top of page

LABIRINTHI I LIBRIT


LABIRINTHI I LIBRIT

NË TORINO…


Nga Visar Zhiti


“Në qytetin e librave” e kisha titulluar reportazhin tim të dikurshëm, në fillimin e viteve ‘90, kur kisha shkuar i përhënur në Panairin e Torinos.

Ishte hera e parë që do të shikoja një panair librash, ku as isha i ftuar dhe as kisha ndonjë libër timin, madje ishte dhe hera e parë që kisha dalë jashtë Atdheut.

Me miq të huaj, pra, të rinj, se si e solli fati, të nisja një specializim në gazetat e mëdha italianë “Il sole 24 ore”, “Corriere della Sera” dhe “Avvenire” në Milano…

Dhe në atë panair unë mbase isha gazetari më i varfër në botë. Më çoi kërshëria ime e madhe. Pata një magjepsje dhe marramendth që s’më ka ikur ende. Në Torinon e atyre ditëve rrija në shtëpinë e gazetarit zemërmirë Andrea Casalegno, sipër lumit Po, që ia tregoja se ç’do të thoshte shqip emri i atij lumi, një fjalë që na kishte munguar aq shumë në përditshmërinë tonë të ashpër. Edhe babai i Andreasit kishte qenë gazetar, i pari të cilin e kishin vrarë terroristët, Brigadat e Kuqe. Shtanga. Prandaj të ishte afruar aq shumë me mua, po mendoja…

- Eja në Torino, - më tha, - se është dhe një shkrimtar shqiptar, Kadarè, në veprimtaritë e çmimit “Grinzane Cavour”…

- E di, - thashë.

- Merr trenin se është afër…

Ashtu bëra dhe u çudita sa shumë shkrimtarë pashë, të shquar, të huaj… shkrimtarin gjerman Günter Grass, që do të merrte më pas çmimin Nobel, me mustaqe të zeza e të trasha si të shqiptarëve, kështu m’u duk, e megjithatë s’i afrohesha dot, ndryshe më ndodhi me poetin rumun Marin Sorescu, më mirëkuptoi menjëherë, mbante një triko të bardhë leshi, si të shqiptarëve dhe ai, i mora dhe një intervistë, që s’dija ku do ta çoja, i largët m’u duk dhe shkrimtari argjentinas Adolfo Bioy Casares, por duhet të ketë qenë druajtja ime a frika nga fantazma e Borgesit, mikut të tij, e dija ashtu si Kafkën, megjithëse me kroatin Predrag Matvejeviç folëm gjatë, ndërkaq i mora një autograf dhe një shkrimtari rus, plak dhe i dobët, mbaj mend vetëm emrin e romanit të tij tani, “Qoshja e pestë”, - nga ju isha në burg, - s’di pse dhe guxova dhe ia thashë befas, ai i prekur m’u përgjigj se dhe vetë kishte qenë në burg, - po, e pashë në shënimet në kopertinën e librit tuaj, - vazhdova italisht dhe përkthyesja e bukur ia tha rusisht, - por desha të thosha se ishim në burg nga sovjetikët, - dhe ai sikur u zbut, por trishtimi nuk i iku a ashtu ishte gjithmonë. Të grindesh me përkthyes, mendova për një çast, dhe kjo duhej…

Dhe me Kadarenë do të takohesha për herë të parë, jo se nuk e kisha parë në Tiranë, kisha qenë dhe afër tij me të tjerë, por ai nuk më njihte dhe nuk kishim biseduar kurrë. Pasi u largua në Paris dhe kërkoi “strehim politik”, më dërgoi një letër prej andej, punoja në “RD” atëhere, iu përgjigja dhe po flisnim dhe në telefon dhe i thashë se do të vija në Torino… iu bëra i afërt, bashkatdhetari pra, ishte dhe Znj. Helena Kadare, bënim dhe ndonjë shëtitje dhe biseda të thjeshta, njerëzore, z. Ismail bënte dhe humor, ndërkaq e respektonin shumë, si të veçantë.

Dhe në një nga ato paradite shkova në Panair, më mahniti, i parrokshēm, labirinth librash pa mbarim, i rrethuar s’dija ku të shkoja dhe ku të ndalesha, vetëm ecja, l…i…b…r…a, doja të bërtisja, të bija mbi libra, tmerr, tmerr i bukur dhe e ndjeva humbjen, më dëshpërueshëm se më parë, me ngushëllimin se e arrita një ditë të tillë, se mos ishte vegim, nuk ndesha asnjë nga shkrimtarët e Çmimit “Cavour”, ecja, labirinthi përsëritej, libra pafund, torturë leximi dhe mosleximi, çfarë mrekullie, etj, etj, mendime të tilla më gumëzhinin në kokë brenda gumëzhimave kozmike të panairit. Dhe bëra një shkrim të gjatë, e nisa me faks në Tiranë dhe u botua në një gazetë që do të falimentonte a do të mbyllej, me emrin buçitës “Zëri i Rinisë”.

M’u kujtuan të gjitha këto nga që nesër hapet Panairi i Torinos, Shqipëria është dhe e Ftuara e Nderit, lexoj, dhe ka vajtur një ekip me shkrimtarë, po kush është trajneri, lexoj prapë të pyesin, vë buzën në gaz, ja, emrat, lexoj diku tjetër, nis me një këngëtar të njohur në Itali, Ermal Meta, ka botuar një libër tani, të pranishëm do të jenë edhe: Ylljet Aliçka, Enkel Demi (me pseudonimin Tom Kuka), Benko Gjata, Anilda Ibrahimi, Fatos Kongoli, Darien Levani, Matteo Mandalà, Virgjil Muçi, Liridon Mulaj, Lucia Nadin, Ardian Ndreca, Bashkim Shehu, Ornela Vorpsi, Tobias Xhaxhiu, Lea Ypi, po është dhe Andreas Dushi… lexova dhe Gëzim Hajdari… i njoh, gati të gjithë, miqtë tanë, letërsia jonë…suksese, suksese, suksese, them me zë.

Po poeti Skënder Buçpapaj, pyes, është dërguar ndonjëhere në ndonjë panair? Dhe romancieri Dashnor Kokonozi që nga Franca nuk e ka shumë larg. Po poezia e Fatos Arapit?…

Unë atëhere isha vetëm, shumë vetëm, mbase i vetmi shqiptar në Panairin e Torinos, por më vonë do të shkoja prapë, bashkë me Edën time. Po ai labirinth, por jo aq i pakuptueshëm, as i rrezikshëm si më parë, i lodhshëm mbase. Dhe më shumë… Shqipëria për herë të parë ftohej zyrtarisht dhe kujtoj që ishin dhe Mimoza Hysa, dhe Arben Dedja, dhe Roland Sejko, dhe arbëreshi Carmine Abate, shkrimtar tashmë i njohur në Itali. Dhe Konsulli i Nderit, Giovanni Firera, që s’e di a ishte më… një autograf, më ndali dikush… dhe kishte librin tim të parë, botuar në Itali, “Croce di carne”, dhe kur? Kur në atdheun tonë ndodhte ‘97, viti i kaosit dhe i shkatërrimeve, i barbarisë, i absurdit më të madh, kur u armatosën të gjithë shqiptarët kot, edhe fëmijët, dhe u çarmatos Shqipëria. Të gjithë kundër të gjithëve, vetvetes.

Përkthyesi im i shtrenjtë, Elio Miracco, futi në libër dhe poemën time të re, të atij viti, “Vetëvrasja e atdheut”, të cilën një gazetar televiziv i RAI-it do ta lexonte duke qarë.

Shtoheshin botimet në Itali, në panaire të tjerë do të ishin librat tanë, edhe pa ne… stendat e botuesit “Rubbettino”… Gëzim Qendro… po, po, dhe libra të mi, ndërsa nesër do të jetë dhe romani “Sulle strade dell’ inferno”, ky vetëm nga të mitë i përkthyer nga Prof. Matteo Mandalá, botim i editorit “Besa”, - a do vish? - më pyeti Livio Muci në messenger, - jam larg, - thashë, - larg…


A do të këtë libra nga autorë të përndjekur? Nga ajo që po e quajmë letërsia që erdhi nga burgjet dhe internimet, se poetët dhe shkrimtarët që vdiqën burgjeve apo internimeve, që i pushkatuan, nuk shkojnë dot… Haxhiademi… Xhagjika… Blloshmi… Delvina… mërmëris… ngjajnë me rënkimet… Apo veç ribotime… Sollzhenicin… Shallamov… Brodski… po drama “Rrajët lëvizin” e Ernest Koliqit tonë?… dhe libra nga luftërat e reja a do të ketë?… Ukraina… E Kosova jonë?… Podrimja, Shkreli, Bajraj, Apolloni, Kelmendi…

E ç’na pengon të kemi një stendë të përbashkët?

“Onufri” ka dërguar nga Tirana Vepren e plotë të Kadaresë, botim i ri në 7 volume, me një punim ornamental të shtrenjtë.

7-ta është numër i mirë, po thosha me vete.

Dhe pata vegimin e pikturave në kopertinat e librave të mi, dy të parat në Itali i bëri posaçërisht për to Valer Dyrzi Tarasov, bashkëvuajtës imi në burgun e Qafë-Barit dhe tani piktor i njohur… Kopertinë të shkëlqyer do të bënte për “Il visionario alato e la donna proibita” Miron Topçiu, djali i mikut tim, ndërsa botimet e fundit si kudo të miat, do të kishin në ballinë piktura të djalit tim, Atjonit, copra yjesh, natë që thyhet…

Ata që lexuan poezinë time në Itali, e mirëpritën, më me dhimbje se në atdhe, më deshën më shumë, më dukej, por kjo nuk e pakësoi dashurinë time për Dheun Amë.

Po shkruanin poetë për librat e mi. I pari, i madhi Mario Luzi, Senator i Përjetshëm. Poeti tjetër, Presidenti i PEN-it italian, Sebastiano Grasso. Ai jo vetëm do të bënte parathënien e përmbledhjes “Confessione senza altari” dhe do të shkruante në “Corriere della Sera” dhe për romanet e mi. Dhe të tjerë të njohur si poeti Franco Loi, kritiku Ennio Grassi, poetët dhe kritikët Dante Maffia, Davide Brullo, etj, gazetarët Giovanni Ruggiero, Roberto Beretta, Adalberto Cuzzi, etj, së fundmi dhe gazetarja Anna Lattanzi, etj. Po dhe eseisti, preminenti, siç e quajnë, Goffredo Fofi. Dua të kujtoj dhe semiologun e madh të shekullit XX, filozofin dhe shkrimtarin Umberto Eco…

Dhe sa çmime letrare e madalje më ka dhënë Italia, rëndësi ka që ato kanë dashuri shumë, me emrat vezullues si “Leopardo d’oro”, “Ada Negri”, “Mario Luzi”, po këtë çmim mori dhe nobelisti Derek Walcott po atë ditë, dhe do të vazhdonin… Kultura e Deteve… ai i Karrierës… “Linguaggio dell’anima”… dhe… dhe… kujtova shumë, kam sjellë dhe imazhe, ç’m’u gjendën, shkak është labirinthi… dhe jo vetëm pse po vjen mbrëmja ime dhe nesër hapet Panairi i Torinos, por desha të shpreh mirënjohjen për Italinë, që na dha aq shumë, me njerëzit e saj që dinë të jenë njerëzore, gëzohen shpejt me tjetrin dhe bëhen miq, familjarë, shpirtbukur si vendi i tyre plot me dallgë kaltërsish, mështu kam shkruar, që gëzimet dhe trishtimet i kthejnë në poezi… siç janë dhe vetë…

Panairi i Librit i Torinos nesër hap dyert dhe do të dynden njerëz pambarim, kështu besoj dhe lutem që prej andej të dynden librat ndër njerëz, pa mbarim qoftë dhe kjo!

Mjafton që libri nuk na lë të harrojmë se si mund të urojmë…



66 views17 comments

17 Kommentare


Minush Hoxha
Minush Hoxha
17. Juni 2023

E lexova këte shkrim, analizë a informacion të Visar Zhitit dhe më ra në sy-po njohuritë e tij nga letrat, por entusiasmi i tij për gjetjen në atë mjedisë dhe gjetëmerinë e tij komunikuese. Është shkrimtarë-poet i lartësisë së listes krijuese, por, edhe shpirtë kapihapur për si i thot z.Martiko, Rilindjen shpirtërore. Komunikon me emëra të mëdhenjë, i adhuron, me pijetet sillet me ta, është mirënjohes dhe-thjeshtë, di ç'peshë ka letersia dhe ,,Rilindja shpirtërore" e cila do zhbëj medikokritetin krijues për të shpie shoqërinë në një kohë që i duhet njeriut dhe kombit. Dmth. nuk është njeriu, prototipi shqiptarë i ngujuari në një kohë, i ngulfaturi morbid nga ajo kohë, por është ai i urrishmi për Rilindjen shpirtërore. E Zhiti…

Gefällt mir

Fjala Lire

Robert Martiko Është e qartë se nuk mund të thuhet për „konfuzion“, pasi vetë fakti nuk humbet rast të shprehë konvencionalitetin me të cilin përdoren termat e duhur në kontekstin e përgjithshëm të artit të unifikuar dhe estetikës së unifikuar. Nuk ka thjesht të huaj dhe e jona. Gjithçka është e njëjtë: arti i unifikuar, estetika e unifikuar (...) Rilindja Shpirtërore nuk është shkollë, është Art. Dhe pse të mos e quajmë këtë art domosdoshmëri? Pyetja është një çështje e një termi të tepërt - një pyetje për kompaninë e ngritur me qëllime individuale, dhe qëllime që shkojnë përtej emrave dhe seleksionimeve absurde. Kush është i lexuar? Kush e ka lexuar? Robert e gjitha duhet mirëkuptuar se do…

Gefällt mir

Robert Martiko

Fjala Lire, më shumë se sa art Rilindja Shpirteroe ka vlere për SHOQERINË. E shikoj gjithe temën në aspektin antropologjik.

Gefällt mir

Fjala Lire

Robert Martiko Në fakt, nëse mund të ketë ndonjë hezitim terminologjik, ai lidhet kryesisht me fazat e pranimit të termit në vetvete, pasi ndoshta keqkuptohet. Por po të merret në thelbin e tij më të thjeshtë, atëherë kjo natyrshëm mirëkuptohet. Për shembull është ndoshta më lehtë të shkojmë tek një thjeshtësi, ta zemë me artin që formohet nën ombrellën “ekspresionizëm”. Fillimisht me gjetjet e hershme në lidhje me artin figurativ – si analog i simbolizmit në poezi: “Arti – qoftë “simbolizëm” (në poezi) qoftë “ekspresionizëm” (në pikturë)...”. Përpara këtij interpretimi “ekspresionizmi”, sërish në këtë kuptim, përmendej vetëm në shënimin “Ekspresionist“. “Ekspresionizmi” si term i përgjithshëm estetik me kuptime të përafërta me ato që më parë i ishin bashkangjitur…

Gefällt mir

Robert Martiko

Fjala Lire e themi veten ne te dy. Te tjeret nuk emocionohen. Nuk shikojnë se është pika e fillimit te te gjitha mendimeve, me qëllim në një të ardhme të fillojë të filtrohet mendimi intelektual dhe pastaj i shoqerise.

Gefällt mir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif