
Medusë
(Para një fotografie)
Fatmir Terziu
Duart e mia nuk ju arritën kurrë,
por zemra ime po
ishe para meje me një larmi blush në sy
isha për ty ndoshta kushedi
vetëm një trup bardhë e zi...
... kushedi?!
Por unë isha gjithmonë pas teje plot dritë
e kam ndriçuar shpinën tënde si në ndonjë mit
kaq afër sa nuk gjeja një të dytë.
Dhe ëndërroja të të pikturoja atë fytyrë
Medusë. Sa larg metonin sytë.
Mezi prisja që të hidhja një hap përpara
sa herë që më pëshpëriste ndjesia në vesh,
por koha sytë nuk i mbante tek e ardhmja,
e shkuara ishte distanca që shkurtohej midis nesh.
Sidoqoftë kjo fotografi i përket një dimri të largët
nuk shpëtoja dot nga ai virus klasash peshqesh,
edhe sikur të isha në gjendje t’ju mbaja afër.
Por sa herë sytë tek kjo fotografi i kam qasur
betohem me Perëndi, se gjithmonë do të jesh pranë
për sa kohë që ju mbaj të dashur.
E sytë si kanxha çeliku e shkulin atë virus
të paktën për një mit që nuk vdes Medusë!