top of page

Menda Vreto: Kultura nuk është “Unë”, por “Ne”

  • 3 hours ago
  • 2 min read

Të gjithë turremi pas çmimeve, revistave, një botimi, një fotografie, një dukjeje. Na pëlqen të themi: “Unë jam botuar këtu”, “unë jam publikuar atje”, “unë jam më i miri.” Por ndalemi një çast dhe pyesim veten: A kanë ende vlerë këto revista? A i lexon vërtet publiku? Çfarë mesazhesh përcjellin?

Para se të shkruajmë një poezi, një ese apo një roman, a e kemi lexuar historinë? A e njohim temën për të cilën flasim? A kemi përgjegjësi për fjalën që u japim lexuesve? Sepse fjala e shkruar nuk është vetëm një tekst mbi letër; ajo është përgjegjësi, është kujtesë, është edukim, është ndikim.

Sot shtypen mijëra libra. Por sa prej tyre lexohen? Sa shkrimtarë njihen realisht nga lexuesit në Shqipëri apo në Europë? Sa libra mbeten në bibliotekat e njerëzve dhe sa mbeten vetëm si fotografi në rrjetet sociale? Nuk mjafton të thuash se je botuar në një revistë. Vlera nuk matet me numrin e publikimeve, por me ndikimin që lë tek lexuesi.

Po jetojmë në një kohë ku shpesh klikojmë te njëri-tjetri vetëm sepse na boton. Shkruajmë komente pa e lexuar fare tekstin, vetëm nga interesi që nesër të botohemi edhe ne. Krijohen lidhje interesi, jo lidhje kulture. Kjo nuk e pasuron letërsinë; e varfëron atë.

Revistat fizike po zhduken dalëngadalë dhe bota po ecën drejt platformave online. Kjo nuk është domosdoshmërisht e keqe. Problemi nuk është nëse revista është në letër apo në internet. Problemi është çfarë përmbajtjeje ofron dhe çfarë vlere u jep lexuesve.

Shkruajmë libra me 500 faqe, sikur rëndësi të ketë vetëm numri i faqeve. Por një libër nuk bëhet i madh nga pesha e letrës, por nga pesha e mendimit. Një faqe që të bën të reflektosh vlen më shumë se njëqind faqe të shkruara vetëm për të mbushur boshllëkun.

Edhe përkthimi është një përgjegjësi e madhe. Sot shpesh përkthejnë libra njerëz që nuk kanë përgatitjen e duhur. Mjafton një poezi ose një ese e përkthyer keq dhe autori humbet zërin e tij. Një përkthim i dobët nuk ndryshon vetëm fjalët; ai ndryshon shpirtin e veprës.

Më duket sikur sot kultura po bëhet dalëngadalë mike me injorancën. Kjo është për të qarë. Po i japim më shumë rëndësi reklamës sesa përmbajtjes, emrit sesa veprës, fjalës "unë" sesa fjalës "libër", "lexues" dhe "kulturë".

Kultura nuk është garë egoje. Nuk është koleksion diplomash, çmimesh apo publikimesh. Kultura është përulësi përballë dijes. Është të studiosh, të kërkosh, të dyshosh, të mësosh dhe, mbi të gjitha, të lexosh.

Sepse nuk mjafton të shkruash. Duhet të lexosh. Duhet të lexosh për t'u informuar, për të kuptuar, për të mos mashtruar veten dhe të tjerët. Vetëm ai që lexon me ndërgjegje mund të shkruajë me përgjegjësi.

Në fund të fundit, koha nuk do të kujtojë sa herë jemi botuar në revista apo sa fotografi kemi publikuar. Koha do të kujtojë vetëm një gjë: çfarë vlere u kemi lënë njerëzve me fjalën tonë. Dhe kjo është e vetmja pasaportë që nuk skadon kurrë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page