Llesh Ndoj: Të gjithë me dosje…
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 4 hours ago
- 7 min read

OPINION
Nga Llesh Ndoj
“Është me dosje”, kjo ishte shprehja më në modë në vitet e para të pluralizmit politik në Shqipëri, gjë që nënkuptonte (dhe nënkupton!) qënien e tjetrit bashkëpunëtorë i ish - sigurimit të shtetit. Që shteti komunist kishte një rrjet të zhvilluar e të dendur bashkëpunëtorësh, nuk ishte dhe nuk ěshtë ndonjë sekret i madh. Ajo ishte rruga e zgjedhur për ta mbajtur këtë popull “nën barrë” e t’i tregoheshin dyert e hetuesisë makabre dhe të burgut - ferr kujtdo që i shkonte qoftë edhe mendja ndryshenga “baballarët” e kombit. Bile, çeshtja “dosje” krijohej edhe për gjëra sa groteske, aq edhe të pamoralshme, përveçse politike: dosje i krijohej edhe një burri që kishte gruan e bukur, një drejtuesi që ishte kryenaltë e “dilte nga shinat” e përulësisë për t’ia dedikuar gjithçka partisë dhe udhëheqjes së saj, kujtdo për një fjalë të thënë pa të keq, ose të pathënë vetëm me ia ul kryet një punëtori a njeriu me autoritet shoqëror etj. Ndërsa pasja e një dosje, jo domosdo si më sipër, ishte thuajse e pashmangshme për kohën, pasi që dosje kishte kushdo që nga lindja e deri në vdekje. Dosje kishin kuadrot aktiv e ata në rezervë, ushtarakët e çdo niveli, bile edhe ata të çetave vullnetare, dosje kishin edhe të zgjedhurit në rini, front, organizatat e masave e kudo, në demokraci u transmetua vetëm konotacioni negativ i kuptimit te tyre, ai i bashkëpunëtorit të ish – sigurimit famëkeq të shtetit komunist, ndërsa dosjet e tjera, të vlefshme e të pavlefshme, u gjenden udhëve ose në flakën e zjarrit. E çuditshme mbetet edhe sot se si vetëm dosjet që duhet “të dilnin”, nuk dolën. Ato u ruajtën me fanatizëm nga klasa e re politike, jo për të mos shkaktuar plagë sociale e gjakderdhje, siç justifikohet shpesh kjo, por për të vazhduar përdorimin e tyre në vazhdimësinë e së shkuarës, si mjet presioni ndaj kujdo që “devijonte kursin” e kohës. Më të zellshmit u katapultuan lart e më lart, të tjerëve iu tha “kujdes se ne dimë shumë”, dikush edhe u diskreditua pasi nuk “vlejti” për asgjë! Dosjet u morën nëpër dorë nga ustallarët e rinj, herë me komisione publike, herë me komisione “urith” dhe u selektuan. Ato që s’duhesh të diheshin, u morën nga ustallarët dhe u zhdukën, duke ua hequr përjetësisht mundësinë publikut për t’i njohur ata që kanë patur apo kanë mbi krye, të tjera u futën në “shtatë dryna” për t’i nxjerrë prej aty vetëm kur jepej komanda nga lart kundër dikujt që shfaqte shenja “rebelizmi”, dhe vetëm pak sosh u lanë zyrtarisht në duart e autoritetit përkatës. Nuk është rastësi që herë pas here i shfaqen publikut, si me pikatore, lista pseudonimesh të tyre, sidomos kurë lëvizje të reja reformuese shfaqen në horizont…
Vendin e dosjeve të dikurshme të bashkëpunëtorëve të ish - sigurimit të shtetit komunist, të cilat mbeten “underground” edhe sot si një vullkan në zhvillim, në pluralizëm e zëvendësuan gradualisht dosjet e vjedhjes e të grabitjes së pronës e fondeve publike. Piramida e shtetit i ka hartuar dosje vjedhjeje kujtdo që ka patur akses në paranë e pronën publike, që nga privatizimet e deri më sot, përveçse jo vetes, aq sa sporti i dosjeve të korrupsionit është sot sporti më popullor. Opinioni se “të gjithë janë njësoj - hajduta”, ju intereson atyre në maje të “ piramidës”, sepse ato dosje, me ndonjë përjashtim të vogël, nuk janë hapur për ta luftuar korrupsionin, por për të mbrojtur njëri - tjetrin në vjedhje e për ta sunduar këtë popull e njejta klasë hajdute, majtas e djathtas, herë duke u sharë e herë tjetër duke u puthur, mjafton që të mbeten po ata.
Mund t’më thuhet me të drejtë se ky është percepsion, jo fakt. Natyrisht që unë nuk zotëroj fakte, sidomos tash shumë vite që jam larguar nga punët e shtetit, por kam opinionin tim rreth tyre. Nuk gjenë askund, në nivel lokal e qendror, me ndonjë përjashtim krejt të vogěl, njerëz të pa përfolur, d.m.th. pa dosje, por gjenden me pikatore dosjet e hapura nga ata që kanë detyrë t’i hartojnë ato, e numërohen me gishtat e duarve dosjet e gjykuara nga drejtësia e ku fajtorët të jenë dënuar dhe gjëja e vjedhur t’i jetë kthyer popullit. Asnjë dyshim nuk ka se kjo “politikë” e dosjeve është sajuar nga ustallarët për të mbajtur “nën kontroll” vartësit brenda klasave të tyre qeverisëse, por mbi të gjitha njëri – tjetrin, sipas parimit “tërhiq e mos këput”, sepse vendet alternohen e ndera (nënkupto heshtja!) me nder (heshtje) kthehet. Herë pas here, secila nga palët që kanë alternuar vendet në pushtet, e lëshojnë ndonjë nga “minjtë” e tyre të zënë në çark – dosjet e hartuara për qëllime kontrolli, për t’i thënë publikut se ne jemi ndryshe nga tjetri, por asnjëherë nuk preket sistemi i instaluar “vidh të vjedhim!”, sepse pushteti është i përkohëshëm e pasuria e përjetshme. Është ky qëndrim, me dashje i pa ndëshkuar kurrë, që ka bërë që thuajse kushdo që ka diçka në dorë nga administrimi i fondeve e punëve publike, “ta ngjyej gishtin” në to, ndërkohë që cilësia e punëve përkeqësohet vazhdimisht. S’ka nevojë me qenë specialist me e konstatuar këtë! Shihni rrugët: sapo pritet shiriti, nisin të hapen gropa në asfalt, apo rrëshqet krejt tabani i tyre në lum, ndërkohë që rrugë të ndërtuara që nga koha e Italisë qëndrojnë edhe sot, thuajse pa riparime themelore. Shihni përmbytjet për të cilat paguajmë qimet e kokës çdo vit e ku investimet parandaluese s’janë veçse fasadë për të vjedhur, ndërkohë që investime të reja jashtë asaj fushe i “drejtojnë ujërat” nga përmbytja e radhës; shihni tunelet që rrezikojnë jetë njerëzish! Shihni kudo ku ka dorë shteti. Në çdo fushë po preke, e njëjta gjë! Pse? Nuk kemi ne aftësi ta ndalim këtë fenomen, apo s’na intereson ta ndalim? Mendoj e besoj se, njëlloj si dosjet e dikurshme të bashkëpunëtprëve të ish – sigurimit të shtetit (mbase edhe të SHISH-it të sotëm!) edhe këto dosjet e korrupsionit, të hartuara ose të njohura por të pa formuluara, janë mjet presioni për të mbajtur nën zap të vetët e në ekulibër punët me kundërshtarët.
Është uluritëse e neveritëse njëkohësisht kjo gjendje! Dhe prej saj mund të dilet vetëm me reforma të guximshme, kryer nga njerëz të guximshëm. “Proletarët” nuk mund ta bëjnë këtë. As të pasuruarit me dhe nga pushteti, jo! Po kush, pra? Vetëm marrja në dorë e situatës nga një e djathtë e vërtetë, me njerëz të pasur ekonomikisht, të shkolluar jashtë shtetit, kurrë të provuar me pushtet në “baltën korruptive” shqiptare, me vizion të qartë, me shpirt atdhetar e nën monitorim të rreptë ndërkombëtar, mund të jetë shpëtimi.
Po tjetër çfarë kërkohet?
Një “mea culpa” e munguar nuk na ndau kurrë nga komunizmi! Gjerizet e tij, jo vetëm qelbin, por u pasuruan dhe u ushqyen edhe për tridhjetë e pesë vite nga klasat që sunduan (fjala udhëhoqën ka kuptim vetëm në ndonjë segment të shkurtër kohor!) tranzicionin tonë. Duhen hapur ato gjerize, se asnjë erë më të qelbur se kaq s’mund të lëshojnë! Duhet përjashtuar ne ligj (le të jetë jo dhe aq demokratik!) kandidimi, zgjedhja dhe emërimi në krye të punëve të shtetit i atyre që kanë kryer detyra të tilla në poste të larta tash tridhjetë e pesë vite, qoftë edhe duke i amnistuar, me kritere e kushte strikte, nivele të caktuara, jo të larta, të tyre. Duhet normuar me ligj numri i administratës shtetërore, shumë herë më e vogël se kjo aktuale, mirëpaguar ajo dhe fuqizuar politikat penale për veprat e korrupsionit, vjedhjes, shpërdorimit të detyrës e korrupsionit. Sekuestrimi i çdo pasurie të pa justifikuar duhet të jetë fokusi kryesor ndaj kujtdo, por sidomos ngaj atyre që kanë patur dhe kanë në dorë përdorimin e fondeve dhe pasurisë publike, shoqëruar me heqjen e detyrueshme e proporcionale në kohëzgjatje të së drejtës për të ushtruar në të ardhmen funksione të ngjashme, jo burgosja e tyre duke na zhvat edhe nga qelia, janë rrugë efektive!
Duhen masa radikale ligjore, jo makiazh. Duhet “shkrirë” modeli i “republikës së korrupsionit” dhe asaj të pakicës, për të rilindur republika e ligjit. E kjo nuk bëhet me këta që janë, apo ishin! Historia e reformatorit turk që mori emrin e “atit” të kombit, Ataturkut, është e vetmja që më shkon në mendje. E perifrazoj atë: Kishte kohë që një ministër e ftonte për drekë në shtëpi e ai i shmangej asaj. Pyetjes se pse e bënte këtë të një këshilltari, ai i përgjigjej se “nuk donte ta harxhonte”. Por kur këshilltari i tha se atij “nuk ia ndjente” për shpenzime, reformatori hartoi në heshtje planin “B”: porositi ta hetonin paraprakisht pasurinë e tij dy - tre soecialista besnikë, ekonomistë nga më të njohurit në vend, të cilët edhe do ta shoqëronin në atë vizitë. I shkoi ministrit për vizitë, dhe bëri sikur u mahnit nga pasuria e luksi i tij. Piu një kafe dhe, aty për aty, urdhëroi kalemxhinjtë t’i llogaritnin pasurinë që ai justifikonte me të ardhurat e tij ligjore…Të nesërmen e “qerasi” ministrin e tij me dy dekrete: atë të shkarkimit nga detyra dhe atë të konfiskimit të pasurisë, duke urdhëruar t’i jepej vetëm një banesë familjare, aq e aty ku justifikohej nga paga e të ardhurat e tij të deklaruar anë vite!
I ashtuquajturi ligji i Hamurabit funksiononte sipas parimit “të taljonit”, që nënkuptonte damkoshen e shëmtimin e hajdutit, duke e zbuluar atë para publikut. Dikuj i pritej gishti, dikujt dora e majtë, dikujt e djathta, dikujt i vihej damka në vend të dukshëm, vartësisht të mënyrës së vjedhjes e masës së vjedhur, dhe publiku e shihte nga larg dhe e njihte hajdutin. Masat si më lart, konfiskimi i pasurisë së pa justifikuar me të ardhurat, dhe ndalimi i kryerjes së funksioneve publike për disa kohë, vartësisht masës së vjedhjes e pozicionit që ka mbajtur e shfrytëzuar, sot duhet të konsiderohen tepër demokratike, nëse duam të dalim nga “balta”, baltë që duke e shkelur gjithnjë, bëhet edhe më ngjitëse dhe na “mban brenda” të gjithëve, e mbi të gjithë të ardhmen tonë!
Ja! Vetëm kështu mund të dalim nga rrethi vicioz që vetë e kemi ushqyer, herë me dosje sigurimi, herë me dosje korrupsioni, thjesht e vetëm për të grabitur pasurinë kombëtare, duke ricikluar plehu - plehun në pushtet.









Comments