top of page

LOJA E SISTEMIT


Tregim nga Fatmir Terziu


Salla ndodhej në Godinën Kryesore të Ligjit. Brenda saj kishte vetëm karrige dhe tavolina. Në sallë kishte rënë qetësia. Dhe ajo kishte muaj që nuk prishej. Afër dhe përqark saj kishte ndonjë lëvizje. Por prapë ishte qetësi. Qetësinë e asaj dite e prishi një Grua. Ajo kërkoi të hynte në atë sallë me një trokitje të lehtë. Por trokitja, sado e lehtë që ishte, e zgjoi Policin e Hyrjes Kryesore. Ishte mesditë dhe shiu kishte bërë punën e tij me sytë e Policit të Hyrjes Kryesore. „Nuk lejohet hyrja në këtë sallë, deri në një urdhër të dytë!“, i tha gruas, Polici i Hyrjes Kryesore. Ajo tundi kokën dhe ofshau. „Njeriu nuk është shpend i cfilitur, nuk mund të jetë si rruga e gjatë e një shtegëtari, që fati e sjell mbi bagazhe vjetërsirash.“, shtoi Ajo. Polici i Hyrjes Kryesore dridhet nga të ftohtët. Nis e kërcen sa me njërën këmbë, aq me tjetrën. „Nuk të thashë të më luash nga mendtë, nëse nuk lejohet hyrja, mos më luaj rolin e bubit. Kur nuk e plotësoj një tekë të tij, ai, si bub i përkëdhelur që është, më sillet sa andej e këndej e më kërcen pupthi, deri sa më luan krejt mendtë e kokës. E unë, fap ia zë gojën me ndonjë nga preferencat e tij“, tha Ajo. „Ia paske ngenë, ia paske, moj Grua e …“, foli Polici i Hyrjes Kryesore. „Para kësaj salle të Ligjit të gjithë jemi njësoj, ore ti…“, vazhdoi Ajo. „Ndoshta, se nuk mund të të them më shumë, ore ti…, po hajde ma, dihet kjo barazia jonë në derë të Ligjit. Le ta mendojmë se është ashtu…, po ti më lër sa të qas një shikim të paktën andej nga salla.“, foli Ajo. „Shikim? Vetëm kaq?“, u habit Polici i Hyrjes Kryesore. „Vetëm aq…, se …“, ndërhyri Ajo. „E pastaj pse vetëm aq?“, pyeti Polici i Hyrjes Kryesore. „Se në këtë sallë do të gjykohem …“, sqaroi Ajo. „E pse?“, kërkoi më tej Polici i Hyrjes Kryesore. „Ja, fare thjesht. Kërkova të drejtën time. Shkova në një sallë tjetër si kjo që të më jepej ajo e drejtë. Por atje, jo vetëm që s'ma dhanë, por më thanë, je qorre ti, nuk e sheh se ku ke shkelur?“, tha Ajo. „E ku kishe shkelur?“, kërkoi të dinte Polici i Hyrjes Kryesore. „E, ku tjetër? Në një dërrasë të kalbur, sikurse më thanë ata.“, sqaroi Ajo. Polici filloi të qeshte me vete. Nuk donte të mos e pranonte se kishte të bënte me një grua, të paktën me të meta, ose me ndonjë … „Eh, ti shoku, po mendon se jam e luajtur mendsh?“, foli menjëherë Ajo. „Jo, jo, po fërkoja duart dhe …“, tha polici. „Atë më thuaj!“, tha Ajo dhe duart e saj shkuan menjëherë tek kuleta. Polici i Hyrjes Kryesore gati u dyfishua. Trupi i tij mori një fryrje të mistershme. Nuk e kuptoi as vetë se si ndodhi dhe ja fap…, dera e sallës së Ligjit u hap. Atje ishte ulur i padukshëm vetëm Njeriu i Ligjit. Ishte kthyer me kurriz nga dera, dhe në ballë të tij ishte një pamje krejt e pazakontë për atë sallë. Njeriu i Ligjit nisi të buzëqeshë. Iu duk në fakt mister se si edhe në këto kushte ishte gjetur hapësi i asaj dere. U habit, por nuk luajti nga vendi. „Le të hapet!“, foli me vete. „Ja ku më ke. Pse hesht? Pse nuk më flet?“, i tha Ajo. Ai bëri pak më para dhe menjëherë i afroi një nga karriget ku më parë, në kushte ndryshe nga e sotmja, uleshin ata që bashkëpunonin me të. „Hajde ulu këtu. Bëj më pranë. Asnjë karrige nuk duhet të mbetet bosh. Më vret boshllëku.“, foli Njeriu i Ligjit. „E kuptoj, por unë nuk jam nga ata… Unë jam…“, sqaroi Ajo. „E kuptoj. Më së shumti e marr me mend, se ndryshe do ta kishe gjetur menjëherë vendin tënd. Edhe nëse je …, kushdoqofsh që ke trokitur në këtë derë të kësaj salle, patjetër që je një pjesë e të gjithëve, natyrisht dhe padiskutim je pjesë e Sistemit Tonë.“, u mundua të sillej ndryshe Njeriu i Ligjit. „Pjesë e Sistemit Tonë?“, u habit Ajo. „Po. Në këtë sistem të gjithë jemi njësoj, askush nuk është më ndryshe. Të gjithë trokasim në këtë derë të kësaj salle, por vetëm trokitjet ndryshojnë. Të gjithë e dimë se ka një roje në këtë derë të kësaj salle, por fare mirë të gjithë e kuptojmë gjuhën e kësaj roje. Apo e kam gabim?“, foli i qetë Punonjësi i Ligjit. „Nuk do të shkoj më larg se sa kjo, por më fal, unë jam…“, ndërhyri përsëri Ajo. „E di pra. E kuptova ti të lodh bindja se nga kjo derë, se…, tek kjo derë…“, u mundua të fliste Punonjësi i Ligjit. Por Ajo …, Ajo fundja vazhdonte në të sajën: „Kishte dy dritare, dy dyer, dy hapësira. Para dy dritareve kishte gjithnjë dy shpendë. Para dy dyerve gjithnjë kishte dy palë çizme, dy shkopinj dhe dy litarë. Para dy hapësirave kishte më shumë se dy të papritura thuajse në të gjitha shikimet e atjetejshme.“ „E vërtet?“, pyeti Punonjësi i Ligjit. „Unë i shihja me këto dy sy, dhe për aq sa i kam ende …, këto dy sy, ashtu më duket se ishte“, u përgjigj Ajo. „Ju nuk jeni verbuar? Apo jo? I keni sytë me të cilët Ju shikonit tërë këto dualitete… I keni apo jo?“ „Nëse nuk do ti kisha këto sy, si mund të isha pikërisht këtu në këtë sallë? Si mund të trokisja në këtë derë të kësaj salle. Si mund të fryja Policin e Derës Kryesore? Si mund të …“, gati nuk kishte të ndalur Ajo. „E sheh pra, e kupton? Ti je pjesë e jona, Ti je Sistemi ynë, por nuk do ta pranosh, nuk do ta shohësh ashtu sikurse e shohim ne. E si mund të mos e gjeje hapësin e Derës Kryesore të Sallës së Ligjit?“, vazhdoi Ai. „Nuk e kisha kuptuar me bindjen time, por fajin e kanë këta dy sy që kanë parë më shumë se sa duhet. Unë ndiqja xhepat tuaj, shikoja zullumet tuaja, dhe ja tashmë isha bërë si ju …, ah shikoja pa e kuptuar, se ai shikim ishte gati për të përgatitur rrugën, ashtu pa e kuptuar, për në këtë derë të mallkuar“, foli, lotoi dhe mallkoi Ajo. Kur fshiu lotët, nuk e besonte që ishte asgjëkundi. Nuk e besonte. Sa herë që fshinte sytë shihte një pamje të dytë. Dhe ashtu me të vërtetë i dilte një e tretë… Më në fund nuk iu durua më, luajti prej vendit dhe shkoi drejt e në dritare. Jashtë pa një turmë të irrituar që bërtiste me të madhe: Boll më! Kjo është loja e sistemit!

28 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page