top of page

Martin Dedaj: KUR JETA DHE KUJTESA BASHKOHEN NË LETËRSI


- Opinion rreth librit “Shtjellë  fatesh” të autorit Llesh Ndoj 

Nga Martin Dedaj

 

 

Libri: “Shtjellë fatesh” i autorit të njohur Llesh Ndoj, vjen si një rrëfim i ndjerë, i cili mund të lexohet natyrshëm si roman, duke bashkuar kujtesën personale me historinë kolektive, ndjenjën me reflektimin, dhe jetën reale me dimensionin artistik të fjalës së shkruar.

Në thelb, kjo vepër është një dedikim i thellë dhe prekës për nënën, figurën e dashur dhe të paharruar – Dielloren – e cila shfaqet jo vetëm si nënë biologjike, por si simbol i sakrificës, qëndresës, fisnikërisë dhe dashurisë së pakushtëzuar. Ajo rrezaton në çdo faqe të librit si dritë shprese, si busull morale dhe si themel shpirtëror i familjes dhe brezave që vijnë.


Autori, përmes një gjuhe të ngrohtë dhe të kujdesshme, sjell mallin dhe nostalgjinë për vendlindjen, Domgjonin, aty rrëzë malit madhështor të Munellës e përballë Zepës, e cila thërret vazhdimisht për t’u rikthyer. Ky peizazh nuk është thjesht sfond natyror, por një hapësirë identitare, ku janë ngjizur vlerat më të mira njerëzore: bujaria, fisnikëria, atdhedashuria, trimëria, besa, zakonet dhe traditat.

“Shtjellë fatesh” lexuesi ndeshet me portretin e njerëzve të kësaj treve me emër – punëtorë, mikpritës dhe të qëndrueshëm – të cilët e kanë ndërtuar jetën me punë dhe djersë, duke përballuar sfidat e kohës me dinjitet dhe shpresë. Jeta, si një shtjellë fatesh, i vë përballë provave të forta, por ata zgjedhin të mos dorëzohen, të besojnë në vetvete dhe të buzëqeshin ndaj së nesërmes.


Libri përcjell një mesazh jetësor dhe universal: të mos humbasim kurrë shpresën, të ecim përpara me optimizëm, guxim dhe vullnet, duke mbajtur gjallë kujtimin e të parëve, respektin për historinë, kulturën dhe dijen. Ky mesazh bëhet edhe më i fuqishëm kur autori u drejtohet fëmijëve të tij, duke i ftuar të kujtojnë me krenari vendlindjen, të thonë gjithnjë se janë domgjonas dhe të ecin në gjurmët e të parëve, për të ndërtuar një jetë të bukur, të ndershme dhe të lumtur. Mesazh i cili është transkiptuar dhe absorbuar mësëmiri veçanarisht nga vajza e tij e talentuar, Erjola Ndoj, që u shpall ekselente për vitin shkollor 2024 - 2025 dhe u vlerësua me Medaljen e Artë mga kryeministri i vendit, z. Edi RAMA.

Motivi i shkrimit të kësaj vepre është i pastër dhe fisnik: dashuria për nënën, për familjen, për vendlindjen dhe për jetën vetë. Me finesë dhe ndjeshmëri, Llesh Ndoj ka arritur të krijojë një botim të arrirë, ku përvoja personale shndërrohet në letërsi dhe kujtesa në vlerë shpirtërore për çdo lexues.

Shtjellë fatesh, botuar nga Enti Botues “Marianistët”, Lezhë 2025, është një libër që nuk lexohet vetëm me mendje, por mbi të gjitha me zemër. Ai mbetet një dëshmi e gjallë se letërsia mund të jetë urë midis brezave, vendlindjes dhe së ardhmes, dhimbjes dhe shpresës.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page