top of page

Me shumë mirënjohje për kohën e harxhuar


Eshref Ymeri



(Mikut tim Shefqet Meko)


Në Portalin e dashur “Fjala e lirë” të datës 22 mars 2022, miku im, biznesmeni Shefqet Meko, shqiptaro-amerikan që prej vitit 1999, kishte botuar një ese kritike me titull “Atdhedashuria e një nacionalisti”, në të cilën ka analizuar librin tim “Shtigjeve të fjalës artistike”, të dalë nga shtypi në Tiranë verën e vitit të kaluar nën siglën e Shtëpisë botuese “Klubi i poezisë”, me drejtor intelektualin e njohur Rexhep Shahu.

Më bëri shumë përshtypje koha që ai ka harxhuar për përgatitjen e asaj eseje. Shefqeti ka një biznes të suksesshëm familjar dhe koha për biznesmenin është një kapital mjaft i çmuar. Kam parasysh dy shprehje frazeologjike për kohën:

E para: “koha është armiku i njeriut (është armiku numër një)”, çka do të thotë se koha është e pamëshirshme me njeriun se ajo nuk e pret kurrë, ajo vetëm ikën shpejt, vrapon. Jo më kot grekët e lashtë e pasqyronin perëndinë e kohës duke ngrënë fëmijët e vet.

E dyta: “koha është flori”, në kuptimin koha është shumë e çmuar. Kjo shprehje shёrben si kujtesё nё njё situatё, kur vonesa ёshtё e dёmshme nga ana financiare. Personaliteti politik amerikan Benjamin Franklin (1706-1790), nё librin e vet me titull “Kёshillё njё tregtari tё ri” (Advice to a Young Tradesman), të botuar në vitin 1748, shkruante: Mos harro se koha ёshtё para. Megjithatё, njё shprehje e ngjashme pёr nga kuptimi, haset edhe te filozofi dhe shkencёtari grek i shek. IV p.e.r. Teothrasti: Koha ёshtё njё zё me humbje i shpenzimit.

Prandaj e falënderoj shumë përzemërsisht mikun tim Shefqet Meko, sepse, më shumë se kushdo tjetër, pikërisht biznesmeni është ai që e vlerëson kohën me shumë objektivitet.

Që në fillim të esesë, Shefqeti thekson se gjatë komunikimeve që kemi pasur shpeshherë me telefon, atij i ka pasë bërë përshtypje fakti që unë e vë theksin shpeshhertë te nacionalizmi, te edukimi me frymë nacionaliste, çka atij i është dukur si diçka e tejkaluar. Madje nënvizon me shumë modesti se vetja nuk i duket aq nacionalist. Por pak më poshtë ai pohon se nacionalizmi është shumë i nevojshëm dhe pajtohet plotësisht me këndvështrimin tim. Pra, e ritheksoj, Shefqeti, në të vërtet, është një intelektual me brumosje nacionaliste. Fakti që atij i dridhet buza dhe i fluturon syri për atdheun amë që e rriti dhe e edukoi nën kujdesin e prindërve të shtrenjtë, çka e përjetoi me mallëngjim shumë të thellë kur në hapësirën kohore mes gushtit dhe shtatorit të vitit të kaluar ishte në Shqipëri, dëshmon më së miri se Shefqeti është një intelektual me brumosje të shkëlqyer nacionaliste.

Sot, në Shqipërinë Londineze, në mjetet e informimit masiv, për fat të keq, si zor të haset kund termi nacionalizëm (nga frëngjishtja nationalisme). Jo vetëm kaq, por edhe kur përmendet, ky term shoqërohet me një mbiemër qesënditës: nacionalizëm folklorik. Por një herë e një kohë, kur komunistët nuk kishin dalë në skenën e jetës shqiptare, ky term ishte mjaft i respektuar. Madje për lartësimin e kuptimit të këtij termi, ishin të interesuara drejtpërsëdrejti strukturat më të larta të shtetit shqiptar, deri te vetë Mbreti Ahmet Zogu. Dhe një interesim i tillë nuk ishte i rastësishëm. Sepse nacionalizmi, në thelb, përfaqëson në vetvete një ideologji dhe një orientim të politikës që ka si parim themelor tezën për vlerën e kombit, si formën më të lartë (më supreme) të unitetit shoqëror në procesin e shtetformimit. Nacionalizmi, si një lëvizje politike, ka si pikësynim mbrojtjen e interesave të bashkësisë kombëtare në raport me pushtetin shtetëror. Në themelin e vet, nacionalizmi predikon besnikërinë ndaj kombit, pavarësinë politike dhe punën në të mirë të popullit, ngritjen kulturore dhe shpirtërore të tij, bashkimin e vetëdijes kombëtare për mbrojtjen e kushteve të jetesës së kombit, të territorit ku ai banon, të resurseve ekonomike dhe të vlerave shpirtërore. Ai mbështetet mbi ndjenjën kombëtare, e cila do të thotë atdhetari, atdhedashuri. Si ideologji, nacionalizmi ka për qëllim të bashkojë shtresat e ndryshme të shoqërisë, pavarësisht se ato mund të kenë edhe mospërputhje interesash.

Për shkak të shpërfilljes së nacionalizmit nga kasta politike e Tiranës, në Shqipëri, e cila duhej të shërbente si burim frymëzimi për mbarë bashkatdhetarët tanë në krejt trojet tona etnike dhe në diasporë, sot pjesa më e madhe e popullit zvarritet në kushtet e një varfërie skandaloze dhe kreu i qeverisë Rama, faktikisht, sillet me të si një kryediktator, duke mos iu bërë vonë absolutisht për çmimet e produkteve ushqimore që janë ngritur dhe po ngrihen në një mënyrë të pamëshirshme. Nëse në radhët e popullit do të ishte mbizotërues edukimi nacionalist, Ramën nuk do ta lejonte kush të tallej me popullin dhe të livadhiste sipas qejfit të vet.

Historiani i njohur, dr. Vasfi Barutit, flet me fakte konkrete për vlerat e nacionalizmit shqiptar në kohën e Mbretërisë. Ai shkruan :

“Mbreti Zog kishte merak të madh edukimin e fëmijëve të shkollave me ndjenja patriotike e nacionaliste. Më 1927 Ministria e Arsimit shpalli konkurs kombëtar për tekstin më të mirë për “Patriotizëm e nacionalizëm”, konkursin e fitoi Kristo Floqi, një intelektual mjaft i njohur i kohës, dhe me lejë nr. 1290, datë 24. XI. 1927, botohej teksti i tij “Patriotizëm dhe nacionalizëm”, i detyruar “Për shkollat publike e private të shtetit. Tiranë 1928”, shkruhet në faqen e parë të tekstit. Është tekst shumë i mirë që edhe sot nga të rritur e të rinj do të lexohej me kënaqësi” (Citohet sipas: Vasfi Baruti. “Enver Hoxha në optikë të re”. Shtëpia Botuese UEGEN. Tiranë, 2013, f. 206).

Në vijim Shefqeti ndalet në disa prej mbresave të mia, të shprehura për libra të ndryshëm që më kanë pasë dhuruar mjaft intelektualë të fushës së krijimtarisë artistike apo aty-këtu edhe publicistike. Ai, si një kritikë i hollë, me një përvojë shumë të pasur edhe në fushën e publicistikës, ka hyrë thellë në përmbajtjen e mbresave të mia për libra të ndryshëm.

Kam pasur nderin që Prof.dr. Fatmir Terziu, personalitet i shquar i kulturës mbarëkombëtare dhe autoritet me shumë peshë në majat e kritikës letrare, ka bërë vlerësimin e librit tim përmes recensionit që pati përgatitur para se ta dërgoja për botim.

Shefqetit i jam shumë mirënjohës dhe i shpreh falënderimet e mia më të përzemërta, duke i uruar suksese në biznesin e vet, shëndet dhe mbarësi familjare me zonjën Alma, me të cilën ngriti çerdhen e lumtur familjare, dhe me dy djemtë e dashur që e kanë marrë vetë fatin në dorë në indin e jetës amerikane.

Kaliforni, 24 mars 2022

32 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page