top of page

Lirika “e qetë” një lloj rezistence



(Dhe një ndalesë në poezinë e Stefan Martikos)


Nga Fatmir Terziu



Stefan Martiko është ndër poetët e brezit të tij, poezitë e të cilit më pëlqyen vite më parë kur lexova për herë të parë disa poezi. Koha e ka vërtetuar padyshim vlerësimin tim për poezinë e tij. Sigurisht, poeti tashmë në poezinë e tij ka identifikuar veten, thelbin e tij lirik individual, ku poezia e tij në fakt është një ritëm i veçantë poetik, që ndjek një risi të tijën, personale, të zhvendosur në një staturë individuale. Në poezitë-psherëtitjet e tij kapet thelbi i ngazëllimit estetik, deshifrohen shumë përjetime të bukura dhe shqetësuese. Në mënyrë të padiskutueshme, S. Martiko dëshmon se piktura lirike mund të vizatohet me një minimum fjalësh. Poezia e tij është idiomatike, tërheqëse, nuk është thjesht lakonike, por mbartëse e mesazhit të pasur, me një ndjeshmëri të theksuar dhe një sens për detajet më të vogla. Jo rastësisht në kjo lloj poezie pikëtakon atë që unë e kam quajtur në studimin tim „Kritika Ndryshe: një vëzhgim në brendësi të prozës dhe poezisë shqiptareII një ndjesi poetike dhe lirike për të ashtuquajturat tekste „të qeta“. Poezia e tillë e S. Martikos, në thjeshtësinë e saj, në thelbin didakt dhe në maturinë poetike të tij është një reagim dhe kundërshtim ndaj daulleve shurdhuese të dekadës ku dominon shkrimi i pakontrolluar. Vetë lirika “e qetë” është një lloj rezistence ndaj poezisë së zhurmshme dhe “modës” vargshkruese në kohë. Por poezitë “e qeta” të S. Martikos janë poetike në vetvete. Kur është i vlefshëm dhe domethënës, ai rezonon në shpirtrat tanë me një sens estetik, në një shumë mesazhes të një mendimi ndikues e të të përhershëm dhe mbresëlënës.

Në dorë falë mikut im, poetit Gëzim Strora këto ditë mora një tufë poezish të autorit Stefan Martiko. Poezitë e grupuara nën ttullin „Lumë i vonuar“ kanë një embrion të tillë, sikurse i lartcitova. E thënë më qartë, nëse duhet të kërkojmë një formë të tillë të poezisë së Stefan Martikos, do ta gjejmë më së shumti te poezi të tilla si „Sheshpushimi i erërave“; „Macja e egër“; „Ikja e shpirtrave“ e mjaft të tjera. Këtu mirëkuptohet se Stefan Martiko është më lirik, më emocional se kudo më parë në krijimtarinë e tij poetike. Shumë herët, unë në fakt pata shkruar dhe aty gjeta gjithashtu shprehjen përkatëse poetike të rrëfimeve të tij lirike, më tepër një lirikë ritmike të ngadaltë sesa një stil kënge ritmike të shpejtë, që dominon në formën e madhe të krijimtarisë poetike. Prirja e tij për piktoreskën është mjaft e ngadaltë, impresioniste, por me një dinamikë të caktuar të brendshme, ku në të gjitha poezitë e tij, padiksutim gjen një majë peneli të vogël që rimon dhe stilon me njeshtëri. Ka raste kur përkufizimi i lirikës “së qetë” sjell edhe një nuancë tjetër, në kuptimin e të sigurtës, të rrëmbyer në ëndrrat e veta, të shkëputura nga deformimi, joaktiviteti dhe pa prekur të „fuqishmit e ditës“. Një arsyetim i tillë përgënjeshtrohet mes vargut të tij edhe nga diçka kurioze, por për mendimin tim zbulues, kjo ndodh apriori që në titujt e përmbledhjeve të tij me poezi. Sikurse citova titulli i preferuar i tij në këtë grup poezish është „Lumë i vonuar“. Ky është titulli i përmbledhjes së tij me poezi, si dhe përmbledhja e tij më e fundit e lexuar prej meje. Gjithmonë kam menduar se titujt e librave mbajnë një kuptim të fshehtë dhe sugjerojnë një nëntekst të caktuar. Dhe duke menduar për këtë fakt, mund të gjejmë njëfarë simbolike në favor të thelbit të poezisë dhe të artit në përgjithësi, që është gjithmonë kundër, pra kundër jetës së kohës së saj, është gjithmonë kundër, është gjithmonë „anti“, përndryshe thjesht rrezikon të bëhet e panevojshme, e padobishme. Kjo është në fakt ajo që e ndan talentin e vërtetë nga talenti i padallueshëm që i mungon karakteri. Dhe Stefan Martiko ndër vite vazhdimisht ka dëshmuar se përveç talentit ka edhe karakter poetik të mirëfilltë.

Nëse do të më duhej të përdorja një përkufizim më të përgjithshëm për këtë poezi, padyshim që do të ishte me theksim në thelbin e saj lirik. Stefan Martiko krijon një atmosferë të relaksuar lirike në poezitë e tij, e cila të jep përshtypjen se ajo arrihet lehtësisht. Mirëpo, kjo është vetëm mashtruese dhe e dukshme, sepse pas lëvozhgës së saj të jashtme spikat artisti i fjalës, i cili punon gjithmonë me mjetet më të mira poetike dhe diku të ndihet se ky është kufiri, e mundura e fjalës. Ja një pjesë e pikturimit të bukur në poezinë „O bota e gërmave të zeza”: „Më zi se në surealizëm është në/Poezitë e mia janë çarë tërë damarët/E trupi ecën pa gjakun. Më të/Shëmtuar se në kubizëm ngjajnë/Hijet që unë i kam ngritur mbi/Trupat. Atëherë e kam dashur më/Pak veten që kish vënë/Stenoskopin mbi të keqen. O botë/e gërmave të zeza, ky mish-mash/industrial me kaq shumë/smog përsipër. Industritë që e/bënë njeriun të vogël dhe/në arkivole e futën. Pesha e/tërë konstruksioneve ra mbi mua dhe/vetëm një panel kërkonte nëpërerrësirë diellin“ (S. Martiko; po aty).

Sikurse lexohet dhe shihet bota poetike e Stefan Martikos është e ngulitur, erëmirë, tingëlluese. Në njëfarë mënyre të tërheq dhe të përfshin në vetvete, sepse nuk të lë indiferentë, por të ngacmon shqisat. Pamjet piktoreske të fjalëve në këtë lirikë janë të bukura dhe me ndikim, shpesh duke ngjallur admirimin e lexuesve tanë, sepse ato përmbajnë mesazhe dhe qëllime mbresëlënëse. Edhe pse bota natyrore e poetit na ofron edhe vlerësime morale, natyra lëviz sipas ligjeve të saj, gjithçka është në vendin e vet, si trupi, damarët, smogu dhe po aq vetë e zeza, e gjithë ajo që mbush, na zbraz dhe na nxin shqisat. Por kjo nuk na lë vetëm që të shqetësohemi, na jep dhe diskursin që të rimbursohemi për më të mirën e mesazhit të tij poetik.

Poezia e Stefan Martikos zbulon fytyrën delikate të artistit të ndjeshëm, duke përjetuar vazhdimisht në mënyrë dramatike problemet që e rrethojnë. Ai ka nevojë për liri dhe vetmi për t'u zhytur në botën e tij, në të cilën është më rehat. Ai shpesh kërkon distancën, perspektivën më anësore, i pëlqen të jetë mes natyrës së thelbit të gjërave dhe ndodhive. Në këtë botë të tij specifike të vetmuar, lindin poezitë e tij, shpesh aforistike dhe pavarësisht nga dramaturgjia e tyre, ai kërkon dhe gjen harmoninë e tij personale. Në fakt, ai e di se sa e qetë dhe harmonike është bota e tij e brendshme. Por kjo ndjenjë që krijojnë veprat e tij vjen nga urtësia e akumuluar që provokon shqisat, zemrën, shpirtin dhe mendjen për njohuri, disa prej të cilave tingëllojnë me mençuri biblike, sikurse ndodh tek grupi tjetër poetik „Udhëtim Biblik“ e ku spikat poezia e tij „Idenë e sjell rrotull“: „Idenë që kam kapur e sjell/ngado rrotull ua jap/kohëve të tjera e le pa/shtegun në ajër të zbuloj/botën ku do të vendoset/Një Haidenger shoh në pasqyrat/e mia se si po vrojton ëndrrën/time. Për atje merrë pastaj/vrapin koha dhe u strehua/brenda vetes qyteti. I denë që ai/e kish kapurnga mendja e një/tjetri tashmë plotësisht i vdekur/Ai që po u jep shenjë yjeve se te/të fshetat e tyre/sapo i ka gjetur. (S. Martiko, ibid).

Poezia e Stefam Martikos nuk bazohet në ato „vlera primitive“ të cilave do t'u kthehet njerëzimi pas rënies së tyre në shekullin tjetër. Sepse ato janë të ngulitura gjenetikisht dhe në mënyrë të pashlyeshme te njeriu dhe janë pjesë e pashmangshme e thelbit të tij. Këto janë vlerat që letërsia e vërtetë nuk i ka tradhëtuar kurrë. Poeti domethënës dallohet nga i zakonshmi me poezitë e tij emblematike, të cilat e vendosin në letërsinë e tij dalluese dhe i caktojnë e i garantojnë një vend në të. Kur përmendim emrin e këtij poeti, menjëherë na vijnë ndërmend këto vargje: „Vdekje e panevojshme“: „Askush nuk vdes sonte as këtë/çast për shkak të lutjes së/madhe. Te jeta ka/shumë dritëdhe ajo nuk/e sheh dot vdekjen/Kush mund ta japë këtë urdhër/për ti mbyllur dyqanet e/morgëve sepse vdekja nuk është/më e nevojshme dhe do të lodhemi/duke numëruar stërnipët tanë/në Biblën të mbushur me më/pak lindje se vdekje „ S. Martiko).

Nuk ka dyshim se Stefan Martiko ka vepra të tilla lirike dhe kjo është shenja më e sigurt e pranisë së tij krijuese të qëndrueshme në letërsinë shqiptare të kudokrijuar. Ai është ndër poetët tanë të paktë të thjeshtë e modestë që mbajnë gjallë zhvillimin e lirikës sonë në territorin ku ai jeton dhe punon prej vitesh.

56 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page