top of page

Librashitësja


Muhamet HALILI

*** Qielli i pastër si uji kristal reflektonte qielloren edhe poshtë tij. Rrezeve të diellit iu rezistonin këndshëm vetëm pemët në qendër të qytetit. Trupat me kurorë gjelbëruese krijonin hijet e tyre për ta ofruar flladin strehë për qifte të dashuruarish dhe pushues të tjerë. Një vend i ngjashëm plotë rreze dashurie ishte krijuar edhe nën një çadër hijeje që kishte zënë vend para Teatrit të Qytetit, e flladi nën të, vinte nga vet librashitësja. Fytyra e saj, që përngjante në një lule aguliçe, e bënte të sapodalë nga një roman i mbushur me fantazi, e shtati i saj filiz, i derdhej si një bukuri delikate nën çadër e mes librave. Më pak shiste e më shumë lexonte. Edhe tani kishte një libër në dorë me të cilën ishte pushtuar. Nuk e di cila histori e kishte mbërthyer aq shumë, por shihej ashiqare se po kënaqej. Kufjet në vesh dhe lëvizja e nganjëhershme e trupit në formë ritmi ishin dëshmi se leximin po ia shoqëronte ndonjë melodi e lehtë..!

*** E pëlqenim njëri tjetrin. Kishte kohë që dilnim, por kishte ardhur koha ta kisha të tërën. Dashuria që kishte ndaj librave më bënte “xheloz”. Sikur libri hynte mes nesh, e unë e doja vetëm për vete. Iu afrova nga prapa dhe me shprehjen “suprajz”, e mbërtheva me duar për qafe. Aroma ime dhe zëri kur thërrita “suprajz”, bëri që të mos reagonte për atë që dikush nga mbrapa po ia vendoste duart mbi supe. Për më tepër, ma ofroi faqen sikur të ishte një rregull i shkruar që buzët e mia duhet të puthiteshin aty. Natyrisht, shijova faqen e saj ëmbëlsirë tradicionale, për t’i pëshpëritur ngadalë në veshin e saj, nga e cila paraprakisht largova kufjen. - Ti je pjesa më e mrekullueshme e ditës! E qetë fare, ma ktheu. - Sapo e lexova! - dhe ia hodhi sytë një libri që kishte afër, me kopertina të kaltër, mu si sytë e saj. - A ke diçka ma origjinale, - shtoi tutje. - Ti ke sy të tillë që të shkëlqejnë pandërprerë. Flejë syhapur zemër, që ky shkëlqim të mos ndërpritet kurrë! Tani sytë, për të cilët e lavdërova i orientoi kah një libër tjetër duke e përmendur edhe autorin. - Aty e ke. Nëse do ta tregoj edhe në cilën faqe! U dorëzova, por së paku thash të përfitoja diçka nga kjo andaj i thash: - Veç a po e sheh që edhe unë diçka paskam lexuar. - Zemra ime do diçka origjinale nga ty, - më tha duke ma lëmuar faqen. Kjo më nxiti inat në vetvete, por edhe më inkurajoi. - Sytë e tu janë si dudi i ëmbël në oborrin e shtëpisë sime! Kureshtja iu zgjua, nga kjo që i thash! - Pse dudi?! Çfarë fuqie ka ky krahasim me duda, që të më bësh për vete?! I lumtur që ia hoqa vëmendjen nisa sqarimin. - Në shtëpinë ku kam lindur, jam rritur e jetojë akoma, është një trup dudi i moçëm sa më s’ka. Degët e saja, edhe kur janë kalavesh me duda të pjekura, ma pikturojnë dritare ne dhomës time të gjumit. Sa herë i hapi sytë dhe e kërkoj ditën e re përtej dritares, ato degë të mbushura janë gjëja e parë që i shoh. Tani, unë nuk dua asgjë më shumë pos, që pjesa tjetër e jetës time të jetë ashtu që, sa herë të zgjohem nga gjumi, të jesh ti gjëja e parë që do të shoh. I pëlqeu kjo paralele që e dëgjoi dhe këtë e kuptova nga shkëlqimi i krejt fytyrës së saj. Kjo bëri ta mbyll librin që kishte në dorë dhe të më puthte, tani ajo, ëmbëlsisht në faqe. Sikur ta kisha faqen frutë dudi dhe donte përmes shijimit ta kuptonte edhe më mirë atë që ia shpjegova. - Më kënaqi! - ia bëra me dije, teksa me sy mbyllur mundoja ta zgjasja sa më shumë ndjesinë për shijen e puthjes që mori faqja ime. - E meritove, - më tha dhe ëmbëlsisht qeshi. Buzëqeshja e saj të rrëmben si dallgë e detit. Krejt qyteti në atë moment mu bë hije e fllad. Situatat e tilla nuk mund të prodhojnë tjetër fjalë përveç se ajo që ka magjiken në vetvete, fjalën “Të Dua”. Dhe kur kjo thuhet nga të dytë, i lirohet rruga puthjes së zjarrtë, që edhe diellin në atë moment e bënë të ketë nevojë për çadër hijeje...! - Çfarë bëre sot, si të eci dita, a pati interesim për libra?! - parashtrova rrebesh pyetjesh, sepse e dija që do të më kënaqte me përgjigje, pasi këndshëm e me satirë mi portretizonte lexuesit, sikur t’i “farkonte’, ata për personazhe librash që i kishte në stendë. - Rutina na mbyti, - u përgjigj shkurt. - Megjithatë, ndonjë gjë interesante?! - Ishte njëri që ishte i interesuar jashtëzakonisht shumë për libra, madje shprehte dashuri të madhe për to. Më tregonte se sa shumë e donte leximin, por ngarkesa në punën ditore në administratën shtetërore, e bënte të mos lexonte fare, sepse i dhimbtë koka nga të lexuarit! Një tjetër, pasi shprehu interesimin për librat e disa poetëve me emër, më tregoi se edhe vet shkruan poezi, për të ikur pa blerë gjë. I treti, fokusohej në libra më të trashë, njërin e veçoi, për përmbajtjen e të cilit parashtrojë ca pyetje. Kam drojën se i tregova më shumë seç duhet, iu duk sikur e lexoi, hoqi dore dhe iku. Një çun, bashkëmoshatar, pasi i përlau nëpër dorë disa tituj, në fund më pyeti për numër telefoni...! - Maskarai! - nxjerra xhelozinë, duke e ndërprerë këtu, - Unë nuk i thash ashtu, isha më e butë, - ma ktheu, duke u kënaqur me atë se më vuri në lojë e më bëri xheloz. - Po ti çfarë bëre?! – më pyeti. - Bëra plane për ne! - Plane për ne, pa mua?! - Ti tretesh në libra sa që të rrëmbejnë personazhet, e pastaj më duhet mua të luftojë me ta, për të të shpëtuar...! - Çfarë vendosem, pardon vendose, ama të ma thuash si të ma lexosh një fragment nga ato librat me historitë më të bukura të dashurisë, që lexohen me një frymë, për të më bindur të bëhem pjesë e planit?! - më pyeti dhe më “kushtëzoi” për t’i vezulluar sytë plotë shkëlqim. - Sonte pritet të jetë një natë e freskët, e përshtatshme për ta kaluar në vilë. Mendova të shkojmë në Makresh dhe të rrimë atje për vikend. E meritojmë të ikim për pak kohë nga qyteti i betonuar për një pushim të qetë që ta ofron veç një natyrë e mrekullueshme që ka kjo toka jonë. Një rast i mirë për një arratisje nga rutina e dy të dashuruarve të cilët kanë nevojë të tjetërsohen nga përditshmëria, për ta jetuar fantazinë. Paramendo, një shtëpizë e vogël druri me një dizajn të këndshëm, me një peizazh përreth që të pikë në shpirt, me dy trupa tanë që sodisin mbi të blertën, në mes atyre lisave të gjatë e plotë gjelbërim, s’ka se si të mos jetë panoramë për kopertinë atlasi. Bari përreth lisave dhe lulet e llojllojshme mali, cicërima të ndryshme, ajri që vallëzon me gjethe,... do të dëshmojnë për fuqitë e dashurisë. Unë e ti, ulur pran njëri tjetrit, duke shfletuar ndonjë roman dashurie dhe freskuar me lëng të ftohtë fruta malesh, kompletojmë mozaikun e të bukurës natyrë. Dhe, kur të dehemi nga aroma e mirë e pishave dhe shkëlqimi i yjeve që na ndritë trupat, rënkimet tona të afshit të dashurisë mund t’ia japim hënës, t’i përdor nota për melodinë e përjetshme, të himnit të dashurisë. Pastaj do t’i falemi tokës, ku do ta peshojmë lirshëm trupin, derisa të na jap sërish energji, për t’u ngritur e vrapuar, ashtu siç na ka falë Perëndia, drejt vendeve të fshehura në brendësi mali, për t'i shijuar, e për t’i nxjerrë nga brendësia e shpirtit sërish rënkimet tona, që hëna edhe njëherë të mund t’i përdor, për të prodhuar diçka hyjnore. Lisat, spektatorë, ndoshta nuk mund t’i çuditësh me asgjë, se kanë parë çfarëdo, megjithatë kjo e jona do të jetë premierë për ta...! Pastaj, freskia e natës do të na gjej në verandë të shtëpizës së drunjtë, ku unë i bie kitarës e ti ia thua këngës, unë tretem në buzëqeshjen tënde mjaltë, e ti pushon në kraharorin tim. Natyrisht, ashtu si flakë kamine edhe kjo e jona do të vazhdojë të flakërojë akoma. I drejtohemi dhomës gjumit. Unë të mbaj në krah, por tregohem i padurueshëm sepse më duket shtrati shumë larg. Ndriçimi i hënës përvidhet nga dritarja e bie fiks në tepihun e dhomës së ndejës, ku si një reflektor gjigand ndritë mbi aktorët e vetëm në skenë. Skenar s’ka për këtë akt, fjalët zëvendësohen me lojë. Kornizat e regjisë thyhen, mu si uji që shemb pendën. Shtohen zërat edhe në pyll...! Hëna, sikur mjeshtri i ndriçimit nga kthina e tij e teatrit, zhvendos tani dritën në shtratin e dhomës së fjetjes ku luhet akti tjetër, sërish pa skenar, por tani kemi heqje dorë edhe nga regjia. Një teatër eksperimental ku gjithçka lihet në dorën e aktorëve. Koha për Intermexo...! Akti i radhës, dy trupa qull, njëri mbështetur në tjetrin, me çarçafin e lehtë që mbulon vetëm një pjesë të trupave, sjellë skenën e të lexuarit fragmentesh romani, por që tani drita e hënës e ka zbehur fuqinë duke paralajmëruar se mund të largohet krejtësisht për t’i lënë ato fytyra gazmore të pushojnë. Me mbylljen e syve për t’iu dorëzuar gjumit të nevojshëm dhe ëndrrave, në të cilat mund të jepen repriza të shfaqjes së sapo dhënë, bie edhe perdja e premierës...!

*** Sado që rrezet e diellit iu kishin vërsulur çadrës së librashitëses, jo për ta shtuar vapën sa për të dëgjuar tregimin e sapo rrëfyer, hija nën çadër ishte bërë edhe më e fuqishme për t’iu dhënë flladin e duhur dy trupave që të mos digjeshin! Tani më ajo ishte krejtësisht e pushtuar në kraharorin e tij, e ai i humbur në fytyrën e saj engjëllore. E puthi në cep të syrit duke pritur përgjigje nga ai shikim eksitues, e ajo i çuçurit fjalë të ëmbla në vesh dhe pastaj me zë më të lartë, i tha: - Eja, të shkojmë, le t’i çudisim lisat!

40 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page