top of page

MALLKIMET E BUKURA


Prend BUZHALA: MALLKIMET E BUKURA (Këngë dëshpërimi), 1

Mirëdita, Dëshpërim, mirë se erdhe te kjo tryezë e botës, ti perëndeshë e humbjes dhe vrasjes së shpresës. Sa herë e kam tërhequr trupin zvarrë rrugëve me pika gjaku, zvarrë me dhimbjet e jetës, zvarrë zindaneve, zvarrë zgobinalleve të gjallimit, zvarrë me pranga e zinxhirë, në duar e në këmbë, zvarrë me mallkimet e lirisë, si mallkimi më i bukur, me muret e mundimeve të kohëve mbi shpinë. Sa herë! A thua, ti qenke ajo Perëndesha e Dëshpërimit, Ojzis, Ojza, Dëshpërimi që më paska thënë: mos u dorëzo, jeto me mua, më duhet Njeriu i Dëshpërimeve të Mëdha. Më duhet Personazhi i Fundosur në Mendime që nuk pranon as lule, as fjalë të mira. Mirëdita, Perëndeshë e Dëshpërimit: sa herë paska qenë dashtë të të mbuloj me velin e qëndresës dhe durimit përballë mizorive të përbuzjeve të mëdha të botës. Është veli im i nusërisë, më ke thënë. Veli i plasave të zemrës. Veli i rrugëve e dhimbjeve tua që vetë i ke zgjedhë. Mirëdita, Pikëllim i Botës, që ha jeta njerëzish në këtë kohë pandemie e krize të ndërgjegjes njerëzore, e jetën na e shndërron në varr të vetvetes, e shndërron në një pilulë të hidhur shpresëkotësie, jetë e mbështjellë në pako për t’u gëlltitur nëpër farmaci, e këtë jetë na e varni si një kornizë zbukurimi në Murin e Mundimeve të Botës. Spitalet i shndërrojnë trupat njerëzorë në gur, në guralecë që hidhen si material i pavlerë. I humbur në vetvete me veten, me njerëzit e me botën, i sfilitur nga bagazhet e barrët mbi shpinë, i mbështjellë me gjithçka që kam humbur, i humbur në librat e mi të humbur, humbjesh të pafund, librash të shushatur, të shastisur nga inkuizicioni modern, i humbur nëpër pilulat e helmëta të fjalëve e të gjallimit. Mirë, nga ky helm shastisjesh të librave, si nga Gjarpri i Eskulapit, bëjeni alkimi të melhemeve mbi plagët e jetës e të ngushëllimeve të mëdha.

(30 prill 2021)

21 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page