top of page

LETRA POETIKE


Mihal GJERGJI

Mihal GJERGJI


LETRA POETIKE



Ndodh që krijuesit t’i kërkojnë figurat letrare në qiell. Ndjejnë dhimbje kur rrëzohen, e atëherë kuptojnë se janë shkëputur nga trualli që i rriti. Këtë ndjesi meditimi provon gjatë leximit të poezive interesante të një autori kurveleshas. Është Arben Nanaj, nga Golem i Gjirokastrës. Krijimet e tij qendrojnë mes poezisë popullore dhe asaj të kultivuar. Edhe një sy i pastërvitur e kupton se ajo çfarë i serviret, është gatuar me një brumë të zgjedhur. Arbeni i mëshon mendimit, fuqisë së tij dhe fenomenit. E zgjedh fjalën në gurrën popullore, po më shumë sesa kaq, përdor simbolikën. Arma e tij është sarkazma therëse, mjeti më i fuqishëm shprehës i artit. Po çfarë vendi zë poezia popullore në artin e madh të krijimit? Është ajo që ka zëvëndësuar kronikanët, historinë e shkruar, ngjarjet e ndodhura, më së shumti luftërat dhe barbaritë e pushtuesve. Ndërkohë ka pasqyruar me saktësi dhe emocion rrjedhën e jetës; dasmat me këngët interesante, grindjet mes krerëve të lartë, mençurinë e popullit dhe bukurinë njerëzore. Te romani “Kronikë në gur” Kadare rrëfen se “Pranvera në qytetin tonë vinte jo nga toka, ku sundonte guri, por nga qielli. Shenjat e saj ishin hollimi i reve, zogjtë dhe ylberet e rralla.” E kjo më shtynë të mendoj se zërat brenda poezive të Arben Nanaj janë si tinguj kitare që zbresin nga hëna. Ka profil inteligjent, sy të zgjuar dhe fytyrë të paqtë. Ka provuar largësinë dhe mallin e emigrantit, deri në Amerikën e largët, madje edhe drama familjare. Autori e shikon jetën nga lartësia e majëmaleve të vendlindjes, si mbi një mal pikëllimi. Me atë gjuhën tipike, zhargonin popullor plot ngjyra sjell tabllo impresionuese. Historia e gjuhës është edhe historia e popullit, në rastin konkret e vendlindjes së autorit. Kur popullit s’i dëgjohet zëri, janë bijtë e tij të zgjedhur që bëhen gjyqtarë supremë të atyre çfarë ndodhin, ngjarjeve apo fenomeneve. Dhe Arbeni s’flet vetëm për vete. Brenda fjalëve të tij janë edhe zërat e shqetësuar të atyre që kanë mbetur pa gojë. Pavdekësia i përket vetëm popullit, individit–jo. “Gjyqi i fundit” apo “Pavdekësia e shpirtit”, janë vegla torture, janë sisteme mizorie, sikurse shkruan Niçja. Kur flasim për popullin nënkuptojmë kujtesën e tij, që trashëgohet nga njeri brez te tjetri. Është interesant fakti që, poetët popullorë, krahas madhështisë së natyrës, bukurisë dhe hireve femërore, gjithmonë kanë memorizuar guximtarët, mes tyre edhe hajdutët apo vrasësit. Le të kthehemi një shekull e gjysmë prapa. Jemi në vitet 1870-1875. Ja si e pershkruan poeti popullor ngjarjen me aq bujë për kohën: “Njëzetë e dy topa shtinë/ Se zunë Shemo Brahimë/ E dërguan në Janinë/ Të merret vesh me valinë..” Turqit festojnë me gjëmime topash. Përfytyroni kaçakun Shemo Kaso përballë valiut të Janinës. E kanë lidhur me zinxhirë e prapë s'u besohet. Vallë, eshte ai, që s'e mbante tabuti, firari që përballej me vdekjen si me një lodër? “Shemo molloisna mirë/ Ku ke prerë e ku ke grirë/ Ku ke ngrën’ e ku ke pirë?” Dhe përgjigjia e trimit që s’pranoi ta këmbente lirinë me asnjë lloj ofiqi, ushqehet nga krenaria e luftëtarit, zot në shtëpinë e tij. “Pasha, të të them një punë?/ S’më vjen keq pse më zunë/ Se bëra si desha unë/ Vrava turq, preva kaurë/ Tridhjetë vjet hajdut me vulë”. Le të flasim konkretisht për autorin e sipërpërmendur. Vargjet e Arbenit janë si luftëtarë, ecin në këmbë, me shigjetën mbërthyer pas harkut, gati për të shënjuar. Kjo shpreh edhe brendinë e autorit, karakterin e tij të fortë. Po çfarë trajton poeti? Ato plagë që kullojnë dhimbje, që ne i shohim dhe heshtim, apo s’guxojmë të prishim rehatllëkun. Ai e zbret ambasadorin nga kolltuku, i vendos një peshk mbi supet e brishta, (si ti thotë; mbytu në det!) dhe na e sjell përballë.. Po çfarë është në të vërtetë ky zotëri i ardhur nga larg. Një kinez i vogël, vetëm kaq. Pastaj zgjedh një nga kurvat që bëjnë politikë, një deputet, ministër apo vetë shtatlartësinë e tij me gjithë tumanet e gjera. “Pse më shkanë dy pika loti/ Si rrëke dalë nga shkëmbi/ Nuk qan burri kot së koti/ Nuk qan burri pa s’i dhëmbi”. Unë i drejtohem lexuesit; brenda poezive të Arbenit (apo Robertit) - zgjidh e merr, si brenda një sënduku me xhevahire. Këtë titull mban një nga poezitë e Nolit ku përshkruan veçoritë e shqiptarëve sipas krahinave. Edhe poezia e Arbenit është një galeri mbushur karaktere, me portrete interesante. Kemi shumë nevojë për këtë lloj poezie. Moderrnia dhe postmoderrnia janë nënprodukte të tharmit popullor, sipas kombeve e rracave. Ushqimi shpirtëror afrohet në bazë të vetëdijes qytetare, emancipimit shoqëror dhe krizave që kalon kultura. Një gazetë pezhorative, jo e vetmja, në krizë për tituj, për emra të rinj dhe problematika, huazon (nga faqja e F.B të Arbenit) dhe Robertit gjithashtu, nga një poezi të këtyre autorëve dhe boshllëkun e gazetës e mbush me mustaqet e “Xhaxho Plakut”. Këta lloj poetësh zëvëndësojnë polemistët mjeranë të studiove televizive. Po me kë polemizon poeti përtej lexuesit? Kryesisht me Robert Haxhin e në disa raste edhe me Çobo Golemin. Ky i fundit pastë fatin e Çobo Golemit të parë që i këndohet kënga. Pra, një treshe, si pirosti, gjetje interesante, thua se është realizuar nga mendja e një regjizori plot eksperiencë. Kjo treshe i ngjanë Trekëndëshit të Bermudës, kush përfundon aty e ka të vështirë ringjalljen. Të tre janë në mesin e udhës, d.m.th në mesin e jetës. Të tre janë të talentuar, por unë u ndala te krijimtaria e dy prej tyre, Arbenit dhe Robertit. Ky i fundit eshte natyrë babaxhani me orgjinë nga Delvina dhe stërnip në Golem, jurist me eksperiencë, i përkëdhelur nga jeta, djali i një artisti kēngëtar. E ka pirë mushtin e vreshtit dhe tani shkruan "letrat poetike" drejtuar kolegut poet, doemos edhe lexuesve. Brenda vargjeve të Arbenit ndjehet humanizmi, keqardhja le të themi, andaj qëllon kryesisht për të trembur. Çobo Golemi s’di ku e ka arkivuar mëshirën, qëllon drejt e në zemër, ndërsa Robert Haxhi më kujton gjeneralin e ushtrisë së vdekur, që përgatiste arkivolë. Është qibare Gjirokastra, Golemi akoma më i vështirë. Dikur (1985-1990) Sekretari i Parë i Gjirokastrës shkon me “Aron” e tij në Golem. Zbret te klubi i fshatit buzë lerës me ujë dhe u fut brenda. Një burrë plak pyet shoferin: - Kush është ai, more djalë? Dhe shoferi i habitur u përgjigj:- Është Sekretari i Parë, shoku Manxhar, nuk e njeh? Manxhari ishte si maxharët e Hungarisë. –Jo, tha plaku. Makinën e njoh, se vjen çdo të shtunë merr nga dy mishëra, por atë zërbinin s’e njoh…Provoni të shkoni në Golem pa u veshur me antiplumb dhe do më jepni të drejtë…Aristokratët gjirokastritë, për të vënë në lojë kundërshtarët e tyre takonin vjershëtorin Veip Mërkuri (Qorri) dhe jepnin porosinë kundrejt verdhushkave që i linin në pëllëmbë të dorës. Puna ishte e kryer aty për aty. Vargjet shpërndaheshin në Qafë të Pazarit si fara e zgjedhur. Edhe poezia e Arbenit po kështu, por pa porosi e shpërblim. Tjetër motiv e shtysë shpirtërore ka ky autor. Poezia e tij më solli në kujtesë një poet popullor të vendlindjes, quajeni bejtexhi, po deshët. Është Ali Dina. Në një përballje te Qafa e Pazarit në Gjirokastër, me një poet tjetër popullor nga ky qytet, fillojnë duelin. I pari që merr fjalën është i zoti i shtëpisë, gjirokastriti: “Ali Dina nga Gusmari/ Burr’ i mirë për së pari/ Po është sua dhjakonari/…Te shkosh në shtëpi, qyli pirpiri/ Në fund të shtëpisë, talër i mavrisë...” . Fjalën e merr mysafiri, Aliu. Përballja shoqërohej nga adhuruesit dhe komisioni që vlerësonte fituesin. Bastet ishin të rënda, me monedha floriri ose disa krerë bagëti të imta. Ja fjalët e Aliut që i drejtohet fillimisht shërbyeses së lokalit: “Mbylle, moj ti, atë derë/ Se na griu er’ e Çajupit/ në shtëpinë e mut stërmutit…” Pastaj Aliu i drejtohet poetit përballë: “Pjergullën që ke në derë/ Bëni hysmet të të pjellë/ Ta ushqesh atë mëshqerrë/ Jo për vete, për të tjerë…” E që të mos zgjatemi, kur Ali Dina kalon në fshatin e Bënçës shoqëruar nga një turmë dasmorësh, një bejtexhi nga ky fshat, guxon ti dalë përpara dhe të përballet me Aliun. Ja si fillon bënçori: “Të xhumanë në pasdrekë/ Na vijnë miket’ vetë/ I ndajmë çetë më çetë/ kush nga shtatë e kush nga tetë/ Sipas hallit që të ketë” Përgjigjia erdhi menjëherë nga Aliu: “Pa shih, shih muti se ç'thotë/ ka ngrënë losta shtatë okë/ Rrypi në çengel ja thotë/ Miket i kanë të zotë/ Kapedanë si suljotë…” E ngaqë bejtexhiu i vogël i Bënçës s’tërhiqej, kalorësi gusmariot i dha goditjen fatale: “Bënça në mes të rrëkesë/ Kush të shkojë le ta dhjesë/ Përveç Kapos dhe Teqesë” Këto fjalë nxitën Kapon të urdhëronte hapjen e udhës dhe si shpërblim ti jepej Aliut një numur miloresh të zgjedhura…Po le t’i mbyllim këto rreshta me dy nga vargjet e Arbenit: “Vjen një ditë, numuron vitet/ Se vetë jeta ka një cak/ Zjarri përbrenda venitet/ Është moti që ndihesh plak”. Autorët e mësipërm e meritojnë vëmëndjen tonë, sikurse edhe një fjalë vlerësimi të merituar s'kemi pse ta kursejmë. Mos u ngutni të gjykoni poetët. Edhe Sokrati, filozofi i ditur, kishte nevojë për këshillat e një demoni, ndryshe do u largohej parimeve të drejtësisë.


333 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page