Llesh Ndoj: KILOMETRI I FUNDIT DHE…, ÇESHTJE KARBURANTI
- 1 hour ago
- 6 min read

“Kilometri i fundit” i artikuluar kohët e fundit intensivisht nga zoti Sali Berisha, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, është parulla më e re me të cilën ai paralajmëron rikthimin e tij e të familjes në pushtet. Ky mbetet njëkohësisht edhe “karburanti magjik” me të cilën ai synon të mbaje gjallë protestën e tij të përjetshme ndaj kujtdo e çdo gjëje që s’mban vulën e tij. Bile, duke artikuluar këtë të fundit, “çdo gjëje që s’mban vulën e tij”, nuk jam plotësisht i bindur nëse shprehem qartë. Ndoshta duhet thënë kundër kujtdo e gjithçkaje që del jashtë mendimit të tij thellësisht patriarkal, vrastar e jo në favor të zhvillimit të këtij vendi.
E di! Rrezikova shumë me këtë shprehjen e fundit. PD-istët do “t’më hidhen në fyt”, duke më akuzuar për majtist të sëmurë e të verbër, që s’e shoh të mirën si “dritë dielli” në sytë e plakur të udhëheqësit demokrat, e as s’e gjykoj ekstremin tjetër, Edin e të majtës, që veç i majtë nuk është. Lidhur me “dritën” e tij, mendj se ngjanë me shkëlqimin e fosforit që lëshojnë eshtrat ose kërcunat e kalbura në errësirën e natës, kurse lidhur me të dytën, Edin rilindas, e theksoj me plot gojën: Rilindja s’është e majtë dhe se ka vite që në këtë vend “konkurojnë”, ose merren vesh duke kundërshtuar njëra – tjetrën, dy të djathta, ajo e Saliut (nuk e di a e meriton emrin që mban, parti demokratike!) dhe ajo e Edit, që ka guxuar më shumë dhe e ka ndryshuar edhe emrin nga partia socialiste, në rilindje…
E në mos/konkurencën mes tyre, ka gjithnjë dy pamje të së njëjtës medalje: Për Salën “kilometri i fundit” është objektiv kolltuku për pushtet, kurse për Ramën “kilometri i fundit” shitet si objektiv drejt intergrimit evropian të Shqipërisë. Asnjëri nuk e pranojnë atë si “kilometrin e fundit” që ata të lirojnë rrugën e progresit demokratik të shqiptarëve. Në këtë “njëjtësi” të pashoq mes tyre, Sali Berisha nuk të len me e gjykue Ramën në të keqen e tij, pasi është i pakonkurueshëm në diskursin e vet teorik e praktik, duke lënë mes tij e Ramës shumë vende bosh… Puna ndryshon në raport me pushtetin: Saliu nuk gjenë dot kaq shumë mbështetje sa të rikthehet në pushtet, sepse populli ynë është i majtë dhe i lën qëllimisht i tillë, i varfër ekonomikisht dhe ekstremisht i indoktrinuar në pikëpamjet politiko-ideologjike.
Po, a jemi ne në “kilometrin e fundit” të klasës politike uzurpatore e tranzicionit shqiptar tridhjetë e pesë vjeçar?
Po. Jemi në kilometrin e fundit, por ç’nënkupton ai realisht? Jemi në kilometrin e fundit se Rama e ka konsumuar veten keqas në qeverisjen e gjatë, si djathtist i pandreqshëm, i cili rend e s’di të ndalet në pasurimin ekstrem e të paligjshëm të klasës politike thellësisht servile që e duartroket dhe që është e gatshme “të vjedh” ç’ti mbetet atij, mjafton të zhgrryhen në të njëjtin sahan me të, në të cilin nuk u duhet të kontribuojnë “me e mbush” atë, por sa të munden të kontribuojnë për me e zbraz, në mos me garuzhde apo me lugë, të paktë duke e lëpirë me llapë ç’të mbetet në fundin e tij! Në këtë aspekt, zor të gjeshë një fije kashte ku të kapesh per të pohuar të kundërtën. Dhe këtu Saliu ka plotësisht të drejtë. Për Saliun “kilometri i fundit” ka rreth dy dekada që ka kaluar, të paktën që nga viti 1996, po duket se ai kilometër është harruar edhe nga Zoti!
Por si e “shesin” dy liderët “kilometrin e fundit”?
Rama është i shtrenjtë në pazar. Kujtoni sa i kushton një kilometër rrugë, po s’u bindët për sa më lart. Prandaj kilometri i tij i fundit shitet me çmimin e floririt të pastër, dhe si “e panjohura e madhe” drejt së cilës duhet të vrapojmë. Ndërkohë që ky kilometër, apo e panjohur, e ka një cak, vitin 2030 dhe integrimin e plotë të vendit, duke u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ja vlen për të udhëtuar “në makinën e tij” drejt një caku të afërt e drejt një objektivi të lakmueshëm, kurrë të provuar më parë nga ne. Drejt këtij objektivi “makina” e tij, qoftë edhe vetëm imagjinare apo propogandistike, lëviz përpara, andej kah e mbara, e lëvizja përpara të mundëson shpejtësi të rregulluar e të kontrolluar. Jo më kot çdo mjet real (makinë apo makineri) ka 5 - 6 marrsha për ta rregulluar atë…
Po “kilometri i fundit” i Sali Berishës, ç’nënkupton dhe ku e ka cakun?
Fatkeqësisht ky “kilometri i fundit” i tij nënkupton ecje mbrapsht, ndoshta drejt vitit 1996 - 1998, drejt votimit me polici, drejt pagut të luftës civile, drejt skemave piramidale që ngjashměrisht por më masivisht se “rrugët e florinjta” të Raměs, “gëlltitën” edhe qindarkat e fundit të xhepave “të shpuara” të shqiptarëve; kilometri i tij të drejton drejt Konferencës Islamike, jo drejt Bashkimit Europian, zgjatet krenar drejt 21 janarit, drejt Gërdecit, drejt… Ndoshta drejt përsëritjes së humnerës, ku s’ka të fituar, por të gjithë jemi të humbur. Është ky një udhëtim mbrapsht që s’ka as objektiv, as s’mund të ketë shpejtësi për të mbërritur aty. Sepse “konstruktori” (ai i mjeteve mekanike, kuptohet!) për ecjen mbrapsht na ka dhenë veçse një marrsh, një mundësi, dhe një arësye: me shmang përkohësisht ndonjë greminë…
Ky “kilometër i fundit” i Sali Berishës, nuk ka një fillim, nuk ka një shpejtësi të parashikuar e të rregulluar, e për pasojë nuk mund të ketë as edhe një cak të fundit. 20 shkurti, i fundit fillim i tij në radhë, mund të rrëzoje statuja bronzi, apo edhe të gjalla, por nuk mund të ndryshoje qeverisjen e vendit, pasi ajo ndryshohet vetëm me votë. Por duke qenë se ajo asgjë të re s’do të mund të sjell në raport me qeverisjen, ndoshta “rrëzon” statujen e gjallë të mendimeve të pa apdate-uara të Saliut, e kjo s’do të ishte një fitore e vogël në zhgërryerjen e pafund baltërave të krijuara prej tij. Sepse vetëm kjo do ta kthente “kilometrin e fundit” nga opsesion në realitet.
Dy gjëra në dukje të njëjtat: “kilometri i fundit” i Sali Berishës dhe ai i Ramës, në thelb janë krejt të ndryshme. E kjo se ai “kilometër” mund të zgjasë pafund, si të ishin qindra e mijëra kilometra, ose mund të konsumohet në kohë reale, duke na çuar në distanca të velfshme me vite dritë udhëshprese, sepse kjo varet nga mjeti mbi të cilin udhëton, nga aftësitë e manovratorit për të kombinuar shpejtësitë me rrugën e trafikun, dhe nga karburanti që ai përdor.
Sali Berishës ka kohë që i ka mbaruar “karburanti politik”. Asgjë të re nuk di e nuk mund të sjell ai as në opozitë, as në pushtet, as në protestë, që duhet pranuar se është “specialiteti” i tij. Udhëtimi i tij është i njohur. Ai rrezikon t’na përplas mes veti, t’na përplas me Europën e Amerikën, po e po. E sikur mos të mjaftonte kaq, na tregon edhe greminën si arritje heroike të aftësive të tij vozitëse në “timonin” e drejtimit të shtetit.
Rama nga ana tjetër, ndonëse i rrethuar fort nga dualiteti tashmë i dalë boja, i të qënit “i majtë” në teori dhe “i djathtë” në veprime, i rrezikuar nga qeverisja e gjatë dhe i “gozhduar” nga korrupsioni gjenerik e masiv i makinës së tij qeverisëse, akoma “ka karburant” drejt destinacionit, sepse është krijues në diskursin e vet politik e qeverisës, dhe ky destinacion është tërheqës, ka një cak mbërritje dhe është i sigurt për shqiptarët, prandaj edhe i pranueshëm prej tyre.
Sali Berisha është mjeshtër i manipulimit dhe indoktrinimit të mendjeve njerëzore, trashëgimi kjo e shkollës së gjatë drejtuese në ish Partinë e Punës së Shqipërisë, aftësi me të cilën akoma mbledh rreth vetes një grusht njerëzisht, jo domosdoshmërisht të gjithë si ai, por nga teknika mbetet pas, duke njohur vetëm zjarrin dhe molotovin, ndonëse jetojmë në shekullin e inteligjiencës artificiale. Karburanti indokrinues i “kilometrit të fundit” të Sali Berishës dhe “gara” e tij me kohën, ngjanë njësoj sikur të garojnë njëra me tjetrën një ferrari me një traktor DT, apo sikur të përdorësh benzol në traktorët DT të kohës së komunizmit ku, jo vetëm që nuk ua shton dot atyre shpejtësinë, por ua hedh në erë krejt mekanizmin vetëlëvizës, duke e shndërruar atë praktikisht në një zgërdallë të dal boja dhe që, jo vetëm nuk të çon në destinacion as herët as vonë, por bllokon udhën e ecjes përpara për të tjerët.
Udha Evropiane e Shqipërisë është tashmë një autostradë në kilometrin e saj të fundit, por traktorët DT me të cilët “garon” Berisha nuk janë bërë për në autostradë. Ata mbeten “mbretërit” e baltës, e aty Saliu është në domenin e tij!









Comments