

NGA HASAN KOSTRECI
Ishte mesi i natës i datës 16 Gusht 2020 dhe i ulur pranë telefonit, po prisja ndonjë informacion për t’im vëlla, Uranin, i cili me ambulancën e spitalit të Pogradecit dhe në “gjëndje como” po udhëtonte për në Tiranë. I pyes dhe i bezdis herë pas here për gjëndjen e tij ata që e shoqëronin dhe njëkohësisht, ku aktualisht ndodheshin dhe ata më përgjigjeshin, se tani sapo kaluam Qafën e Thanës, mbërritëm në Përrenjas, në Librazhd, në Elbasan dhe së fundi që Uranin e futëm tek spitali “Nënë Tereza” në Tiranë.
Disi u qetësova por nga që s’po kisha më as gjumë, nisa të mendohesha dhe m’u kujtua se pikërisht po në këtë muaj, pra në Gusht të vitit gjashtëdhjet e nji dhe po në këtë qytet buzë Liqenit të Ohrit, Urani në moshën njëzet e tre vjeçare arrestohet nga regjimi komunist dhe nis më mbas për të ai kalvar i gjatë vuajtjesh që nuk kishin të mbaruar.
- Është kokëfortë dhe ka për të hapur punë edhe ty – m’u kujtua që më tha drejtori i burgut të Burrelit, kur po në Gusht të vitit tetëdhjet e nji, mbasi Urani kish kryer atje plot njëzet vjet, do lirohej dhe unë me një qese, ku pata futur një palë këpucë, një këmishë, kasketë dhe një palë pantallona doku, shkova që ta prisja.
Nuk besova, që për çka ai më tha, të kishte edhe aq hallin tim, se sa marrazin që ndjente, që përveç burgut dhe dy e më shumë vite futur nëpër birruca, Urani asnjëherë atyre nuk iu ishte nënështruar. Ndjehesha, mbaj mënd, mjaft i emocionuar dhe njësoj si njëzet e pesë vite më parë e pikërisht në pesëdhjet e gjashtën kur im atë u lirua nga burgu dhe u habita, sepse, krahasuar me fotografinë që ne mbanim në shtëpi, ai kish ndryshar aq shumë, sa nuk m’u besua që qe babaji im. Po edhe Urani, thashë me vete, njëzet vjet i mbyllur dhe i izoluar po në këtë burg, ku kish qënë edhe i ati, me siguri që do ketë ndryshuar. Ndjeva mbas pak derën e hekurt që u hap dhe pashë t’tim vëlla, Uranin që doli e u drejtua nga mua.
- Të shkuara dhe shyqyr që je shëndoshë e mirë – i thashë dhe u përqafuam
- Mirë u pafshim, Uran – i tha edhe njëri prej rojeve.
- Po jo më këtu – iu përgjegj im vëlla dhe me të sëbashku u nisëm për nga qëndra e qytetit që të hanim diçka, por të gjenim njëkohësisht edhe ndonjë makinë.
- Më duhet më parë që të nis një telegram – më tha.
- Për ku? – e pyeta.
- Shokët dhe miqtë që kam lënë atje janë në merak, mos po më priste tek dera ndonjë makinë që të më internonin – më tha - prandaj duhet patjetër që t’i njoftoj.
– Sigurisht – i thashë dhe shkuam fillimisht në postë, hëngrëm më mbas diçka dhe sa vajtëm tek agjensia, gjetëm, për fat, një makinë që shkonte për Tiranë dhe hipëm.
Në kryeqytet mbërritëm shumë vonë, por nga që Urani nuk kishte dokumenta dhe në hotel nuk mund të flinim, shkuam që ta kalonim natën tek lulishtja në rrugën e Elbasanit, por sa gjetëm një stol dhe u ulëm, ndjeva që po më mbylleshin sytë e për momentin më kapi gjumi, por kur u përmënda, Uranin s’e pashë më aty, prandaj i alarmuar, nisa që ta kërkoj nëpër rrugët bosh të kryeqytetit, kur më zuri syu pak më tutje nja dy gra që ishin duke pastruar me fshesë bulevardin dhe i pyeta;
- A mos patë një burrë me kasketë në kokë të kalojë këtej?
- Po e pamë dhe mori drejtimin për nga qëndra – m’u përgjigjën ato dhe pikërisht kur iu afrova sheshit “Skënderbe”, pashë Uranin që po bënte xhiro.
- A je mirë? – e pyeta.
- Mirë jam, por kam nevojë që të shoh hapësirë dhe natyrë – më tha.
Ishte vetëm një epsisod i shkurtër nga jeta e Uranit, që m’u kujtua pikërisht sonte duke u gdhirë 17 Gusht, të vitit 2020, kur gjëndja shëndetsore e tij është tepër kritike dhe vetëm Zoti mund që ta shpëtojë.