbas vazhdimit të dytë ditari u ndërpre së botuari.
- Faik Konica më 25 maj 1921 u propozon dy të rinjve, Sotir Noke e Konstantin Demo, botuesit e gazetës “Shkëndija” në Watertown, që të botojnë kujtimet që nga Lufta Ballkanike e deri në ikjen e princ Wied-it nga Durrësi (1912-1914). U bën me dije se libri do të ketë rreth 300 faqe në një formë me “Othellon” e Fan Nolit. U propozon në fillim ta botojnë në gazetën e tyre nga 16 faqe në çdo 15 ditë dhe më pas në formë libri me një tirazh 4000 copë. Ndërsa sa i përket çmimit, po ashtu u propozon $1.50 ose $ 2.00 për copë, ndërsa për vete kërkon 0.50 centë. Po ashtu, Konica bën me dije se pjesën e parë të dorëshkrimit e kishte gati dhe me të pranuar ofertën do ta dërgonte menjëherë në postë. Në mungesë të letërkëmbimit të mëtejshëm, sot për sot nuk jemi në gjendje të dimë se si ka përfunduar dorëshkrimi i këtij libri dhe ku mund të ndodhet?
- Faik Konica më 4 mars 1922 nis botimin në gazetën “Dielli” të prozës satirike Katër pralla nga Zullulandi botohet vetëm e para Një ambasadë e Zulluve në Paris. Dy vjet më vonë, më 8 mars 1924, Konstantin Tashko na bën me dije se Konica është duke përgatitur për botim Katër pralla nga Zullulandi.
- Komedia inédite Mustaqet është shkruar enkas për “Grupi Theatral”⁸ nga Faik Konica për ta vënë në skenë të hapur më 9 shtator 1923 në piknikun që do të mbahet “Te ferma e Zikos” në Marlboro.
- Faik Konica më 15 shtator 1923 na bën me dije se prej disa muajsh është duke bërë përpjekje për të shqipëruar komedinë Twelfth Night [Nata e dymbëdhjetë] të Shakespear-it për “Grupin Theatral” të Bostonit. Përsëri, tre vjet më vonë, 15 korrik 1926, gazetarja e Associated Press na bën me dije se Konica tani po përkthen në shqip komedinë Twelfth Night [Nata e dymbëdhjetë] të Shakespear-it dhe bën fjalë për vështirësitë që ka në përkthimin e saj.
- Më 8 mars 1924 K. Tashko na bën me dije se Konica është duke përgatitur për botim romanin Tryeza e fshirë, pra një roman me motiv shoqëror dhe filozofik.
- Veprën Themelet e gjuhës shqipe, me gjasë një përmbledhje me artikuj gjuhësorë e paralajmëron, po ashtu, K. Tashko më 8 mars 1924 në gazetën “Dielli”.
- Sipas një shënimi (Dielli, 29 korrik 1924, f. 8) thuhet se romani Dr. Gjëlpëra zbulon rënjët e dramës së Mamurrasit është shkruar tre muaj më parë¹⁰ dhe falë ndërhyrjes së ca vatranëve Konica do ta botojë në vazhdime në gazetën Dielli. Romani filloi të botohet nga 16 gushti deri më 1 nëntor 1924, gjithsej 21 vazhdime: 6 në dy javët e fundit të gushtit, 9 në shtator, 5 në tetor dhe 1 në nëntor.
Siç mund të shihet romani ka pushuar së dali më 1 nëntor e jo, siç është thënë nga studiuesit e Konicës: nga Qerim Panariti te Nasho Jorgaqi, nga Sabri Hamiti te Jup Kastrati, nga Thanas Gjika te Shyqri Galica, në fund të dhjetorit¹¹. Po ashtu, deri më sot është thënë nga studiuesit e Konicës se romani u ndërpre për shkak të ardhjes së regjimit të Ahmet Zogut në fuqi. Nuk do të ndalem në hipotezat e shprehura prej tyre se romani u ndërpre për shkaqe politike, sepse në asnjë rast ata nuk sjellin të dhëna dokumentare bindëse. Një gjë është e sigurt: arsyeja e ndërprerjes së romanit janë konferencat dhe udhëtimet¹² që Faik Konica do të mbajë anekënd kolonive shqiptare të Amerikës si në vijim:
Më 11 tetor është në Goodyear (CT), kurse më 12 tetor mban konferencë në North Grosvenordale. Boton udhëpërshkrimet më 16 dhe 21 tetor, kurse konferenca botohet më 18 tetor. Më 18 tetor ndodhet në Worcester (MA) ku takohet me çamët, një ditë më pas ndodhet në Webster (MA) dhe Rochdale. Udhëpërshkrimet i boton më 23 tetor. Më 24 tetor është në Lewiston (ME); i boton shënimet për Lewiston dhe Auburn më 30 tetor. Dy ditë më pas do të flasë në Biddeford (ME), kurse përshtypjet për Biddeford-Saco i boton më 1 nëntor. Më 2 nëntor ndodhet në New York City dhe qëndron 5 ditë për organizimin e degës së Vatrës. Më 9 nëntor flet para një pakice vatranësh për rreth një orë në Manchester (NH); konferenecën e boton më 22 nëntor, kurse udhëpërshkrimin më 9 dhjetor. Më 16 nëntor flet në Waterbury (CT) dhe konferenca botohet e shkurtër më 19 dhjetor. Më 18 nëntor ndodhet në New York, sepse të nesërmen do të jetë i ftuar nga publicisti Hamilton Holt që do të themelojë Shoqërinë Friends of Albania. Më 21 nëntor ndodhet në Atlantic City (NJ), kurse udhëpërshkrimi botohet me vonesë, më 15 janar. Dy ditë më pas është në Philadelphi (PA) ku flet përpara vatranëve dhe udhëpërshkrimi botohet më 22 janar. Më 30 nëntor flet në New Bedford (MA) dhe Londsdale (RI) dhe i boton udhëpërshkrimet gati dy muaj më vonë, më 27 janar. Më 14 dhjetor flet në Southbridge (MA), kurse udhëpërshkrimin e boton më 29 janar. Dy javë më vonë Konica do të flasë në Worcester (MA); ndonëse konferenca do të mbahet në një kohë kritike për Shqipërinë nuk e pa dritën e botimit, veçse boton shënimet e takimit më 31 janar. Më 4 janar do të flasë në koloninë e vjetër të Natick-ut, ku marrin pjesë dhe shqiptarët që jetojnë në Marlboro dhe Hudson. Më 14 janar do të flasë në Boston, në sallën e Kishës “Shën Gjergji” dhe kjo do të jetë konferenca e fundit për shqiptarët e New England-it. Në kryeqendrën e shqiptarëve të Amerikës do të qëndrojë deri në fund të janarit dhe do të fillojë udhëtimin në kolonitë shqiptare më të largëta të Middle West-it. Më 1 shkurt flet në Jamestown (NY), më 8 shkurt flet në Niles-Youngstown (OH), më 15 shkurt flet në Massillon (OH), më 22 shkurt Detroit (MI) dhe konferencën e fundit do ta mbajë në East Pittsburgh (PA) më 1 mars. Faik Konica kthehet në Boston më 9 mars nga udhëtimi i dytë, kurse në një shënim të botuar në “Dielli” më 12 mars, kur flet për rastin e Ahmet Zogut, ndër të tjera thotë: “Në ka një gjë të shigurtë në botë, ajo është që populli shqipëtar nukë do njerëz si Fan Noli dhe si mua, do njerëz si Zogun dhe Mufidin”.
Pavarësisht këtyre të dhënave të mësipërme, Faik Konica do të flasë në katër raste (shih nën a e d, çka na ndihmon për të mbështetur hipotezën tonë) për romanin Dr. Gjëlpëra:
a) Në një shënim për Dramën e Mamurrasit (Dielli, 15 nëntor 1924, f. 2) ndër të tjera shkruan: “Sa për rrënjët e thella të dramës së Mamurrasit, ato i përkasin më tepër psikologjisë se sa kanunit, dhe nga kjo pikëpamje Pralla ime e Dr. Gjëlpërës (të cilën udhëtimet për konferenca më bënë t’a vonoj pakë) ka për të shtënë një dritë të veçantë”.
b) Faik Konica përmend një konferencë që shkrimtarja amerikane Zona Gale mban në Boston, më 25 janar 1925 me temën: The Novel as a Medium for the Advancement of Social Ideas [Romani si një mjet për përparimin e mendimeve shoqërore]. Ai bën me dije se shumë nga lexuesit e Diellit patën mirësinë ta çmojnë romanin Dr. Gjëlpëra, roman i cili me të vërtetë futet në kategorinë e përshkruar nga Zona Gale dhe i siguron lexuesit se romani ‘do t’ vazhdojë dhe do t’shvillohet në një mënyrë që kam shpresë se do të fitojë dhe ca më tepër pëlqimin e tyre’.
c) Faik Konica më 7 korrik 1925 pohonte se “nuk do ta lë romanin për gjysmë: është një pushim, por jo një dorëheqje.”
d) Një vit më vonë, pikërisht më 12 qershor 1926, Konica nuk e përmend më vazhdimin e romanit, veçse bën me dije se romanin nuk e la përgjysmë për shkaqe politike.
Siç mund të shihet më lart në pikat (a), (b) e (c) premton se do ta vazhdojë romanin. Pra, është në kundërshtim me parimin e tij, sepse ai e kishte shprehi që një vepër të ndërprerë nuk e vazhdonte më¹³.
- Faik Konica më 9 tetor 1924 pohon se kur erdha n’Amerikë më 1921, shumë vatranë më çfaqnë dëshirën t’u “jap nj’ a dy libra”. Ashtu kur kam patur nge, natën, në shtëpi, kam shkruar nga nonjë faqe, dhe pas ca kohe katër libra muarnë formë. Në fakt, këto janë librat që ka paralajmëruar K. Tashko më 8 mars 1924: Katër pralla nga Zullulandi, komedia Mustaqet, romani Tryeza e fshirë dhe vepra gjuhësore Themelet e gjuhës shqipe.
- Faik Konica më 7 korrik 1925, duke folur për mungesën e librave, pohonte se një komb që s’ka literaturë nuk mund të quhet komb. Ashtu siç kishte pohuar edhe një herë më parë se “duhet të kuptojmë një her’ e mirë se një komb s’munt të shvillohet e të përparojë po s’pati shpirt: dhe shpirtin munt të j’a japë vetëm një literatur’ e vërtetë”.¹⁴ Më pas tregon se ka përgatitur 5-6 libra, një prej tyre është “Dr. Gjëlpëra”, kurse nga K. Tashko vijnë të dhënat për katër librat e tjerë.
- Vetë Konica më 30 janar 1926 na bën me dije se: Ca muaj më parë, një grup Shqipëtarësh në Boston më proponuan t’u shes një libër letrar me gjithë të drejtat e zotimit (copyright). Suma e proponuar ish modeste; po me që pata nevojë të madhe t’u bëj ballë disa billeve, pranova dhe j’ u-vura punës duke mbetur përpara tryezës nga nonjë herë gjer më 3 të mëngjezit (jam nga ata që për fat të zi punojnë më mirë natën.) Pa shkuar shumë ditë, u-lajmërova se, për shkak t’ideve politike të mia, njeri prej të pesëve u-nda nga shokët. Pakë më von, mora vesh se u-hoq nga kumpania dhe një shok i dytë, gjithë për ato arësye. Kur mbarova gjysmën e librit, qe larguar dhe një shok i tretë. Pakë pastaj, na la shëndet i katërti. Dhe me që kish mbetur besnik te marëveshja një i vetëm nga të pesët, puna natyrisht mori funt prej vetiu. Sipas Konicës libri nuk u përkrah për arsye se të lartpërmendurit ishin adhurues të Nolit. Edhe fati i këtij libri të mbetur në gjysmë nuk dihet hëpërhë?
- Në vitin 1927 Konica na bën me dije se do të botojë veprën Themelet e gjuhës shqipe. Kjo vepër, me gjasë një përmbledhje me artikuj gjuhësor të botuar më parë te revista “Albania” (1897-1907) dhe te gazeta “Dielli” (1909-1912) dhe (1921-1926) nuk doli në dritë edhe pse ishte përkrahur në Kuvendin XVI të Vatrës. Në të vërtetë, kjo vepër ishte paralajmëruar tre vjet në parë edhe nga K. Tashko.
- Më 25 maj 1928, gazeta “Dielli” na bën me dije se Faik Konica do të botojë së shpejti veprën Të vëna ré të gjuhës shqipe, që nuk e pa dritën e botimit.
- Faik Konica më 26 mars 1929 nis botimin në gazetën “Dielli” të veprës Shqipëria si m’ u-duk; pas 25 vazhdimeve u ndërpre, edhe pse “Vatra” e kishte marrë përsipër për ta botuar në formë libri. Për dallim nga veprat e tjera të mbetura në gjysmë, Konica për këtë vepër kishte paralajmëruar edhe kapitujt vijues: VI. Mandarinët ose njerëzit që i japin më tepër rëndësi diplomës se sa diturisë dhe karakterit. VII. Refugjatët politikë; VIII. Shtypi i huaj. IX. Për Zotërit e Dheut. X. Pseudo-aristokratët.
Më 10 qershor 1930 botohet në gazetën “Dielli” një letër e Fuad I. Babametos, kryetari i Shoqërisë “Drita” të gjirokastritëve nga East Pittsburgh-u (PA), ku na bën me dije se Faik Konica nuk e kishte bërë gati librin e blerë nga Shoqëria “Drita”, sepse e patën penguar “shumë punëra serioze që ka patur, dhe do t’ketë për një kohë të shkurtër”. Po aty mësojmë se Konica i pati kthyer të hollat si paradhënie që i kishte marrë dhe ai pati premtuar se librin ‘do t’ja dhuroj “Dritës” darovisht kur t’a përgatitë’. Se për çfarë libri bëhet fjalë dhe se a ka mbetur për gjysmë sot për sot nuk mund të dimë.
Faik Konica më 21 nëntor 1935 nis letërkëmbimin¹⁵ me botuesin e njohur Robert M. McBride për të botuar A Short History of Albania [Një histori e shkurtër e Shqipërisë]. McBride nuk ishte vetëm botues, ai ishte themelues i disa revistave në New York. Po ashtu, ishte autor i librave për disa vende evropiane, si Anglia, Spanja, Suedia, Norvegjia, Finlanda dhe Çekosllovakia. Sipas një letre që mban datën 18 shkurt 1936, Konica e parashikon librin të përfunduar në fund të korrikut. Në fakt, libri mbeti i papërfunduar dhe nuk e pa dritën e botimit në gjallje të autorit. U botua më 1957 nga Qerim Panariti me titull të ndryshuar Albania: The Rock Garden of Southeastern Europe and Other Essays¹⁷ (Shqipëria: kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore dhe ese të tjera).
- Në vitin 1936 Konica bënte me dije se është duke përkthyer tragjedinë Mbreti Lir të Shakespear-it.
- Më 2 janar 1952 në gazetën “Dielli” botohet një letër e Faik Konicës. Në këtë letër (mungon datimi dhe emri i marrësit) Konica njofton se është duke e shkruar një libër M[b]i gjuhën shqipe. Nuk e dimë nëse Konica e ka shkruar këtë libër apo ka mbetur thjesht si ide.
Për disa nga këto vepra nuk njohim as titujt e as përmbajtjen, për disa si Çetelet, Tryeza e fshirë, Themelet e gjuhës shqipe, Të vëna ré të gjuhës shqipe, M[b]i gjuhën shqipe, njohim vetëm titujt, por jo përmbajtjen, kurse për komedinë Mustaqet njohim përmbajtjen, e jo tekstin e veprës. Ashtu sikurse nuk dimë nëse veprat janë përfunduar, ose kanë mbetur në gjysmë dhe ku mund të ndodhën sot? Kërkimet tona të herëpashershme nuk kanë dhënë ndonjë rezultat për zbulimin e ndonjërës prej këtyre veprave. Përkundrazi, kemi bërë një zbulim në anë të kundërt: romanet “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka” - të konsideruar nga një numër studiuesish si romane të Konicës - për fat të keq nuk janë në autorësinë e tij.
Në fund, bazuar mbi çka u tha më lart, i japim të drejtë Fan S. Nolit¹⁸, kur thoshte: Faiku niste një vepër dhe e linte në mes. Po ashtu, i japim të drejtë Fan S. Nolit¹⁹, kur shkruante për veprën e Konicës se jemi të gëzuar që e kemi qoftë edhe në trajtën e paplotë.
Shënime
¹Edhe ky shembull na ndihmon në çështjen e autorësisë: “Kafenét’ e Shqipërisë janë vënde të fëllíqura e të mërzítura; dhe asnjerí me mëndje të hollë s’ munt të kërkojë atjé dëfrím në mes të týmeve, të pshtýmave, dhe të zhurmës... Kur u-shtrua herën e parë në Kafené të Erzenit dhe porositi një të pirë të cilën natyrísht nuk e ngau, dhe hodhi një sy mi turmën e palarë e të parojtur – kumarxhínj të ngrysur, spiunë sy-çakáj, politikanë që bisedojin jo vetëm me gojë po dhe me duar e me supe – kuptój se ndodhej në një botë të re, një botë fare të ndryshme nga ajó që kish njohur gjer ahere. Një zhurm’ e mbytur, e përgjíthëshme, si e nonjë pazari të ngjeshur me njerës, mbushte erën”: Faik Konica, Dr. Gjëlpëra zbulon rënjët e dramës së Mamurrasit, “Dielli”, 3 shtator 1924, nr. 2759 (302), f. 4.
²Nuk është vendi këtu për t’u ndalur për kontributin e arbëreshëve të Amerikës në historinë e kulturës shqiptare, ku në një të ardhme mund të jetë temë më vete.
³Faik Konica u kujton vllehve (nënshtetas shqiptarë) të Amerikës për trajtimin diskriminues që u bëhet vllehve në Serbi dhe Greqi. Në qoftë se në Greqi vllehtë burgosën, kur kërkojnë të drejtat e tyre, në Shqipëri ndodh e kundërta: qeveria nuk i kundërshton, përkundrazi i inkurajon. Shih Faik Konica, Southbridge, Massacuesets. “Dielli”, 29 janar 1925, f. 2.
⁴Shih Sevdai Kastrati, Lufta e penave, Botimet Toena, Tiranë, 2002, f. 397.
⁵Lidhur me këtë kemi një letër të Konicës dërguar Nolit që mban datën 15 nëntor 1910 e që ia vlen të lexohet: Shumë herë, atdhetarët më janë qarë që s’i kam dhënë letrëtyrës shqipe nonjë librë, të cilit, për arësyet që do të rëfej në parëthenie, i dhashë emrin Kondili i Kuq, dhe hapa qe dhjetë muaj te gazeta një radhua për të mbledhur të hollat e nevojshme për botimin. Pas shumë mundimesh, arrijta të mbleth gjysmën e sumës që duhej, dhe naturisht s’kam në dorë t’a shtyp librin, para se të kem me se t’a paguaj bill-in e shtypësit. Po ca nga nënëshkronjësit, pa kuptuar mirë pse i dhanë të hollat dhe ç’do me thënë një radhua për të botuar një librë, më shkruajnë për ditë që “ku është Kondili i Kuq?” etj. Këto kërkime janë të paarësyshme. Nuk është miaft që një auktor ësht’ i shtrënguar të lipij, po duhet tani të hapë dhe një zyrë për të biseduar me ata që i dhanë 50 senca! U lutem të gjithëve të kenë durim. Në mos daltë libri, do t’u kthej paratë. Në daltë, dhe pa dyshim do të dalë, do të shohim në gazetë që “Kondili i Kuq dolli”, dhe ahere, në qoftë se ata që paguan s’marin copën që kanë të drejtë ta presin, le të qahen. Duke iu referuar një shënimi në një vend tjetër (Shih Faik Konica Një udhëtim gjashtë javësh në “Dielli e flamuri”, 20 janar 1911, f. 4), ku ndër të tjera është thënë se janë mbledhur 695 dollarë (500 dollarë në St. Louis, 121 në Jamestown dhe 74 në Syracuse) për revistën “Albania”, për gazetën “Trumpeta e Krujës” dhe për “Kondilin e kuq”. Vite më vonë, më 9 tetor 1924, Konica ngatërron shumën: përmend vetëm dyzet e shtatë dollarë.
⁶Në këtë mënyrë shpjegon J. Kastrati: “Mbeti pa u njohur në masën e gjerë të lexuesve për dy arsye kryesore. E para, sepse u botua gjatë periudhës midis dy luftërave: Luftës Ballkanike (1912-1913) dhe Luftës së parë Botërore (1914-1918), kur shqiptarët ishin në një gjendje tepër të mjeruar, të varfër e të vështirë dhe nuk i binte ndër mend të ndiqnin shtypin periodike e atë letrar. E dyta, sepse punimi në fjalë u botua në një gazetë, e cila nuk vinte rregullisht në Shqipëri për shkaqe të censurës ushtarake dhe të rrugës tepër të gjatë që përshkonte: Nga Bostoni i Amerikës në Shqipëri.” (Jup Kastrati, Faik Konica, Gjonlekaj Publishing Company, New York, 1995, f. 280).
⁷ Shih Faik Konica, Vepra 5, Botimet Dudaj, Tiranë, 2001, f. 434.
⁸ Shih Shyqri Galica, Konica – moderniteti, eseistika, kritika, GR, Prishtinë, 1997, f. 12. Po kështu, të njëjtin mendim e ka marrë nga Jup Kastrati edhe Moikom Zeqo në artikullin Faik Konica i pavdekshëm (2015): “Në 1912 nisi të botonte te “Dielli” fragmente të një libri “Jeta e Skënderbeut”, sipas Barletit, (deri më 1918 botoi 25 fragmente të tilla me interes shumë të madh).”
⁹Siç duket e ngatërron me Kondilin e kuq.
¹⁰Faik Konica, Një proponim i z.t Aqile Tasit, “Dielli”, 8 shtator 1923, f. 5.
¹¹Ky grup teatror është krijuar prej tij (njëherit është edhe aktor) dhe më 4 korrik 1923 në “Arlington Theater” të Bostonit ka vënë në skenë tragjedinë Othello të Shakespir-it të përkthyer nga Fan Noli.
¹²Kristaq Jorgo është i vetmi nga studiuesit e Konicës që e ka vënë re se romani është ndërprerë më 1 nëntor. Shih Kristaq Jorgo, “Dr. Gjëlpëra” – romani i (pa)përfunduar i Konicës, “Shqip”, 12 gusht 2007, f. 42-44.
¹³Ky shënim na bën të mendojmë se është shkruar nga vetë Konica, sepse editori Aqile Tasi ndodhet me pushime. Ndërsa për shënimin e lartpërmendur Th. Gjika, në studimin e tij Doktor Gjëlpëra - romani i parë realist i letërsisë shqipe, mendon se është shkruar nga editori Bahri Omari, në të vërtetë numri i fundit si editor i “Diellit” për B. Omarin është 3 nëntor 1919.
¹⁴Do ta jap si shembull një shënim të Faik Konicës më 10 dhjetor 1921 kur thotë: duke qenë se kam qenë dy javë n’udhëtim, s’kam pasur nge të shkruajë gjësendi për “Diellin”.
¹⁵Përpos në dy raste e kemi vënë re; po jap të parin: Nota mi udhëtimin t’ im janë ndërprerë më 12 qershor 1923 dhe janë vazhduar më 13 tetor.
¹⁶Shih Idriz Lamaj, Letra dhe shënime të Faik Konicës - rreth përpjekjeve për botimin e librit të tij Një histori e shkurtër e Shqipërisë. “Dielli”, korrik-shtator 2003, nr. 3, f. 10, 11.
¹⁷Nelo Drizari (mik dhe bashkëpunëtor i Konicës) e kishte lexuar librin në dorëshkrim dhe me rastin e botimit të librit nga Panariti e quajti masakrim. Mbetet detyrë e studiuesve të Konicës për të gjetur dorëshkrimin dhe për të vërtetuar hipotezën e Drizarit.
¹⁸Shih Fan S. Noli, Vepra 5, Botimet Dudaj, Tiranë, [2003], f. 435.
¹⁹Shih Introduction by Bishop F. S. Noli, në: Faik Konitza, Albania: The Rock Garden of Southeastern Europe and Other Essays, “Vatra”, Boston, 1957, f. xv.
I
“Kafeneja Madhështore Boulevard Saint Michel” ish vëndi ku mblídheshin të gjithë njérëzit me rëndësí në Tiranë. Ora ish nj’ a pesë pas dreke. Kafeneja Madhështore – e palarë, e shtruar me mobilla të shëmtúara dhe të vjetërúara e të lódhura, e mbuluar si prej një mjégulle të ndyrë nga qenefi gjysm’ i hapur dhe kurrë i zbrazur e i spastruar – ish plot gjallësí dhe jetë. Këtú kuvëndojin, atjé kërcisjin zaret në tavllë, më tutje qeshjin; dhe përmi tërë zhurmën, dëgjohej zëri i mbrehtë i shërbénjësve që po porositjin të pira. Menjëherë u-bë një pushím i përgjíthëshm. Dikush pëshpëriti: Vjen Zoti Filopimín Trukulesku!
I zoti i kafenesë, Barbajanesku, u-sul përpara dhe me një të përulur tha, “Misarthtë, Dómnule Filopimín!” edhé fshiu një tryezë. Njeriu i ardhur ish i gjatë, i mbushur nga trupi, me fytyrë të verdhë, móllëzat e fáqeve të hédhura. Nxori kapellon edhé u-duknë flokë të zeza e të rrúdhura. Një shërbénjës i mori kapellon dhe bastunin, edhé Filopimin Trukulesku u-ul. Nga shumë tryeza të tjera u-afëruan njerës t’ a përshëndoshin me nderím, se Zoti Trukulesku ish i fuqishmë, një nga dritat e Shqipërisë së re. Nga një fjal’ e tij varrej fati i shumë njérësve. Zoti Trukulesku i priti të gjithë me një kryelartësí mbrónjëse dhe me një njohje të shkurtër, se e kish mëndjen në dy njerës të huaj që kishin ardhur me të. Këtá ishin dy gazetarë, njëri Inglíz, tjatri Amerikán. Dukej se që të tre kishin patur një bisedím të gjatë, i cili édhe po vazhdonte. “Po”, thosh Trukulesku, “Shqipëria është vënt i paqyetëruar, i ndyrë, i vogël, pa rëndësí, pa historí, pa të pritme. Shqipëtarët janë të poshtër. Po pak-nga-pak do të ndrohen të gjitha.” – “Më ndjeni”, pyeti njëri nga gazetarët të habitur, “ju vetë Shqipëtár jini?” Zoti Trukulesku qeshi. – “Pëllëria mësi! jam më Shqipëtár se çdo Shqipëtár tjatër. Po më pëlqén e vërteta. Shqipëria s’ është gjë fare, né Shqipëtarët jemi të liq e t’ egër. Po me ndihmën e ca miqve, si Rumania, do të vemi mbarë.”
Të dy gazetarët u-ngritnë dhe múarnë leje. – “There is something strange about this fellow”, pëshpëriti njëri. “Let us go to that delightful Albanian inn ‘TE SHKALLA E TUJANIT’ and talk it over”, tha tjatri; edhé dúallnë që të dy.
Në këtó e sipër, një njerí i veshur me një farë uniforme j’ u-afërua Zotit Trukulesku me një zarf të math në dorë, edhé j’ a dorëzój me fjalët: “Zoti Filopimín, kju hëshçë një shkrím gaj Kryeministru. Hëshçë rezervát.” Zoti Trukulesku e hapi t’ a këndojë. Shërbénjësi Aristoteli ndodhej prapa fronit, dhe unji kokën të këndojë bashkë me Zotin Trukulesku. Pastáj u-largua dhe vajti nga fron në fron duke thënë, “Është rezervát!” e duke pëshpëritur sicilitdo ca fjalë në vesh. Më në funt u-afërua pranë tezgës ku ndodhej një “megaphone”, një zë-madhonjës nga Amerika, edhé e mori në dorë.
II
Johanica Celingesku kish arrirë dy vjet më parë nga Amerika në Shqipërí me qëllimin të hapë një shoe-shine për të fshirë këpucët e Tiranës me mënyrën e bukur që i ka hie një kryeqyteti. Kish prurë përvéç vúrcave dhe fróneve të prëhëshme, edhé një megaphone për të thirrur shkónjësit. Se Jehonica Celingesku ish bootblack i mbaruar. Kish punuar tre vjet në shoe-shine-in e Jim Smith-it në Conny Island, pranë New York-ut, një llustraxhihane me çkëlqím dhe me famë, të cilën i zoti, stërnip i vërtetë i Barnum-it, e quante me emërin gjëmonjës The Conny Island Academy of Applied Science. Jim Smith-i mburej se në “Akademí” të tij këpucët “shëróheshin” me diturinë ekspertësh që dijin cilësít’ e çdo soj lëkure edhé diljin andéj të përsërítura posi trupi i një njeriu me lëngatë del i spastruar dhe i ngjallur nga Spitali i një Universiteti të mirë. Dhe si gjith’ Amerikanët e kthiellt, Jim Smith-i ish zëmërbardhë: sillej mirë me punëtorët e tij, të cilët i quante “nxënës”, students; dhe në funt pas tre vjetsh, posa tregojin zotësí dhe kujdés në “mësimet”, u jipte një dipllomë Doktori të Diturive Praktike. Një të tillë dipllomë kish fituar me kryelartësí edhé Johanica, të cilin këtéj e tutje do t’ a qúajmë Doktór Celingesku.
Me t’ arrirë në Tiranë, e para vizitë e Doktór Celingeskut qé për Filopimín Trukuleskun, të cilit i kish prurë edhé një dhuratë. – “Dómnule Filopimín, hardha të hy çfaq nderimet he mia. Hy lutem të pranoni këtë dhuratkë të vogël. Hunë dëshërój të ’ap një dyqankë në Tiranë, hedhé tërë shpresën t’ ime he kam tek hyve.” Me këtó fjalë e paraqiti veten e tij Doktór Celingesku; edhé duke parë pritjen e pëlqyer të Filopimín Trukuleskut, j’ u-ngroh zëmëra dhe nxori nga xhepi një zarf ku ish palosur diplloma. Zoti Filopimín e mori dhe e këndój:
THE CONNY ISLAND ACADEMY OF APPLIED SCIENCE
NEW YORK STATE
This is to certify that Johannitza Tselingescu, born at Moschopolis, Albania, in 1902, has been granted, after extensive studies and severe examinations, the degree of Doctor of Applied Science. Specialization: The care of leather.
Conny Island, N. Y., the 30th of June, in the year 1931 of Our Lord.
Dick Brown John Smith
Dean President
(Këtú Vula e Akademisë)
Filopimín Trukuleskut i ndritnë sytë. – “Thé se do të hapsh një dyqán? Bizérika! Miku im Johanicë, ti flet si i çmëndur. Me një dipllomë si kjo, unë munt të çaj për ty një udhë të bukur. Shqipëria ka nevojë për diturí dhe për talént. Ti jé i paçmuar. Do të shkoj me këtë dipllomë të madhe që këtë çast te një mik i fuqishmë, edhé nesër do t’ emërohesh nënë-prefékt në qark të Jugë-Lindjes. Është një pikë me rëndësí, se atjé hyn malli nga Maqedhonia në Shqipërí. Mëmëdheu ynë i dashur, Shqipëria, ka nevojë për njerës me ndienjën e detyrës, të cilët kanë sytë të hápura për kontrabandë.” Këtú Filopimín Trukulesku pushój një minutë, shikój Doktorin e Conny Island-it në sy, afrój pakë fronin, dhe vazhdój duke ulur zërin: “Natyrísht, vëllá Johanicë, miqësia është miqësí, dhe detyra s’ ka nevojë të jet’ e ashpër. Nga nonjë herë, munt të vijë nonjë deng për nonjë mik t’ onë: S’ prish punë sikur të mbyllen sytë. Kuptove?” Doktor Celingesku nënëqeshi: – “Dómnule Filopimín”, tha “hunë do të jem hajú më besniku njerí tek hyve. Detyra hime hëshçë dhe do të jetë t’ u kënáq hyve”. – “Vëllá Johanicë, puna ësht e mbaruar!” tha Filopimín Trukulesku, dhe u-ndamë.
Të nésërmen fletët kishin emërimin e Zotit Doktór Johanica Celingeskut si nënë-prefékt, me lëvdata për diturinë, për zotësinë, për drejtësín’ e tij, edhé për mundimet e tij për mëmën Shqipërí. Celingesku i shiti fronet dhe vurcat, edhé megaphone-in j’ a fali Barbajaneskut, i cili me një kryelartësí të madhe e vuri në tezgë. Këtë megaphone mori në dorë Aristoteli.
III
“Zotërínj!” tha Aristoteli duke pshtetur buzët në vërën e megaphone-it, “letra e fshehtë, ose ‘rezervát’ në ‘shqipen’ e re, çfaq se u-bë një përpjekje në kufí të Sërbisë, po puna u-ndreq para se të mahiset”. Filopimín Trukulesku u-hoth më këmbë. – “Aristotél!” briti, “mos u-prishe mëntsh? kush të dha guximin të nxjersh në shesh të fshehtat e Guvernës? Barbajanesku, pa eja këtú: Nuk më thua, ç’ janë këtó turpe?” – Barbajanesku u-krus me një dukje lútëse: – “Domnule Filopimín, më vjen shumë keq. Haristotél, mblith plaçkat hedhé hu-çporr këtéj! Në hu-duksh prapë këtú, bizérika! hunë jam hajú që do t’ thyej kockat.” Aristoteli u-largua pa folur, shkoj në magjërí, me Barbajaneskun pas.
Kafeneja Madhështore Boulevard Saint-Michel pushój në heshtje: të gjithë prisjin se ç’ do të ngjiste. Pakë më von u-kthye Brabajanesku edhé diç i pëshpëriti në vesh Filopimín Trukuleskut, i cili u-ngrít, dhe që të dy hynë brënda. – “Dómnule Filopimín”, zuri të thotë Barbajanesku, “hu thirra të hurdhëroni këtú se ka ngjarë një gjë he tmerrshme. Haristoteli hëshçë një njerí haqë hi poshtër sa nuk beso’et. Më tha njëqínt he një të shara. Më thirri ‘qeratá çobán’; hu-mburr se hajú hi ka sytë ’ápura hedhé hi ka kuptuar gjithë punët t’ ona; tha se jemi ’ajdutë hedhé kontrabandierë, spiunë hedhé tradhëtorë, njerës harmíq të vëndit që hi thëthihim gjakun Shqipërisë hedhé hi ngulhim thikën në kurríz. Kur hi thashë hunë se, Në qënke haqë patriót sa thuha, psé hi çfaq me megafón gjërat rezervát të Guvernës, hajú më tha se s’ ka gjë të fsh’ët në Tiranë, se ‘qeraténj çobanët’ janë tellalë të paguhar për të nxjerë të gjitha në pazár, se të fshe’tat du’et të mba’en në zyrat dhe jo të dërgo’en në kafenetë, hedhé shtoj se hajú duke për’apur shkrimin rezervát deshi të japë një mësím si me të tallur. Tha hedhé shumë të tjera. Në një fjalë, Dómnule Filopimín, hajú hi poshtër na ka përgjuar si harmík që hëshçë, hedhé kam frikë se do na bëjë dëm.”
Filopimín Trukuleskut i ndritnë sytë. E shikój Barbajaneskun me zëmërim: – “Fajin më të math e ke ti, Barbajanesku!” – “Hunë, Dómnule Filopimín?” – “Da, ti, dobitókule! Pse mer Shqipëtarë në shërbím tënt?” – “Më ndjehni, Dómnule Filopimín, po hyve vehtë më kini porositur të mos ’arrój se këtú hi thonë Shqipërí hedhé du’et për sy-he-faqe nga donjë’erë të hi jap punë hedhé donjë Shqipëtari.” – “Porosinë t’ ime, Barbajanesku, e kuptove shtrëmber. Të porosita, dobitókule, t’ i japësh punë nonjë Shqipëtari të fjetur, jo një dhélpëre.” – “Po ku t’ i njósh, Dómnule Filopimín? Hatá, mámalor! duken të gjithë budallénj hedhé të bindur kur kërkojnë punë; pastáj, kur vjen okaziúnea, he ’eqin maskën hedhé bë’et hajó që hu-bë sot.”
Filopimín Trukulesku u-ngrit dhe nisi të shëtitë anë mb’ anë t’ odës, i dalldisur në mendime. Qëndrój më në funt dhe j’ u-kthye Barbajaneskut: – “Dëgjó. Shko mer-e me të mirë Aristotelin edhé sill-e këtú se dua t’ i flas.”
Barbajanesku e gjeti Aristotelin në magjërí, të shtruar përpara një shishe konjaku. – “Trajaske kálea Dobrobántsilor!” briti Aristoteli me të parë Barbajaneskun. I zoti i Kafenesë Madhështore fshehu hidhërimin dhe nënëqeshi: – “Djali him, Haristotél, të kam dashur kurdo’erë. Gaj muha s’ ke parë donjë të keqe. Po ti, pa marë në sy has miqësinë has vërsën t’ ime, tallesh me muha. Ke punuhar dy vjet në Rumaní hedhé ke mësuhar ca fjalë të cilat hi përdór hedhé kur nuk he do okaziúnea. ‘Trajske kálea Dorobántsilor’ hëshçë sikur të thuhash ‘Roftë hudha he Dúrrësit!’; s’ ka donjë kuptím fare.” – “Më pëlqen tingëllimi i fjalës, Çobán, pa le të jëtë pa kuptím: Është si një e krisur topi.” – “Pastáj, djali him”, vazhdój Barbajanesku pa vënë re të thënat e Aristotelit, ”kush të dha leje të pish konják?” – “Më plasi shpirti, Çobán, desha një të pirë, dhe zgjodha më të mirën; s’ jam i marrë të pi cujkën a rakinë që e bën ti vetë për të helmuar botën.” – “Le të hi lëmë shakatë taní, djali him Haristotél. Dëgjó. Zoti Trukulesku të lutet të vish me muha se ka një fjalë me tynë”. – “Më lutet?” nënëqeshi Aristoteli; “Më lutet! Ha-ha, më duket sikur Shqipëria zuri të fitojë. Hajdé të shkojmë të shohim se ç’ dëshërón njeriu i math.”
Comments