top of page

Largësia në vrimë të gjilpërës


Largësia në vrimë të gjilpërës

Fatmir Terziu


Largësia? Shkurt pa metër: 8 shkronja, 1 fjalë në një letër.

Përgjigja? Përgjigja deri në fund të letrës. Asnjë shkronjë. Asnjë fjalë. Pse ndodhi? Pse përfundoi. Pse nuk u pamë në sy? Imagjinoni sytë tuaj duke folur. A jeni një nga ata ndjekës të verbër? Një nga ata që i lënë sytë të shohin edhe në errësirë për t'u ndjerë mirë? Shmangia e padrejtësisë, varfërisë, trishtimit, ikjes, dhimbjes. Imagjinoni se çfarë do t'ju thonë sytë.

Sytë? Ne jemi njerëz të humbur, me mendje të humbur, shpirtra të humbur, zemra të humbura. Ne jemi brezi i humbur. E humbur dhe koha jonë gjithsesi. Të humbur në botë, me tru të përsosur që nuk e përdorim. Dashuria e humbur, dashuritë e humbura.

Produkti: fëmijë të humbur. Të unifikuar me errësirën. Errësira na hap shpirtin. Kur nuk na mbetet më qartësi në sytë tanë dhe kur nuk shohim më me sy. Është koha kur fillojmë t'i shohim gjërat me mendjen tonë. Është koha kur mund t'i çlirojmë emocionet tona.

Mendimet: Unë mendoj se nata është krijuar për të menduar. Është koha kur mund të ecim në memorialin tonë si mbretër, si gjeneralë e kur gdhihemi thjesht si ushtarë. Kalojmë mes lluksit nëpër të gjitha momentet, kujtimet, dhe e shkelim me këmbë dashurinë, edhe dhimbjen, dhe e errësojmë edhe lumturinë. E fshijmë faqen. Është koha ku mund të gjejmë paqen. Dhe ikim e ikim bardhësisë së përkore, në fakt një vend për të shpëtuar nga kjo botë kryesisht mizore.

Errësira: tani ju drejtohem edhe Juve. Ju nuk keni frikë nga errësira për shkak të demonëve dhe monstrave atje. Më shumë gjasa keni frikë nga demonët tuaj me të cilët duhet të përballeni.

Sepse në fund të ditës ju jeni të gjithë vetëm. Fillon errësira. Njerëzit zhduken. Objektet zhduken. Sytë e juaj verbohen. Gjërat vështirë se gjenden. Shikimi që keni në mëngjes bëhet i turbullt. E vetmja gjë që mbetet je ti. Ti dhe mendja jote. Pas një dite të gjatë me shumë përpjekje për të shpëtuar, errësira ju pushton. Problemet dhe mendimet tuaja bëhen të qarta, sepse nuk ka asgjë tjetër për t'u fokusuar. Nuk ka mbetur asgjë tjetër që shqisat tuaja të shihen, apo të dëgjohen.

Shkaku: gjatë natës kur jeni shtrirë vetëm në shtratin tuaj keni lëshuar e dëgjuar vetëm pordha. Ju jeni përballur me demonët tuaj të brendshëm. Vetëm me veten tuaj. Horra! Horra që ju trukojnë edhe në gjumë. Ju jeni pak, ata janë shumë. Dhe në njëfarë mënyre mundoheni t'u shpëtoni këtyre demonëve natë pas nate duke rënë në gjumë. Por në shumë pak netë mendja juaj më në fund ndërpret gjumin tuaj. Ju edhe në gjumë, edhe në trup jeni padyshim të huaj. Të huaj sikurse fundi. Fundi i fundit a u ka interesuar?

Fundi: Por pse do të mendonit përgjithmonë nëse do të kishte një fund të qartë? Pse do të mendonit të jetonit përgjithmonë nëse gjithçka rreth jush po thahet? Thirreni largësinë. Ndiqeni largësinë. Vetëm për pak, vetëm pak, aq sa mëkati të ju shpëlahet!

Kaotike: Jo, nuk ju urrej, thjesht jam i lodhur nga të gjitha gënjeshtrat tuaja. Dua të them vetëm thjesht, që arrite të na kthesh në mesjetë. Sa kaotike. Por është thjesht poetike apo jo? Për ty kaq kisha, dhe për ne ti kaq kishe, thjesht fare thjesht, për të na bërë me hesht. A më duhet të të them se me veten tashmë po qesh. Ti e bëre këtë punë përshesh. Dhe tani është vonë për të mos ju votuar. Është e pamundur. Ju thjesht na keni kaotizuar! Na the se po të hiqet gozhda mbetet hapësira ë vërës. Ajo pra, Largësia. Largësia në vrimë të gjilpërës.

23 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page