top of page

LEXIMET E GJYSHIT


LEXIMET E GJYSHIT

Nga Fatmir Terziu


Gjyshi zemërohej vetëm për një gjë,

ishte një nga zemërimet e tij më të mira,

kur dikush më prishte leximin për të me zë,

gjyshit tim të shtrenjtë i ngrysej fytyra.


Nuk kishte shkollë por donte leximin,

ndaj që fëmijë më mbante pranë,

e harronte verën, po aq edhe dimrin,

kur veshi i ngulej tek leximi i qartë.


E quante ushqimin e tij më të mirë

e donte të vdiste duke më dëgjuar

leximi i sillte gjithnjë çehrre në fytyrë

me leximin ishte gjithnjë i dashuruar.


Kishte shkuar mjaft herë në xhami,

diku dhe në një kishë kishte qëndruar,

por kishte fshirë lotët me shami,

nga inati që gjuhët s'i kishte kuptuar.


Gjithë jetës ai mbajti një mistri,

një mastar muret për ti drejtuar,

Kuran dhe Bibël i kishte që në rini,

por në shqip fare pak i kishte dëgjuar.


I perceptonte me shenjtëri gati të gjithë

Hazreti Muhamedin, Pejkamberin e parë,

Jezu Krishtin e dinte se ishte sakrificë,

kur u kryqëzua të mbetemi të gjallë.


E të gjithë i mbante me fjalë në mend

nuk kishte tjetër ku t'i strukte përherë,

se i dilnin përditë në lexime pa vend,

profetë e shenjtë të tjerë pa vlerë.


E kështu dhe me ta nxehej në heshtje,

kush mund ta kuptonte më mirë se unë,

por mua ma përkthente në buzëqeshje,

më thoshte me të shtirë kurë mos ki punë!


Nga ana tjetër ishte vetëm gjyshja,

ajo që ishte thuajse për të një pasqyrë,

e aty i lindte gjyshit edhe mëdyshja,

kur i sillte menjëherë kafenë për ta pirë.


Shikonte nga unë dhe më tundte kokën,

më thoshte, unë e di se ti nuk më tradhëton,

ndaj me ty nipi im shoh gjithë botën,

kur ti mua me besnikëri më qëndron.


Por gjyshi im ishte shumë i vëmendshëm,

dëgjonte mjaft mirë kërshërinë e gjyshes,

thoshte se gjithnjë ka një armik të brendshëm,

nuk ka rëndësi se si ai sillet e si shtirret.


Por gjyshja iku para tij atje lart në qiell

e gjyshi nuk i donte më shumë leximet

sytë i ngulte lart dhe i dukej sikur në diell

ai tashmë kishte lënë vetëm bekimet.


Një ditë para se të ikte dhe ai tek gjyshja

pëshpëriti ngadalë dhe më shtrëngoi dorën

nipi im i mbarë nuk ka më mirë se mbi libra

duke lexuar nuk e shkon dëm as kohën.

 
 
 

Komentar


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page