top of page

Mara dhe Hata: Fejzo Meçaj, biznesmeni që mori një copë Dhemblan dhe e nguli në mes të Tiranës

  • 10 minutes ago
  • 3 min read

 

Bar-restorant “Tepelena”, një model i kulinarisë bio të Labërisë sonë

Midis Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës dhe ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot”, të bie në sy një bar-restorant ku të presin të veshur me kostumin tradicional labe, dhe ku aroma e fjalës së mençur, plot alegori e kode filozofike, përzihet me aromën e mishit të pjekur bio, një ofertë e veçantë e këtij lokali. Është si një parajsë e vogël, një oaz çlodhjeje e relaksimi në mes të kësaj zhurme agresive që ngre vorbulla trazimi e moskuptimi pa cak. Një lokal me emër, që me kalimin e viteve është kthyer në një emblemë të ushqimit bio, të respektit dhe të mirësisë që ofrohet këtu, që nga pronari deri tek kamarierët dhe çdo punonjës tjetër.

Të gjithë, që nga kamarierët, kuzhinierët e deri tek stafi tjetër, janë të veshur me kostumet e traditës labe dhe të presin krahëhapur, me një mirësjellje dhe respekt shembullor.

Bar-restorant “Tepelena” nuk është vetëm një ofertë e mrekullueshme kulinarie, me gatime të veçanta dhe surprizuese, ku vendin kryesor e zë mishi i pjekur, më pas harapashi i famshëm i Labërisë sonë, djathi i dhisë së maleve të Jugut etj., por edhe një odë e ngrohtë, me rromuze e hedhje-pritje, për të cilat shquhen trevat labe, ashtu siç shquhen ato të Veriut për muhabetet “me rrotulla” e fjalët “nën mutaf”, siç thonë dibranët.


Fejzo Meçaj, nga Dhemblani i Tepelenës, krahina e Lopësit, është një djalosh energjik dhe plot humor, që e nisi gjithçka nga zeroja, mes pengesash e vështirësish që pasonin njëra-tjetrën, duke e ushqyer me frymën dhe pasionin e tij këtë sipërmarrje të guximshme. Ai e nisi këtë biznes të vështirë që në vitin 1999, rreth 27 vite më parë, duke rrezikuar fort, me vizion dhe guxim për të sjellë një copë Dhemblan, një copë fisnikërie labe, në kryemetropolin shqiptar. Do t’i duhej shumë punë e përkushtim, jo vetëm ekonomik, por edhe një angazhim i vazhdueshëm për të krijuar një biznes ku klienti të ndihej mbret dhe si në shtëpinë e tij.

Djaloshi Fejzi Meçaj nga Dhemblani, me punë e përkushtim model, duke e bërë natën ditë dhe duke u ngritur mbi çdo vështirësi që i dilte përpara, ia doli të realizojë një ëndërr të rinisë së tij: bar-restorantin “Tepelena”, ku gjithçka flet me gjuhën e mallit dhe të kujtesës së pashuar për vendlindjen e dashur.


Sapo hyn brenda, të duket sikur je atje, në Dhemblanin e dashur, mes një bote pothuajse muzeale objektesh të ndryshme: shtamba, xhezve, luga, tasa, filxhanë, llamba ndriçimi, ibrikë kafeje e rakie—një mini-botë idilike dhe romantike që e bën klientin të ndihet thellësisht i relaksuar dhe i surprizuar.

Thonë se guri i rëndë peshon në vendin e vet, në truallin e rrënjëve të tij, por “guri” simbolik i Fejzo Meçajt fluturoi nga Dhemblani i dashur dhe u mboll në mes të kryeqytetit shqiptar, si një kujtesë malli e dashurie për vendlindjen, Edenin e tij të paharruar.

Mysafirë të bar-restorant “Tepelena” janë çdo ditë, përveç njerëzve të thjeshtë që duan të shijojnë kulinarinë unike, edhe persona të sferave të larta të shoqërisë: biznesmenë, politikanë, artistë, gazetarë, moderatorë e shkrimtarë, të cilët ndihen mirë në ambientet e këtij restoranti, si për gatimet e mrekullueshme, ashtu edhe për shërbimin cilësor, rregullin dhe pastërtinë shembullore.

Edhe të huajt që arrijnë ta zbulojnë këtë qoshe romantike dhe idilike, nuk i ndahen më restorantit “Tepelena”, madje sjellin edhe të tjerë, për të shijuar magjitë gastronomike dhe mikpritjen emblematike të të zotit të shtëpisë—dhemblanasit me vizion, i cili ka ndërtuar një Eden të maleve të tij në zemër të metropolit shqiptar. (Q. Mara dhe D. Hata)

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page