top of page

LABI REZO ÇULLI REND PARESHTUR NEKTARIT TË POEZISË


SHPENDI TOPOLLAJ



Në fillim të viteve gjashtëdhjetë, ishte ende koha e besimit tek ato që na thuheshin; pra idealet ende nuk ishin zbehur. Natyrisht që te ne skënderbegasit ndikonin edhe zhvillimet politike. Shqipëria e vogël kishte guxuar të kundërshtonte Partinë Komuniste të një vendi shumë të madh, siç ishte Bashkimi Sovjetik. Qëndrimi atdhetar i marinarëve tanë, kur e përzumë Flotën e tyre Detare, ishte frymëzues. Paradoksalisht, vazhdonim të shihnim filma sovjetikë që na i shfaqnin në kinemanë e shkollës të shtunave dhe të këndonim këngë ruse. Oficerët që kishin studiuar atje, na tregonin histori mjaft të këndshme për atë popull dhe sidomos për civilizimin e vajzave, aqsa kishim përshtypjen se vetëm te mbrëmjet e vallzimit dhe te dashuriçkat e kishin mendjen. Ashtu si pa kuptuar, mendonim se marrëdhëniet mes dy shteteve do përmirësoheshin dhe ne do të shkonim patjetër atje për të vazhduar studimet e larta. Po ashtu, mësimi i gjuhës ruse vazhdoi gjersa mbaruam maturën. Nuk u prekën as shkrimtarët dhe poetët e shquar që ai popull kishte nxjerrë gjatë historisë së tij dhe ne i mësonim përmendësh Pushkinin, Lermontovin, Shevçenkon, Majakovskin, Eseninin dhe njihnim mirë veprat e Tolstoit, Çehovit, Gogolit, Fadejevit, Shollohovit me shokë. Pastaj, edhe gazetat e revistat, sidomos ato letraret, vazhdonin të botonin shumë nga krijimtaria e tyre. Mësuesit tanë, dhe ne kishim mësuesit më të zot që mund të kishte kryeqyteti, me kulturën dhe pasionin e tyre, na fusnin dëshirën, për të mos thënë, dashurinë për letërsinë. Ata krijuan rrethet letrare në çdo klasë dhe veç të shihje se si vërshuan poezitë e para. Dhe ja ku shfaqën talentet e para të kursit tonë: Roland Musta, Agim Hila, Hysni Milloshi, Bashkim Çepele, Valter Baze, Xhoxhi Prendi, Ilia Laska etj. dhe mes tyre ai labi simpatik Rezo Çulli, që falë flokëve të tij kaçurrela, i vumë epitetin ruda. Ne të gjithë e kishim nga një të tillë, por tek ai kishim goditur në shenjë se edhe si sjellje e karakter ai ishte i butë si delja rudë. Plot dinjitet në urtësinë e tij, ai mbante fshehur atë mospajtimin me asnjë nga veset e të tjerëve, se edhe vetë ishte qysh atëherë personifikim i virtytit. Si dolëm oficerë, jeta na ndau, pasi shërbyem në armë dhe vende të ndryshme. Por ne skënderbegasit, miqësinë e atyre viteve e kemi të shenjtë. Në takimin e 50 vjetorit të maturës, kur Rezua më dhuroi librin e tij në prozë “Abrashët”, konstatova se ai, atë mos pajtimin me veset e shoqërisë e kishte kthyer në protestë ndaj politikës dhe veprimeve të shtetarëve të korruptuar. Dhe shumë vite më pas, po këtë qëndrim të palëkundur dhe të guximshëm, ai e kishte edhe në poezitë e tij, që i kish përmbledhur te libri “Revoltë me heshtjen…” të cilin ma dha, kur miku ynë i mirë Cane Mehmetaj dhe i biri i tij ing. Elvisi, na ftuan në një drekë në Durrës, për të kujtuar ato vite. Sikurse shihet, qysh në titull ai e deklaron boshtin e këtyre poezive, bosht i cili tani i mprehur mirë, e shtrin mospajtimin jo vetëm me kusuret e jetës së përditshme, por edhe me qëndrimin indiferent ndaj tyre. Për këtë, profesori i nderuar Bardhosh Gaçe shprehet me të drejtë se ai është edhe i shtyrë nga temperamenti i trevës nga vjen. Madje unë do të shtoja se ajo është influencë edhe e edukatës që Rezua ka marrë në familjen e tij. Mjafton të përmend se poet - fabulist fshikullues është edhe i vëlla i tij, mjeku i njohur Izet Çulli, për të cilin ai shkruan: Si mjek e poet ke shkruar / me guxim dhe mençuri. / Në këtë kohë të trazuar, / çel pranverë me poezi. V. Goethe dikur ka thënë se “Ndjenja e gjallë e realitetit dhe aftësia për ta shprehur atë - ja çfarë bën poeti”. Poeti rron me përditshmërinë e njerëzve të vendit të tij; “Më ther në zemër për këtë Atdheun tim të bukur / brengën që më brengos me juve desh ta ndaja,”. Dhe të gjithë këtë, Rezo Çulli e bën si parnasian, por jo si francezi Lëkont dë Lilë e co. që shquheshin për frymë pesimizmi dhe imtësira, por në kuptimin që bën shumë kujdes me vargun e strofën, për t`i perfeksionuar sa më shumë ato. Ai e lëmon dhe e zbukuron atë, brenda mjeteve të thjeshta, ashtu si ai bariu që gdhend një fyell në një copë dru, prej nga dalin tinguj që depërtojnë drejt e në shpirt. Kritika e tij edhe kur është e ashpër, merr trajta lirike, herë - herë sarkastike, por gjithsesi të bën të vesh buzën në gaz, por edhe të vë në mendime. Ai stigmatizon ata që e katandisën vendin në këtë situatë, duke folur me fjalë të mëdha, fjalë që shpejt i merr era dhe i quan ata birbo që mbulojnë lulet me ferra. Ai dyshon te reformat që gjoja ndërmerren te ne dhe që nuk po mbarojnë kurrë. Justifikimi i stërzgjatur për dështimet është se jemi në tranzicion. Një tranzicion i pafund, ku duket se dhe bota po tallet me ne. Dhe këtu edhe temat që rrok pena e poetit, gjithashtu nuk kanë fund. Bëjnë sikur qortojnë politikanët opozitarë, gazetarët, opinionistët, por edhe pse deklarojnë se janë të pavarur dhe po artikulojnë mendimet e tyre të lira, kuptohet që nuk e kapërcejnë dot barrikadën e interesave të ngushta. Ndërsa poeti - pensionist që ka idhull Ali Asllanin (për të cilin thotë se e ka si perëndi, në kohë të maskarenjve), është zëri më i sinqertë, pasi ai varet vetëm nga ndërgjegja e tij dhe nga askush tjetër. Prandaj duhet dëgjuar dhe duhet besuar poeti. Ai thotë: Pak nga pak më lë fuqia, / ka trokitur pleqëria. / Hallin e kam te rinia, / unë i bëra ditët e mia. Po kështu ai i referohet kurajës plot talent të Migjenit që e quan gjeni, vullkan e tërmet. Dhe po të kishte mundësi, në çdo qytet do ngrinte për të nga një lapidar, edhe pse e di mirë se poeti ia ngre vetes monumentin. Ja si thosh Horaci te Odet e tij “Exegi monumentum aere perenius”, pra “Kam ndërtuar një monument më të fortë se tunxhi”. Por poeti, si për ta theksuar dëmin e të keqes, i kthehet në librin e tij virtyteve dhe vlerave njerëzore, bukurisë së natyrës e madhështisë së dashurisë. Këtë e bën me qëllim; duke treguar kontrastin, ai sikur do të thotë: po ç`bëni o të mjerë, nuk e shihni mrekullinë: Flakërin kuqërremtë mbi kreshta, / zhuzhurin zhurma nëpër kroje, / hapet drita e ditës në vreshta, / vajzat si gurgullimë në kroje. Në renditjen e këtyre të kundërtave, duket se jemi në kuptimin e gjërë, para një oksimoroni. Ndaj ai u thur lavde njerëzve me vlera që bënë gjithësa mundën për popull e atdhe. I këndon Isa Boletinit, Mustafa Matohitit, Nënë Terezës, Papa Françeskut, Vaçe Zelës, Flora Brovinës, shkencëtarit B. G., mikut H. M., M. Lilës., poetit ushtarak Lirim Deda, Xh. Ferizajt, Panajot Panos, e deri të afërmëve siç janë, nëna, babai, motra, mbesa etj. Percy Shelley, ai liriku anglez, duke vlerësuar poezinë e ka quajtur atë si më të mundshmen për të “përjetësuar gjithçka është më e mirë dhe më e bukur në botë”. Ka qenë një doktrinë e karakterit kulturor dhe politik aty nga fundi i viteve tridhjetë që e nisi Branko Merxhani dhe u quajt neoshqiptarizëm, rrymë që synonte ndarjen nga ndikimi lindor dhe orientimin drejt qytetërimit evropian. Duket se ka ardhur koha që edhe krijuesit sot ta ringjallin këtë tendencë në krijimtarinë e tyre, sikurse e bën edhe Rezo Çulli, sidomos te poema “Autokton”, në mbyllje të së cilës shkruan: Ne kemi qenë, jemi e do jemi Evropë, / të bashkuar në trojet tona, jo të shpërbërë, / ka ardhur koha ta mblidhni mendjen top, / jemi përballë jush, një komb i tërë!” Dhe e mbyll librin e tij të poezive miku im i vjetër me fjalët: Pas këtij libri fundit s`i dihet, / sepse, kam ca dekada mbi shpinë, / postulat u lë se liria s`blihet, / me zemër ta doni Shqipërinë. Këtë e ka konstatuar edhe poeti tjerër skënderbegas, i ndjeri dhe i ëmbëli Lirim Deda i cili shkruan për Rezo Çullin: Këngëzo, o Rezo, rrezatuesi, / nëpër nervat e shpirtit bujar… / Ti vetvetja je këngëtuesi, / i rilindjes në pyllin shqiptar. Por edhe vetë poezia ka nervin e saj, i cili sipas Karlajv (Carlyle), jeton në zemrat e të gjithëve. Ndaj dhe poetët nuk kanë vdekje.

55 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page