top of page

Mbresa nga një libër mjaft tërheqës


Prof.dr. Eshref Ymeri



Në Diasporën tonë në Perëndim ka mjaft intelektualë të talentuar, me të cilët ke kënaqësi të shkëmbesh mendime për probleme nga më të ndryshmet që lidhen jo vetëm me ato të atdheut amë, por edhe me çështje të tjera me rëndësi mbarëkombëtare. Para do kohësh, në Portalin “Fjala e Lirë” pata lexuar një analizë interesante, me autor zotërinë Ndrek Gjini. Ajo analizë më pati bërë përshtypje për vlerat e saj, prandaj moderatorit të këtij Portali, Prof.dr. Fatmir Terziut, i kërkova adresën e autorit të saj. Që asokohe, me Ndrekën kam komunikuar dhe vazhdoj të komunikoj shpeshherë. Jo rrallëherë bisedojmë edhe në telefon.

Ndreka ka lindur në fshatin Breg të Pukës më 01 tetor të vitit 1963. Shkollën e mesme e pati kryer në qytetin e Fushë-Arrëzit. Mbaroi studimet e larta në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër, në degën gjjuhë-letërsi. Ka punuar si mësues letërsie në shkollën e mesme Iballë, Pukë. E pati vazhduar punën si gazetar-redaktor në gazetën “Përpjekja”, Pukë, si redaktor e më pas kryeredaktor në gazetën “Kombi” në Tiranë", si gazetar në Agjencinë Telegrafike, dhe po si gazetar në gazetën “Rilindja Demokratike”. Më pas e vijoi punën në detyrën e zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme dhe mandej qe kthyer sërish në gazetën “Rilindja Demokratike”, ku punoi deri në vitin 2001. Po në atë vit emigroi në Irlandë, ku studioi Heritage (Trashëgimi Kulturore). Kreu kursin me kohë të plotë në këtë degë, ku arriti BA dhe më pas edhe MA po në këtë degë, si dhe MA në Letërsi në National University of Ireland, Galway.

Ka botuar poezi, publicistikë dhe ese si në Shqipëri ashtu dhe në Irlandë. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Për më se një vit ka qenë Asistent i Degës së Arteve (Arts Office Assistant) pranë Drejtorisë se Artit dhe të Kulturës në Bashkinë e Qytetit Galway. Aktualisht punon Programme Coordinator pranë Drejtorisë Arsimore të këtij qyteti. Ështe lektor i jashtëm ne lëndën e Letërsisë në National University of Ireland, Galway, si dhe është ftuar të mbajë leksione në shumë festivale të letërsisë në Irlandë.

Po mbushen 20 vjet që Ndreka është pjesëtar i Diasporës sonë në Irlandë. Në njërën nga bisedat telefonike, ai më kërkoi adresën e shtëpisë për të më dërguar dy libra. M’i pati nisur menjëherë. Njëri libër është një përmbledhje me poezi në anglisht. Titullohet “The invention of shoes” (Shpikja e këpucës), botim i Galway Academic Press. Ireland 2019. Aty janë botuar 78 poezi. Të bën përshtypje fakti që autori është zotërues kaq i shkëlqyer i anglishtes, saqë mjeshtërinë e artit poetik, të cilën e ka dhunti hyjnore, ai e shpalos aq mrekullisht edhe në një gjuhë të huaj, çka është një dukuri jo fort e zakonshme në radhët e krijuesve në mbarë botën.

Libri i dytë është i gjinisë së publicistikës. Është një libër mjaft mbresëlënës që në titullin e vet - (Sh)krime në histori”. Shtëpia Botuese “Ermal”. Tiranë 2020.

Përveç këtyre dy librave, ka botuar edhe veprat në vijim:

“Prijësit e Rebelimit” (publicistikë, 2001), “Rivrasja e Azem Hajdarit (publicistikë, 2002), “The Death of Night” (Selected Poems, 2011), “Shtëpia e Mallkuar” (dramë me dy akte, 2011), “Historia Reale e Shqipërisë (publicistikë, 2012).

Vlerat e padiskutueshme të vëllimit poetik në anglisht, i ka nxjerrë më së miri në pah Prof.dr. Adrian Frazier, anëtar i Akademisë Mbretërore Irlandeze dhe Drejtor i MA në Letërsi në Universitetin Kombëtar të Irlandës, Galway. Ai thekson:

“Poezitë e Ndrek Gjinit janë ato të një poeti të vërtetë. Ai mundet, siç shprehet William Blake (poet anglez - 1757-1827 - E.Y.) “të shohë pafundësinë në një kokërr rërë”… Ai është shumë i vetëdijshëm dhe e bën lexuesin të vetëdijshëm për vendin e njerëzve në botë… Roli i politikës në historinë e përgjakshme të Ballkanit shfaqet në mënyrë sporadike në poezitë e tij… Aty… vargjet e tij shprehin një qëndrim të hapur dhe të domosdoshëm kundër terrorit. Poezitë e tij gjithashtu shpalosin një pasazh, përmes të cilit hyjnorja e bën të njohur vetveten… Mbi të gjitha, është e jashtëzakonshme se sa lart dhe larg ka arritur Ndrek Gjini në zotërimin dhe perfeksionimin ekselent të një gjuhe të dytë, në mënyrë që poezitë e tij në anglisht të pasurojnë kulturën gjuhësore të botës joshqiptare me shumë nga gjërat thelbësore të Shqipërisë”.


Ndrek Gjini

Libri me analiza publicistike përmban 12 ese, të cilat, në këndvështrimin tim, janë njëra më interesante se tjetra për mjaft fakte të panjohura deri tani. Këtu do të ndalem në disa prej tyre.

Që në esenë e parë, me titull “Paganizmi dhe… turizmi”, autori shtron një problem jo pak të mprehtë, duke iu kujtuar organeve shtetërore se paganizmi “është ende gjallë në Shqipëri dhe se duhet ruajtur e konservuar si vlerë etnokulturore, prej së cilës mund të kemi veç përfitime në industrinë e turizmit”. Më këtë rast, autori u kujton lexuesve përvojën e Irlandës në arkivimin e vlerave pagane dhe gjatë punës për përgatitjen e disertacionit me temë traditat zakonore të dasmave irlandeze në shek. 18 dhe 19, gjatë hulumtimit nëpër arkiva, pati zbuluar se Irlanda paska arkivin më të madh në Evropë për nga pasuria e elementeve pagane.

Tepër prekëse është eseja, kushtuar eksploratorit më të madh në botë të njëzet viteve të fundit, qytetarit anglez Robin Hanbury Tenison (1936), autorin e librit “Land of Eagles”, i cili, në fillimvjeshtën e vitit 2007, pati vizituar Shqipërinë. Tenisoni dhe bashkëshortja, hipur mbi kuaj, të shoqëruar nga regjisori amerikan Mickey Grant, e rrahën tokën shqiptare që nga Veriu deri në Jug. Ndrekës, si veteran i gazetarisë, i kanë bërë shumë përshtypje tablotë që përshkruan Tenisoni për bukuritë e natyrës shqiptare, gjatë kohës që udhëtonin rrugë e pa rrugë, duke përballuar shiun, urinë dhë plot rreziqe të tjera tek endeshin nëpër shtigje të ngushta në një vend krejtësisht të panjohur, skena këto të fiksuara në kameran e regjisorit dhe që shërbyen për përgatitjen e dokumentarit “Vendi i Shqiponjave”, të cilin e patën paraqitur për konkurrim në Festivalin e Kanës. Në atë dokumentar del më së miri në pah mikpritja karakteristike e banorëve të thjeshtë për tre të huajt, kudo që këta shkelën gjatë aventurës së tyre nëpër Shqipëri.

Por diçka e habitshme ndihet në penën e Ndrekës gjatë rrëfimit të tij për një ngjarje që kishte ndodhur në Valbonë. Tre të huajt kishin humbur rrugën, kur andej pari kalon një makinë policie dhe disa fuoristrada. Ndalojnë. Personi që zbret nga një fuoristradë, iu prezantua të huajve si ministri i kulturës. Dikush prej tyre i orientoi për të shkuar drejt një bujtine të vetme në atë zonë dhe ministri me shoqëruesit krisën e ikën. Tre të huajt, të qullur nga shiu, të lodhur dhe të uritur, arritën në atë bujtinë pas dy orësh. Pronari i bujtinës i priti me shumë ngrohtësi. Aty ndodhej edhe ministri me shoqëruesit, i cili, gjatë tërë kohës, u tregua krejtësisht shpërfillës ndaj tre të huajve, duke u marrë vetëm me pultin e televizorit. Në pesë faqe libri, Tenisoni e ka përshkruar atë takim të rastësishëm me ministrin e kulturës dhe sjelljen e tij të pahijshme, për të mos thënë të turpshme, ndaj tre të huajve dashamirës të vendit tonë. Ndreka, si një intelektual me vetëdije të lartë kombëtare, shpreh habinë e natyrshme ndaj sjelljes së një ministri kulture (në të vërtetë, mbartës i antikulturës) ndaj atij eksploratori të shquar anglez, për të cilin shkruan:

“Në çdo faqe të këtij libri ndihet dashamirësia dhe mikpritja e popullsisë rurale, e cila, për Tenisonin dhe ekipin e tij, hapi dyert e shtëpive, u afruan atyre bukë të ngrohtë, djathë të bardhë të kriposur, dhallë dhe raki”.

Prandaj nga libri i lartpërmendur i Tenisonit, Ndreka citon disa rreshta me domethënie të thellë:

“Shqiptarët janë një popull mikpritës. Shqipëria është një vend që për vite me radhë është veshur me misteriozitet përballë publikut të huaj. Unë dua t’u tregoj njerëzve se cila është Shqipëria realisht dhe pse duhet ta duan ata…”.

Në mbyllje të kësaj eseje, Ndreka këshillon që këshilltari për kulturën pranë kryeministrit, ta lexojë atë libër dhe t’i sugjerojë atij kryeministri t’i drejtohet Tenisonit me një letër falënderimi dhe t’i kërkojë ndjesë për sjelljen e pahijshme të atij ministrit të kulturës të vitit 2007.

Eseja në vijim është befasuese. Ajo i kushtohet Preng Bib Dodës (1858-1919), Princit të Mirditës, njërit nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe kandidatit për fronin e Shqipërisë në vitin 1914, dy herë zëvendëskryeministër dhe dy herë ministër. Përmes një kolegu të vet, lektor i lëndës së Gjenealogjisë në Universitetin Kombëtar të Irlandës, në një konferencë kushtuar Napoleonit III, Ndreka ka mësuar se pikërisht Napoleoni III paska qenë kumbari i Prengës, i djalit të vetëm të Bib Dodës, të cilit i pati dhuruar njërën nga shpatat e tij. Madje kolegu e paska pyetur Ndrekën nëse ekziston në Shqipëri ndonjë muze, kushtuar Bib Dodës. Vajmedet! Kush mund të lejonte muze për Bib Dodën? Kryediktatori Enver Hoxha?! Siç sqaron Ndreka në vijim, sipas rrëfimeve të një tjetër kolegu që jep lëndën e historisë së Rusisë në atë universitet, kostumin kombëtar shqiptar të Preng Bib Dodës, i cili, në një fotografi, me atë kostum, ka pozuar me shpatën e Napoleonit III në dorë, Enver Hoxha ia pati dhuruar Hrushovit.

Kjo dhuratë e Enver Hoxhës për udhëheqësin e Bashkimit Sovjetik, më solli ndër mend ca kujtime të përkthyesit të talentuar Myfit Mushi, i cili në gjysmën e dytë të viteve ’50 ishte përkthyes i rusishtes në Komitetin Qëndror. Në vitin 1957 ai pati shoqëruar mareshalin sovjetik Zhukov gjatë një vizite në Vlorë. Ai rrëfen:

“Jemi në Vlorë. Autoritetet e vendit organizojnë për nder të tij një pritje madhështore. Më afrohet dikush e më njofton se kanë hequr nga muzeu kamën e Kanan Mazes (heroit të luftës së Vlorës kundër pushtuesve italianë në vitin 1920), për t’ia dhuruar mysafirit të lartë. Kërkohej pëlqimi i Zhukovit. Ia njoftova atë dëshirë. Ishte dakord. Pas pak, vjen i ngarkuari me këtë detyrë dhe ia dorëzon relikten me ceremoni.” (Kujtimet e Myfit Mushit, si përkthyes i Enver Hoxhës, i kam përfshirë në librin me titull “Arti i përkthimit gojor”. Intergrafika. Tiranë 2018).

Vajmedet për udhëheqësit komunistë shqiptarë të periudhës së lulëzimit të “miqësisë” me Bashkimin Sovjetik! Ato objekte të çmuara të pasurisë sonë folklorike dhe etnokulturore, për shkak të servilizmit të tyre të pështirë ndaj “miqve” sovjetikë, ua dhuronin atyre pa iu dridhur dora.

Po në këtë ese, Ndreka jep një tjetër fakt tronditës që dëshmon për një të vërtetë tragjike nga historia jonë kombëtare. Ndreka mjaftohet vetëm me dhënien e faktit dhe, me elegancën intelektuale të një veterani të gazetarisë, e lë në vetëdijen e lexuesve për të gjykuar për atë të vërtetë tragjike. Ai i referohet një artikulli të Profesorit Nexhmedin Spahiu, me titull: “Katolikët e Mirditës me Sulltan Muratin I kundër princit Llazar”.

Shqiptarët, si pasardhës të pellazgoilirianëve, të njohur për përçarjen tronditëse brez pas brezi, domosdo që përçarjen e tyre do ta dëshmonin edhe në Betejën e Fushë-Kosovës, të zhvilluar më 28 qershor 1389. Në atë betejë, mirditorët qenë rreshtuar në krah të sulltanit, kurse Balshajt ishin të rreshtuar në krah të serbëve. Se s’mund të ndodhte ndryshe. Ishte mikrobi i përçarjes së mallkuar që i nxiste shqiptarët të rreshtoheshin në radhët e dy pushtuesve të huaj dhe të vrisnin njëri-tjetrin (Nuk kishte ardhur ende epoka skënderbejane, kur në Lidhjen e Lezhës të 2 marsit 1444, Skënderbeu e bashkoi pjesën më të madhe të princave shqiptarë për t’i dhënë dërrmën sulltanit). Dhe sulltani, në shpërblim të rreshtimit në krah të ushtrisë osmane, mirditorët i shpërbleu me çlirimin nga taksat, por me kushtin që t’i përdorte si mish për top. Dhe rasti u paraqit për t’i përdorur si të tillë. Në Luftën e Krimesë të viteve 1853-1856, kur osmanët po e humbisnin betejën me ushtrinë ruse, 15 mijë luftëtarët e Bib Dodës qenë lënë për t’u hedhur në sulm në çastin vendimtar, kur ata i dhanë dërrmën përfundimisht ushtrisë ruse.

Ky mercenarizëm në radhët e shqiptarëve në shërbim të të huajve, me zanafillë që në lashtësi, gjatë luftërave iliro-romake, doli në pah edhe në fundin e shekullit VII dhe vazhdoi për shekuj ma radhë, kur trojet iliroshqiptare, kohë pas kohe, bëheshin arenë e përplasjeve mes pushtuesve të trojeve tona. Le të kujtojmë për një çast përplasjet e mbretërisë bullgare të Samuelit (976-1014), me perandorinë bizantine, me perandor Bazili II (976-1025), kur trojet tona etnike, si troje pa zot, kalonin nën sundimin e herë të njërës e herë të tjetrës palë.

Një tjetër ese mbresëlënëse, është ajo që i kushtohet figurës së shquar të historisë sonë kombëtare, Imzot Nikollë Kaçorrit, i cili, më 12 nëntor 1912 i pati dërguar një Memorandum mbretit të Austro-Hungarisë, Franc Jozefit I (1830-1916), në të cilin i kërkonte ndihmë për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga grekosllavët. Ai memorandum shërben si një tjetër dëshmi e përçarjes tragjike ndërshqiptare. Trojet shqiptare asokohe shtriheshin që nga Gjiri i Ambrakisë dhe deri në Tivar, por shqiptarët e kishin harruar krejtësisht epopenë e lavdishme të Skënderbeut dhe nuk e dinin absolutisht se ç’do të thoshte bashkim për mbrojtjen e trojeve amtare. Duke njohur realitetin tragjik të përçarjes së shqiptarëve, Imzot Nikollë Kaçorri i drejtohej për ndihmë një mbreti të huaj. Një fakt ky sa i dhimbshëm, aq edhe trishtues që shqiptarët i bënte qesharak në sytë e tij për pazotësinë e tyre për mbrojtjen e trojeve të veta.

Trishtim të thellë të ngjallë rrëfimi i Ndrekës për Rexh Metën (1906-1985) në esenë me titull “Rexh Meta dhe kushti i Enverit për Rose Wilder Lane”. Nga ai rrëfim, lexuesi mëson se Rexh Meta, “dikur banor i jetimores së Shkodrës, bëhet shqiptari i parë që diplomohet me medalje të artë në Universitetin e Kembrixhit”. Në jetimoren e Shkodrës, e cila varej nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, Rexha e pati përvetësuar anglishten deri në përsosmëri. Prandaj që në moshën 12-vjeçare ai pati shoqëruar si përkthyes ekspedita anglo-amerikane në Veri të Shqipërisë. Pikërisht në njërën nga ato ekspedita që udhëhiqej nga gazetarja amerikane Rose Wilder Lane, Rexhës i buzëqeshi fati. Falë aftësive të tij të jashtëzakonshme, pas Luftës së Parë Botërore, ai e pati shoqëruar gazetaren amerikane, e cila asokohe njihej si gazetarja më e paguar në botë. Duke vlerësuar lart aftësitë e tij, gazetarja i siguroi një bursë në shkollën teknike “Harry Fultz”, mandej e dërgoi në Universitetin e Kembrixhit, ku ai jo vetëm i përfundoi studimet shkëlqyeshëm, por mbrojti edhe doktoratën me temë nga fusha e ekonomisë financiare. Pas kthimit nga internimi në Itali pas pushtimit fashist, Rexha bëhet njëri nga 45 themeluesit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Kur përfundoi lufta, komunistët e arrestojnë Rexhën dhe e dënojnë me vdekje. Fatmirësisht, lajmi për dënimin e tij pati arritur deri te gazetarja amerikane, e cila ndërhyri drejtpërdrejt te Presidenti i Shteteve të Bashkuara që t’i falej jeta. Dhe Presidenti ndërhyri. Falë aftësive të tij hulumtuese, Ndrek Gjini ka arritur të sigurojë burimin, sipas të cilit Enver Hoxha pati premtuar që dënimi me vdekje të ndryshonte në dënim me burg me një afat 27-vjeçar, me kusht që gazetarja amerikane të mos shkruante kundër regjimit të tij. Rexha i gjorë e kreu dënimin në burgun famëkeq të Burrelit, duke i lënë bashkëshorten, djalin dhe vajzën në mëshirën e mjerimit komunist, në kushtet e një varfërie proverbiale.

Kryediktatori Enver Hoxha, si një njeri pa kulturë universitare, vuante tmerrësisht nga kompleksi i inferioritetit, çka bëri që mbarë intelektualët e talentuar që i kishin përfunduar studimet në universitetet më të njohura perëndimore, i pushkatoi, i kalbi nëpër burgje ose nëpër kampe internimi. Le të kujtojmë për një çast ish-liceistët e Korçës. Prandaj edhe Rexh Meta nuk mund të përbënte përjashtim, paçka se emri i tij figuron në Librin e Artë të Universitetit të Kembrixhit

Si një intelektual me shpirt të madh, Ndrek Gjini shkruan:

“Sikur asgjë të mos ketë bërë Rexh Meta në jetë, vetë fakti se ai ishte shqiptari i parë që është diplomuar në Kembrixh me medalje të artë, ai e meriton një shtatore në Tiranë”.

Në të njëjtën kohë, Ndreka propozon që edhe gzetarja Rose Wilder Lane të nderohet me një shtatore në vendin tonë.

Me shumë kërshëri lexohen edhe esetë e tjera, si ajo për domosdoshmërinë e një Lidhjeje të tretë të Prizrenit, për agjenten sekrete britanike Meave de Burgh që ushqente simpati për shqiptarët, për Nënë Terezën gjatë kohës që pati qëndruar në Irlandë, për Pjetër Arbnorin dhe letërkëmbimin e tij me Lordin Bethel lidhur me spiunin në shërbim të rusëve Kim Philby, për mbretëreshën Geraldinë, me të dhëna befasuese lidhur me madhështinë e figurës së saj (kishte një bibliotekë me 7 mijë libra), të papublikuara deri më sot, për Ismail Qemalin në mbyllje të librit, ku Ndreka thekson se ndihet “nevolja për një Ismail Bej Vlore… real”.

Në esenë me titull “Sikur të bënim modelin irlandez për historinë!”, të cilën e lashë për në fund, autori parashtron një ide tepër joshëse, e cila përbën fillin e kuq që përshkon krejt përmbajtjen e këtij libri, çka del në pah që në titull. Dhe ja cila është ideja: Shqipërisë i duhet një vepër historiografike, në të cilën të gjejnë pasqyrim ngjarjet reale. Për fatkeqësinë tonë kombëtare, në perudhën e diktaturës komuniste, falsifikimi i historisë arriti deri në atë shkallë, saqë gënjeshtrat, mashtrimet të reklamoheshin për të vërteta historike, çka është një krim i vërtetë. Modelin e falsifikimit të historisë gjatë asaj diktature, e ka zbuluar mrekullisht historiani i njohur dr. Vasfi Baruti, në veprën me titull “Enver Hoxha (Gjysma tjetër e Hënës)”, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Tiranë 2017 (685 f.).

Propaganda komuniste ka vazhduar dhe vazhdon të përhapë mite për Enver Hoxhën si “themeluesin” e partisë komuniste, mite këto, të cilat erdhën e ushtruan ndikimin e vet, madje deri edhe në letërsinë artistike dhe në artet figurative. Kështu, Ismail Kadare, i njohur në krijimtarinë e vet poetike për servilizmin model që shfaqte ndaj Enver Hoxhës, u mban ison falsifikimeve të propagandës komuniste dhe të historianëve rreth saj për “themeluesin” e rremë të partisë komuniste, duke shpërfillur faktin që letërsia artistike e ka shumë më të fuqishëm ndikimin mbi lexuesin sesa letërsia politike:

“U hartua Thirrja, / Themeluesi i partisë zgjati dorën për firmë… / Ajo s’ishte firmë, / Ajo ishte vetëtimë / Në qiell të revolucionit me re e suferinë. / Duke nënshkruar dokumentin e parë / Shoku Enver Hoxha nënshkroi stuhinë” (Ismail Kadare. “Shqiponjat fluturojnë lart”. Vepra letrare. Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Vëllimi 2. Tiranë 1981, f. 157, 158).

Si një hulumtues tepër objektiv dhe studiues me nuhatje të hollë intelektuale, Ndrek Gjini shpreh keqardhjen për fshirjen nga faqet e historisë sonë kombëtare të emrave të shumë personaliteteve të shquara, me kontribute të jashtëzakonshme, që nderojnë mbarë kombin shqiptar dhe që kanë qenë model i ndershmërisë dhe i humanizmit edhe për mbarë kontinentin evropian, sidomos në shpëtimin e hebrenjve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Një personalitet i tillë ishte Kolë Bib Mirakaj. Në funksionin e Ministrit të Brendshëm, më 31 gusht 1943 ai dha urdhër për pajisjen e hebrenjve me pasaporta shqiptare, Pra, siç thekson autori i librit, “u shpëtoi jetën 2000 hebrenjve që ndodheshin në Shqipëri, të cilët u pajisën me pasaporta shqiptare dhe udhëtuan drejt Italisë”. Prandaj Ndreka propozon modelin irlandez për të shkruar historinë. Me këtë rast, ai thekson:

“Aty nga mesi i viteve ’60, Parlamenti mori një vendim dhe qeveria akordoi fonde, të cilat iu dhanë Universitetit të Oksfordit për të shkruar tekstet e historisë së Irlandës. Këto tekste shërbyen si tekste bazë për shkollat fillore dhe të mesme”.

Intelektualë të formatit të Ndrek Gjinit në Diasporën tonë në Perëndim, të pajisur me kulturë të gjerë dhe me kontribute të ndjeshme në fushën e dijeve, nderojnë jo vetëm veten e tyre, por edhe mbarë kombin shqiptar në sytë e opinionit publik të vendeve ku jetojnë dhe punojnë. Në këtë aspekt, është mjaft kuptimplotë një fakt që sjell ish- ambasadori ynë i nderuar në Londër Mal Berisha. Më 10 tetor të vitit 2013, ai kishte paraqitur letrat kredenciale te Presidenti i Republikës së Irlandës, z. Michael D. Higgins, i njohur edhe si personalitet i letrave. Në vlerësimin parathënës që i ka bërë këtij libri, ambasadori shkruan:

“Presidentin irlandez mendova që ta “surprizoja” me një gjest shumë të thjeshtë, pa asnjë shpenzim, por tepër kuptimplotë. Për këtë, ndonëse pa e pyetur, më erdhi në ndihmë autori i këtij libri, Ndreka, kësaj radhe si përkthyes. Ai kishte njohje me Presidentin irlandez, për shkak se ky i fundit ishte një ndër themeluesit e shoqatës “Miqtë Irlandezë të Shqipërisë”. Ndreka kishte përkthyer një sërë vjershash të Michael D. Higgins dhe i kishte botuar në Gazetën Nacional në Tiranë. Unë i mora ato vjersha, i printova dhe i lidha bukur në një libërth dhe gjatë audiencës private me Presidentin, ia dhurova atij. Presidentit i shndritën sytë. Ai as që e priste një gjë të tillë. Pasi i hodhi një sy, ai më tha: “Jam shumë i nderuar dhe i lumtur. Kam shumë libra të mijtë, të përkthyer në gjuhë të tjera, të cilat gjenden në bibliotekën time, por nuk kam asnjë të tillë të përkthyer në shqip. Ky do ta zbukurojë koleksionin tim, madje do ta vendos në krye të tyre”. I thashë me shaka se i takon, pasi emri i vendit tim fillon me “A””.

Do të ishte fat madh që intelektualë të tillë, si Ndrek Gjini, t’i jepnin kontributet e tyre në atdheun amë, por, për fajin e politikës, talente të tilla na i gëzon bota.


97 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page