top of page

Meditim për ç'ka po ndodh me ne ?!


Vladimir Haxhiraj

Vladimir Haxhiraj

Meditim për ç'ka po ndodh me ne ?!


Në punën time si udhërrëfyes turistik, fraza që kam patur më shumë tmerr të artikuloj, ka qenë “turistët kosovarë”! Me kanë pyetur jo pak herë se çfarë janë pjesa me e madhe e pushuesve që na frekuentojnë, gjithnjë u jam përgjigjur “të huaj dhe shqiptare të Kosoves” madje edhe regjistrimin e pashaportës së tyre në sistemin e agjensisë jam munduar që të bëhej  “shqiptar” asnjëherë “kosovar”! Kohën e luftës 1999, në kapanonet e zdrukthtarisë që kishim, kemi mbajtur disa familje të ikur prej tmerrit sllav me plot halle, kemi ndarë gëzimin tonë me ta dhe ata hidhërimin e tyre me ne, kemi ndarë bukën bashkë në një tryezë! 

Dëgjoja shpesh nga qytetarët e mi :

“Aman mos më trego mua kosovarët se janë të pabesë,do i mbani me bukë por do ikin e as emrat tuaj nuk do të kujtojnë më”! Sot ata erdhën në heshtje, pa bujë, pa kamera, pa lajmërime, sot erdhën për të ndarë me ne dhimbjen tonë…Po ne sot mbetëm pa fjalë përballë tyre dhe plot turp, pasi ata edhe pushimet i kalojnë tek ne për të mos ia dhënë dikujt tjetër ato para Po ne çfarë bëjmë?! Ata edhe në stadiumin e tyre ngrehin flamurin kuq e zi ... Po ne çfarë bëjmë?! Ata na thonë “vëllezër e motra” po ne çfarë u themi atyre?! Shpirtmadhësia jonë vdiq pas viteve ’98-’99, njerëzit u bënë si kafshë dhe nisën të shqyhen mes tyre për një mur, për një oborr, për dy rrënjë ullinj…Nxorëm dhëmbët ndaj vëllait, motrës, fëmijes,mikut, komshiut…u transformuam ne armikun e gjakut tone,disa zgjodhen te ikin larg Shqiperise per te mos rene ne kete kategori njerezish se me keqardhje e them:po bëhej mëse e natyrshme të ishe kësisoj njeriu!!!

Ne shkatërrojmë vendin tonë, pronën tonë, përdhosim emrin tonë nëpër botë, madje në të shumtën e rasteve u bëmë Maria nga Mejreme dhe mohuam origjinën tonë për një vend pune, për një grusht para…Kjo është gjëja më e shemtuar qe dikush i ben vetes dhe kombit te tij-te mohosh gjenezen eshte sikur te mohosh nenen qe te lindi!!! Ja, kësisoj njerëzish u bëmë ne- lëpijmë dorën e atij që na trajton si kafshë e që na pi gjakun në punë dhe kafshojmë dorn e atij që na mban me bukë e që na ofron strehë! Ne po pranojmë mbi kurrizin tonë lloj-lloj mashtrimesh, padrejtësish, ligësish, vjedhjesh, etj etj etj...Po i pranojmë dhe nuk po ngremë krye as për të parë dritën e diellit! Po na shkulet zemra vendit tek shohim fëmijet tanë që mezi i rritën prindërit shqiptarë, që ikin nëpër botë në kërkim të një jete më të mirë…dhe heshtim, madje pranojmë çdo lloj dhimbjeje dhe mallkimi! Ne jemi bërë si ai uji i ndenjur që qelbet e vjen erë, ndaj Zoti po zemërohet kaq shumë me ne dhe me mendjet tona!!!Më falni, o njerez, por personalisht mendoj se këto janë sinjale të Zotit për reflektim, për vetëgjykim, për vetëveprim! 

Shikoni brenda vetes më shumë, falni më tepër dashuri dhe besim, sepse dashuria lind nga brenda vetes dhe reflektohet tek të tjerët! Mos dashuroni makina, çanta, shtëpira dhe bizhuteri luksoze, por dashuroni njeriun!!! Mos e zemëroni Zotin! Mëshiroftë më shumë , se ditë më të këqija mund të përjetojmë nëse vazhdojmë kështu! Pse duhet të kemi nevojë për një tragjedi të tillë, që të tregojmë mirësinë dhe bujarinë që kemi brenda nesh?! Përse duhet të prjetojmë ditë tmerri si këto që kaluam për të treguar që siç dimë të duam ne, askush në botë nuk di ta bëjë?! Përse duhet të presim sa të shohim vdekjen me sy, që ta kuptojmë vlerën e vërtetë të jetës? Ata që na vjedhin çdo ditë, ata që nuk kanë mirësi në shpirt, ata që nuk kanë as din e as iman, sot bëjn sikur qajnë. por nga xhepat e tyre një cent nuk e dhanë!!!

Shqiptarë, kudo që jeni nëpër botë,vetëm një gjë të dini të bëni: të doni më shumë dhe çdo ditë njëri-tjetrin, më pas edhe Zoti sërish do të na dojë më shumë neve! 

Zoti na ndihmoftë!


14 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page