top of page

Llesh Ndoj: Mbresa leximi nga libri “Dashuruar me ëndërrën”

ree


Nga Llesh Ndoj,

Poet, studjues e shkrimtar


TË UDHËTOSH I DASHURUAR ME ËNDËRRËN

-Mbresa leximi nga libri “Dashuruar me ëndërrën”, me autor Pashk Mhill Alia- (Botimet “Enja”, Tiranë, 2019)


Njeriu, në udhëtimin e tij jetësor ecën gjithnjë bashkëudhëtar me ëndërrat, por jo të gjithë dashurohen me to, duke e kthyer rendjen drejt tyre në motiv jetësorë. Kjo udhë, është e mbushur me leqe, kthesa, rrëpira e, fatkeqësisht, rrallë herë ngjet me një fushë me lule, dhe zgjatet e zgjatet pa mbarim brenda nesh, nga fëmijëria e hershme gjer në frymën e fundit, si diçka e brendshme e secilit. Vetëm personi që e mban atë udhë të projektuar “brenda vetes”, mundet ta deshifroje atë të plotë e të ndalet për reflektime në stacionet e saj, ndërsa jashtë tij, janë vetëm pak segmente të këtij udhëtimi që “lexohen” e kuptohen edhe nga të tjerët. Udhëtimi i brendshëm, gjithnjë i dashuruar me ëndërrën, ěshtë “biografia sekrete” e çdonjërit nga ne, shpesh e ndryshme dhe shumë më e pasur se ajo biografia apo jetëshkrimi që na bëjnë të tjerët, sidomos zyrtarët.

Vjen pothuajse si bestytni ndër njerëz ideja që nuk duhet t’i tregosh ëndërrat e t’i mbash ato sekret “edhe ndaj vetes”, por njeriu mundet e duhet t’i tregoje ato, si udhetimin e vet të brendshëm, kur është i dashuruar me to, apo si një kumt a një porosi, se udhëtimi duke ndjekur ëndërrat e tua dhe jo duke prishur ëndërrat e tjetrit, mbetet kurdoherë një udhëtim i bukur, edhe pse në të ka “gurë” që shënojnë arritje, ashtu siç ka edhe “gurë” që shënojnë edhe mosarritje, apo edhe “lapidarë” që shënojnë shkarje e shembje.

Pashk Mhill Alia e ka treguar bukur udhëtimin e tij, atë që e njeh vetëm ai, në librin “Dashuruar me ëndërrën” (Botimet “Enja”, Tiranë, 2019), duke na i bërë të njohura edhe ne një pjesë të ëndërrave të veta. Pse jo, Pashku na ka treguar edhe ndonjë zhgënjim, si për të na thënë se kjo udhë nuk ngjet me lojën e fluturave në një livadh plot me lule, por kalon edhe buzë greminave, ku të duhet të tregohesh i matur në rendjen tënde drejt tyre, apor has edhe në pengesa e vështirësi, të cilat duhen tejkaluar me kujdes, këmbëngulje, durim dhe besim. Ndonjëherë edhe duhet pritur deri sa të krijohen rrethanat e përshtatshme për të rendur drejt tyre, apo edhe duhet lakuar udha, por kurrë s’duhet hequr dorë prej tyre se ajo është udha jote, udha e rendjes drejt ëndërrave, me të cilat gjendesh i dashuruar.

Pashk Alia ëdhtë i njohur nga shumëkush për trajtesat e tij të veçanta esseistike, estetiko - filozofike dhe librat e veçantë që u ka dhuruar lexuesve. Janë disa libra të kësaj gjinie që do t’i kishte zile shumëkush e që ndoshta as shumë akademikë nuk i kanë mbërritur ato. Të tillë mund të përmendim: Virtyti i diturisë, Virtyti i ndershmërisë, Xhelozia-jetë nën zingjirë, Tej zhgënjimit, E ëmbla bukuria pukjane, Përmendorja e shpirtit dhe Me besa besë, botime këto që vijnë krahas 6 librave monografikë. Në trajtesat e tij, filozofia vjen kryesisht si praktikë jetësore, me argumentime teoriko - praktike të shumta, lehtësisht e kuptueshme për lexuesin e zakonshëm, por edhe këshilluese, gjithmonë larg pozitave moralizuese e të bezdisshme. Ai është i veçantë e kurajoz në udhëtimin e tij jetësorë, e po kaq i veçantë e kurajoz edhe në trajtesat e tij në botimet e shumta që ka realizuar.

Po cilat janë disa nga ëndërrat vijuese të autorit?

Për Pashkun është ëndërr t’i ngjajë Atit dhe gjithë jetën ka ecur me kujdesin që vetë të bëhet ai që prindërit e tij kanë ëndërruar për të. Libri “Im atë dhe Dheu i Atit”, e dëshmon këtë. Jo vetëm ka dashur të lartësohet vetë në sytë e prindërve, e të marrë udhë si ëndërra e tyre, por kërkon gjithmonë të ec drejt tyre, duke synuar që ta bëje të veten figurën e prindërve, por edhe që të njëjtën ndjesi të kenë për të fëmijët e tij. Ai ëndërron që edhe ata ta ruajnë e pasurojnë portretin e gjyshit e të babës, duke i transmetuar ëndërrat tek fëmijët e vet, dhe e gjitha kjo i kthen ëndërrat dhe ëndërrimet e tij me të cilat udhëton i dashuruar, si diçka të trashëgueshme. Pashku ëndërron ta njoh, ta ruaj e ta trashëgojë traditën e familjes, të zonës nga vjen e të shqiptarisë, dhe kjo e bën atë të rend drejt njohjes së plotë të Berishës e berishasve kudo ku janë, duke bërë një punë të jashtëzakonshme, të krahasueshme me një akademi lëvizëse, rezultatet e së cilës priten të marerializohen së shpejti në një botim shumëvëllimesh. Ai e ëndërroi edhe shtetin e shtetbërjen, sipas modelit të vet, kontribuoi për të si pak kush i rangut të tij, shënoi edhe arritje personale, por ëndërra e tij për këtë mbetet akoma në udhëtim, shpesh në qiej të trazuar e të tradhëtuar.

Dy janë konceptet etiko - filozofike me të cilat nis dhe përfundon libri i autorit Pashk Mhill Alia: Dashuria dhe ëndërra, ose të vendosura në rendin logjik, ëndërra dhe dashuria, të cilat trajtohen përmes jetës së tij, por kandshëm e dukshëm e tejkalojnë atë, duke u bërë mësime jetike për lexuesin. Siç ndodh me këdo, ëndërrimet e para i përkasin adoleshencës së hershme dhe janë kryesisht të lidhura me nevojën që lind bashkë me ne të të jetuarit në shoqëri, me nevojën jetike për partner jete, me imazhet e tij, me dashurinë për të akoma pa e njohur, me kërkimin e kontaktet me të, si një prelud apo shtrat, nga ku ëndërra apo ëndërrimet, jo vetëm nuk shuhen, por marrin udhë, dhe shtrati jot dhe i partnerit tën bëhet edhe shtrati i ëndërrave të tua që s’kanë mbarim. “Djalit iu duk se dëgjonte zërin e dikujt, të një njeriu të njohur, si zëri i një femre që kishte parë në ëndërr atë natë,…”., shkruan autori. Jo rastësisht ky zë atij i vjen se dëgjohet tek një burim uji, simbol ky i pastërtisë së ëndrrës, por edhe i rrjedhshmërisë së saj, i vijueshmërisë së saj, pasi ëndërrat rrjedhin si uji i kroit dhe pasojnë njëra - tjetrën, duke mbetur gjithnjë frymëzim, objektiv dhe dashuri.


ree

Duhet të ëndërrosh, të dashurohesh me ëndrrën dhe, me këmbë në tokë e me sytë e mendjes të hapura, ta ndjekësh atë. Ky është mësimi më i mirë që vjen mes rreshtash nga trajtesa e autorit Pashk Alia. Bile, këtë rrugë ai e përshkruan të tillë që sjell shndërrimin magjik, duke e quajtur …jo ëndërra e një nate, por ëndërra të një dite plot dritë e diell…, nga ku thuren ëndërra të tjera (tashmë me sy hapur), aty “ku mali takohet me qiellin”. Vjen kjo si simbolikë e pastërtisë dhe lartesisë ku të ngjit ëndërra me të cilën gjendesh i dashuruar. Dhe autori rend pas ëndërrave, herë mbi një kalë të kuq, herë mbi kalë të bardhë, duke dëshmuar se nuk mjafton të ëndërrosh, as vetëm ta duash ëndërrën, por duhet edhe forcë të shkosh drejt saj. Kuajt e ëndërrave të tij ecin me një “trok harmonik”, me të cilën autori synon t’na tregojë se ecja drejt objektivave, nuk mund të jetë thjesht forcë, rendje kali, por duhet harmonizuar bukur me dijen, njohjen, trimërinë, bashkëpunimin etj., e kjo s’ka të bëj me zhurmën e rrëmujën, por me forcën e vullnetit e të mendjes.

Autori paralajmëron lexuesin se rendja pas ëndërrës drejt “Hajadit” tënd (dashurise tënde- si koncept kompleks ëndërrimesh a objektivash të dëshiruara) nuk ështe drejtvizorë. Ai njeh edhe zhgënjime, por njeriu s’duhet të ndalet se “…ajo ditë (dita e realizimit të ëndrrës - shënimi im, Ll.N.) do të vijë njëherë, qoftë edhe përpara ose në çastin e tij të vdekjes.”, duke sjellë në vëmendje se vetëm vdekja duhet ta ndërpresë ëndërrën, dashurinë për to e rendjen drejt tyre.

Krejt natyrshëm autori bën pjesë të “Hajadit” të tij, ëndërrimet për të njohur berishajt e vendngulmimet e tyre (një ëndërr që vazhdon drejt materializimit me një studim shumë vëllimesh), e plot të tjera që i shtjellon në vijimësi. I bukur vjen përcaktimi prej tij se ai nuk e sheh dot veten jashtë meditimit për ëndërrat e veta dhe se vetëm ashtu (duke ëndërruar duke rend drejt tyre) “…i dukej se krejt bota është e tija,…”

Libri vijon me trajtime teorike mbi shumëllojshmërinë e ëndërrave, ku me qëllim autori veçon, veç të tjerash, edhe dy kategori ënërrash: ëndërra që shihen “me sy mbyllur” dhe ëndërra apo ëndërrime që thuren “me sy hapur”, për të vijuar më tej me koncepte teorike e filozofike rreth dashurisë ku, sipas autorit, “…si në luftë, gjithçka lejohet.”, pasi në bazën e saj dashuria “…është asistentja më besnike e dashurisë hyjnore.”, gjithnjë e mbështetur në mirëkuptim e reciprocitet. Interesant më vjen në këtë pjesë të trajtesës edhe përcaktimi se “…dashuria është ajo çfarë mbetet nga ëndërra e larguar, njëkohësisht një art dhe një aksident me fat.” Këtu gjenë pasqyrim koncepti i autorit se jo çdo ëndërr mund të realizohet plotësisht, se realizimi nënkupton se duhet të dashurohesh me të dhe të punosh me art për ta mbërritur, pa e përjashtuar edhe mbërritjen si “aksident me fat”, dhe se cilado qoftë ajo që mbetet prej saj (ëndrrës), ajo duhet dashuruar.

Ndodh që dashuria (Hajadi) ikën edhe pa lamtumirë, thekson autori, por kjo s’mund të jetë shkak për shndërrimin e tjetrit nga mik në armik, përcaktim ky që vjen edhe si një mësim tjetër i vyer nga leximi i këtij libri, pasi dashuria, pavarësisht trajtave tokësore ku materializohet, mbetet gjithnjë forcë hyjnore dhe se njeriu “…nuk ia dinte asaj as shtëpinë, as katundin, se po të ishte se ia dinte, do t’ia kishte djegur flakë e zjarr…”, në rastin e largimit “pa lamtumirë”.

Nga trajtesa esseistike teoriko - filozofike mbi baza jetësore, autori kalon natyrshëm e bukur tek ëndërrimet konkrete e dashuritë e tij, duke u përqëndruar tek idhulli i vet, babai, ku thekson se marrëdhënia atë e bir është “amaneti i Zotit për njëri - tjetrin”, tek nana, kjo Zonjë e madhe dhe e dhimbsur, apo tek “9 trimëritë” e prindërve (nëntë vëllezër e motra), deri tek fëmijët e dashur, për të kaluar natyrshëm e në trend rritës horizontal tek berishajt e heronjtë e tyre, Tanushi, Nikolla, Dhimitri, Teta i Zi, Lala Drekali, Hasan Prishtina e deri tek intelektualët e sotëm, ëndërrime - dashuri që vijojnë me dijen, ku gjenë vend bukur formula e shprehur si L3 : L1(letër)+ L2(laps)+L3(libër) =L3 (dituri).

Pashku, autori i mirënjohur i trajtesave të tilla, ndjehet i realizuar në ëndërrimet e dashuritë e tij, por nuk ndalet me kaq! Ka realizuar një familje të mrekullueshme biologjike e tash bashkë me zonjën e tij kanë marr fytyrën e babës Mhill e nanës Shkurta, por ecin drejt ëndërrës që të tillë të bëhen edhe bijtë e tyre; ka realizuar ëndërrimet e një karriere profesionale të mrekullueshme, por ëndërron e punon që përvojen e tij t’ua servirë mjeshtërisht edhe të tjerëve; ai ka shumë shokë e miq, por kurrë nuk ndalon ta shtojë rrethin e tyre përmes fjalës së ëmbël, respektit reciprok e të mirësisë që reflekton; ka marrë dije pa fund e në shumë fusha, që nga mekanika, agronomia, historia e filozofia, por nuk ndalet së lexuari, hulumtuari, studjuari e së shkruari, duke e kuptuar se të mësuarit, ashtu si jeta, është një proces i pafundëm dhe jo thjesht një akt që zgjat qoftë edhe aq sa janë vitet e shkollës.

Faleminderit Pashk që me trajtesat e tua na bën edhe ne të ndjehemi më të dashuruar me ëndërrat.

Lezhë, më 11 dhjetor 2025

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page