top of page

M I S H K A


Tregim nga Aleko likaj


Mishka Svjetllovi, atë prag pranvere, ishte emigranti i parë që kishte kërkuar azil politik, në qytetin e vogël buzë sharontës. Tridhjetë vjeçari nga Rusia, ishte shfaqur që nga fillimi i viteve 90 – të, për të parën herë në Paris, e punonjësit e "Franc Terë Azil" aty, e kishin nisur me një pusullë në dorë për në Anguelemë. Me një trup, që nuk e kalonte mesataren, dhe fytyrë të skuqur, ku mezi dalloheshin dy sy gri të futur brenda një guacke, e qerpikëve të zbardhur poshtë flokëve të verdha, që i mbulojnë ballin e sheshtë, moskoviti u duk për banorët e paktë të atij qyteti, si një alien i vërtetë, që e meriton një vëmëndje, jo të papërfillshme. Ndonëse indiferentë, anguelemasit treguan interes për të sapoardhurin. Lëruan një dhomë pranë Bashkisë së qytetit fillimisht, dhe shumë shpejt i gjetën një hyrje me katër dhoma, plot ajër e dritë, në një lagje pranë periferisë. Tre shoqata bamirëse ja mobiluan brenda ditës, me të gjitha orenditë krejt të reja, duke i marrë nga magazinat tregtare të qytetit. I dorëzuan dhe çelësat, në ditën e tretë të mbritjes në Anguelemë, duke i thënë " Rri me shëndet në shtëpinë tënde. E meriton, sepse ke braktisur sheshin e një lufte të padrejtë, ku të kishte dërguar vetë shteti yt "

Historia e Mishkes, shëtiti shumë shpejt në familjet e qytetit, që të kujton nga arkitektura Beratin tonë të njëmbienjë dritareve. Moskoviti kishte mbaruar shkëlqyeshëm shkollën e pilotazhit, në Akademine Ushtarake të kryeqytetit rus, dhe madje, kishte punuar për disa kohë si pilot në avionët qeveritarë, kjo për shkak të aftësive, por edhe të një garancie politike, pasi vetë Mishka Svjetllovi, ishte i biri i gjeneralit Svjetllov në pension, dikur përfaqësues i lartë në Traktatin e Varshavës. Por një ditë marsi, e kishin thirrur në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe i kishin thënë: " Kemi nevoje për ty. Do të pilotosh avionin bombardues me të rëndë luftarak, për disa seanca, në Ceçeni. Ti duhet të kuptosh, që në këto momente luhet emri i rusisë, nënës sonë të dashur, nga një çetë bastardësh, që nuk e di se ç'kërkon në të vërtetë. Kanë masakruar, e vazhdojnë mbi njerëzit tanë të pafajshëm, që jetojnë prej dhjetra vjetësh atje. Na duhet patriotizmi yt. Sot është ora e rusisë..."

Mishka në fakt nuk tha, po, por as dhe jo, duke mos i a prishur shefave. Të nesërmen e çuan në një aerodrom ushtarak, në periferi të Moskës, dhe i dhanë në dorëzim makinën fluturuese të rëndë, luftarake. Aty e priste edhe ndihmësi i tij, një djalosh më i ri në moshë, që kishte ardhur në kryeqytetin rus, nga tajgat e Siberisë. Një qytet i vogël përballë ngushticës së Beringut, që nga tiparet zor se e dalloje, nga vetë eskimezët e veriut. Ajo ditë i u duk moskivitit krejt ndryshe nga të tjerat. Kuptoi, se për të, po niste kështu një periudhë tjetër në jetën e tij.

Kafenetë ku kalonte mbrëmjet në shumicën e rasteve, nuk i a merrnin paratë që i a jepte " Assedik -u" çdo muaj, dhe që rrotulloheshin aty tek tremijë frangat. Kjo shumë, për një beqar siç ishte Mishka, delte e tepronte për një jetë normale, pasi edhe ata të ndihmës, i siguronin disa para të thata të tjera, që moskoviti, të mos e ndjente veten ngushtë, në atë qytet të vogël buzë sharontës, ujëshumë. Piloti rus, ishte kryetema e bisedave të paktën për një vit, deri sa aty, u shfaq një kërkues tjetër azili, këtë herë nga Angola e Afrikës. Kishte punuar ashtu siç thoshte, në administratën e lartë të atij shteti. Sidoqoftë, Mishka u kishte hyrë në zemër anguelemasve, dhe Veronika, bija e vetme e Ana Marisë, së vesë së ish kryetarit të bashkisë së qytetit, shumë e shumë vite më parë, i fali dashurinë dhe virgjerinë e një njëzeteshtatë vjeçarje. Ajo me sa duket, nuk kishte ngjallur ndonjëherë vëmëndjen e meshkujve, jo vetëm të kësaj qendre, që nuk i kalonte të 50 mijë banorët, por edhe më tej. Mbase, edhe për shkak të portretit të saj aspak tërheqës. Me një fytyrë gati të varur e të fryrë, dhe të ngjallur tej mase, ku dy sy të zinj si të dalë, e një gojë e zmadhuar, në një pozicion pak të shtrembër, e kishin bërë, që të ishte larg kësaj botë mashkullore, me plot mistere. Por Mishka, nuk kishte deklaruar ndonjëherë se kishte qenë i martuar, dhe se kishte ndonjë të fejuar në qytetin e tij. As edhe Irina Gargarinën, balerinën e “Balshoi Teatër“ të Moskë, për të cilën shokët i thonin se ishte vajza më e bukur e kryeqytetit rus, por që krejt papritur e kishte zëvëndësuar pilotin shumë shpejt me një këshilltar të presidentit Jelcin, pas një qejfmbetje krejt banale. Kish preferuar karierë ajo vajzë e ardhur e ardhur fëmijë nga zonat e lumit „Don“.Por vajzave franceze pak punë u prish ky problem. Ai e pranoi Veronikën si një zgjidhje tepër interesante, jo vetëm për momentin. Kuptoi që vajzat franceze, mjaftojnë të ta shtinë syun, e pastaj mori fund gjithëçka. Janë vërtetë profesioniste në këtë punë ku hyn vetëm zemra. Veronika ishte një nga këto. Ajo nuk mendonte se kishte mbetur beqare, dhe se, nuk i a kishte fërshëllyer asnjë, por Mishka Svjetllovi i hyri në sy që ditën e parë, tek e pa të mbështetur pas një pemë në trotuar, në sheshin " Stalingrad ". Zakon ky i keq i djemëve që vinin nga lindja, se këtu nuk sheh djalë apo vajze, që të vrasë kohën kot poshtë ndonjë pemë, apo masivi të gjelbërt.

Ngjarja ishte vërtetë befasuese, sepse ata shumë shpejt shkuan pa u vonuar aspak drejt altarit. Nuk kishte kohë për tu pritur. Dasmën i a bënë çiftit te ri, vetë ata të qendrës së ndihmës sociale për azilantët politik, në një nga lokalet e këtij qyteti. Dhëndërit të ri i u gjet edhe puna pranë bashkisë, në mirëmbajtjen e lulishteve dhe gjelbërimin që zë hapsira të pamata në këtë zonë, sepse Anguelema, nuk ka fare industri. E vetmja krenari e këtij qyteti, është fakti, se Duka i Anguelemës, i ka dhënë për grua vajzën e tij mbretit të Francës, në mes të mijëvjeçarit të kaluar, të cilës i kanë ngritur edhe një bust para bashkisë. Në atë periudhë, ajo ka dërguar herë pas here edhe ushtarë e harkëtarë, por edhe dhurata në Krujë tek kryetrimi ynë, i caktuar prej Papës, si Atlet i Krishtit. Këtë fakt e pohon edhe Barleti ynë, në librin e tij për historinë e luftrave me osmanllinjtë. Në jug të sheshit, kishte edhe një kështjelle tipike për atë kohë, ku thonë se i famëshmi Zhan Mare, ka luajtur sekuenca të gjata tek „katedralia Sant Pierre“, në filmin "Kapiteni"

U duk se në jetën e emigrantit lindi pranvera e munguar e kësaj periudhe të fundit, por s'ishte e thënë që ajo të vazhdonte gjatë. Në fillim Veronika, që në të vërtetë ishte sqimtare e vajzë e ndershme me karakter, edhe pse nuk kishte hiret e bukurisë së një femre, që të tundojë një mashkull, kuptoi se pas periudhës së "mjaltit" në jetën bashkshortore, Mishka ngrihej pas mesnate. Ndërsa qante pa kuptim në heshtje për më shumë se një orë, hapte derën e zbriste nga pallati, për t'u futur në një park të gjerë që niste para hyrjes, ku banonte vetë ai. Policët e shërbimit e morën për një vjedhës shtëpish, ndërsa e shihnin që të ecte ngadalë e i fshehur nën hijen e pemëve e shkureve, që kufizonin rrugët e panumërta në atë park, por shumë shpejt e kuptuan se kishin të bënin me një somnambul. Doemos që u erdhi keq. Aq më shumë, kur bëhej fjalë këtu për Mishkën, që ja dinin mirë historinë. Po kjo ishte si të thuash, një fatkeqësi për vete moskovitin, dhe një semundje që duhej ta përballonte vetë ai.

Ngjarja mori dhenë, dhe ata që e mësuan u erdhi në të vërtetë keq, për pilotin rus.

- Një hall do ta ketë djali, se kjo sëmundje, ka vetëm bazë nervore - tha Zherari, një plak 72 vjeçar, komshiu përballë familjes së re. - Nuk i a kam vënë re më parë këtë fatkeqsi Mishkës sonë.

- S'i ka hyrë në zemer, ajo dreq vajzë, që ka në shtrat i gjori. Nuk ta tek fare Veronika. Zëre se nuk është grua. - u thoshte shoqeve madam Rosinjol, shitësja e bizhuterive në sheshin " Sant Nikola ". Ajo i kishte lënë të 50 pranverat, dhe e mbetur e ve tre vite të shkuara, dukej se donte që ta shfaqesonte pilotin rus, të cilit i kishte falur një gjerdan të artë 24 karatësh, gjashtë muaj më parë. Kishte qenë vërtetë një kopliment, nga ato që gratë dinë tu a bëjnë veçse njerëzve që u plagosin zemrat në distancë. Natyrisht, në kuadrin e " ndihmës", për azilantin rus. Të fshehtën për të kaluar një natë në shtrat me moskovitin, dukej se e kishte kyçur thellë brenda zemrës, që madama mendonte se rrihte vetëm për Mishkën. Edhe pse simpatia e parë, kishte qenë deri në çastin që Svjetllovi bëri dasmën, e lidhi kurrorë me të bijën e Ana Marisë në kishën e "San Andreas" , madamës zor se i fshihej endëra e vjetër, për të patur fundja një çast intim tani, që i mungonte Danieli i saj i dashur.

Fransua, një punonjës i vjetër hekurudhash në atë qytet, i cili banonte në një vilë pranë pallatit të emigrantit nga Moska, i kishte thënë konduktorit të trenit të fundit, që mbrin në Angueleme pak çaste para mesnatës, se pilotin e kishin lajthitur ledhet e përkujdesja e bashkëqytetarëve të tij. Sidoqoftë, Mishka Svjedllovi vazhdonte si zakonisht inkursionin nëpër gjumë, e kjo histori me sa dukej, nuk do të harohej shpejt. Një mëngjez komshinjtë panë Veronikën me shenja në fytyrë. Qante me ngashërim, ulur në shkallë, pranë apartamentit të saj. Asnjë nuk guxoi ta lëndojë. Dy orë më vonë, Ana Maria nxitoi për në strehën e çiftit të ri, e doli që andej, një orë para mesnatës, kur ra sipari i errët i mbrëmjes. Nuk e pa njeri. Pak ditë më vonë, komshinjtë dëgjuan zhurmë në banesën e familjes Svjetllov, por asnjeri nuk guxoi sërish, të hyjë në jetën e dramën e tyre, ashtu siç ndodh jo rëndomë kësaj Europe. Të nesërmen Mishka nuk doli në punë. Pasdite e panë që u ngul tek klubi i një marokeni, dhe që andej doli vetëm afër mëngjezit, duke fërshëllyer fillimisht motivin e njohur të " Rabinkës ", e pastaj me një zë baritoni, duke i a përsëritur vetëm refrenin " Ah! Rabinka, Rabinka..." por njeri nuk u bë i gjallë. Ato pak orë që i kishin mbetur nga shfaqia e mëngjezit, i kaloi tek shkallët e pallatit, ku gjumi pastaj i a kishte rrënduar qepallat, duke i a varrur kokën në gjoks. Ata që kaluan të parët në shkallë, e gjetën të shtrirë e me pantallona të lagura. Poshtë deri në katin e shtatë, një vijë e gjatë urine gjarpëronte në të gjashtëmbëdhjetë parmaqet e veshura, me granil të kuq. Zhan Luk Bertome, rritës e njohës i vjetër i kuajve, të cilët konkuronin në të vetmin hipodrom të qytetit, e që banonte një kat më poshtë se familja Svjetllov, në të shtatin, përpara se ti drejtohej ashensorit, syu i kishte rrokur trupin e një njeriu të shtrirë në mes të shkallinës. Nuk u besoi syve në fillim. U trondit kur i ktheu fytyrën dhëndërit të ri. Pamja ishte vërtetë e pazakontë. Ne dy a tre vende ishte e gërryer me sa dukej nga thonjtë. I erdhi keq, dhe pas një hezitimi ku sytë ishin të fiksuar mbi portretin e moskovitit, e tërhoqi me dashamirësi për ta futur brenda në shtëpi, tek Veronika që e priste një natë të tërë pa vënë gjumë në sy, edhe pse Mishka i saj kishte qenë atë natë, fare pranë. Ja atje tek shkallët.

Të nesërmen azilanti nuk doli përsëri në punë, por edhe tek klubi i marrokenit nuk u duk më. Tërmeti nisi sërish në çerdhen familjare. Dy ditë më vonë në mesnatë, në vend të Mishkës që nuk e harronte zakonin e vjetër, doli këtë herë Veronika. Dukej e tjetërsuar. Përpara derës së ashensorit, piloti nxitoi që ti grisë fustanin, dhe pasi i a tërhoqi flokët, sikur donte të ngrinte kështu avionin sa herë që nisej nga pista, apo i a karkonte situata e krijuar nga mitralimet e çeçenëve, që ishin instaluar në gryka malesh si dikur, e pështyu në fytyrë. Pastaj e përplasi brenda në kutinë e çeliktë që lëvizte nga kati i parë në të dhjetin.

- Bushtër e ndyrë. Mos ti pafsha sytë.

Mbasdite mbërriti Ana Maria, që ndryshe nga pjella e vet, ishte nga ato femra që mbesin përjetësisht të reja, e hollë dhe e gjatë, dhe me tipare e hire të bukura si në rininë e hershme. Ajo bisedoi kokë me kokë me burin e së bijës, plot katër orë, por me sa dukej, nuk mundi të realizonte ndonjë marëveshje xhentëlmenësh. Veronika që prej asaj ditë, nuk u pa më në atë derë, por këtë herë në lokalet e qytetit të vogël. Në fillim paradite, se mbasditëve mbyllej në shtëpinë e së ëmës, dhe qante deri në mesnatë. Banakierët, klienten e re e gostitnin me ndonjë xhin apo skoç, të cilët Veronika i rrëkëllente, sa të hapësh e të mbyllesh sytë. Pasi koleksiononte pesë dopio, kthehej në banak nga tavolinat, dhe në atë çast, sytë e skuqur e të fryrë, rrotullonin kokërdhokët e dalë, si për të kërkuar diçka që i mungonte prej kohësh.

Kosta, një emigrant i vjetër ekonomik, nga një vend jugor i Ballkanit, e pronar i një prej lokaleve në sheshin " Stalingrad ", u kishte thënë dy klientëve pleq, që nusja e pilotit rus, kishte filluar të shkonte me udhëtarë të zakonshëm, dhe kalimtarë në atë qytet, që gjendeshin aty sa për të pirë një kafe. Një profesori, i ardhur ditët e fundit nga një vend fqinj me grekun, në jug të Ballkanit, si azilant politik, Veronika që i a kishte vënë syun, i përsëriste vazhdimisht ," Ty të kam në zemër" , dhe pesë gishtat i hapte si një yll në krahun e majtë të kraharorit. Mishka, nga ana tjetër kontrollonte supermarketet me rradhë, dhe koleksiononte pije të ndryshme, të cilat i shijonte i vetëm në shtëpi, deri në mëngjez. Pasi dremiste dy a po tri orë, përsëriste pikë për pikë, atë që kishte bërë një ditë më parë. Në punë jo se jo. Ata të bashkisë, pasi i dërguan disa njoftime në kutinë postare, e lanë ashtu në harresë, në mjerimin e tij. Një muaj më vonë, Mishka doli në " Sant Mishel ", atje kur në të pesë ditët e javës shiten regullisht rrangullina e orendi shtëpiake, të dalë boje e të përdorura. Në fillim moskoviti, gjeti një klient për televizorin e tij të markës "Sony"; Ky ishte një banor i ri në Anguelemë, nga Sri Lanka, azilkërkues politik i ardhur pak ditë më parë, nga rrethinat e Lionit. Të nesërmen, kolltuqet prej meshini e një kanape bezhë me dru arre, i ikën pothuajse falas. Vetëm për 1000 franga, sa për të siguruar nja tre shishe "Xhini Uoker", dhe dy "Rum" nga Haiti. Pastaj i erdhi rradha një magnetofoni e një radioje, me të cilën në ditët e para dëgjonte me nostalgji, fshehurazi " Radio Moskën ", si dhe një celulari "Nokia", së bashku me karikuesin e tij. Këtij të fundit, nuk i kishte futur që prej katër muajsh, asnjë kartë nga ato të firmës "Bouygtel", vetëm per 500 franga. Pas shitjes së tretë, Mishka nuk u duk për një javë në " Sant Mishel ". U shfaq një mëngjez, vetëm sa për të takuar një blerës, i cili nuk i a dinte shtëpinë, dhe që me furgon, i a përlau dhomën e gjumit të çmontuar disa orë më parë, dyshekun e jorganin me dy jastëkë zbukurimi. Blerësi erdhi sërish pas dy ditësh, dhe mblodhi ato që kishin mbetur, në shtëpinë e pilotit rus.

Mishka Svjetllovi, që dukej se kishte vënë tashmë ca para në duar, hoqi dorë nga supermarketet, dhe vizitoi në fillim lokalin e marokenit, e pastaj të tjerët me rradhë, në sheshin" Stalingrad ". Ky emër i kujtonte vendlindjen dhe kishte lidhje me të. Sa herë që vinte këtu i shfaqej si në një celuloid, xhaxhai i tij më i madh Sasha, ashtu i heshtur e babaxhan. Ai në rininë e hershme, kishte punuar në kabinetin e " shokut Stalin ", duke i dhënë kështu emër familjes Svjetllov

- Këtu ka diçka prej rusie, - tha një mëngjez sapo hyri tek Kosta, një burë pak i trashë që kishte shkelur të gjashtëdhjetat - Kjo më bën mua dy herë të lumtur. Të lumtur...Lumturia ime iku e u tret si kripa në ujë. Ka qenë babushka, ajo ditë kur me thanë që të pilotoja atë makine, për të cilën thuhej, se ishte fjala e fundit e shkencës ruse dhe krenaria e saj. Mjet vrastar, që hedh bomba pa mbarimisht në fragmentin e sekondës, duke mitraluar me predha dhe me raketa...Ah!, babushka, babushka...

Kosta që kishte zënë vend përpara ekspresit të kafesë, u kaloi dorën mustaqeve që i mbaronin përtej cepave të buzëve, dhe me një zë ku ndjehej me tepër dashuria, tha

- Si qenke bërë kështu o biri im...

- A kupton babushka?

Mishka qendroi para banakut, dhe hodhi vështrimin në tavolina, të cilat i u dukën bosh në ato momente.

- Kam vrarë njerëz.

U duk, sikur do të nxirrte diçka nga goja, por volli.

- Unë Mihail Svjetllovi me gradën major, u shfaqa në qiell tinzarisht me shpendin tim të hekurt, mbi kodrat perëndimore. Pastaj dola mbi hekurudhë. Asnjë nuk dinte aty për misionin tim. Asnjë nuk më kishte parë. Kam qëlluar mbi njerëz të pafajshëm, në Grozni. Kam shkatërruar ndërtesa. Edhe Komitetin Qendror e rrafshova. Po ç'më kishin bërë mua ata? Asgjë. Ishte urdhër. A kupton se çdo të thotë urdhër? Ju grekët e drodhët shpejt. U bëtë me perëndimin e na latë në baltë. Punë junte...

Kosta, doli nga banaku, dhe i mori dorën pilotit rus. Ndërsa e mbërtheu me pëllëmbë, kuptoi se tjetri në ato momente dridhej i tëri, edhe pse i u duk esull fare, pa asnjë grahmë alkoli në buzë. E uli në një tavolinë, në krahun e djathtë, dhe i solli një oranxhë.

- Çështë kjo? - pyeti moskoviti, dhe u gogësi në atë çast.

- Pije.Të bën mirë - tha i zoti i lokalit.

- Që kur jam bërë për tu mëshiruar unë? - Mishka hodhi sytë sërish nga tavolinat. Këtë herë i u dukën plot klientë - A e kupton babushka? Unë kam vrarë njerëz të pafajshëm. Jam vrasës fëmijësh, pleqsh. Kam qëlluar mbi njerëz, sikur të mos ishin të tillë. Shteti kishte urdhëruar. Doemos që ai është vrasës, edhe pse thonë, që u bëmë së fundi shtet demokratik, e pluralist. E di se çdo të thotë që të jetë shteti vrasës?...

Kosta uli sytë në dysheme. Mishka tentoi të ngrihej nga karrikja.

- Edhe kolonelet tuaj kanë vrarë në emër të demokracisë, gjoja komunistët, por shteti im i ka kursyer ata. Armikun e gjeti tek çeçenët. Aq sa ka prodhuar për tridhjetë vjet predha rusia, i hëngri për tre muaj çeçenia. Rrafsh fare. Hajde kohë moderne, që çon në luftë, Mishka Svjetllovin. Pse? Ta them unë. Kishin marrë urdhër nga bota. Do të pranohesh ti Rusi në vendet demokratike? Asgjëso arsenalin luftarak. Dhe shteti im babushka, e bëri realitet, në njerëz të pafajshëm. Nuk kishte rast më të mirë për të nxjerr një kuj të vjetër. Francës i heq kapelen. Por nuk ç'bëhet një pilot vrasës, që vendosi të mos jetë i tillë gjithë jetën, dhe që i a mbathi, se nuk donte më të zhytej në krim e gjak. Braktisa avionin por nuk më braktisi ai. Më ndjek edhe këtu ku jemi të dy bashkë. Në tavolinë.

Kosta, tentoi ta ulë sërrish emigrantin, duke e vënë përballë. I vuri duart në supe që vazhdonin të dridheshin, dhe i mori shuplakat, për ti vendosur në tavolinë.

- Leri ato. Janë me gjak të pafajshëm. Mekanizma të ndyra, të një urdhëri shteteror, vrasës. - Mishka u duk se do të villte përsëri, por pasi u përcoll duke e ngulur vështrimin tek dera, nënqeshi duke shfryrë e nxjerrë një tingull, që mbeti midis dhëmbëve të bardhë. Banakieri u ngrit një çast dhe i mori kokën Mishkës në gjoksin e tij.

- Qetësohu o bir, qetësohu.

- Faleminderit. Faleminderit. Me ju grekët na lidhin ende dy gjëra në këtë botë. Qënia ortodokse fanatike, dhe alfabeti ynë cirilik. Që të dyja i kemi të përbashkëta, që pas kryqëzimit të krishtit

Kur u duk se Mishka Svjetllovi u qetësua, në tavolinën e qoshes së djathtë, tek dera u shfaq portreti i Veronikës. Ata pesë klientë, që kishin qendruar të heshtur në tavolina, dy afrikane vendas, dhe një spanjoll, që kishte mbritur në Anguelemë për punë tregëtie atë mëngjez, si dhe dy punonjës hekurudhë, të cilët kishin vendosur të pinin nga një kafe përpara se të merrnin turnin e dytë, nxituan të grumbullonin ato pak gjëra personale të lëna në syprinat e tavolinave. Me sa dukej, për të mos u bërë dëshmitare ndoshta te ndonjë katrahurë, që mund të ndodhte sipas tyre, në atë çast. Përveç spanjollit, i cili nuk kishte asnjë dijeni për mëritë e ngjarjet e fundit në familjen Svjetllov, të tjerët pothuajse njihnin të gjithë hollësitë më të fundme midis Mishkës e Veronikës. Vajza e Ana Marise, kohët e fundit merrte rregullisht doza të larta heroinë e kokainë, të cilët i siguronte nga disa djem arabe, në qendër të qytetit, në “Viktor Hygo”. Cilën të gjente më parë, sipas rastit, pas pirrjes së hashashit, që ditën e ndarjes me pilotin rus.

Qendroi për një çast të vetëm para banakut, dhe ashtu mëdyshas, i kthehu menjëherë krahët atij, me të cilin kishte shkuar në krevatin bashkshortor e virgjër, siç e kishte lindur Ana Maria. U ul në një prej stolave. Vendosi pastaj, të dy duart mbi banak, dhe kërkoi me sy Kostën. Pronari i lokalit u ngrit nga tavolina, duke e lënë Mishkën në një gjendje qetësie e të pergjumur, dhe i u drejtua klientes që posa hyri në klubin e tij

- Do të bënit mirë moj bijë, që të mos vinit në këto çaste. Djali është në një gjendje.... si të them unë.... Ka nevojë që të qetësohet.

Tjetra bëri sikur nuk e dëgjoi për një moment. Ngriti supet që kishin filluar të rrëzoheshin, dhe u kthye nga greku;

- Vërtetë, që unë shkoj me burrin më të parë që më del përpara, por vetëm burrit tim i kam thënë, të dua. Kaq mjafton, dhe pikë.

Hodhi sytë tek klientët që ishin ngritur tashmë nga tavolinat. Një prej dy afrikanëve, ende kërkonte çantën e vënë poshtë karrikes. I u drejtua me gishtin e majtë tregues.

- Apo nuk është e vërtetë Kvama? Të paktën, ti duhet ta pranosh burrërisht.

Njeriu me çantë, nxitoi pas shokut të tij. Salutoi në heshtje pronarin e lokalit,dhe u zhduk indiferent, pas derës së xhamtë qe u mbyll në çast, sikur të mos kishte ndodhur asgjë aty. Lokali ishte tashmë i boshatisur, dhe gjithçka, ra në një heshtje të plote. Pas dopios së tretë, Veronika u bë sërrish e gjallë.

-Dëgjo këtu - tha pa përcaktuar se kujt i drejtohej në ato momente. - Femër jam ta hajë dreqi. Kam nevojë, ashtu si gjithë femrat. Kështu është gatuar kjo botë. U bënë plot tre muaj...

Mezi priti që Kosta të mbushte dopion e katërt, për të cilën i kishte thënë një çast përpara, se do të ishte e fundit për sot. E rrokëlleu si e zhuritur.

- Pijnë arrinjtë, pijnë edhe minjtë - u dëgjua nga krahu i djathtë i lokalit zëri i Mishkës, që vazhdonte ta mbante të mbështetur kokën pas syprinës së tavolinës. Kosta bëri me gisht në buzë nga Veronika, e cila me sa duket, e gëlltiti me vështirësi këtë fyerje nga ish buri i saj, për të cilin betohej se e mbante vazhdimisht në zemër. Një krismë qelqi erdhi nga tavolina e Svjetllovit, dhe Kosta doli nga banaku, për të kontrolluar klientin e qoshes së djathtë të atij lokali. Pamja e atij çasti e tmeroi. Mishka Svjetllovi po priste damarët e dorës së djathtë, me një copë qelqi, nga gota e thyer.

- Ç'bën ashtu? - nxitoi greku

- Të jetosh nuk është ndonjë gjë e re, por edhe të vdesësh, nuk është aspak e re.

Fraza që i kujtoi vetë poetin rus, Eseninin, lirikun e stepave, por edhe të izbave plot dashuri, në të fundit çast të jetës së tij, e tmerroi Kostën. Kuptoi, që tjetri kishte marrë tashmë një mendim fatal, vrastarësh. Gjëja më e mirë që mund të bënte në këto momente ishte, të nxitonte e ta ndërpriste atë lloj krimi, që ta merr jetën si në një loje të vërtetë. Nxitoi që të dalë nga banaku, dhe ndjeu vêshtirësi në frymarje nga shëndeti i tepërt. Një rrëkezë loti i rrëshqiti në faqen e majtë, ndërsa hidhte ato shtatë hapa deri tek tavolina e pilotit rus, i cili vazhdonte pa kurrfarë merraku a brerje ndërgjegje, ta çonte deri në fund nismën e marrë. E bija e Ana Marisë mbylli derën e xhamtë, dhe zbriti në trotuarin përballë, për të kaluar kështu në rrugën " Daguin". Pronari i lokalit i a rrëmbeu Svjetllovit atë copë të xhamtë, dhe me një shami që e nxorri shpejt nga xhepi i majtë, i a lidhi dorën e prerë në një mënyre të atillë, që të ndalonte rrjedhën e gjakut që ishte shfaqur si një njollë, duke zënë më tepër se gjysmën e tavolinës.

- Eshtë gjak vrasësi. Le të rrjedhë, babushka. Let ê rrjedhë. Kështu, në fund të fundit më lehtësohet ndërgjegja. U kam shkaktuar shumë gjak të tjerëve. Hi-i-i-i. Hi-i-i-i

Edhe këtë ngjarje qyteti e mësoi shumë shpejt, si shumë histori që kishin të bënin me moskovitin, emigrantin që kishte kërkuar i pari azil politik në këtë qytet krejt të qetë, dhe me një jetë, gati monotone.

- Thashë unë që djali e kishte një hall- tha përsëri shtatëdhjetedy vjeçari Zherard Shevre

- I gjori Mishka. Rusët përpara se të bënin një genocid të pashembullt, kanë vrarë pjellën e vet, hija e të cilit erdhi këtu në Francë, midis nesh - i tregonte Fransua, konduktorit Mishel, i cili do të nisej në atë çast me linjën e trenit rregjional, që shkon në Bordo nëpërmjet Kutras e Liburnit, në rrjedhën midis dy lumenjve Sharontë e Garonë

- Eshtë e tmershme pendesa - thoshte gati gjithë ditën me vete, mjeshtri i vjetër i kuajve Zhan Luk Bertome, ndërsa stërviste që nga mëngjezi një hamshor në një stallë në periferi të qytetit, duke e patur mendjen tek piloti rus e komshiu një kat më sipër.

Shitësja e bizhuterive në "Place San Nikolla", madam Rosinjol, nuk kishte qetësi. I përshkruante ato njëzetegjashtë metrat katrore të dyqanit të lënë nga i shoqi, me një brengë në zemër.

- Ajo femër që i u fut në shtrat, nuk mundi ta shpëtoj atë mashkull, nga një turbullirë e një kohe të shkuar. Këto janë kusure, kur meshkujt nuk gjejnë dot një femër për të qenë. Një femër, që ti kënaqë ata qoftë sensualisht, por edhe t'u gjenden e të bëhen ashtu si thonë " vetja e tyre e dytë"

Madam Odi, një plakë e krrusur, ku dukej se bukuria, ende nuk e kishte haruar, ndonëse i kishte kapërcyer të shtatëdhjetat, tundi kokën e pezmatuar. Nuk dihet se e bëri këtë, për rusin apo për shitësen që jetonte tjetër botë. Ajo kishte ardhur për të blerë një gjerdan floriri për mbesën studente, me rastin e përfundimit të provimeve, gjë që ajo i a kishte premtuar më parë. Qendroi një çast para pronares, që i u duk se fliste përçart, dhe pasi thartoi buzët, u kthye pas, pa mundur që të blejë dhuratën e premtuar. Madam Rosinjol doli tek dera, por plaka ishte zhdukur, si era.

Pas faktit, që Mishka Svjetllovi u largua në një qytet tjetër, diku në jug të Francës, ndërsa kirurgët e qytetit i qepën venat e prera, nga një qelq i gotës së thyer, asgjë nuk u muar vesh më për të. Si për çudi, në Anguelemë mungoi edhe Veronika, e bija e Ana Marisë, së vesë së kryetarit të bashkisë së qytetit, të njëzet e ca viteve të shkuara.. Për zhdukjen e saj misterioze njëherazi, nga lokalet e qendrës, dhe asaj të "San Nikollës" , pronari grek i lokalit, Kosta, i tregonte një ditë profesorit emigrant nga Tirana, që kishte qenë njëkohësisht klient i rregullt i nuses së re, se "... ajo ishte nisur të kërkonte dashurinë e humbur, dhe pas Mishkës së gjorë të cilin e donte si e marrë... shpresonte. Kjo është një e drejtë e saj.

Asgjë nuk u dëgjua më në Anguelemë, dhe kështu historitë e pilotit rus, me vajzën vendase, gati u haruan. Njerëzit që ishin mësuar me to, u zhuritën si toka që pret shiun e vonuar të vjeshtës se thatë. Në kishën " San Andre " që ishte fare pranë shtëpisë së emigrantit rus, pranë parkut "Andre Zhide", atë të djelë të 16 Shtatorit, të vitit të kaluar, në meshën e drekës të së djelës së tretë të muajit, u kujtuan që të gjithë të vrarët, e pastaj viktimat e kësaj bote. Njeriu me raso të zeze e kapuçon të varur poshtë supeve, kërkoi në atë proçension përshpirtje, paqe dhe qetësi për shpirtërat e tyre, por edhe për ata që kryen masakrat, për të zbatuar një urdhër vrastar shtetërorë.

- Fali o zot, se nuk dinë, se ç'bëjnë - tha prifti Gijom

-Shpëtoi dhe Mishka ynë - tha sërish Zherardi Leval

- Nuk është kollaj, të dalësh nga ai detë gjaku, që u ke shkaktuar të tjerëve - kujtoi punonjesi i vjetër i hekurudhës, Fransua.

- Një mashkull sensual siç ishte i miri Mishkë, e meriton një larje mëkatesh, nga krimet e atyre që e urdhëruan

Pas kësaj, gjithëçka u harua në Angueleme, dhe për Mishka Svjetllovin, nuk u fol më.

Bordo 2003 - 2011

20 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page